Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Thirrje për t’u ndjerë të lumtur

1. Buzëqeshja: buzëqeshja magjepsëse është kapari i miqësisë dhe karta e identitetit; lëshoje atë në fytyrën e vëllait tënd në çastin më të parë dhe pa u luhatur, sepse t`i buzëqeshësh vëllait tënd duke e parë në fytyrë, konsiderohet sadaka; me të ti arrin të blesh miliona zemra dhe njerëzit nuk e harrojnë atë qeshje vezulluese sa të jesh gjallë, pasi në të gjendet shpresa, besimi, dhembshuria, dashuria dhe optimizmi.

2. Fjala e mirë: fol qetësisht, me butësi dhe brishtësi, zgjidh fjalët e marrëveshjes dhe paqes, lavdëroje shokun tënd dhe lutu për të, ruaje veten nga fjalët kryelarta, dominuese, tallëse dhe përçmuese, pasi ato janë rruga e rrëzimit dhe rrënimit, me to e kapitullon reputacionin tënd, e shkatërron stadin tënd dhe shndërrohesh në burim urrejtjeje, zemërimi dhe sharje.

3. Modestia: jeta është e shkurtër dhe të gjithë ne do shndërrohemi në dhé. Duke e ditur se origjina jonë është nga i njëjti baba dhe e njëjta nënë, ne nuk na avancojnë dhuntitë tona, pasi vetëm Allahu është Ai që na avancoi në to. Frenoje veten dhe tregohu modest, ule kokën para Zotit të lavdisë dhe plotfuqisë. O njeri! Ti je nga dheu, ecën mbi dhé e varrosesh në dhé. Prandaj mos kërko të dukesh mbi njerëzit e tjerë,  se kanë për të të përçmuar dhe urryer. Jepu atyre shans të gëzohen për arritjet e tyre, dhurojua pranimin tënd, modestinë tënde, që të jesh tek ata më i dashur se fëmijët e tyre.

4. Përmbaju altruizmit: fisnikët u japin prioritet të tjerëve kundrejt vetes së tyre, ushqimi yt në barkun e tjetërkujt është më i shijshëm se në barkun tënd, rroba jote në trupin e tjetrit është më e bukur se në trupin tënd. Mos domino mbi sendet, shpenzoje çehren, pozitën, ushqimin, mallin dhe kohën tënde për njerëzit, në rrugë të Allahut. Kështu ti do të jesh më i lumturi.

5. Dëgjoje më kureshtje bashkëbiseduesin: bëja veshin pipëz atij që po të flet, përqendrohu tek ai dhe dëgjoje me vëmendje nëse të flet, mos u merr me gjë tjetër ndërkohë që tjetri të flet, dhuroja atij vështrimin dhe dëgjimin tënd, derisa të ta thotë krejt atë që ka për të të thënë. Dije se vetëm duke e dëgjuar me vërejtje, do ta robërosh shpirtin e tij dhe do marrësh konsideratën e tij. Ti ke një gjuhë të vetme dhe dy veshë, pra dëgjo shumëfishin e asaj që flet, lëri shokut tënd shans të flasë rreth vetes së tij, lëre atë ta shkarkojë energjinë dhe ngarkesën e fjalës nga vetja e tij.

6. Duhet që të falësh: fali njerëzit, varrosi gabimet e tyre, harroji të këqijat e tyre dhe kaloje në heshtje sharjen e tyre, që zemra jote të kullohet dhe të fitosh mijëra zemra, të arrish amnistinë e Allahut dhe faljen e Tij. As mos e ço ndërmend hakmarrjen dhe mos bëj monolog me veten për kompensim. Jeta është shumë e shkurtër dhe Allahu e do faljen. Nëse ti i fal robërit e Tij, edhe Ai të fal ty.

7. Komuniko me atë që është shkëputur nga ti: është një gjë e bukur të komunikosh me dikë, që është i lidhur me ty, por më e bukura dhe më e mrekullueshmja është të komunikosh me atë, që është shkëputur prej teje, sepse kësisoj ti verifikon dëlirësinë e shpirtit tënd, pastërtinë e brendisë tënde dhe tregon se je i meritueshëm për mirësitë që Allahu ka zbritur mbi ty. Provo të komunikosh dhe lidhesh me atë, që sillet thatë me ty dhe do ta shohsh, se do të gjesh tek ai një shok të vërtetë. Urrejtja e tij do shndërrohet në dashuri rrjedhëse dhe kompliment të parfumuar e ti ke për t’i vjelë frytet.

