Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Dashuri jashtë kuadrit martesor

Pyetje:”Unë jam një vajzë në moshën njëzet e tre vjeçare dhe studioj në vitin e fundit në universitet. Jam besimtare dhe uroj e shpresoj që të martohem me një djalë i cili plotëson disa kritere të domosdoshme. Që kur kam qenë shtatëmbëdhjetë vjeçe, kërkesat për fejesë nuk kanë të sosur, por asnjëri nuk më është dukur i përshtatshëm për të lidhur jetën me të. Kohët e fundit, personat që kanë shfaqur dëshirën për t’u fejuar me mua dhe më kanë kërkuar në shtëpi janë shtuar dhe unë si zakonisht i kam refuzuar. Por, presionet e familjarëve dhe prindërve më kanë shtyrë ta pleqëroj dhe në fund ta pranoj dikë që plotëson kriteret për një bashkëshort të denjë. Por, sa herë që me vete mendoja që t’ua bëj qejfin prindërve dhe ta pranoj pretendentin e radhës, zbuloja disa gjëra që më bënin të dyshoj në atë lidhje. Kjo,edhe pse prej familjarëve dëgjoja fjalë që më shkaktonin dhimbje, pasi jam shumë e ndjeshme dhe i respektoj njerëzit e mi. Shpesh herë lëndohem për faktin që po e lodh dhe bezdis nënën, e cila e pret me mall atë ditë kur të më shohë të martuar si gjithë motrat e tjera. Megjithatë, e kam pasur shumë të vështirë t’ia bëj qejfin nënës, me diçka që ka të bëjë me të ardhmen dhe jetën familjare timen. Si mund t’ia bëj qejfin asaj me diçka e cila në të ardhmen mund të kthehet në ferr për mua dhe për atë? Ka arritur puna deri aty sa të tregohem e padurueshme thjesht të dëgjoj që dikush ka kërkuar dorën time. Ndihem e lodhur, e stresuar dhe e shqetësuar për të ardhmen që më pret. Megjithatë, besimi në Zotin dhe mbështetja tek Ai, më kanë dhënë forcë.

Gjatë kësaj kohe, jam njohur me një student me të cilin jemi në një klasë. Herë pas here, shkëmbenin email-e mbi lëndët dhe temat e reja. Ky student, karakterizohet nga morale të larta dhe sjellje të mira. Kurrë nuk e kisha menduar si bashkëshortin tim të ardhshëm, edhe pse shumë cilësi dhe tipare të tij, korrespondonin me kriteret që kisha vendosur unë për princin tim të kaltër. Aq më tepër që ai ishte student, i papunë dhe nuk kishte mundësi të fejohej dhe martohej. Megjithatë, interesi im për këtë student rritej ditë pas dite dhe nuk di nëse ishte dashuri apo thjesht pëlqim. Një ditë, ai u tregua i hapur me mua, jo dukë më thënë se më do apo se i pëlqej, por më tha:”Nëse do i kisha mundësitë për të nisur një jetë familjare, do të kërkoja dorën tënde.”

