Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mos u mërzit

Mos u mërzit me ata që herë pas here deklaronin rrejshëm se:”Japin jetën dhe gjithçka kanë për ty”, e që në fatkeqësinë e parë, të shesin fare lirë. Mos u mërzit me ata që të kanë dhënë besë e fjalë për sinqeritet, besueshmëri e sakrificë, pasi në fjalët e tyre nënkuptohej diçka tjetër “ti je viktima”. Në fakt, viktima është ai vetë, pasi gënjeu ndërkohë që ti e mbajte fjalën, ai tradhtoi ndërkohë që ti u tregove i besës.Mos u mërzit me atë të cilit i ke besuar sekretet e tua dhe i hape zemrën, e ai, i përdori si armë dhe mjete shantazhi kundër teje. Mos u mërzit, se Zoti është me ty, e aspak me atë, ti je i sinqertë dhe i besueshëm, kurse ai, tradhtar dhe gjynahqar. Mos u mërzit me dikë që të shiti për një interes material. Në fakt, ia vlen të gëzohesh pasi shpëtove shpirtin tënd dhe iu ktheve biografisë tënde të fisme. Mos u mërzit nëse nuk gjen gjë tjetër për të ngrënë, përveç një kothereje të thatë elbi, ndërkohë që fqinjët e tu trashen e vuajnë nga mbipesha. Nesër, krimbat do i hanë trupat e të gjithëve, duke mos lënë gjë, ndërkohë që veprat e mira janë përjetësuar. Mos u mëzit nëse fle mbi trotuar, kurse miqtë e tu flenë në shtrat mëndafshi dhe në vila luksoze. Nesër, varri yt do të jetë përbri varreve të tyre dhe kualifikimi përfundimtar, do të jetë për besimin dhe veprat e mira. Harroji emrat që kanë shkuar dhe që e rëndojnë kujtesën tënde me kujtime të shëmtuara. Në zemrën tënde, gdhend emrat e atyre njerëzve që e meritojnë mirësinë tënde. Harroji njerëzit që sillen ashpër dhe ftohtë me ty! Fillo rishtazi jetën dhe qëndro pranë atyre njerëzve që sinqerisht të thonë:”Jeta nuk është asgjë pa ty”. Askush nuk e meriton të lodhësh e shtrydhësh trurin për të. Ai që të do ashtu siç je, nuk do të braktisë dhe zhgënjejë kurrë. Ai që të respekton, nuk do të lejojë që marrëdhëniet tuaja ti përngjajnë një teatri për këdo që dëshiron të hyjë dhe ti cenojë. Mos u mërzit me ata që qeshin për shkak të besnikërisë tënde! Mos u mërzit me ata që të bëjnë të ndihesh inferior përballë ligësisë së tij! Mos u mërzit me dikë që ishte gjithçka për ty, e që për një çast, zbulove se është askush. Mos u mërzit me dikë të cilit i ke besuar gjithçka, e ai, ishte i pari që të zhgënjeu dhe të la në baltë. Mos u mërzit me atë që u njoh me pikat e tua të dobëta, e mandej i përdori për të shkelur me këmbë. Mos u mërzit, sepse nuk e ke humbur atë, por ke fituar dinjitetin tënd përballë tij! Prandaj, buzëqesh se nuk ke humbur gjë! Mos u mërzit me dikë që e ngriti lavdinë e tij në kurrizin tënd, u pasurua duke të mashtruar dhe duke shfrytëzuar sinqeritetin tënd! Të mjafton se je i dëlirë e i pafajshëm, sakaq ai është ngarkuar me ligësi e gjynahe. Mos u mërzit nëse dikush shkruan një artikull, ku të sulmon, shan dhe ofendon. Këto “arritje” të tij, do i marrë me vete në varr dhe do i gjejë të shënuara në regjistrin e veprave të veta. Ndërkohë, ti je i lumtur pasi kështu ai ka kontribuar në shlyerjen e gjynaheve tua dhe të ka dhuruar shpërblimin e veprave të tij. Mos u mërzit me dikë që të ngre