Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e profetit Nuh a.s

Edhe pse mes njerëzve ishte përhapur degjenerimi, korrupsioni dhe imoraliteti, ekzistonin njerëz të ndershëm dhe reformatorë. Masa më e madhe e njerëzve i respektonin këta njerëz të ditur dhe të ndershëm, por nuk ndërmerrnin asnjë hap më tutje. Ashtu siç ndodh edhe sot, ku shumë njerëz flasin mirë për hoxhallarët dhe dijetarët tanë, por që nuk vepron sipas këshillave dhe porosive të tyre.
Transmeton imam Buhariu, se Ibnu Abasi ka thënë lidhur me ajetin " dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin!" (Nuh, 23)
Këto emra, u përkisnin disa njerëzve të ditur dhe të ndershëm, para se të dërgohet Nuhu a.s si profet. Ata i përkisnin fisit nga i cili doli më vonë Nuhu a.s. Pasi këta njerëz të ditur kishin vdekur, shejtani u flet njerëzve që në vendet ku uleshin, kuvendonin dhe këshillonin masat, të vendosni një shenjë dhe piketim. Këto piketime i emërtoni me emrat e njerëzve të mirë. Çdo gur, të ketë emrin e njërit prej tyre, që të mos i harroni këshillat dhe porositë e tyre. Të nisur nga dëshira e mirë, masat e bënë këtë. Megjithatë, njerëzit vazhduan të mos adhurojnë veçse një Zot të vetëm. Pasi vdiq brezi i njerëzve që kishin jetuar me këta të ditur dhe erdhi një brez i ri, të cilët nuk i njihnin dhe nuk i kishin dëgjuar këshillat e tyre, filluan të adhurohen dhe t'u luten këtyre piketimeve dhe gurëve që mbanin emrat e tyre. Këto idhuj që ishin përhapur tek populli i Nuhut a.s, më vonë depërtuan edhe tek vetë arabët dhe u përhapën."
Ky ishte interpretimi i ajetit:"dhe thanë:"Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin!" (Nuh, 23)
Filloi idhujtaria të zërë vendin e monoteizmit, derisa u shtri në çdo qoshe të tokës. Tashmë, mbi faqen e tokës nuk ekzistonte asnjë monoteist. I vetmi që adhuronte një Zot, ishte Nuhu a.s.
Nuhu a.s, ishte biri i Lamis, biri i Motoshalih, biri i Idrisit a.s. Kështu, profeti Idris a.s është babai i gjyshit të Nuhut a.s. Siç e kemi thënë, asokohe njerëzit jetonin me qindra vite. Vetë Nuhu a.s jetoi më shumë se një mijë vite dhe u dërgua si profet, kur mes njerëzve u përhap idhujtaria.
Në një hadith të Buhariut, Abdullah ibnu Abasi transmeton se profeti Muhamed a.s ka thënë:"Mes Ademit dhe Nuhut kishin kaluar dhjetë shekuj."
Pra, një mijë vite pas Ademit a.s, njerëzimi kishte qenë në monoteizëm, ose ndryshe islam i pastër.
Profeti Nuh a.s bëri përpjekje heroike për t'i rikthyer njerëzit në besimin në një Zot të vetëm dhe të pashoq. Thotë Zoti i lartësuar:
"Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë:“Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!” (Nuh, 1)
I frikësuar se mos Zoti e dënon popullin dhe njerëzit e tij, Nuhu a.s vajti dhe i këshilloi dhe i paralajmëroi.
"Ai tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë, që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua, me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar. Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë, veç sikur ta dinit!" (Nuh, 2-4)
Për t'ia arritur qëllimit të tij, Nuhu a.s përdori metoda dhe forma të ndryshme për të komunikuar me njerëzit. Ai i vizitonte në shtëpi ditën dhe natën, u fliste haptazi dhe fshehurazi, individualisht dhe kolektivisht. Kjo vazhdoi për nëntëqind e pesëdhjetë vite radhazi.
Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke  këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). – Duke mos dashur të dëgjojnë, i mbyllnin veshët me gishta dhe sytë i zinin me rrobat e trupit që të mos e shohin Nuhun a.s teksa përpiqej t'ju flasë me shenja - Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm,  t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! – Privilegjet e besimit dhe monoteizmit nuk janë vetëm në botën tjetër, por edhe në këtë botë - Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)? A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin, dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener? Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët. pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë. Allahu për ju e ka bërë Tokën shtrojë të gjerë, që të ecni nëpër të, nëpër rrugët e gjera.” (Nuh, 5-17)
Asokohe, populli i Nuhut a.s udhëhiqej nga një mbret jobesimtar, i  cili lëshoi një dekret për popullin që të mos e dëgjonin Nuhun a.s, të mos i flisnin dhe të mos ia vinin veshin për t'u distancuar nga adhurimi i idhujve dhe zotave të tyre të shumtë. Njerëzit iu bindën në mënyrë të verbër mbretit të tyre dhe e lanë Nuhun a.s. Këtë e shpreh Nuhu a.s në Kuran ku thotë:"Nuhu tha:“O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit. Ata kurdisën një kurth të madh, - duke dashur ta pengojnë Nuhun a.s në përmbushjen e misionit, ngrinin kurthe nga më të ndryshmet, ku më i rrezikshmi ishte urdhri për të mos e dëgjuar Nuhun a.s - dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin! E kështu kanë futur në rrugë të gabuar shumë (njerëz). Prandaj, keqbërësve mos u shto gjë tjetër, veç humbjes!” (Nuh, 21-24)
Me gjithë këto pengesa dhe barriera, Nuhu a.s vazhdoi t'i ftojë njerëzit dhe mesa duket kjo këmbëngulje dha disa rezultate. Në disa kronika, thuhet se pasuesit e Nuhut a.s ishin vetëm dhjetë. Numri më i madh që thuhet është tetëdhjetë dhe kjo për nëntëqind e pesëdhjetë vite.
Ndërkohë, mbreti konstaton diçka të përbashkët tek të gjithë ndjekësit dhe besimtarët e Nuhut a.s. Të gjithë ishin të varfër dhe fukarenj, që nuk kishin asgjë në dorë. Ai e  thirri Nuhun a.s një ditë dhe i tha:"Ne mund t'i lejojmë njerëzit të dëgjojnë dhe t'u flasësh. Madje, mund edhe të besojmë në ato që thua, por me një kusht: T'i dëbosh këta fukarenj që të vijnë pas dhe të kanë besuar. Ne i përkasim shtresës më të lartë të shoqërisë dhe nuk mund të barazohemi me këta barktharë."
Kjo përmendet në Kuran, ashtu siç përmendet dhe përgjigja e Nuhut a.s.
"Por, paria e popullit të tij, e cila nuk besoi, tha: “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju quajmë gënjeshtarë”. Ai (Nuhu) tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë mbështetem në një provë të qartë që më ka ardhur nga Zoti im dhe, nëse nga ana e Tij më ka ardhur një mëshirë, e cila është fshehur nga sytë tuaj, a mund t’ju bëjmë ta pranoni me detyrim (provën), kur ju e urreni? – Është Zoti ai që më bëri profet dhe të dërguarin e Tij, privilegj të cilin nuk e gëzoni ju. Unë nuk u imponohem dot në  besim. - O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu. Unë nuk mund t’i dëboj ata që besojnë. Ata do të takohen me Zotin e tyre. Mirëpo, unë shoh se fatkeqësisht, ju jeni popull, që nuk di. - çfarë qenka ky kusht i çuditshëm?! E refuzoni të vërtetën thjesht se pasuesit e saj qenkna të varfër dhe fukarenj?! - O populli im, kush do të më mbrojë nga Allahu, nëse unë i dëboj (besimtarët)? A nuk doni të merrni këshillë? Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. – Si të mendoj se këta njerëz që kanë besuar Zotin, nuk e meritojnë xhenetin dhe të mirat e Zotit thjesht se janë fukarenj?! - Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve. Ata thanë: “O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin. Le të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!” – Ne të ofruam kushtet tona dhe të propozuam disa kërkesa, por ti i refuzove. Tani, nëse je ai që pretendon, sille ndëshkimin e Zotit. - Tha (Nuhu): “Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron; e ju Atij nuk mund t’i ikni." (Hud, 28-32)
Duket që sfida dhe ballafaqimi mes Nuhut a.s dhe parisë po bëhej më i nxehtë.