Unë mbeta pa fjalë në fillim dhe pasi reflektova mbi disa qëndrime të tij në të kaluarën, ndjeva që me të vërtetë i pëlqeja dhe ndoshta ishte edhe i dashuruar me mua. Për momentin u ndjeva e hutuar, megjithatë një reflektim i shpejtë më bëri të kuptoj se ai ishte njeriu më i përshtatshëm me të cilin mund të plotësoja udhëtimin e jetës së kësaj bote. Ai është me të vërtetë njeri i rrallë, kurrë nuk kam parë dhe dëgjuar një person si ai tek i cili kam gjetur cilësitë që i kërkoja tek princi im i kaltër. Gjithmonë kam dashur një person fetar, të moralshëm, që e do dijen dhe nuk shkëputet dot prej saj, i cili më ndihmon dhe më shtyn edhe mua të mësoj, një person që të më ndihmojë të mësoj Kuranin dhe të më shtyjë të studioj më shumë, një person që e pranon debatin, që di të dialogojë, të më mirëkuptojë, të konsultohet me mua dhe jo të jetë despot. Veç sa përmenda, dua që personi me të cilin do të lidh jetën të jetë romantik në maksimum me mua, të më kushtojë vëmendje dhe të më dojë më shumë se këdo tjetër. Të flas hapur, këtë person që kam kaq vite që e ëndërroj e kam gjetur tek kolegu në fjalë. Ai është fetar, kërkon dije me pasio, studion dhe ka rezultate të larta, të gjithë profesorët flasin mirë për të, i moralshëm dhe i turpshëm. Nuk e shoh asnjëherë të shoqërohet me vajzat e tjera, shoqërohet me shokë të sjellshëm, nuk i hakërrehet ndonjë të krisuri, nuk merret me polemika pa faide, por dialogun me gjakftohtësi dhe zemërgjerësi.

Veç të tjerave, ai është dhe poet, ka thurrur kushedi sa vjersha të mrekullueshme, pikturon dhe merret me kaligrafi arabe, të cilën e studion deri në imtësi. Ka pikturuar shumë tablo me shkrimet e tij dhe punon mirë drurin. Të them të drejtën, ky djalë më ka verbuar. Kurrë nuk më ka vajtur në mendje se do të  takohem me një person tek i cili janë mbledhur të gjithë këto cilësi dhe që kërkon të martohet me mua.

Problemi qëndron në faktin se momentalisht ai e ka të vështirë të kërkojë dorën time në mënyrë zyrtare, për shkak të kushteve të cilat nuk ia mundësojnë këtë gjë. Unë kam pranuar ta pres derisa të piqen kushtet, pasi do të diplomohet këtë vit. Edhe pse është i dalluar në mësime, ai mund dhe mund të mos gjejë punë. Unë ia kam përmendur këtë dhe mu përgjigj se nëse nuk gjen punë në sektorin shtetëror, do të kërkojë në atë privat. Nëse edhe atje nuk gjen punë, do të merret me kaligrafi arabe në mënyrë private.

Duke parë vendosmërinë e tij, unë pranova të pres derisa të krijohen kushtet e nevojshme. Ajo që më shqetëson është se ai më kërkon të kontaktojmë si më parë nëpërmjet emailit në kufijtë e lejueshëm, ashtu siç kemi bërë më parë. Në fakt, unë nuk ndihem e qetë nga kjo gjë. Më parë, edhe pse komunikonim  ai nuk më ishte shprehur se kishte simpati për mua, unë ndihesha fajtore dhe jo e qetë për atë që bëja. Në fakt, ia kam shprehur disa herë që kjo që bëjmë nuk më pëlqen dhe nuk lejohet, edhe pse bisedojmë për tema të shkollës dhe në kufijtë e lejueshëm.

Ai u mërzit shumë kur unë vendosa ndërprerjen e komunikimit dhe u mundua me çdo formë që të më bindë, por dështoi. Unë kam frikë t’i shkel dispozitat e Zotit edhe pse ai më ka premtuar se nuk do gjej asnjë fjalë jashtë kontekstit fetar dhe se i njeh mirë kufijtë e tij. Nga njëra anë, i frikësohem Zotit, por nga ana tjetër shqetësohem që ai mërzitet. Unë dua të di nëse ky komunikim është i dënueshëm, edhe pse ai nuk flirton me mua dhe nuk më flet veçse me respekt.

Nga ana tjetër, unë e kam vënë në dijeni edhe nënën për lidhjet e mia me këtë djalë, e cila më tha se kjo është një çështje që më përket mua. Megjithatë, kur dikush kërkoi dorën time, ndjeja se ajo sikur më shtynte që unë ta pranoj, edhe pse nuk kishin kaluar dy javë nga dita që e njoftova.