pusi, ndërkohë që ti je në gjumë. Mos harro se Zoti është i Gjallë dhe nuk fle kurrë! Pusitë e krijesave janë të dobëta, kundrejt vendimeve hyjnore. Kapu fort pas litarit të Gjithëpushtetshmit, pasi kështu i copëton litarët e kundërshtarëve të tu! Mos u mërzit nëse i sheh pasanikët të luajnë me pasurinë, siç luajnë fëmijët me lodrat! Ti gjendesh në një dramë të pavlerë me titullin “Jeta e dynjasë”. Pas skenës teatrale të parë, do të ulet perdja për tu përballur më pas me skenën e dytë, Ditën e Llogarisë, ku ose do të shpërblehesh ose do të ndëshkohesh. Mos u mërzit për humbjen e një posti, pasi nuk ka post më të madh sesa kur ndodhesh i përhumbur mbi një sixhade, apo kur gjendesh në rreshtin e parë duke u falur në xhami, si dhe një kujtim i mirë që lë pas, pasi të kesh ndërruar jetë. Mos u mërzit nëse dikush tjetër ta hedh dhe e fiton ai një marrëveshje tregtare! Le të jetë marrëveshja jote më e madhe, me Atë që është Një dhe i Vetëm. Kështu, ty do të thuhet:”Biznesi yt ishte i suksesshëm” pasi iu gjende pranë një jetimi, ndërtove një xhami, ushqeve një të uritur dhe ndihmove një hallexhi. Mos u mërzit nëse ndjen se dikush digjet që të të heqë qafe dhe përjashtojë nga çdo mundësi suksesi! Ky është tregues se ai të pranon si rival dhe se për të, je një rival i vështirë. Ai ndihet në siklet të madh prej teje dhe shndërrohet në një makineri propagande gratis, e cila publikon lavdinë dhe vlerat e tua, pa e kuptuar. Mos u mërzit me dikë që e djeg ndihmën tënde, e harron të mirën, të braktis, të bojkoton dhe sillet me mosmirënjohje! Hidhi një sy njerëzisë që nuk i janë mirënjohës Krijuesit të tyre. Ai i krijoi nga hiçi, i ushqen dhe ka nënshtruar gjithçka në interes të tyre. E megjithatë, ata e mohojnë, e shajnë dhe ironizojnë. I lartë dhe i pa të meta je o Zot! Nëse konstaton se njerëzit solidarizohen me fjalë me ty, dikush të premton ndihmë monetare, dikush tjetër mbështetje morale, një tjetër sakrificë, një i katërt besë pa kushte etj... për hir të ngjyrës së syve të tu, dije se e gjitha kjo është absurditet! Mos u mërzit nëse të humbi një post i rëndësishëm, një ministri që nuk e shtive në dorë, një profesion dhe një vend pune të admirueshëm! A nuk i sheh fronet e presidentëve të bien si gjethe peme? A nuk i sheh karriget e tyre të ngrohta të copëtohen? E tillë është jeta e kësaj bote. A mund ti zësh besë asaj, pas gjithë këtyre ndodhive që na shohin sytë? Mos u mërzit nëse të mbyllen dyert e të mëdhenjve! Afroju portës së Plotfuqishmit dhe Falësit pa kufi! Thjesht merr abdes dhe qëndro mbi sixhade, pasi kështu ke hyrë brenda portës së Tij! Mos u mërzit nëse nuk e refuzojnë dosjen tënde! Ngrije këtë dosje para agimit, shkruaji kërkesat e tua me lot të nxehtë dhe dërgoje me postën e istigfarit drejt Arshit sublim! Mandej prit përgjigjen aq shumë të dëshiruar! Mos u mërzit nëse nuk ftohesh në një rast, nëse nuk je nderuar në një ceremoni dhe nëse nuk je duartrokitur në një festival! Thjesht ulu dhe shoqërohu me njerëzit e mirë, që të kujtojë i Vetmi i Plotfuqishëm, para engjëjve të dëlirë! E çfarë nderi tjetër më i madh mund ti bëhet një njeriu!?