Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

KËSHILLË PËR NAMAZIN

Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “Elif, Lam, Mimë. Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj)”. (El Bekare: 1-3)

Namazi është shtylla e dytë e Islamit. Pas shehadetit se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, menjëherë vjen namazi, për ta vërtetuar besnikërinë e atij që thotë shehadetin. Namazi vërteton dëshminë tënde. Namazi është puna e parë, për të cilën llogaritet njeriu ditën e Kijametit. Namazi është shenja që i dallon njerëzit e devotshëm. Kush e mban namazin, ka mbajtur fenë, kush e rrëzon atë, ka rrëzuar fenë.

Namazi është ajo punë që të tregon se sa vlerë ka Islami në zemrën tënde. Nëse namazi ka peshë në zemrën tënde, dije se feja e Zotit ka zënë vend në zemrën tënde.

Namazi është tregues i dashurisë për Zotin, është takimi me Të. Kur njeriu do një tjetër, mezi pret të takohet me të. Njeriu që do Zotin, nuk e ka barrë e as bezdi faljen e namazit, por e fal atë me dëshirë dhe përkushtim, duke qenë i kënaqur me Zotin.

Namazi është tregues i falenderimit ndaj Zotit. Shumë njerëz thonë: “Shyqyr o Zot, të falenderojmë Ty që na ka ardhur dynjaja mbarë”. Por pak njerëz falenderojnë me zemra. Kush do ta dijë se sa e falenderon Zotin për të mirat që i ka dhënë, le ta shohë namazin e tij.

Namazi është i vetmi obligim, që kryhet në çdo situatë. Asnjë obligim tjetër nuk është si namazi. Namazi falet kur je i shëndoshë dhe kur je i sëmurë. Falet kur je në këmbë, falet edhe kur je ulur. Falet në tokë dhe në det, falet edhe në qiell. Në çdo situatë, madje edhe përpara vdekjes, duhet ta falësh namazin, qoftë edhe me shikimin e syve dhe nuk mund ta tradhëtosh atë, se namazi është amaneti mes teje dhe Allahut (xh.sh).

Namazi është ajo punë, që nëse ti e le me qëllim dhe me vetëdije, rrezikon daljen nga feja, pasi profeti (a.s) thoshte: “Ajo që na dallon ne nga jobesimtarët është NAMAZI. Kush e fal namazin, ka mbajtur fenë, kush e lë atë ka lënë fenë”.

Namazi ishte porosia e fundit e të dashurit të zemrave tona, profetit Muhamed (a.s) dhe kur një profet lë porosinë e fundit, vendosja mirë gishtin kokës, se është porosia më e madhe që po të lë profeti i Zotit. Fjalët e tij të fundit ishin: “Namazin, namazin, namazin”. Shokët e tij thonë: “Kur iu rëndua gjuha dhe nuk e shqiptonte dot fjalën namaz, ne e kuptonim se ai deshi të thoshte përsëri Namazin.

Namazi ishte buzëqeshja e fundit e profetit (a.s) në këtë dynja. Ai buzëqeshi herën e fundit, kur nuk doli dot për të falur namazin e sabahut në xhami, por e pa Ebu Bekrin që po udhëhiqte besimtarët në namazin e sabahut dhe buzëqeshi, u qetësua, iu bë zemra mal, se i la muslimanët duke falur namaz. Nëse do ta shijosh buzëqeshjen e profetit (a.s) edhe pse ai ka ndërruar jetë, fale namazin.

Prandaj muslimanët e parë, shokët e profetit (a.s), kur hynin në një vend të huaj, nuk e sulmonin atë vend, derisa të vinte koha e ezanit. Nëse thirrej ezani në atë vend, ata thoshin: “Ndal! Këtu ka muslimanë. Nuk mund të luftojmë”. E nëse nuk thirrej ezani në atë vend, ata luftonin, se nuk mund ta imagjinonin, që të kishte muslimanë, që thonë shehadetin me gojë, por nuk falin namazin.

Profeti (a.s) e parashikoi kohën tonë, gjendjen dhe situatën tonë dhe tha: “Do të vijë koha që nyjet e Islamit do të zgjidhen njëra pas tjetrës (feja do të dobësohet ditë pas dite). Nyja e parë që do të zgjidhet do të jetë sheriati. Nuk do të zbatohet sheriati. Nyja e fundit që do të zgjidhet do të jetë namazi”.

Do të ketë shumë njerëz me emra muslimanë si: Muhamed, Ahmed, Hasan e Husejn, por që nuk e dinë se ç`është namazi. Namazi nuk ka vlerë në jetën e tyre, madje ata mund të tallen me ata që falin namaz. Kjo është nyja e fundit dhe Zoti na ruajt, se po u këput kjo nyje, këputet feja e Zotit. Na bëftë Zoti nga ata njerëz, që nuk e këpusin nyjen e fundit, Nëse e mbajmë nyjen e fundit, në dashtë Zoti, kjo nyje do të bëhet shkak për t`u formuar edhe nyjet e tjera.

