Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Njerëzit janë si metalet

Ebu Hurejre (r.a) transmeton  në hadithin e saktë, se Profeti (a.s) ka thënë: “Do të gjeni se njerëzit janë si metalet e floririt dhe argjendit. Ai që ka qenë i mirë në xhahilije, ai do të jetë i mirë edhe në Islam, nëse e kupton drejt islamin. Shpirtrat e njerëzve janë duar – duar. Kur ngjasojnë ato bashkohen e kur ndryshojnë ato ndahen”. (Muslimi).
 
Ky është hadithi, për të cilin do të flasim më poshtë. Një hadith që shërben si orientim në jetën tonë praktike. Ky hadith është një nga fjalët e profetit (a.s), i cili s`ka folur kurrë nga vetja e tij. Ky hadith i ngjan pak a shumë hadithit, që fliste për besimtarin e fortë dhe besimtarin e dobët.
Hadithi për të cilin do të flasim, bën fjalë për aftësinë e njohjes së njerëzve dhe sipas këtij hadithi, njerëzit nuk janë të gjithë njëlloj. Në hadithet e profetit (a.s) përdoren shumë shembujt e ilustrimet. Çuditërisht ilustrimet e tij janë shumë praktike.
Profeti (a.s) thoshte: “Besimtari i ngjan pemës së palmës. Prej saj nuk ka asnjë të keqe”. (Taberaniu).
Herë të tjera ai (a.s) thoshte: “Besimtari i ngjan bletës. Shkon vetëm atje ku ka erë të mirë. Po të qëndrojë mbi një shkop të prishur, ajo nuk e thyen atë”. (Ahmedi dhe Bejhakiu).
Kurse në hadithin për të cilin do të flasim, ai ka thënë: “Njerëzit janë si metalet e tokës. Ai që ka qenë i mirë në xhahilije, ai do të jetë i mirë edhe në Islam, nëse e kupton drejt islamin.  Buhariu dhe Muslimi. Shpirtrat e njerëzve janë duar – duar. Kur ngjasojnë ato bashkohen e kur ndryshojnë ato ndahen”. (Muslimi).
 
