Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Pyetjet e fëmijëve mbi seksin... si t’u përgjigjesh

 Pyetje:” Kam një mikun tim, i cili mu rrëfye një ditë mbi problemin e tij, ku unë i premtova se do e ndihmoj. Miku në fjalë, ka një djalë pesë vjeç, i cili nuk ka hyrë akoma në shkollë. Megjithatë, sjelljet e tij janë të çuditshme, pasi sa herë që e ëma i ndërron pelenat, i kërkon asaj ta lërë ashtu, lakuriq. Nga ana tjetër, e ëma e ka parë që kur qëndron i vetëm në dhomë, luan me organin e tij mashkullor duke e nxjerrë jasht pa pyetur për të pranishmit. Prindërit i kanë treguar se një sjellje e tillë është e turpshme, por atij as që i bëhet vonë. Shpesh herë, fëmija i kërkon nënës së tij që së bashku të hyjnë në banjë, por ajo e ndalon. Një ditë, teksa ishte duke luajtur me vajzën e komshinjve, uli pantallonat dhe nxori organin e tij mashkullor dhe ia tregoi asaj. Mandej i kërkoi asaj që t’ia tregojë edhe ajo nga ana e saj penisin. Vajza u frikësua dhe vajti duke qarë tek e ëma, e cila bëri namin. Vetë babai i djalit kur e mori vesh këtë, e rrahu vendçe të birin dhe ia ndaloi sjellje të tillë herë tjetër.

 

Ky djalë bën pyetje të shumta, pasi është dhe i vetëm. Duke qenë se mamaja e tij është shtatzënë në muajin e shtatë, ai e pyet se çfarë ka në bark. Kur i përgjigjet se është motra ose vëllai i tij, ai e pyet se si dhe përse ke hyrë në bark, si do të dalë dhe kur. Ai mendon se si mashkulli ashtu dhe femra kanë penis, saqë një ditë, i kërkoi mamasë së tij t’i tregojë penisin e saj. Një ditë tjetër, nëna i kërkoi të flejë i vetëm në dhomën e tij, por ai ia ktheu:”Po ti, përse fle me babin dhe nuk fle vetëm?!”

 

Si duhet të sillet babai i tij me këtë fëmijë? Si t’i tregojë se organi gjenital i burrit është ndryshe nga ai i femrës? Mos duhet të shohë organet e prindërve të tij që të mësojë ndryshimin? Apo i duhen treguar foto nga revistat shkencore? Edhe pse është akoma i vogël, ai është shumë inteligjent, saqë ka mësuar shkrim dhe lexim që në këtë moshë. Problemi është se niveli intelektual dhe kulturor i shokut tim, babait të fëmijës, nuk është i lartë. Ai nuk di si ti japë djalit të tij edukatën seksuale të duhur. Ai nuk di gjë tjetër përveçse ta ndalojë nga një sjellje e caktuar dhe të mos u përgjigjet pyetjeve. Ashtu siç është shumë i shqetësuar se mos djali i tij ka mësuar të masturbojë.

 

Miku im pyet nëse duhet t’ia tregojë gjërat dhe organet me emrat e tyre të vërtetë. A duhet t’i tregojë se organi mashkullor i burrit quhet penis? A duhet t’i flasë për testikujt në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të përdorë metaforën?

 

Vlen për t’u ditur që ky fëmijë nuk sheh shumë televizor, por i pëlqejnë filmat vizatimorë dhe lojërat me videogame.

 

Uroj të mos e kem zgjatur shumë, si dhe uroj që ta mirëkuptoni gjendjen e mikut tim. Zoti u bekoftë!”

 

 

 

Përgjigje:”Fillimisht mua më vjen mirë që interesohesh për problemet dhe hallet e mikut tënd, gjë e cila tregon për sinqeritetin dhe marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes dy miqve të tillë.

 

Së dyti, dua të tërheq vëmendjen që përshkrimi juaj i sjelljeve të djalit të mikut si të “çuditshme” ishte diçka e ekzagjeruar. Në fakt, në të gjithë rrëfimin tuaj për sjelljet e djalit të mikut, nuk gjeta diçka të çuditshme. Gjithçka që mund të them, është se këto sjellje janë pjesë e zhvillimit normal nëpër të cilin kalon çdo fëmijë. Ndoshta, këto që po them janë befasia dhe surpriza e parë në lidhje me përgjigjen e pyetjeve që ken shtruar më lart.

 

Zakonisht, problemi i pyetjeve të tilla më shumë se tek fëmija, qëndron tek prindërit të cilët harrojnë dhe e injorojnë jetën seksuale të fëmijëve. Ata duhet t’i trajtojnë këto pyetje me seriozitet, në mënyrën e duhur dhe s’ka përse t’i injorojnë dhe shpërfillin. Por këto pyetje, zakonisht i vënë në siklet etërit, të cilët fillojnë e përpëliten ngaqë nuk kanë një përgjigje dhe nuk dinë si t’i trajtojnë, pasi i konsiderojnë si kontradiktore me pafajësinë e fëmijëve. Kjo, edhe pse interesi për seksin në jetën e njeriut nuk shfaqet befas në moshën e adoleshencës. Interesi për seksin kalon nëpër një kalavar të gjatë, i cili fillon nga fëmijëria.