Uroj të më ndihmoni si ta bind nënën që ky djalë është personi më i përshtatshëm për mua, me qëllim që t’u japë fund presioneve. A konsiderohet si keqtrajtim i prindërve refuzimi im për djemtë që kërkojnë dorën time? Sidomos, duke ditur që ajo nuk i sheh dhe nuk i konsideron të rëndësishëm ato gjëra që për mua janë të tilla. Shpesh herë më thotë se unë nuk mendoj në mënyrë të logjikshme dhe se personi që ka kërkuar dorën time është me emër të mirë, falet, agjëron dhe i përmbush kriteret... sakaq unë nuk e konstatoj diçka të tillë dhe ndihem e frikësuar dhe e stresuar.

Në të kaluarën, frikësohesha se nuk do gjen një person sipas shijeve të mia dhe më kaplonte paniku se mund të bija në duart e një personi që nuk më vlerëson dhe nuk më trajton siç dua unë. Tashmë unë e kam gjetur njeriun që ëndërroja dhe që më kupton, por më duhet të pres e frikësuar se mos presionet më shtyjnë të pranoj dikë tjetër.

Familja ime duan një person të pasur, kurse mua nuk më hyn në sy pasuria. Nëse gjej njeriun e duhur, unë pranoj të jetoj në një kasolle me të, por në një atmosferë të qetë, plot dashuri, mirëkuptim dhe larg poteres dhe shamatave. Unë besoj se është burri ai që sjell pasurinë dhe bollëkun dhe jo anasjelltas. çfarë vlere kanë ato kështjella dhe vila, ku njerëzit që banojnë në to nuk e njohin buzëqeshjen? Si mund ti bind familjarët e mi se mendimi dhe zgjedhja ime është e duhura, për një jetë të lumtur? Kërkoj ndjesë për zgjatjen, Zoti ua shpërbleftë me të mira.”

 

Përgjigje:”Bija ime! Shpesh herë më ndodh që ta pyes veten: Përse e ndalon islami çdo lloj kontakti mes një të riu dhe të reje, jashtë kuadrit të martesës? Pas qindra konsulencash dhe problemesh të dërguara në adresën time gjatë viteve të kaluara, e përmblodha përgjigjen në dy pika:

 

Së pari: Sepse kontaktet e veçanta, patjetër që do të evoluojnë. Ato nuk qëndrojnë dot në një etapë, sado fetar dhe të moralshëm të jenë të dy palët.

Së dyti: Sepse kontaktet e veçanta, e familjarizojnë njërën palë me tjetrën, duke i forcuar lidhjet e tyre ditë pas dite. Sakaq, garancitë e qarta, marrëveshjet zyrtare, plane të paracaktuara për martesë nga familjarët e secilit, as që ekzistojnë. Rrjedhimisht, nëse – Zoti mos e thashtë – ndodhin pengesa në rrugën e martesës, si nga ana e familjarëve apo aspekti ekonomik, gjë e cila e dështon projektin për martesë, dhimbja që shkaktohet është shumë e madhe dhe goditja është shumë e rëndë. Prandaj, një kontakt i kësaj forme është i ndaluar. Janë këto dy shkaqe – sipas këndvështrimit tim – që Ligjvënësi supreme i ka ndaluar kontaktet e veçanta jashtë kuadrit martesor.

Në këtë kontekst, dua të shtroj një pyetje, të cilës duhet ti përgjigjesh ti vetë: Cili është objektivi nga kontaktet që kolegu yt kërkon të mbajë me ty? Ju të dy do të flisni dhe komunikoni rreth mësimeve dhe çështjeve fetare. A është me të vërtetë ky objektivi? A janë mësimet dhe dija qëllimi dhe objektivi i vërtetë? Apo qëllimi dhe objektivi është kënaqësia që të fal biseda dhe muhabeti mes dy të dashuruarve? Mos është qëllimi vazhdimësia e marrëdhënieve derisa pala tjetër të garantojë se nuk do të braktiset dhe të harrohet? Mos është objektivi thjesht prezantimi dhe njohja më e thellë?