- Njerëzit janë si metalet. Ky është përshkrimi, që Muhamedi (a.s) i bën njerëzve dhe i shëmbëllen ata me metalet e tokës, sepse vetë njeriu ka ardhur prej tokës. Veçoritë e mineraleve të tokës do t`i gjesh edhe tek njerezit, sepse vetë njeriu e ka prejardhjen nga toka.
Në tokë do të gjesh minerale shumë të shtrenjta, që gjithmonë kërkohen dhe iu rritet vlera. Po ashtu ka edhe disa njerëz, që janë shumë të çmuar. Me kalimin e kohës atyre nuk iu bie vlera. Do gjesh minerale, të cilat sa më shumë t`i pastrosh aq më shumë shkëlqejnë. Ashtu është edhe puna e njerëzve. Kur fitojnë besimin, iu shkëlqejnë cilësitë dhe vlerat e tyre. Do gjesh minerale të ashpër dhe njerëz të ashpër. Do gjesh minerale, që ke qejf t`i mbash në dorë, siç është floriri, po ashtu do gjesh edhe njerëz, që ke dëshirë t`u rrish pranë e të bisedosh me ta. Do gjesh minerale, që e ndryshojnë ngjyrën e tyre sipas ambjentit e sipas kushteve. Po kështu do gjesh edhe njerëz të tillë, që e ndryshojnë natyrën e tyre, sipas interesit të tyre. Do gjesh minerale, që ndoshta nuk janë shumë të bukura, por mbajnë fort. Ka edhe njerëz, që mbajnë fort, që durojnë shumë. Ka minerale të tjera, që mund të jenë të bukura, por nuk durojnë fare. Pak po t`i godasësh ata thyhen në mes. Ashtu ka edhe njerëz, që të pëlqejnë nga pamja e jashtme, të pëlqen fjala dhe ecja e tyre, por pak po të sprovohen, ata tërhiqen dhe të lënë në baltë.
- Ai që ka qenë i mirë në xhahilije, ai do të jetë i mirë edhe në Islam. Mësimi më i madh që nxjerrim nga kjo fjalë është, se Islami nuk e sheh xhahilijetin (koha e injorancës paraislame) njëlloj. Në mes të atyre që nuk e njohin fenë, ka shumë burra e gra të mira, ka shumë njerëz me vlera. Janë të mirë edhe pse janë të paditur për çështjen e fesë. Nëse këta bëhen muslimanë, mirësia e tyre vazhdon. Islami i fshin gjynahet e kaluara por jo vlerat e njerëzve. Ai që ka pasur vlera para se të bëhej musliman, ai do të ketë vlera edhe pasi të futet në Islam. Ne themi: “Nëse është xhahil (injorant), nëse nuk e njeh fenë, atëherë shumëzoji të gjithë me zero”. Ndërsa profeti (a.s), në ndryshim nga ne, i shihte njerëzit ndryshe. Islami nuk i sheh njerëzit bardh e zi. Profeti (a.s) i lutej gjithmonë Zotit me fjalët: “O Zot forcoje Islamin me një nga dy Omerët”. (Tirmidhiu dhe Ahmedi)
Kush ishin këta dy Omerët? Njëri ishte Omer Ibn Hattabi (r.a) dhe tjetri ishte Ebu Xhehli. Që të dy kanë qenë jobesimtarë dhe armiq të profetit (a.s). Profeti (a.s) lutej për këta të dy, sepse kishin cilësi shumë të forta, kishin autoritet dhe personalitet. Nëse këta bëheshin muslimanë, i bëheshin krah i fortë Islamit. Zoti deshi, që të udhëzohet Omer Ibn Hattabi (r.a) dhe jo Ebu Xhehli, sepse Omer Ibn Hattabi (r.a) ndoshta kishte sekrete, që i njihte vetëm Zoti i gjithësisë. Pra shiko sesi profeti (a.s) i njihte njerëzit. Madje ai përdorte Ebu Bekrin (r.a), për të njohur njerëzit. Ebu Bekri (r.a) si pasojë e tregtisë që bënte me njerëzit dhe marrëdhëniet që kishte me ta, i njihte cilësitë e tyre, i njihte vlerat e fiseve. Ai thoshte: “O profet i Zotit! Ky që shikon është dashamirës, e pëlqen kurbanin. Ky tjetri e mban shumë farefisin. Ky tjetri është trim i madh”. Pra ia tregonte cilësitë e çdokujt që njihte dhe profeti (a.s) ia nxirrte në pah cilësitë këtij personi, jo thjesht për ta ftuar në Islam, por për t`i treguar se ai kishte një cilësi, të cilën e donte Zoti i gjithësisë.
Po ashtu dihet që profeti (a.s) e ka pranuar mbrojtjen e Ebu Talibit, xhaxhait të tij, ashtu siç ka pranuar mbrojtjen e disa personave dhe nuk ka pranuar mbrojtjen e disa të tjerëve. Pse vallë?! A thjesht për ta përdorur Ebu Talibin? Jo. Ai e dinte se Ebu Talibi ka cilësi shumë të larta. Ai kishte burrëri, ishte njeri i fjalës, kishte autoritet. Ebu Talibi i donte të mirën, por thjesht ndonjëherë burrëria e devijonte nga ndjekja e fesë. Njëlloj ka vepruar profeti (a.s) edhe kur ka pranuar mbrojtjen e të tjerëve. Ai ua njihte cilësitë e tyre dhe mundohej t`i ftonte në Islam.
Një person nga arabët vdiq dhe nuk u bë musliman. Kur ai ka vdekur, Islami ka qenë në fillimet e tij. Ai quhet Hatim Et Taij, ose siç quhet ndryshe Hatem. Ky njeri ishte jashtëzakonisht bujar. Të gjtihë shërbëtorët e tij kishin detyrë, vetëm që t`u shërbenin haxhinjve, sepse edhe në atë kohë bëhej haxhillëk. Dilnin në rrugë, thernin dele e deve, shërbenin me ujë e me çdo gjë tjetër. Ai nuk kërkonte prej njerëzve asnjë shpërblim. Prandaj arabët kur e cilësonin dikë si bujar thoshin: “Bujar si puna e Hatemit”. Ky person vdiq pa e pranuar Islamin. Kur përmendeshin lajmet e tij, profeti (a.s) thoshte: “Po të më vinte një person si Hatim Et Taij, do ia falja robërit e luftës. Ka pasur cilësi që i do Zoti i gjithësisë”.
Ai (a.s) nuk tha: “A nuk është bërë musliman, shumëzoje me zero”, por ia vlerësoi cilësitë dhe djalin e tij Adij Bin Hatim e ka mbajtur shumë afër. E respektonte të atin e Adij Bin Hatim, e respektonte edhe të birin.
 