 

Prandaj, mbyllja e portës para pyetjeve të fëmijës dhe sjelljeve të tij të cilat i konsiderojmë jonormale për moshën dhe një prirje për ligësi, fëmijët ndjejnë rrezikun që i rrethon sa herë që hapen tema të tillë. Kështu, ata hiqen sikur nuk çajnë kokë fare, për të shmangur problemet që mund të lindin, por në brendësi, atyre i vlon dëshira dhe kureshtja për të zbuluar ato rreth të cilave as që u kishte shkuar mendja më parë.

 

Jeta seksuale e fëmijës fillon që nga çasti i lindjes. Në moshën dy vjeç e gjysmë ose tre, ai fillon të kuptojë seksin të cilit i përket. Ashtu siç fillon të zbulojë dallimet mes dy sekseve. Padyshim që jeta seksuale e fëmijës

 

Nga mosha shtatë deri në dymbëdhjetë vjeçare, fëmija kalon në një gjendje pasiviteti, pasi nuk u kushton rëndësi çështjeve me karakter seksual dhe informacionit të kësaj fushe.

 

Reagimi i duhur i familjarëve ndaj pyetjeve seksuale të fëmijës dhe orientimi i jetës së tyre seksuale, lejon ruajtjen e ekuilibrave psikologjikë gjatë pjekurisë së tyre. Këtë pikë, miku juaj duhet ta dijë mirë. Rrahja, ndalesat dhe urdhrat sa herë që fëmija pyet ose përpiqet të kuptojë apo zbulojë diçka, shkaktojnë pasoja të rënda tek fëmija. Vetëm transparenca me fëmijën, inkuadrimi i tij brenda familjes dhe sigurimi i informacionit të nevojshëm që i lipset në gjirin familjar, i garanton një pjekuri dhe adoleshencë të sigurt dhe të paqtë.

 

Le t’u ofrojmë prindërve disa përgjigje të përshtatshme për pyetjet më të përhapura të fëmijëve, të cilat do i ndihmojnë për edukimin e duhur seksual të fëmijëve:

 

Së pari: Duhet të flasim për çështje të tilla në mënyrë të thjeshtë dhe normale, pa u sikletosur dhe pa mëdyshje. Nga këndvështrimi shkencor dhe fetar, kjo mënyrë forcon besimin e fëmijës tek Zoti i lartësuar dhe pushteti i Tij i pafund, i cili ka krijuar njeriun, jetën dhe gjithçka në univers me një urdhër”bëhu”.

 

Së dyti: Duhet t’u flasim fëmijëve shkurtimisht, thjesht dhe në mënyrë të përshkallëzuar si vijon:

 

-              Kur fëmija kërkon të qëndrojë lakuriq, nëna duhet ta pyesë mbi shkakun. Mandej, t’i tregojë se të qëndrosh lakuriq dhe pa rroba, do të thotë të ekspozohesh ndaj të ftohtit dhe sëmundjeve. Kjo, pasi gjymtyrët që mbulohen zakonisht nga rrobat, janë delikate, duhen mbajtur pastër, duhen larë, duhen mbuluar para syve të tjerëve etj...

 

-              Kur luan me organet e tij, duhet t’i tërheqim vëmendjen me diçka tjetër, si një program televiziv të këndshëm, të ndihmojë nënën për të mbajtur diçka etj... Në raste të tjera, duhet biseduar me të rreth pastërtisë individuale, si mund të mbrohen pjesët e ndryshme të trupit nga sëmundjet dhe të ngjashme. Fëmija duhet angazhuar me lojra dhe aktivitete të shumta, me qëllim që mos ketë kohë të lirë.

 

-              Nëse fëmija nuk është i bërë synet, nuk e di përse vonohet një ndërhyrje kaq e thjeshtë dhe e rëndësishme. Sa më herët që të bëhet, aq më mirë është për fëmijën, pasi shmang dhimbjen dhe i kursen pyetjet e tij rreth lafshës.

 

-              Nëse fëmija pyet se si ka hyrë i vëllai apo e motra në barkun e nënës së tij, nëna ose babai duhet t’i përgjigjet:”Përgjigju ti vetë! Si mund të ketë hyrë fëmija në barkun e mamit? Mos ka hyrë me diçka që e kam ngrënë, apo diçka që e kam blerë?” Pasi fëmija të ketë dhënë opsionin e tij, nëna duhet të ndërhyjë dhe ta korrigjojë me fjalët:”Zoti e ka krijuar në barkun tim, ashtu siç të pati krijuar ty më parë në barkun tim dhe siç i krijon të gjithë njerëzit.” Për këtë moshë, nuk ka përse t’i jepen detaje më shumë.