8. Jepi atij që të privon: mos i trajto ndjenjat, dhuratat dhe donacionet lidhur me njerëzit me standardin e shitblerjes, as me kandarin e fitimit dhe humbjes, por trajtoi me fisnikëri dhe mirësi. Atij që të privon nga diçka, jepi ti nga ana jote, atij që tregohet koprrac me ty, bëji favor nga ana jote, që të arrish shpërblimin, komplimentin e bukur, kompensimin në zbukurimin e shpirtit, shëndetin e trupit dhe frenimin e të keqes së armiqve.

9. Fale atë që të ka bërë padrejtësi: fale atë që sillet padrejtësisht me ty. Merrja armën e vet nga dora, thyeja shkopin e tij, ktheja shpatën në mill, bëje që të bëhet pishman e të ndihet fajtor, sillu në atë mënyrë, që ai të kërkojë të fitojë pëlqimin tënd dhe ta kërkojë me ngulm pajtimin me ty. Kur ti e fal atë që të ka hyrë në hak, kjo përbën për ty një fitore të qartë dhe triumf të skajshëm. Urime nëse tregohesh falës dhe tolerant.

10. Largoju përgojimit: përgojimi është cofëtinë e dekompozuar, moral i ulët dhe cilësi e pështirë. Ruaje gjuhën tënde prej saj, pastroje gojën tënde nga nëpërkëmbja e nderit të njerëzve, mos i ha mishrat e njerëzve pasi ato janë të helmatisura, mos i përmend njerëzit ndryshe, përveçse për mirë, mos gërmo për të metat e tyre, mos u gëzo nga shkarjet e tyre dhe mos i publiko gabimet e tyre, sepse kështu do të jetosh në paqe dhe siguri.

11. Mos mbaj dinamit në xhepa: boshatisu nga urrejtja dhe armiqësia, laje zemrën tënde me drejtësi, që të shëtisësh në xhenetin paraprak të qetësisë dhe prehjes, të jetosh në pajtim me veten dhe njerëzit. Mos e bëj zemrën tënde një rrënojë, që strehon brenda vetes akrepa dhe gjarpërinj, por bëje atë parcelë lulesh, frutash, zogjsh dhe lumenjsh.

12. Shtriji urat e komunikimit që ta shpëtosh anijen tënde prej fundosjes: mbill pemët e dashurisë në zemra, sepse kjo është në favorin tënd, bëje shprehi të shoqërohesh me njerëzit dhe të fitosh simpatinë e tyre, bëj kujdes që të mos humbësh ndokënd prej njerëzve, nëse e ke të mundur ta fitosh atë.

13. Ruaju shejtanit, që mos të të mashtrojë, duke bërë të mendosh se ti je njeriu më i mirë: hiq dorë një herë e mirë nga nyja e iluzionit, që të bën të mendosh mbi meritat e tua personale dhe të sodit dhuntitë e tua, për të rënë kësisoj pre e fantazisë, se ti je uniku i epokës tënde dhe më i miri i bashkëkohësve të tu, gjë e cila është tërësisht një mashtrim dhe manipulim prej shejtanit. Në botë ka mijëra dijetarë, fisnikë, të urtë, gjeni dhe yje, që janë me qindra herë më të mirë se unë dhe se ti. Reduktoje vetëkënaqësinë, ule kokën, kija drojën Zotit tënd dhe tregohu modest me bijtë e sojit tënd human... Në qofsh dijetar, dije se në kombin tënd ka dijetarë edhe më fisnikë e edhe më të merituar se ti. Në qofsh shkrimtar, dije se rreth e rrotull teje gjenden shkrimtarë edhe më të shquar e edhe më të urtë se ti... Kësisoj, pranoje realitetin dhe përtype vetveten.

14. Njih dhuntitë e njerëzve që ata t’i njohin të tuat: prej gjërave më të vështira për shpirtrat human, është mohimi i dhuntisë dhe intelektit si dhe lënia në hije nga ana e tyre, e meritave të të tjerëve. Nëse dëshiron që njerëzit të ta njohin dhuntinë dhe intelektin tënd, njihua atyre dhuntitë e tyre dhe falënderoji me zemër e vepra për to; posedimi i të tëra dhuntive nuk është një ekskluzivitet vetëm i yti, sepse në realitet njerëzit kanë dhunti, që nuk janë prezente tek ti. Kështu, nëse ti je poet, tjetri është lektor, nëse ti je kapitalist, tjetërkush është mjek, ministër, inxhinier apo pilot... Si po tenton ta monopolizosh dhuntinë e gjerë të Allahut, në një kohë që në mesin njerëzve gjendet dikush tjetër, i cili ka epërsi intelektuale dhe dhunti më tepër se ti?!