Po ashtu profeti (a.s) nuk i ka harruar asnjëherë njerëzit që e ndihmuan të dalë nga bojkoti tre vjeçar i Mekes.
Muslimani është besnik dhe nuk i sheh të gjithë njerëzit njëlloj, por mundohet t`i ndajë. Jo vetëm atëherë por edhe tani, jo të gjithë jomuslimanët janë njëlloj. Ka prej tyre burra me kuptimin e plotë të fjalës “burrë”. Pasha Zotin ka njerëz që luftojnë, duke mbrojtur Islamin dhe muslimanët. Mbrojnë djemtë që mbajnë mjekër, vajzat që mbajnë hixhab më shumë se ç`bëjnë të gjithë shoqatat dhe vetë muslimanët. Ka të tjerë, djem dhe vajza që vdesin në emër të drejtësisë.
 
Një prej tyre është një vajzë amerikane me emrin Rashel Kuri, e cila qëndroi përpara buldozerit izraelit, vetëm që ai të mos prishte shtëpitë e palestinezëve. Buldozeri e shtypi dhe ajo vdiq në këtë formë. Thuaj po deshe që kjo ishte xhahile dhe puna e saj nuk ka vlerë. Sipas rregullave islame nuk mund ta trajtosh kështu. Është e vërtetë që nuk ishte muslimane, llogarinë dhe gjykimin e saj e bën Zoti i gjithësisë, por ti je i obliguar t`i thuash të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Në ditët tona ka shumë muslimanë me emër, kryetarë shtetesh muslimane, por del një jomusliman, i cili me deklaratën e tij ka më shumë ndikim, se deklaratat e të gjithë këtyre të tjerëve.
 
Shpesh e ngushtojmë fenë e Zotit në “xhahilë dhe muslimanë”. Kështu kemi mbetur si jetimët më njëri – tjetrin dhe nuk përfitojmë nga mirësitë e të tjerëve. Nuk i nxisim të tjerët, nuk ua tregojmë vlerat të tjerëve. Njeriu ka qejf t`ia tregosh vlerat. Duhet t`i themi atij personi: “Ti vërtet ndoshta nuk e njeh besimin, por ke filan cilësi, që Zoti e do shumë”. Ndoshta duke ia përmendur këto cilësi, ti bëhesh shkak për ta tërhequr dalëngadalë drejt fesë së vërtetë, drejt Islamit e t`i japësh kuptim këtyre vlerave.
 
Ky hadith tregon edhe diçka tjetër: Jo vetëm xhahilët nuk janë njëlloj por edhe muslimanët nuk janë njëlloj. Ne vërtet e ndjejmë veten vëllezër dhe motra të gjithë bashkë dhe qëndrojmë në një rresht kur falemi. Ne nuk e dimë se kush është më i mirë para Zotit, por nuk jemi të gjithë njëlloj. Ka prej nesh njerëz që kanë vlera, lavdi, post, autoritet. Ka të tjerë, që janë njerëz të thjeshtë. Islami nuk i trajton të gjithë njëlloj e as profeti (a.s) nuk i ka trajtuar të gjithë njëlloj. Kur Profeti (a.s) i shihte shokët e tij, të jepte përshtypjen se çdokënd e donte më shumë se të tjerët. Çdokush që e shihte në sy profetin (a.s) thoshte: “Mua më do më shumë se të gjithë”. Por nga ana tjetër, ne të gjithë e dimë, se njeriu më i afërt për të ishte Ebu Bekri. Pastaj vinte Omeri, Othmani, Aliu e kështu me radhë. Ai nuk e krahasonte Ebu Bekrin me njerëzit e tjerë. Nuk i krahasonte ata që ishin bërë muslimanë në Meke dhe vështirësi me ata që ishin bërë muslimanë pas çlirimit të Mekes.
 
- Nëse e kuptojnë drejt fenë. Ky është kushti për të qenë i mirë në Islam, në mënyrë që vlerat e tua që kishe, para se të bëheshe mysliman, të kenë kuptim edhe pasi je bërë musliman. Nëse njerëzit nuk e kuptojnë fenë, bëhen mendjemëdhenj. Vjen tjetri me gjithë autoritetin e vet dhe thotë: “Unë kam qenë filani, prandaj më hapni rrugën”. Pra nuk duhet ta kërkojë vetë lavdinë, por duhet që vetë muslimanët t`ia japin atë nder dhe t`ia çmojnë vlerat. Nëse dikush nuk e kupton fenë e Zotit, ai nuk krahasohet as me më të thjeshtët e muslimanëve.
 
