Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo zemërimit dhe inatit

Vallë a është lumturia diçka individuale apo kolektive? A është e mundur që ndërkohë që të gjithë njerëzit përreth janë të trishtuar dhe të vuajtur, unë të ndihem i lumtur dhe i gëzuar?
Patjetër që lumturia individuale lidhet fort me atë kolektive. Edhe nëse ti je i lumtur, ndërkohë që njerëzit përreth nuk ndihen të tillë, pas një farë kohe, lumturia jote do të fillojë të zbresë dhe do të reduktohet.
Atëherë çfarë mendoni nëse ju vetë u shkaktoni vuajtje dhe dhimbje atyre që ju rrethojnë, fëmijëve tuaj, vëllezërve e motrave apo kujtdo tjetër?
Ne e dimë se jeta është e mbushur me tension dhe probleme nga më të ndryshmet. Shumë njerëz dhe familje përballen me probleme ekonomike, sociale dhe psikologjike. Teknologjia, aq shumë sa ka ofruar zgjidhje, u ka shkaktuar edhe probleme njerëzve. Këto tensione, shpeshherë na bëjnë të reagojmë me mënyra të dhunshme dhe agresive.
Tema e radhës u bën thirrje të gjithëve: Jo zemërimit, inatit dhe nevrikosjes. Kjo, pasi zemërata dhe inati e turbullojnë dhe e frenojnë lumturinë. Siç e cekëm dhe më lart, lumturia është e lidhur ngushtë me njerëzit që na rrethojnë. Në çastin që dikush prej nesh zemërohet dhe nevrikoset, hapi i dytë është manifestimi i sjelljeve agresive dhe të dhunshme. Nëse jeni prindër, ky agresivitet do të derdhet mbi fëmijët tuaj, të cilët do të fillojnë të mos na duan dhe për pasojë të mos na binden. Kështu, ne shndërrohemi në model negativ për fëmijët dhe sjellje të tilla agresive, ata do fillojnë t’i demonstrojnë me shokët e tyre. Ne sot jemi dëshmitarë të shtimit të zënkave dhe shamatave mes njerëzve të gjitha shtresave dhe grupmoshave. Edhe nga përplasjet më të lehta mes makinave, bëhesh shkas i zënkave me pasoja të rënda. Ne jemi dëshmitarë të kushedi sa divorceve për arsye banale. Ne jemi dëshmitarë të inateve, të fjalëve të pahijshme mes njerëzve, të rrahjeve dhe të ofendimeve të ndërsjella. Të gjitha këto, e kanë burimin tek humbja e kontrollit, zemërimi dhe nevrikosja. Duke u nevrikosur, akuzuar, shpifur dhe ofenduar, ne shkaktojmë plagë të rënda te njerëzit. Duke u shkaktuar atyre vuajtje, ne vuajmë edhe vetë, pasi lumturia është diçka kolektive.
Fjalët shkaktojnë shumë dhimbje te njerëzit. Ato shkaktojnë plagë të rënda në zemrat e tyre dhe plagët e zemrës janë më të rrezikshme se ato fizike.
Babai një fëmije, duke e ditur se djali i tij është nevrik, e merr një ditë dhe i thotë: “Unë do të të mësoj një mënyrë si ta heqësh këtë ves.” Djali pranoi dhe i ati i tha: “Merr një dërrasë të madhe dhe sa herë të nevrikosesh me dikë, ta ofendosh dhe ta shash, ngul në dërrasë një gozhdë.” Që ditën e nesërme, djali i hyri punës dhe ditën e parë nguli tridhjetë e shtatë gozhda. Vallë sa gozhda të tilla mund të ngulim ne në ditë? Me sa njerëz mund të zihemi? Sa herë në ditë mund t’i ofendojmë vartësit tanë hallexhinj dhe pa përkrahje? Sa herë zihemi me fëmijët e gratë tona? Përse të mos e provoni dhe ju që sa herë të bërtisni dhe të nervozoheni të ngulni një gozhdë në një dërrasë?