15. Pas një farë kohe nuk do ekzistosh më: mendo sesi ti do ta lëshosh këtë jetë së shpejti, ndaj angazhohu të kesh raporte sa më të denja me njerëzit, që pas vdekjes të përmendesh për mirë dhe të bëjnë lutje për ty. Nga kjo botë nuk ke për të marrë asgjë tjetër veç punës tënde, ti erdhe përkohësisht në këtë dynja dhe ke për të ikur nga ajo ashtu siç ikën të tjerët para teje, që t’u jepet mundësi të tjerëve që vinë pas teje. Tregohu dinjitoz me njerëzit, pasi ti s’je veçse në një udhëtim të shkurtër.

16. Mos bjer pre` e fobisë, duke menduar se njerëzit po të kurdisin intriga dhe pusi: njerëzit s’e kanë mendjen as tek unë dhe as tek ti. Ata kanë hallet dhe shqetësimet e tyre. Jeta është e vështirë dhe po e angazhon njeriu tërësisht me veten, pa dashur t’ia dijë për botën mbarë. Mos hamendëso se të tjerët po rrini pa gjumë, duke kurdisur të keqen tënde apo se ata janë të preokupuar me irritimin tënd. Pastroje mendjen nga këto bindje, që të bëjnë viktimë e hamendësisë, se ti qenke preja e gjykatësit, privatit, kolegut, tregtarit dhe mbarë shoqërisë. Jetoje qetësinë dhe mbështetu tek Allahu, se asnjë e keqe nuk do të të godasë pa me lejen e Tij.

17. Askush nuk mund të marrë gjë nga rizku (furnizimi) yt: Furnizuesi është Allahu Një i Vetëm, Ai ua ka ndarë furnizimin robërve dhe askush nuk do të marr nga furnizimi dhe as nga dhuntia e tjetrit. Mos kij smirë askënd për atë që Allahu i ka dhënë dhe mos u shqetëso për mirësitë e tua, pasi askush nuk mund të arrijë tek ato. Të gjitha depozitat i disponon Allahu depoziton çdo gjë, prandaj të gjitha ato që dëshiron, kërkoja vetëm Zotit tënd, pasi njerëzit nuk kanë në dorë as dëm, as dobi, as vdekje, as jetë dhe as ringjallje. Braktise egoizmin, babëzinë dhe zemërngushtësinë. Begatia është e shumtë dhe askush nuk mund ta privojë tjetrin prej saj.

18. Jeta është bashkëpunim, prandaj mos i anulo rolet e të tjerëve: disa njerëz mendojnë se jeta varet prej tyre, gjë që ua ekzagjeron atyre në mendje dhuntitë e tyre intelektuale, ndërsa e vërteta është, se jeta do vazhdojë edhe pa ta, krejt siç ishte çështja edhe para ekzistencës së tyre. Jeta nuk është peng i dijetarëve, gjykatësve, tregtarëve, pedagogëve dhe mjekëve, sepse në realitet ajo ngrihet mbi energjitë, kontributin dhe dhuntitë që vijnë nga të gjitha llojet, kategoritë dhe ngjyrimet. Nëse Allahu të ka dhënë një dhunti, dije se përkundrejt saj ka dhunti të panumërta në këtë univers dhe dhuntia jote midis tyre s’është tjetër veçse një thërrmijë. Ti i tëri s’je gjë tjetër, veçse një pikë e vockël në këtë botë. Nëse do të jetosh, të duhet ta njohësh kapacitetin tënd dhe të mos e përçmosh çështjen e të tjerëve.

19. Kur të gjendesh në dyndje njerëzish dhe trafik, sillu me delikatesë: ty si, çdo njeriu, të takon të kalosh nëpër situata dyndjesh në aeroport, spital, panaire ndërkombëtare apo arena e ambiente të tjera; në këto rrethana lypset të reagosh butësisht, që të fitosh respektin e të gjithëve, lëshoja vendin të tjerëve që të bëjnë përpara,.kKo dyndje do zgjasë vetëm pak momente nga jeta jote e pastaj problemi mbaron dhe ti del i freskët dhe i gëzuar. Merri në konsideratë situatat e njerëzve, pasi ndër to gjendet i thyeri në moshë, dijetari, i sëmuri, fëmija... Sillu me ta me delikatesën dhe modesti, jepu atyre prioritet, që të marrësh prej tyre lutje, lavdërim, kënaqësi dhe dashuri.