Bilalli (r.a) ka qenë njeri i thjeshtë, nuk ka pasur as poste e as pushtet. Ka qenë shërbëtor me kuptimin më të thjeshtë të kësaj fjale. Por profeti (a.s) nuk e krahasonte këtë njeri me shumë persona nga paria e kurejshëve dhe arabëve edhe pasi ata u bënë muslimanë. Kjo ndodhte, sepse Bilali (r.a) e kishte kuptuar mirë fenë e Zotit. Kush kupton fenë e Zotit, Allahu (xh.sh) ia hap rrugët dhe e ngre si me dorë. Prandaj i lutemi Zotit gjithmonë, që të na bëjë ta njohim Islamin.
Ky është kuptimi i pjesës së parë të hadithit.
 
Hadithi vazhdon “Shpirtrat janë si puna e ushtarëve”. (Muslimi).
Kur njeriu shkon në ushtri, nuk njeh askënd. Por nëse ke qenë njeri i mirë, të çon Zoti tek njerëz si puna jote. Kjo do të thotë, që kur ti shkon në një vend të huaj, shpirti yt kërkon shokun e vet. Kud që ta hedhësh një shpirt të mirë, ai e gjen shokun e tij. Kështu ndodh edhe me shpirtin e keq. Prandaj kur e takon një person për herë të parë, të duket sikur ke kaluar gjithë jetën me të dhe i thua: “Ku të kam parë unë ty”. Ai ta kthen: “Edhe mua më duket sikur jemi takuar diku, por nuk e mbaj mend”. Dijetarët thonë për këtë: “Kjo është njohja, që është bërë në botën e shpirtrave. Shpirtrat kanë njohur njëri – tjetrin dhe tani po takohen për së dyti”.
Shpirtrat që njihen bashkohen menjëherë me njëri – tjetrin, kurse mes atyre, që nuk njihen, ka gjithmonë përplasje edhe ky person pse mund të jetë njeriu më i afërt, bashkëshortja jote me të cilën jeton 30 apo 40 vjet bashkë. Me dikë shihesh 5 minuta dhe nuk e sheh më asnjëherë në jetë, por të duket sikur ka gjithë jetën që e njeh dhe e mban mend gjithmonë atë person deri në vdekje. Puna e shpirtrave është e çuditshme, prandaj është nga sekretet e Allahut (xh.sh).
 
Mësimet praktike që dalin nga ky hadith unë i kam përmbeldhur në disa pika:
1- Vëlla dhe motër! Mos i pesho njerëzit me të njëjtën peshore. Nuk i ndan dot vetëm në muslimanë dhe jomuslimanë. Tek muslimanët nuk janë të gjithë njëlloj, por edhe tek jomuslimanët nuk janë të gjithë njëlloj. Prandaj mundohu që njerëzve t`ua gjesh vlerat dhe brumin e tyre. A është flori apo është qymyr. A është argjend apo dru, a është i ashpër apo është i butë. Njerëzit kurrë nuk do të jenë njëlloj. T`i njohësh njerëzit, është gjë shumë e madhe. Sidomos për një ftues, njohja e njerëzve është çelësi që hap zemrat e tyre.
 
2- Mundohu t`i njohësh njerëzit dhe lutu për ta. Nëse dikush ka dy apo tre cilësi të mira, mos i këput lidhjet me atë njeri thjesht për faktin se ai pi alkool apo kritikon fenë, sepse duke ia vlerësuar cilësitë e mira që ka, inshallah të bën Zoti shkak, që ai të udhëzohet. Le të na bëjë përshtypje lutja e profetit (a.s) për forcimin e fesë me një nga dy Omerët. Kështu edhe ne të lutemi, që Zoti ta forcojë fenë me ata, që i njohim për cilësitë e tyre të mira. Ky është muslimani. Ai nuk shkëputet nga të tjerët dhe nuk i këput lidhjet me njerëzit. Nëse njerëzit e këpusin lidhjen me të, kjo nuk është në interes të muslimanit. Prandaj themi që pas profetit (a.s), Ebu Bekri ka shpërblimin më të madh, sepse ai është bërë shkak, që 6 njerëz nga 10 të përgëzuarit me xhenet të udhëzohen në fenë e Zotit. Kjo ndodhi, sepse ai i njihte njerëzit dhe cilësitë e tyre.
 