Nëse qëllimi i kontakteve dhe komunikimit janë mësimet, ato gjenden në libra dhe konsultimi mund të bëhet me shoqet dhe koleget e tjera.

Nëse qëllimi është kënaqësia, ajo nuk ka kuadër tjetër përveç kuadrit bashkëshortor.

Nëse qëllimi është garancia, nuk ka garanci më të madhe se devotshmëria dhe frika prej Zotit. Nëse kjo lidhje është e hairit, Zoti e lehtëson, në të kundërt e largon dhe e ndërpret.

Nëse qëllimi është prezantimi dhe njohja sa më e mirë, besoj se periudha e kaluar ka qenë e mjaftueshme për këtë.

Besoj se nuk ekziston ndonjë qëllim dhe objektiv i pranueshëm, prandaj kontaktet nuk kanë asnjë domethënie që të zgjaten më tej.

Pyetjet që shtrove: Si t’ia mbush mendjen familjarëve për opinionin dhe mendimin tim? Si t’ua vërtetoj se zgjedhja ime është e drejtë? Si të shpëtoj nga presionet e tyre? A konsiderohet refuzimi im keqtrajtim për prindërit?

Thotë profeti Muhamed a.s:”O ju të rinj! Kushdo prej jush që e ka të mundur martesën, le të martohet. Kush nuk mundet, le të agjërojë!”

Sipas hadithit, ekziston një nivel minimal ekonomik që e mundëson martesën.  Është e drejta jote që të pranosh të jetosh në një kasolle dhe ta përballosh me durim të ftohtin, urinë dhe etjen. Kjo është zgjedhja jote dhe ti gëzon lirinë e plotë për këtë. Por, ti nuk ke aspak të drejtë që këtë zgjedhje t’ua imponosh dhe fëmijëve të tu!!! çfarë faji ka djali yt i cili nuk do gjejë qumështin e mjaftueshëm kur të uritet, ilaçe kur të sëmuret, mbulesë kur të jetë ftohtë dhe shkollën e duhur kur të mbushë moshën??!!

Fjalët e mia mos i merr sikur unë jam kundër idesë së durimit, përpjekjeve dhe luftës për të ngjitur shkallët një e nga një. Përkundrazi, unë pajtohem plotësisht me idenë e thjeshtësisë në përgatitjet për martesë dhe mos ekzagjerimit në dhurata dhe shpenzime. Por – siç e thashë dhe më lart – kjo ka një kufi minimal për përballimin e shpenzimeve materiale të martesës. Nëse ndjen që ky nivel minimal nuk realizohet dhe nuk arrihet, atëherë më mirë prefero agjërimin. Por nëse ndjen se ky kufi minimal arrihet, ose të paktën mund të realizohet pas një farë kohe, është e lehtë ta bindësh familjen tënde.

Mënyra e vetme për të bindur familjarët e tu, është hapi konkret, ku ky djalë të trokasë në derën tuaj dhe të kërkojë dorën tënde. Nëse nuk e ka të mundur martesën momentalisht, të prezantohet me familjen tënde, të tregojë se çfarë posedon dhe çfarë jo dhe pas sa kohësh kushtet e tij ia lejojnë të realizojë martesën. Kjo është mënyra e vetme për ti bindur njerëzit e tu.

Nuk konsiderohet keqtrajtim dhe mos respekt nëse refuzon kandidatët që kanë zgjedhur prindërit dhe familjarët e tu. Keqtrajtim dhe mos respekt është kur ti u imponohesh me një zgjedhje që për ta është e papranueshme. Fillimisht, ata duhet të binden për këtë djalë dhe mënyra e vetme për ti bindur është siç e ceka më lart.

Në fund, e lus Zotin me sinqeritet dhe me gjithë zemër që t’i lehtësojë problemet dhe hallet e tua, të gëzojë me një person të përshtatshëm dhe të japë lumturi në jetë!!!