Thotë Zoti në Kuran:"Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë! – Unë u sfidoj që të përgatiteni me gjithë arsenalin që keni dhe pa hezituar të më vrisni. – (Junus, 71)
Por paria dhe populli nuk e pranuan këtë sfidë, duke e konsideruar si një të marrë. Pas kësaj, do të kalojnë qindra vite, pa besuar në Nuhun a.s asnjë nga populli i tij. Çdo brez që vinte ishte më i lig se brezi i mëparshëm. Edhe pse Nuhu a.s vazhdonte t'u flasë dhe t'i ftojë, asnjë nuk i besonte dhe nuk i bashkëngjitej karvanit të besimtarëve dhe itharëve të tij.
Në një situatë të tillë, Nuhut a.s i vjen Xhibrili a.s dhe i përcjell një urdhër të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:"Dhe Nuhut iu shpall: “Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata!" (Nuh, 36)
Gjer në këtë moment, Nuhu a.s nuk i kishte humbur shpresat dhe nuk ishte demoralizuar. Pasi i erdhi ky lajm nga Zoti, Nuhu a.s e shprehu zemërimin e tij me fjalët:"
"Nuhu tha:“O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit. Ata kurdisën një kurth të madh, dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin! E kështu kanë futur në rrugë të gabuar shumë (njerëz). Prandaj, keqbërësve mos u shto gjë tjetër, veç humbjes! Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën mbrojtës tjetër për veten në vend të Allahut. Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!" (Nuh, 21-27)
Në fund të këtyre ajeteve, shprehet shqetësimi i Nuhut a.s për besimtarët dhe ithtarët që i kishin besuar. Ai kishte frikë se mos ndikoheshin dhe e braktisnin edhe ata.
Fjalët e mësipërme, Nuhu a.s i pason me një lutje:"O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”
(Nuh, 28)
Në ajete të tjera trajtohen lutjet dhe mallkimet e Nuhut a.s kundër jobesimtarëve.
"Ai tha: “O Zoti im, populli im më mohoi, andaj, Ti gjyko mes meje dhe atyre dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!” (Furkan, 117-118)
"... ka përgënjeshtëruar (shenjat Tona) populli i Nuhut. Ata e quanin gënjeshtar robin Tonë (Nuhun), i thoshin “i çmendur”, e pengonin dhe e kërcënonin.  Kështu, ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” (Kamer, 9)
 
Ndërtimi i anijes
Pas këtyre lutjeve dhe mallkimeve, Zoti e frymëzoi Nuhun a.s të ndërtojë një anije të madhe."Dhe Ne i shpallëm atij: “Ndërto anijen nën Sytë (mbikëqyrjen) dhe frymëzimin Tonë." (Muminun, 27)
Nuhu a.s nuk dinte të ndërtojë anije, aq më tepër një anije aq të madhe. Ishte vetë Xhibrili a.s ai që do e udhëzonte dhe orientonte Nuhun a.s gjatë ndërtimit të anijes. Në një transmetim thuhet se Nuhut a.s iu deshën njëqind vite për ta përfunduar ndërtimin e anijes. Duke qenë se jetonte në një rajon që nuk kishte pemë, Nuhu a.s i mbillte ato, kujdesej derisa rriteshin dhe i priste për anijen. Meqenëse jetonte në mal, edhe anijen e ndërtoi në mal, në kushte të vështira, pasi edhe uji ishte me rezerva.
"Dhe Ne i shpallëm atij: “Ndërto anijen nën Sytë (mbikëqyrjen) dhe frymëzimin Tonë e, kur të vijë urdhri Ynë e të vërshojë uji nga furra, ngarko në anije prej çdo lloj gjallese nga një çift dhe familjen tënde, përveç atyre që janë dënuar të humbasin, dhe mos M’u drejto për ata që kanë bërë të këqija se ata, me të
vërtetë, do të fundosen." (Muminun, 27)
Tashmë ishte konsumuar çdo shans për jobesimtarët. Nuhut a.s i ndalohej të lutej për ta dhe të kërkonte falje.