20. Preokupohu me mëkatet e tua dhe jo me ato të njerëzve: problemi i shumë prej nesh është, se preokupohemi me fajet dhe gabimet e njerëzve dhe harrojmë fajet tona, duke na u dukur vetja si të ishim engjëj të dëlirë apo profetë të pagabueshëm. Paskëtaj na hip mendja mbi flokë e u krekosemi robërve të Allahut... A thua se koha e mbetur në këtë dynja na premton të inspektojmë dosjet e njerëzve dhe të zbulojmë shkarjet e tyre. Ekspozeja e çmendurisë më të madhe është, kur zhytesh në fajet e të tjerëve, ndërsa vetë je i kredhur në një det fajesh dhe mëkatesh. Nëse merresh me të metat e tua, kjo s’të lë kohë të merresh me të metat e njerëzve, madje kësisoj i mëshiron ata, të dhimbsen, pajtohesh me ta, e braktis arrogancën, mahnitjen dhe kotësinë.

21. Zbrit tek mendësitë e njerëzve të thjeshtë dhe shqetësimet e masës: jo të gjithë njerëzit janë dijetarë, filozof dhe gjeni. Në realitet shumica e njerëzve i përkasin masës së gjerë, ndaj me ta sillu me modesti dhe thjeshtësi, mos u ekspozo atyre aftësitë dhe muskujt e tu, folu atyre me dialektin e tyre dhe sipas kapacitetit të tyre, nëse do që t’i fitosh zemrat e tyre, bëhu pjesë e festave dhe gëzimeve të tyre dhe kur të flasësh me ta, mos e tepro me fjalë të thella, sepse kështu shndërrohesh në një person të rëndomtë, që ata s’e honepsin. Sillu thjeshtësisht, lehtësisht, qasu mentalitetit dhe gjuhës së tyre. Lëre ekspozenë e dhuntive të tua, pasi kjo ka për të të kushtuar vetëm urrejtje dhe ftohje.

22. Respektoji emrat dhe mos i anashkalo titujt e nderit: thirri shokut tënd me emrin e tij më të bukur, pasi kjo është thirrja që i tingëllon atij më bukur në vesh, por mos i neglizho titujt e tij të nderit që ai i ka fituar me mund në jetë, sikurse për shembull artikulimin shejkh (profesor), i nderuar, hazret, shkëlqesi, doktor, inxhinier, etj. Asgjë tjetër nuk do përfitosh nga anulimi i këtyre titujve, veç armiqësisë dhe paraqitjes tënde me rrobën e smirëziut dhe mohuesit?! A ti ua dhe atyre këto tituj nderi, apo ata i arritën ato me përpjekjet dhe djersët e tyre?! E pse pra do që t’i anashkalosh ato? Nderoji njerëzit, që të nderohesh prej tyre dhe respektoji, që të respektohesh.

23. Njerëzit do të të trajtojnë ashtu siç i trajton: siç sillesh me të tjerët, ashtu do sillen me ty, atë që jep atë edhe do marrësh, moralet janë si treg; paguaj shtrenjtë dhe ke për të marrë mall të shtrenjtë, paguaj lirë dhe ke për të marrë mall të lirë, nëse i përshëndet njerëzit, ata do të të përshëndesin e nëse sillesh ftohtë me ta edhe ata do sillen ftohtë me ty. Si kërkon të vlerësohesh dhe mbështetesh nga të tjerët, teksa ti vetë abuzon me të drejtat e tyre?! Nëse nderon njerëzit, ke nderuar vetveten, nëse i përbuz ata, vetveten ke përbuzur, pra zgjidh për veten tënde atë që do, sepse shpërblimi është në bazë të veprës së bërë.

24. Lëri armikut një linjë tërheqjeje: nëse hyn në konflikt me dikë, lër vend për marrëveshje; ti nuk di se deri ku mund të arrijnë pasojat, të mundësosh një pajtim, do të thotë të mos e shtosh numrin e rivalëve; një mijë shokë janë pak, ndërsa një armik i vetëm është shumë. Ta bësh çdokënd armik, ta preokupon mendjen dhe turbullon kujtesën dhe ky është një dëm ky i mjaftueshëm. Prej çdo personi dalin gabime dhe ato mund të eliminohen, nëse tregohesh i matur dhe i përmbajtur, nëse e kuron rivalitetin që në nisje, para se të trashet.

25. Mos sfido askënd: mos fto në sfidë asnjë prej njerëzve, madje nëse dikush të përmend ndonjë gabim që ke bërë, bëja të qartë atij, se çështja është e pranueshme, se midis teje dhe tij sundojnë lidhje dhe raporte superiore, që nuk lejojnë që situata të përkeqësohet, bëj kujdes që të mos i hakërrehesh dikujt, se do t’i bësh keq; pasi kjo nënkupton se ti je një burim frike dhe stresi, gjë që do i bëjë njerëzit të ta kenë frikën dhe do të të shndërrojë në një agresor, që përbën kërcënim për njerëzit. Thirr në paqe, dashuri, shoqëri dhe harmoni.