Kur pa tridhjetë e shtatë gozhdë që ditën e parë, djalit i erdhi zor nga vetja, por dhe nga babai. Kështu, ditën e dytë e përmirësoi duke ngulur vetëm njëzet gozhdë. Ditën e tretë ai nguli dhjetë gozhdë dhe vazhdoi në rënie, saqë pas një jave nuk nguli asnjë gozhdë. Ai kishte filluar të ushtrohej dhe të mësohej me vetëpërmbajtje. Kur pa që kishte arritur të mos zemërohej dhe të inatosej, ai vajti i gëzuar tek i ati dhe i tha: “E shikon, nuk kam ngulur asnjë gozhdë!” I ati ia ktheu: “Megjithatë, puna nuk ka përfunduar. Tani duhet t’i shkulësh të gjitha gozhdët nga dërrasa.” Menjëherë djali i hyri punës dhe i shkuli. Mandej, i ati, e mori dërrasën gjithë vrima dhe i tha: “A i sheh këto vrima dhe të çara në dërrasë? Të njëjtat vrima dhe plagë ua ke shkaktuar dhe njerëzve me të cilët je nervozuar, i ke sharë dhe ofenduar.”
Vallë sa mijëra vrima e të çara ke shkaktuar ti o vëlla dhe oj motër? Sa zemra ke plagosur me inatin dhe zemërimin tënd?
Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Zemërimi është një prush të cilin shejtani e hedh brenda njeriut. Ai është një prush që merr flakë në zemër. A nuk e shihni si i skuqet fytyra dhe i fryhen damarët?”
Banorëve të xhehenemit do t’u mbërrijë zjarri dhe flaka deri në zemrat e tyre. Zoti thotë në Kuran: “Ai është zjarri i Allahut i ndezur fort, i cili depërton deri në zemrën e njeriut.” (Humeze, 6-7)
Njeriu që zemërohet dhe nevrikoset me njerëzit, sikur e përshpejton këtë lloj dënimi dhe e përjeton edhe në këtë botë. Imagjinoje pak veten teksa ke filluar të ndezësh zjarrin e inatit dhe të nervozizmit. Imagjinoje dhe shejtanin, i cili nga ana e tij i fryn këtë zjarri dhe të tërheq drejt tij. Mos harro, ai zjarr të djeg ty në radhë të parë, ai zjarr djeg lumturinë tënde dhe të njerëzve që të rrethojnë.
Profeti (a.s.) thotë: “Nevrikosja vjen nga shejtani dhe shejtani është i krijuar nga zjarri, të cilin nuk e shuan veçse uji. Prandaj, nëse zemëroheni merrni abdes.”
Pra, në çastet kur nevrikosesh dhe nuk e përmban veten, dije se kontrollohesh nga shejtani.
Ka njerëz, të cilët zemërohen dhe nevrikosen për shkak të problemeve dhe vështirësive të jetës. Por ka të tjerë, të cilët nevrikosen për shkak të sëmundjeve të zemrës, si mendjemadhësia. Njerëz të tillë, pretendojnë se janë nevrikë – gjë të cilën ua mësojnë edhe fëmijëve të tyre – por që në fakt kanë zemër të sëmurë nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi. Nëse e ndjen se je i tillë, dije se Profeti (a.s.) thotë: “Nuk hyn në xhenet, kush ka në zemrën e tij sado pak mendjemadhësi.”
 
Si mund të vetëpërmbahem?
Dy nga moralet më madhështorë të Islamit janë: maturia dhe butësia. Këto janë dy moralet më të dashur tek Allahu i lartësuar. Maturia, është antonim i nevrikosjes dhe i zemërimit, ndërkohë që butësia është antonim i dhunës dhe i agresivitetit. Maturia është para se të merret vendimi, ndërkohë që butësia pas marrjes së vendimit. Kur themi që filani është i matur, do të thotë që i peshon gjërat mirë para se të marrë një vendim. Ndërkohë që kur themi që filani është i butë, do të thotë që nuk është agresiv dhe i dhunshëm në një vendim të tijin.
Shpeshherë përballem me pyetje si: A është e mundur që një nevrik të mësohet dhe të bëhet i matur? A është e mundur që veset të ndryshojnë? Apo është e thënë që një nevrik të mbetet i tillë gjer në vdekje? A është e vërtetë që moralet dhe vlerat janë gjenetike apo janë të fituara?
Sigurisht që veset dhe moralet mund të ndryshojnë. Një nevrik mund të shndërrohet në njeri të paqtë dhe të matur për njëzet e një ditë. Nëse fillon që sot të demonstrosh maturi, dije se pas njëzet e një ditësh do të ndihesh si njeri tjetër. Askush nuk do ta bëjë më me gisht si njeri i padurueshëm. Marrëdhëniet e tua me fëmijët do të marrin dimensione dhe drejtim krejt tjetër.