Puna e Nuhut a.s për ndërtimin e anijes padyshim që ka qenë e lodhshme. Vetëm ta imagjinosh duke mbjellë pemë dhe duke pritur të rriten, është e lodhshme. Dërrasat e anijes ai i lidhte me njëra tjetrën me gozhdë, gjë e cila ceket dhe në Kuran:"Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh." (Kamer, 13)
Njerëzit shfaqnin habi dhe çudi me atë që u shihnin sytë: Nuhu nuk po u fliste më për fenë e tij dhe ajo që ishte akoma më e pabesueshme, ai po ndërtonte një anije në mal! Në një hadith, ceket se njerëzit filluan të tallen me Nuhun a.s. Ata i thonin:"O Nuh! Deri dje ke qenë profet, kurse tashmë qenke bërë marangoz?! O Nuh! A anije në mal?!" Ata u thoshin njerëzve të tjerë:"A nuk u patëm thënë që nuk është veçse një i marrë dhe ju nuk na besonit?!"
Një tallje dhe poshtërim i tillë ceket dhe në Kuran, ku thotë Zoti:"Ai nisi të ndërtonte anijen. Sa herë që kalonte pranë tij paria e popullit të tij, e përqeshte. Ai u tha: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju dhe, së shpejti, me siguri, do ta merrni vesh, kë do ta gjejë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm”. (Hud, 38-39)
Lidhur me përshkrimin e anijes së Nuhut a.s, Abdullah ibnu Abasi thotë:"Nuhu a.s bashkë me anijen ishin në malin Xhudij, prej ku u shfaq dhe tufani. Gjatësia e anijes ishte treqind parakrahë, (sipas parakrahëve të Ademit a.s dhe që me parametrat modernë, mund të ketë qenë pothuaj një km). Gjerësia e saj ishte pesëdhjetë parakrahë, ndërkohë që lartësia ishte tridhjetë parakrahë. Nga lart, ajo ishte e mbuluar (me qëllim që të evitojë ujin që i vjen nga lart) dhe kishte tre dyer për çdo kat."
Kjo anije është zbuluar në kohët moderne, duke vërtetuar një premtim të Zotit, se do e lërë si shenjë dhe argument. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:"Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që ia vë veshin?" (Kamer, 15)
Një skuadër shkencëtarësh, arritën ta zbulojnë anijen e Nuhut a.s, e cila ishte ndarë dy pjesë. Konstrukti i saj përkonte me përshkrimin që përmendëm më lart, tre kate dhe e mbuluar nga lart.
 
Tufani
Para se të fillojë tufani shkatërrues, Zoti e kishte urdhëruar Nuhun a.s të përgatitej, ashtu siç e kishte urdhëruar të mbledhë nga çdo krijesë një çift, një mashkull dhe një femër. Sinjali i afrimit të tufanit ishte vërshimi i ujit në furrën e bukës së Nuhut a.s. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë:"Kur arriti urdhri Ynë e uji të gufojë nga furra, Ne i thamë: “Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde - përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit - dhe besimtarët!” Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij!" (Hud, 40)
Një ditë, Nuhu a.s e konstatoi ujin në furrë, sinjal ky që tregonte se tufani ishte afër. Menjëherë, ai u nis drejt anijes në mal. Atje ai mbeti pa gojë, pasi të gjithë kafshët dhe gjallesat e tokës, çdo çift prej tyre, ishin grumbulluar tek anija dhe ishin vënë në rresht, në pritje të urdhrit për të hipur në anije. Nuhu a.s i sistemoi dhe i rehabilitoi të gjithë në anije.