 

-              Nëse pyet:”Po mirë, po si do të dalë që andej?!” nëna duhet t’i përgjigjet:”Doktoresha do e ndihmojë për ta nxjerrë. Nëse fëmija është shumë i madh, mund t’i hapin dhe barkun që ta nxjerrin. Fëmija është si ushqimi që hyn në bark që do vendin e tij specifik për të dalë. Ky vend, është një vrimë që Zoti e ka krijuar në trupin e çdo nëne.” Nëse fëmija e pyet mbi vendin ku ndodhet kjo vrimë, nëna mund t’ia shpjegojë shkurtimisht duke përdorur një kukull. E rëndësishme është që përgjigja t’i jepet fëmijës sipas pyetjes së tij, pa i stimuluar kureshtjen për çështje të tjera. Ashtu siç nuk duhet ta lëmë të hutuar dhe pa përgjigje.

 

-              Nëse pyet:”Përse mami fle me babin në një dhomë dhe vetëm?” mund t’i përgjigjet me fjalët:”Sepse krevati i tyre është i madh dhe i nxë dy vetë. Ata janë të dy të rritur dhe e kanë veten nën kontroll gjatë natës dhe nuk e lëndojnë njëri-tjetrin.”

 

Nuk ka përse të ndihen në siklet nga pyetjet e fëmijëve, të cilat janë normale. Për fat të keq, ka prindër të cilët zihen ngushtë dhe duket sikur u mbajnë fëmijëve të fshehtë ndonjë fatkeqësi të madhe.

 

-              Fëmijëve u duhet bërë i qartë dallimi mes dy sekseve, gjë e cila shkakton kureshtje tek ai, aq më tepër që është shumë i zgjuar e inteligjent, gjë e cila ia shton pyetjet. Atij mund t’i thuhet se Zoti i lartësuar ka krijuar dy gjini të ndryshme, meshkujt dhe femrat dhe secili prej tyre ka formën e tij. Ashtu siç i duhen treguar dallimet në çdo gjë, pa u fokusuar vetëm tek organet gjenitale. Le t’i thuhet fillimisht se lëkura e meshkujve është më e ashpër, sakaq e grave është më e butë, zëri i burrave është i trashë, kurse i grave i hollë, burrat, zakonisht kanë flokë të shkurtër, kurse gratë flokë të gjatë, burrat kanë qime në fytyrë, gratë kanë gjoks të rritur, pasi me të ushqejnë bebet, kurse burrat nuk e kanë këtë por kanë muskuj të fuqishëm dhe të përshtatshëm për punë fizike të rëndë dhe për të mbrojtur familjen. Vazhdohet kështu derisa tu vijë radha organeve gjenitale, ku i thuhet:”Burrat dallojnë nga gratë në gjithçka. Ata nuk kanë ato gjëra që i kanë gratë dhe gratë nuk kanë ato të burrave. Gratë lindin bebe dhe për këtë, u nevojitet një vrimë prej ku del bebi. Sakaq, burrat nuk e kanë këtë vrimë, pasi nuk mbajnë në barkun e tyre bebe.

 

Është mirë që fëmijët të mos shohin foto nudo qoftë dhe nga revistat shkencore, as të shohë organe të vërtetë. Nëse fëmija kërkon me ngulm, mund të përdoren kukullat. Është e panevojshme t’i tregohen gjëra që ai nuk i kërkon dhe nuk interesohet për to. Mjafton ti japim aq sa kërkon, nëse bëhet me të butë dhe zemërgjerësi.

 

-              Fëmijës i duhet bërë e qartë që organet gjenitale, janë pronë e njeriut që i posedon dhe pjesë e organizmit të tij. Çdo pjesë e trupit, është në funksion të shëndetit të njeriut dhe dinjitetit të tij. Këto organe, nuk duhet të shihen nga njerëzit e tjerë. Njeriu duhet të kujdeset për to, ti mbajë pastër dhe nëse i prek, t’i lajë duart menjëherë. Është mirë që ato të mos preken veçse në raste të nevojshme.

 

 

 

Së treti: Këshillohet që fëmija të luajë me një grup vajzash e djemsh dhe jo me një vajzë të vetme dhe është mirë që prindërit ti vëzhgojnë me vëmendje lojrat e fëmijëve. Në përgjithësi, fëmijët kanë nevojë që kohën e tyre të lirë ta mbushin me aktivitet.

 

Së katërti: Në përgjithësi, duhet që prindërit të mos u imponohen fëmijëve dhe të mos i trajtojnë me ashpërsi. Ata duhet të ndërtojnë lidhje të forta miqësie dhe shoqërie me fëmijët. Këshillohet që babai ta marrë djalin me vete në xhami, në piknik, për të bërë pazarin, gjatë vizitave të miqve bashkë me shokët e tij. Kjo bëhet me qëllim që tek fëmija të kultivohet besimi në vetvete, të zhvillohet personaliteti i tij dhe formimi i tij të jetë sa më normal.

 

Vëlla i dashur! E përsëris dhe një herë mirënjohjen dhe vlerësimin tim për interesin që tregon për shqetësimet e mikut tuaj. Paqja e Zotit qoftë mbi ju


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free