Prindërit, duke u sjellë keq me fëmijët sikur ua mbushin pavetëdijen e tyre me idenë se me ta do ta ketë të vështirë të jetojë. Me t’u rritur këta fëmijë, heqin dorë nga të gjitha përgjegjësitë që kanë karshi prindërve, pasi ashtu janë edukuar.
Nëse do silleni me maturi dhe me butësi, për Zotin do të fitoni prestigjin tuaj, do të jetoni të lumtur ju dhe njerëzit që ju rrethojnë. Pra, themi që veset dhe moralet mund të pësojnë ndryshim, si për mirë dhe për keq.
Kur një burrë vajti te Profeti (a.s.) dhe i kërkoi ta këshillonte, ai i tha: “Mos u nevrikos!”
Kjo përgjigje sikur nuk e kënaqi burrin, prandaj e pyeti dhe dy tre herë të tjera, e megjithatë, Profeti (a.s.) i jepte të njëjtën këshillë: “Mos u nevrikos!”
Përderisa Profeti (a.s.) e këshillonte që të mos nevrikosej dhe të sillej me maturi, do të thotë që është diçka që mund të ndryshohet.
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Maturia mësohet duke e ushtruar dhe dija përftohet duke mësuar.”
Një i matur dhe i butë, padyshim që është më i lumtur e më i paqtë sesa një nevrik dhe një tekanjoz.
 
Vlera e maturisë dhe e butësisë
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kujtdo që i jepet hisja e tij prej butësie, ta dijë se i janë dhënë gjithë të mirat.”
“Kush privohet nga butësia, është privuar nga çdo e mirë.”
Një ditë, Aisheja u zemërua me shërbëtoren e saj dhe filloi t’i bërtasë. Profeti (a.s.) e dëgjoi dhe i tha: “Sillu me butësi o Aishe!” Ajo iu përgjigj: “Unë dua ta edukoj dhe ta mësoj!” Profeti (a.s.) i tha: “O Aishe! Edukoje, por me të butë, sepse Zoti, kur ia do të mirën një familjeje, i orienton drejt portës së butësisë.”
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Kudo që të vihet butësia, e zbukuron atë dhe kudo që hiqet e shëmton. Zoti jep për butësinë, atë që nuk e jep për agresivitetin.”
Ajo që jep Zoti si shpërblim për sjelljen e butë, është lumturia që të fal bereqeti dhe mirësia. A e besoni premtimin e Profetit (a.s.)?
Shumë njerëz, duke dashur të mbrojnë Islamin dhe të drejtën, acarohen me njerëzit, nevrikosen, shajnë e mallkojnë... dhe pretendojnë se po mbrojnë Islamin. Profeti (a.s.) na këshillon që Islamin dhe të drejtën ta mbrojmë me maturi dhe butësi, jo me nerva të acaruara, me britma e ulërima.
Nëse pretendon se mbron Islamin dhe të drejtën, ndërkohë që acarohesh, bërtet e çirresh, dije se ke probleme me zemrën. Imam Maliku ka thënë: “Nëse e dëgjon një njeri të thotë se mbron të drejtën, megjithatë shan, nevrikoset dhe fyen, dije se ka nijet të çalë. Kjo, sepse e drejta nuk ka nevojë për sjellje të tillë. Vetë i Drejti fuqiplotë, na urdhëron: “
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (Nahl, 125)
Disa njerëz e mendojnë maturinë dhe butësinë si diçka negative, sidomos kur shohin që dikush bën një faj, sheh fëmijët që e gënjejnë etj... Si u qëndruaka duarkryq, i matur dhe i butë kur ndodhin probleme rreth teje?! Unë nuk po them që të heshtim në raste të tilla dhe të qëndrojmë duarkryq, pasivë. Unë po ftoj që t’i japim vetes kohë dhe të krijojmë hapësira për t’u menduar para se të reagojmë. Nëse ndërhyjmë në çastin kur jemi të nervozuar dhe të zemëruar, do ta humbasim toruan dhe nuk do ta kontrollojmë dot veten.