Pasi ishin siguruar të gjithë në anije, u dha urdhri final dhe fatal për përmbytjen e tokës dhe gjithçkaje mbi të. Thotë Zoti në Kuran:
"Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar." (Kamer, 11-12)
"Kur Nuhu Na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm bukur: e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe, i lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij dhe e lamë atë kujtim te brezat e tjerë. “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët. Ai është vërtet nga robërit Tanë besimtarë. Pastaj i fundosëm të tjerët." (Saffat, 75-82)
"Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam ju në anije, për ta bërë atë një paralajmërim, që ta dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm." (Hakka, 11-12)
Me ngritjen e nivelit të ujit, përmbyteshin qytete e fshatra të tërë. Kjo vazhdoi derisa uji mbuloi gjithçka mbi tokë, saqë thuhet se niveli i ujit arriti pesëmbëdhjetë metër mbi malin më të lartë në tokë. Thotë Zoti në Kuran duke përshkruar anijen teksa çante valët:"Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet." (Hud, 42) Dallgët u ngjanin maleve për nga madhësia.
Kur Nuhu a.s ndjeu anijen të lëkundej, pasi niveli i ujit kishte filluar të rritej, tha:" Me emrin e Allahut"
Gjithçka filloi të përmbytej, bimësia, gjallesa dhe çdo gjë. Thotë Zoti në Kuran:
"Ai tha: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë”. (Hud, 41)
"Kur të hipësh në barkë ti dhe ata që janë me ty, thuaj: “Qoftë lavdëruar Allahu, i cili na shpëtoi prej popullit keqbërës” Dhe thuaj: “Zoti im, më zbarko në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbarkuar.” (Muminun, 28)
Zoti i lartësuar i kishte premtuar Nuhut a.s se do e shpëtojë atë bashkë me familjen. Kështu, të gjithë familjarët e Nuhut a.s kishin hipur në anije, përveç djalit të tij. Me Nuhun a.s në anije ishte dhe gruaja e tij. Lidhur me gruan e Nuhut a.s, e cila në Kuran konsiderohet si amorale, ajo kishte vdekur para se të ndodhë tufani.
"Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj, ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit) e atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!” (Tahrim, 10)
Kështu, gruaja e Nuhut a.s – siç e cekëm më lart – bashkë me fëmijët ndodheshin në anije. Djali i vetëm që nuk pranoi të ngjitet në anije bashkë me Nuhun a.s, quhej Kenan. Ai refuzoi pasi ishte jobesimtar. Kur Nuhu a.s hypi në anije bashkë me besimtarët e tjerë, e ftoi dhe djalin e tij, por ai refuzoi. Kjo përmendet në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:"ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”. Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos." (Hud, 42-43)
Nuhut a.s i ishte premtuar se familja e tij do të shpëtonin nga tufani. Për këtë, Nuhu a.s tha:"Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: “O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!” (Hud, 45)
Me këto fjalë, Nuhu a.s kërkonte sqarim dhe nuk e kundërshtonte vullnetin e Zotit. Përgjigja që i erdhi Nuhut a.s ishte:
"(Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai është punë e keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. (Hud, 46)
Me këtë, Zoti i kumtonte Nuhut a.s se lidhjet e gjakut dhe familjare, ndërpriten nëse njëri nga familjarët është jobesimtar. Kjo vihet re edhe tek ndarja e trashëgimisë, ku nëse një nga familjarët është jobesimtar, ai nuk gëzon të drejtën e përfitimit nga pasuria e të vdekurit besimtar.
"ai është punë e keqe" Për shkak të veprave të liga që vepronte djali i Nuhut a.s, ishte shndërruar në simbol të ligësisë dhe poshtërsisë. Nuhu e ndjeu gabimin dhe u pendua:"(Nuhu) tha: “O Zoti im, mbështetem tek Ti për Të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit”. (Hud, 47)
Nuhu a.s nuk i kishte thyer kurrë urdhrat dhe ligjet e Zotit. Këtë rast, ai e konsideroi si thyerje të urdhrit të Zotit, prandaj kërkoi falje dhe u pendua.
Si rezultat i përmbytjes së madhe, u shua e gjithë jeta tokësore. Të gjithë gjallesat dhe kafshët mbi tokë u mbytën dhe u zhdukën. Vetëm jeta ujore nuk u prek. Të gjallët e vetëm në të gjithë tokën, ishin vetëm ata që ishin në anijen e Nuhut a.s.