3- Islami nuk i fshin lavditë e kaluara. Kemi idenë se një person, kushdo qoftë ai, nëse hyn në derën e xhamisë është njëlloj me të gjithë të tjerët dhe kështu ndonjëherë i thyejmë zemrat e njerëzve. Në fakt profeti (a.s) i ka njohur lavditë e kaluara. Në çlirimin e Mekes ai tha: “Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurtë”. Kush ishte Ebu Sufjani? Ishte paria e Mekes. Profeti (a.s) atë që ka qenë i parë, e ka lënë të parë me kusht që ai të bëhej musliman i mirë. Kjo tregon, që edhe ne duhet t`i njohim lavditë e njerëzve dhe vlerat e tyre. Islami i shton lavditë dhe dekoratat, me kusht që njeriu t`i meritojë ato dhe të mos i ketë marrë padrejtësisht. Zoti e di se kush është më i miri prej nesh, por është e sigurt, se disa prej nesh kanë peshë më të madhe se disa të tjerë.
 
4- Njohja e fesë është ajo, që i jep jetë vlerave të njeriut. Kur njeriu njeh fenë dhe afrohet me Zotin, të gjithë cilësitë e mira që ka pasur marrin dimensione të tjera. Nëse njeriu nuk e njeh fenë dhe Zotin, i ka përsëri këto cilësi të mira, por ato do të shkojnë gjithmonë duke u venitur dhe duke vdekur. Prandaj ajo që mbetet mbi të gjitha është njohja e fesë dhe njohja e Zotit.
 
5- Mundohu që shpirtit t`i gjesh shokun e duhur. Jo thjesht në jetën bashkëshortore, por edhe në jetën e përditshme, pasi profeti (a.s) thoshte, që njeriu ka fenë e shokut të tij. Kjo nënkupton se në atë besim, në atë sjellje që ke shokun, aty do të jesh edhe ti. Shoku i mirë është si shitësi i parfumit. Nëse nuk të jep parfum, përsëri të mbetet era e mirë. Shoku i keq është si farkëtari. Nëse nuk të djeg, të paktën era e keqe të mbetet. Njëherë Omeri (r.a) e pyeti dikë: “A e njeh filan njeri”? Tjetri u përgjigj: “Po e njoh”. Omeri (r.a) tha: “Mos e ke parë në xhami, duke lexuar Kuran, apo duke u falur”? “Po – u përgjigj tjetri”. Omeri e pyeti përsëri: “A ke udhëtuar me atë person, a ke bërë ndonjëherë tregti me atë person, a ke pasur të bësh me para me të”? Burri u përgjigj: “Jo nuk i kam bërë këto gjëra”. Omeri (r.a) tha: “Për këto të pyeta, se të tjerat i di edhe unë”. Kështu ai nxori në pah udhëtimin dhe marrëdhëniet me para, sepse në këto dy raste del në pah natyra dhe sjelljet e njeriut.
 
Rast tjetër janë vështirësitë. Ashtu si floriri që provohet në zjarr, ashtu edhe njerëzit provohen në vështirësi. Duhet të luftojmë që të gjejmë shokë të mirë. Në ajetin kuranor thuhet: “..ata që kanë mohuar Zotin, janë miq me njëri – tjetrin”. (El Enfal: 73).
Ata e gjejnë njëri – tjetrin, prandaj edhe ne duhet të gjejmë shokë dhe njerëz të mirë, të lidhemi fort, sepse përndryshe bëhet shkatërrim i madh në tokë.
 
Siç mundohemi t`i vlerësojmë ne të tjerët, të jeni të sigurtë se edhe të tjerët na vlersojnë ne. Prandaj ta pyesim veten tonë, se ç`material jemi ne. Tek mineralet merret shembull floriri. Çuditërisht gjatë gjithë historisë asnjëherë nuk i ka rënë vlera floririt dhe vazhdon të mos i bjerë. A ke parë ndonjëherë ta hedhin në rrugë atë?! Ashtu edhe ai njeri që ka vlera, asnjëherë nuk do ta shohësh në mes të rrugës. Të jeni të sigurt, se nëse ne si muslimanë nuk jemi aty ku duhet, do të ndihet mungesa jonë, e thonë apo nuk e thonë njerëzit këtë gjë.
 
Në fund e lus Zotin e gjithësisë, t`i bëjë vlerat dhe moralet tona nga ata, që i pëlqejnë Zotit dhe profetit të Tij. E lus Zotin, që të gjithë ata, që kanë pasur aftësi dhe cilësi në xhahilije (periudha para islame), Zoti t`i drejtojë në fenë e Tij, t`ua shtojë edhe më cilësitë e tyre dhe t`i përdorë për të lartësuar fenë e Zotit. Zoti na bashkoftë me shpirtrat e mirë si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.
 
A M I N