Ne e dimë fare mirë sot, se muslimanët janë mbi 1 miliard. Por nëse ka statistika, sa prej tyre falen pesë herë në ditë? Do të shohësh që janë shumë pak. Sa prej këtyre që falen, e dinë se çfarë po bëjnë? Përsëri do të shohësh shumë pak. Por të jemi të sigurt, se namazi ka vlerë të madhe. Ne bëjmë gjynahe çdo ditë. A e dini se puna më e madhe, që i fshin gjynahet e robit është namazi?! Prandaj Zoti i gjithësisë e ka bërë urdhër faljen e namazit, se Ai ta do të mirën, të do të pastër e të panjollosur.

Nëse ti merr abdes me përkushtim dhe këtë punë e bën jo për të freskuar fytyrën, por për të shkuar tek Zoti, të dalin gjynahet nga çdo gjymtyrë që ti lan. Gjynahet dalin nga duart, nga sytë, nga këmbët e deri edhe nga poshtë thonjve.

Nëse ka gjynahe që nuk dalin nga abdesi, thuhet se mekelët i marrin këto gjynahe, i vendosin në kokën e njeriut dhe në qafën e tij. Kur njeriu fillon namazin dhe bie në ruku, gjynahet që ka pasur në kokë, fillojnë t`i bien poshtë. Në momentin kur bie në sexhde, me ballin përtokë, në kulmin e përkushtimit ndaj Zotit, ato gjynahe që ishin në qafë dhe në shpinë, bien përtokë. Pastaj kur robi jep selam i thuhet: “U pastrove prej këtij namazi”.

Prandaj Allahu (xh.sh) ka caktuar pesë namaze, jo për të na lodhur ne, por për të na pastruar nga gjyhanet. Profeti (a.s) tha: “A mbetet papastërti në trupin e atij, që lahet pesë herë në ditë në një lumë?” Shokët e tij u përgjigjën: “Jo o profet i Zotit”. Profeti (a.s) vazhdoi: “Kështu është edhe puna e besimtarit me pesë namazet. Zoti i shlyen gjynahet që janë mes tyre”.

Nëse pesë namazet nuk t`i falin gjynahet, atëherë vjen namazi i xhumasë, namazi më i madh i javës, që shlyen gjynahet e javës së kaluar. Nëse edhe xhumaja nuk t`i shlyen gjynahet, atëherë vjen muaji i Ramazanit një herë në vit dhe t`i shlyen gjynahet e vitit të kaluar. Por nëse edhe Ramazani nuk t`i shlyen gjynahet, vjen haxhi për atë që ka mundësi, të paktën një herë në jetën e tij dhe t`i shlyen të gjitha gjynahet që ke bërë në jetë. Nëse nuk ke mundësi për umre dhe për haxh, pendohu tek Zoti, se pendimi i shlyen gjynahet e robit dhe e nxjerr të pastër, siç e ka lindur nëna.

Prandaj ju ftoj ta përjetojmë pak këtë namaz. Ta dimë se jo më kot Zoti ka bërë pesë namaze, jo më kot Zoti e thirri profetin (a.s) të shkonte në qiell e aty t`ia japë urdhrin për namaz. Urdhri për faljen e namazit është i vetmi adhurim që është caktuar në qiell e jo në tokë.

Namazi është puna e parë, për të cilën llogaritet njeriu. Kur robi shkon tek Zoti, Zoti u thotë mekelëve: “O melekët e Mi merreni në llogari robin Tim dhe shikojini namazet e tij. Shikoni në fillim namazet farze”. Nëse ai i ka falur të gjitha namazet në rregull, Allahu (xh.sh) thotë: “Lum për këtë njeri. Shkruajeni atë nga banorët e xhenetit”.

Nëse farzet nuk i ka bërë siç duhet, disa i ka falur por nuk e ka pasur mendjen fare në namaz, atëherë Allahu (xh.sh) u thotë melekëve: “Shikoni nëse robi ka namaze sunnete apo nafile”. Nëse ka, atëherë merret ky namaz dhe me të plotësohet farzi. Nëse nuk ka nafile apo sunnete, farzi mbetet i mangët dhe llogaria nuk plotësohet.

Imagjinoje sikur të mos kesh as farze, as sunnete e as nafile. Çfarë do t`i thuash Allahut (xh.sh). Imagjino se ka njerëz, që nuk u janë shlyer gjynahet as nga abdesi, as nga namazi, as nga agjëtimi, as nga haxhi, madje as mendja nuk u ka shkuar për këtë punë. Ata shkojnë tek Zoti të ngarkuar me gjynahe sa malet e malet janë të rënda. Në kët rast të pret xhehenemi, Zoti na ruajt prej tij.

Profeti (a.s) tregon se namazi lutet për atë që fal namazin: “Të ruajt Zoti, siç më ruan ti mua”. Nëse robi humbet namazin, atëherë namazi thotë: “Të humbtë Zoti siç më humbe ti mua”.

E lus Zotin të mos na humbë, por le ta ruajmë namazin e Zoti të na ruajë ne. Zoti na bëftë prej atyre, që e falin namazin dhe e dinë se çfarë bëjnë. Zoti e bëftë namazin tonë dëshmitar për ne dhe jo kundër nesh.

E lus Zotin të na bëjë nga ata njerëz, që ftojnë për namaz dhe vetë e kryejnë atë, duke u bërë kështu një model i mirë për veten dhe për të tjerët.       

  A M I N