Kur Jusufi (a.s.) sajoi humbjen e gotës së mbretit dhe ajo u gjet në barrën e Beniaminit, vëllezërit e tij thanë: “(Bijtë e Jakubit) thanë: “Nëse ka vjedhur, më parë ka vjedhur
edhe vëllai i tij!” Jusufi heshti për këtë dhe nuk shpalli gjë..” (Jusuf, 77)
Jusufi (a.s.) ua bëri të qartë se e kishin gabim, por me maturi dhe butësi dhe vetëm pasi u krijuan kushtet e favorshme.
 
Profeti Muhamed (a.s.), model i maturisë
Me qëllim që fjalët tona të mos mbeten vetëm teorike, ne do të sjellim disa çaste nga jeta e Profetit (a.s.), si argument për gjithçka që thamë. Profeti (a.s.) është modeli më i mirë për ta ndjekur në jetën tonë të përditshme. Shumë prindër thonë se nuk mund të qëndrojnë duarkryq kur fëmijët i gënjejnë dhe i mashtrojnë. Le të shohim si reagonte Profeti (a.s.) në raste të tilla.
Profeti (a.s.) njëherë ndodhej në udhëtim, ku bashkë me burrat udhëtonin edhe disa gra. Ndërkohë që Profeti (a.s.) shtrihet në çadrën e tij për të pushuar, Havatib ibnu Xhubejr, një i ri mysliman, sheh tre katër gra të ulura duke biseduar dhe duke bërë punë dore. Ai vetë ka treguar: “Mua më joshi qëndrimi dhe muhabeti me to, kështu shkova dhe u ula mes tyre.” Kur doli Profeti (a.s.) më gjeti mes tyre. I çuditur, më pyeti: “Përse je ulur këtu?!” Mua më erdhi zor prej tij dhe i thashë: “Më ka ikur deveja dhe erdha të pyes këto gra nëse kishin ndonjë litar që ta lidh.” Profeti (a.s.) më pa në sy, buzëqeshi dhe u largua.”
Domethënë ai gënjeu të dërguarin e Zotit (a.s.). Megjithatë, Profeti (a.s.) nuk i foli aspak edhe pse e kuptoi gënjeshtrën. Ai nuk i pyeti gratë nëse ajo që thoshte ishte e vërtetë, pasi kështu do ta demaskonte dhe do ta poshtëronte. Nëse do ta demaskosh djalin tënd, dije se do të fitosh urrejtjen e tij.
Tregon Havatibi: “Kur u takova me Profetin (a.s.) pas një kohe, ai më pyeti: “O Ebu Abdullah! A e gjete devenë?!” Unë e pashë në sy, por ai ktheu shpinën dhe u largua. Për një javë rresht, sa herë që takohesha me Profetin (a.s.) më pyeste: “Si e ke devenë?!”
Kjo gjendje më lodhi dhe me vete vendosa të shkoj në xhami dhe t’i rrëfehem të dërguarit të Zotit për atë që kisha bërë. Kështu, vajta në xhami dhe e gjeta Profetin (a.s.) duke u falur. Menjëherë fillova edhe unë të falem dhe gjatë namazit, një zë i brendshëm filloi të më ngacmojë që të mos i rrëfehem Profetit (a.s.). Pasi vendosa të mos i rrëfehem, e zgjata namazin, derisa Profeti (a.s.) të largohej. Profeti (a.s.) e vuri re diçka të tillë dhe me zë të lartë thirri: “Këtu më ke derisa të përfundosh namazin.”
Kur pashë që nuk po largohej, e përfundova namazin dhe vajta i thashë: “O i dërguari i Allahut! Që kur kam pranuar Islamin, nuk më ka humbur asnjë deve.” Profeti (a.s.) ngriti duart dhe u lut: “O Zot! Fale dhe ji i kënaqur me të!” Që atë ditë, ai nuk ma zuri më me gojë devenë.”
Shpeshherë, neve nuk na intereson mbyllja e çështjes dhe trajtimi i saj, aq sa na intereson demaskimi i tjetrit.
Ky i ri gaboi me të dërguarin e Zotit, ashtu siç mund të gabojmë ne çdo ditë. Nëse dikush sillet në mënyrë të ngjashme me ty, bëj sabër dhe zgjeroje zemrën. Ne jemi njerëz dhe qenie të gabueshme, prandaj duhet t’i krijojmë hapësira njëri-tjetrit për t’u vetëkorrigjuar.