Sipas një transmetimi të Abdullah ibnu Abasit, Nuhu a.s, besimtarët dhe kafshët qëndruan në anije për gjashtë muaj rresht. Në disa transmetime të ndryshme, thuhet se ata dolën nga anija ditën e Ashures, dita e dhjetë e muajit Muharrem. Këtë ditë, Profeti a.s e agjëronte pasi ishte dita kur profeti Musa a.s kishte shpëtuar bashkë me popullin e tij, ashtu siç kishte shpëtuar dhe Nuhu a.s nga përmbytja më parë.
Përmbytja u ndërpre me një urdhër nga Zoti i lartësuar, ashtu siç kishte nisur në fillim. Thotë Zoti në Kuran rreth këtij fakti:"Më pas, një zë thirri: “O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!” Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin al Xhudij dhe u tha:“Larguar qofshin keqbërësit (nga mëshira e Allahut)!” (Hud, 44)
"Atëherë iu tha: “O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm!” (Hud, 48)
Transmetohet se Nuhu a.s, gjatë kohës që gjendeshin në anije, herë pas here dërgonte një pëllumb për të hetuar nëse kishte përfunduar përmbytja. Herën e fundit që e nisi, pëllumbi u kthye me një degë ulliri, gjë e cila ishte sinjal se niveli i ujit po zbriste dhe pemët kishin filluar të shfaqeshin. Nuhu a.s e dërgoi dhe një herë dhe pëllumbi u kthye me shenja  balte në këmbë. Ky ishte sinjal që përmbytja kishte përfunduar dhe se toka po dilte në sipërfaqe. Prej këtu, pëllumbi me gjethen e ullirit në sqep, është konsideruar si pëllumbi i paqes.
Nuhu a.s bashkë me familjen, besimtarët dhe kafshët zbritën nga anija. Tashmë, në të gjithë tokën nuk kishte njerëz të tjerë përveç tyre. Veçse nuk duhet të harrojmë se njerëzimi në kohën e Nuhut a.s nuk kishin këtë shpërndarje që kanë sot. Asokohe njerëzit gjendeshin në Gadishullin Arabik dhe në rajonin e Palestinës. Edhe pse pjesa tjetër e botës nuk ishte e populluar nga njerëzit, ajo u përmbyt e gjitha.
Të gjithë njerëzit që ishin me Nuhun a.s, kur u vendosën sërish në tokë ishin impotentë, të paaftë për të lindur dhe për t'u shtuar. Askujt tjetër përveç Nuhut a.s dhe të shoqes, nuk i lindën fëmijë. Toka u popullua sërish, por vetëm nga familja dhe pasardhësit e Nuhut a.s. Për këtë, Nuhu a.s etiketohet si babai i dytë i njerëzimit. Kjo përmendet dhe në Kuranin fisnik:"Kur Nuhu Na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm bukur: e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe, i lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij." (Saffat, 75-78)
"Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.” (Isra, 3)
 
Fëmijët dhe vdekja e Nuhut a.s
Nuhat a.s i lindën fëmijë të tjerë, emrat e të cilëve janë: Sam, fëmijët e të cilit ishin të bardhë dhe pak esmerë. Arabët dhe Hebrenjtë rrjedhin nga Sam.
Fëmija i dytë është Ham, fëmijët e të cilit ishin me lëkurë të zezë. Pasardhësit e tij janë zezakët e Afrikës.
Fëmija i tretë është Jafith, fëmijët e të cilit ishin biond me një të kuqërremtë të lehtë. Europianët dhe Azia lindore janë pasardhës të Jafith.
Pas tufanit, Nuhu a.s jetoi edhe treqind e pesëdhjetë vite të tjera. Të gjithë këto vite ai i kaloi në adhurim të Zotit. Ai ishte adhurues dhe mirënjohës për të mirat e Zotit.
Transmeton Ibnu Maxhe, se Profeti a.s ka thënë:"Nuhu a.s agjëronte gjatë gjithë kohës, përveç festave."
Nuhu a.s vdiq dhe sipas transmetimeve më të sakta, është varrosur në Meke. Ndërkohë që disa transmetime të tjera, sinjalizojnë se u varros në Kerkbika, në Libanin e sotëm.