26. Shndërroi armiqtë e tu në shokë: urtësia dhe humanizmi na shtyjnë, që armikun ta bësh shok, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke i shtrirë urat drejt tij, teksa shndërrimi i shokut në armik është padyshim kulmi dhe skaji i budallallëkut. Reago me mend dhe përgjegjësi, dërgoi mesazhe pozitive rivalit tënd dhe përpiqu gjithmonë që ai të bëhet shoku yt, sepse kësisoj shpëton nga gjëmat e tij dhe fle i qetë. Me butësinë tënde përthithe mllefin e rivalit tënd, për të qenë ti vetë i fituari dhe i lumturi.

27. Ekspozoju diellit dhe lahu me dritën e tij: dielli është mirësi madhështore për gjallesat, mos e privo vetveten nga rrezet e tij, ekspozoju atij dhe laje trupin tënd me dritën e tij; pasi ai i vret parazitët e trupit, e pajis trupin dhe gjakun me energji, e lulëzon shpirtin, sidomos direkt në kohën pas agimit. Hapja dyert dhe dritaret në këtë kohë dhe lëre dritën e diellit të depërtojë në shtëpinë tënde, lëre atë të hyjë nëpër dhoma, të rrënojë mikrobet dhe të rinovojë jetën.

28. Asnjeri nuk është i kulluar, prandaj pranoji njerëzit ashtu siç janë: pranoji ata, fali, tregohu i duruar me ta dhe mos kushtëzo kushte të rënda për t’i qasur njerëzit apo për të bërë shokë; pasi, nëse të tilla kushte do i zbrisje në realitetin tënd, do e gjeje veten të padenjë. Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Ai qëndron mbi robërit e Tij, të cilët i detyrohen dhuntive të Tij, Ai u bën lëshime dhe i fal ata. Nuk je ti krijuesi dhe furnizuesi i njerëzve, që t’i marrësh ata në llogari për gjërat e mëdha e të vogla, prandaj pajtohu me dobësinë e tyre njerëzore dhe bëj lëshime, që t’i fitosh të gjithë ata.

29. Sënduku familjar i bamirësisë: në shtëpinë tënde bëj një sënduk të vogël me çelës, që të hapet çdo muaj dhe në të çdo anëtar i familjes të vendosë për çdo ditë qoftë edhe disa qindarka, t’i vendosë ato me dorën e tij, që ta shijojë ëmbëlsinë e dhënies së lëmoshës. Shumën që mblidhet, shpenzoje në fund të muajit për nevojtarët, të varfrit dhe jetimët. Le të jetë ky sënduk muaj pas muaji sënduk i mëshirës dhe bereqetit, largues i fatkeqësive dhe sëmundjeve, që kurrsesi nuk e zvogëlon kapitalin tënd, por përkundrazi e shton atë.

30. Mos e vështro me ëndje fatkeqin: gjithkush nga ne do sprovohet në jetë me ndonjë fatkeqësi. Atëherë pse duhet të gëzohemi me fatkeqësitë e të tjerëve? Kush prej nesh ka garanci, se nuk do të sprovohet? Të gjithë ne jemi të dobët, nën Vullnetin e Allahut, prandaj falënderoje Allahun për shëndetin, lutu për të mirën e të gjithëve dhe mos u gëzo me fatkeqësitë e të tjerëve; bota rrotullohet dhe nxjerr në pah, se ai që gëzohet me fatkeqësinë e tjetrit është i marrë, i pashpirt dhe i pamëshirshëm. Përkundrazi ti duhet të solidarizohesh me personat në fatkeqësi, të qëndrosh në krah të atyre që vuajnë dhe të ndjesh dhimbje për robërit e Allahut.

31. Shkruaj një program ditor: bëj për çdo ditë një plan të studiuar, në varësi të punës tënde, ku të dedikosh kohë për adhurimin, leximin, namazin, vizitën dhe kryerjen e angazhimeve. Përmbaju gjithmonë këtij programi, duke përjashtuar rastet e veçanta dhe kështu ke për të parë, se do ta kalosh ditën tënde i lumtur, i qetë dhe i prehur, do shpëtosh nga destabilizimi dhe rrëmuja. Pra angazhohu me disiplinë, që të jetosh i qetë.

Aid el Karni


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free