 
Profeti (a.s.) kishte një shërbëtor që i bënte punët e shtëpisë, i cili quhej Mikdad ibnul Esved. Si shumë të tjerë, edhe ai ishte i varfër dhe uria ishte diçka e zakontë për atë kohë. Një pasdite vonë, Profeti (a.s.) i thotë: “O Mikdad! Mile këtë dele, pasi jam i uritur dhe i etur. Ti pije gjysmën e qumështit dhe më lër mua gjysmën tjetër, kur të kthehem nga shtëpia e filanit.”
Unë e mola delen, e piva gjysmën e qumështit dhe gjysmën tjetër ia lashë Profetit (a.s.) në enë. Edhe pse piva, vazhdoja të ndihesha i etur dhe i uritur. Ndërkohë, Profeti (a.s.) u vonua dhe me vete mendova se do të hante në shtëpinë e medinasit ku kishte vajtur. Kështu, e mora enën me qumësht dhe e piva të gjithin. Kur u ndjeva se isha ngopur, e kuptova çfarë kisha bërë. Profeti (a.s.) u kthye natën vonë dhe unë menjëherë u shtriva dhe u shtira sikur më kishte zënë gjumi. Kur hyri Profeti (a.s.), përshëndeti me selam me zë të ulët, që mos zgjonte njeri. Ai shkoi tek ena e qumështit por nuk gjeti gjë. Në çast, e dëgjova të ngrinte zërin duke u lutur: “O Zot! Fale Mikdadin dhe ji i kënaqur me të! O Zot! Ushqeje atë që më ushqeu dhe jepi të pijë atij që më dha të pij!”
Ngaqë më erdhi zor, u ngrita me të shpejtë dhe vajta të therja ndonjë dele që të përgatisja diçka për Profetin (a.s.). Kur vajta tek delja, e pashë që i kishte gjinjtë plot qumësht dhe e mola. Qumështin ia çova Profetit (a.s.), të cilit i thashë: “Kjo është hisja jote, o i dërguari i Allahut!” Profeti (a.s.) më pa dhe më tha: “Jo. Pi o Mikdad!” Unë i thashë: “Jo o i dërguari i Allahut! Ti duhet ta pish.” Profeti (a.s.) më tha: “Jo, ti pije!” Unë piva pak dhe ia zgjata Profetit (a.s.), por ai më tha: “Pije!” Unë i thashë: “O i dërguari i Allahut! Nuk kam ku ta çoj.” Ai më tha: “O Mikdad! Pije derisa të mbushesh!”
Përse pret që prushi që të hedh shejtani të marrë flakë dhe të djegë lumturinë tënde dhe të njerëzve që të rrethojnë?
 
Gjatë betejës në Hajber, myslimanët vuanin për kafshatën e bukës. Secili kishte vendosur nga një gur në bark, nga uria. Abs ibnu Xhubejr, një ditë gjen një copë dhjami deleje përtokë. Ai e merr si i babëzitur dhe thotë: “Do ta ha vetë dhe nuk i jap askujt tjetër.” Ai vetë ka treguar: “Kur u ktheva, pashë Profetin (a.s.) pas meje. Ai më pa në sy dhe më buzëqeshi qejfmbetur. Mandej ktheu shpinën dhe u largua. Unë nxitova dhe me zë të lartë që ta dëgjonte Profeti thirra: “O myslimanë! Kam një copë dhjamë, kush dëshiron të hajë me mua?” Profeti (a.s.) më pa në fytyrë dhe buzëqeshi.”
Përse të mos i ndreqim gabimet me buzëqeshje si Profeti (a.s.)? Përse të mos i zgjidhim problemet pa u acaruar?
 
Këshilla si të tregohemi të matur
 
1 – Vendose hadithin e lartpërmendur në një vend ku ta shohësh. : “Kudo që të vihet butësia, e zbukuron atë dhe kudo që hiqet e shëmton. Zoti jep për butësinë, atë që nuk e jep për agresivitetin.”
2 – Përdor metodat profetike që cekëm më lart.
3 – Imagjinoje shejtanin duke të hedhur prushin dhe duke i fryrë zjarrit brenda zemrës tënde.
4 – Kërkoji Zotit ndihmë nga shejtani, duke thënë: “Eudhu bil-lahi mine shejtani raxhim” (kërkoj ndihmë nga Zoti prej shejtanit të mallkuar).
5 – Ndrysho vendin, ose merr abdes.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free