Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Viktima e iluzionit

Të besosh tek vetja, kapacitetet dhe ambiciet e saj është pjesë e besimit tek Krijuesi, Formësuesi dhe Gjeniali i cili e ka përsosur gjithçka ka krijuar. E sakaq, iluzioni është varrmihësi i njeriut. Ai e nënshtron këtë qenie fisnike ndaj fuqive negative dhe e rrënon gjer në vdekje.

Mes shpresës pasive, gënjeshtare dhe të dëmshme “dashurisë për këtë botë” dhe shpresës plot dritë, motivuese dhe nxitëse në jetë për punë ka një hendek goxha të madh.

Pas disa vitesh njeriu filloi të mendojë, madje dhe ta shprehë se i iku mosha dhe nuk ka më kohë për të bërë diçka me vlerë. Sa herë që i flitet për një projekt ai ta kthen:”E çfarë vlere ka tani?!” Ndërkohë miku i tij që ka një këndvështrim pozitiv dhe optimist, refuzon të vdesë pa i ardhur exheli (caktimi). Fundi i cili e shqetëson dhe atë është shndërruar në motiv energjik për të shfrytëzuar çdo shans dhe rast duke shtuar aktivitetin e tij. Ai i kaloi të tetëdhjetat e megjithatë, zemra e tij gëzon shëndet të plotë, është plot energji dhe entuziazëm. Ai e mendon veten më të rëndësishëm saç është, e për këtë beson verbërisht se i gjithë sigurimi i është vënë pas. Madje, ai beson se edhe agjentët e huaj i janë qepur dhe e vëzhgojnë. Për këtë ai heton çdo kafshatë që vë në gojë, çdo lëvizje lart e poshtë. Nëse ata që e rrethojnë e pyesin për këto dyshime fillon e të citon menjëherë një listë të gjatë agjenturash të huaja si KGB, CIA, FBI të cilat nuk i shqiten dhe e përgjojnë orë e çast.

Dikur isha njohur me një të burgosur i cili e kishte humbur davanë  dhe s’kishte njeri që ta marrë përsipër të dalë nga burgu. E megjithatë, ai fliste mbi rolin e tij në formimin e filan qeverie në filan vend dhe shkarkimin e filan presidenti në një vend tjetër, shkaktimin e trazirave në një vend të tretë e kështu me radhë.

Këto ishin disa raste të ndjesisë së tepruar të madhështisë, ku njeriu e mendon veten madhështor si baba, si gjysh apo vëlla madhështor.

Është bukur dhe kërkohet që njeriu të jetë optimist, por jo të shkojë gjer atje sa të besojë se është i dërguar i Zotit, se është Mehdiu, Mesia apo gjyshi i Mehdiut siç dëgjova dikë një ditë. Në raste të tilla, është obligim që të diagnostikohen aftësitë mendore të robit dhe humori i tij. Ai mund të vuajë nga iluzione, çrregullime të humorit, skizofrenia dhe psikoza të ndryshme që njihen nga studiuesit.

Një vajzë pretendon dhe beson se vuan nga një sëmundje e rrezikshme. Mendon se në stomak ka një gjarpër i cili i mbështillet e mbështillet i shkon në zemër, mushkëri, mëlçi, veshka e stomak.

Legjendat flasin për një burrë i cili u takua një ditë me murtajën, të cilën e pyeti: Për ku je nisur? Murtaja iu përgjigj:Në filan fshat, jam urdhëruar të marr jetën e pesë mijë frymëve. Gjatë kthimit i njëjti burrë e takoi sërish murtajën dhe i tha: Ti më the se do marrësh jetën e pesë mijë frymëve, ndërkohë ti ke korrur jo pesë por pesëdhjetë mijë frymë! Mortaja ia ktheu: Unë pesë mijë mora, sakaq të tjerët vdiqën nga iluzionet.

Kur sheh njerëz që shemben përtokë rreth teje nëse ti nuk ke besim në vetvete fillon të dyshosh, zemra të dobësohet dhe nuk ke as guxim e as logjikë atëherë i dorëzohesh fatit të f tjerëve edhe pa të prekur sëmundja dhe e keqja.

Dikush u tregon të pranishmëve se sheh fantazma dhe dëgjon zëra, gjëra të cilat të tjerët as i shohin dhe as i dëgjojnë por kjo nuk i intereson aspak atij. Ai është i vetmi që është përzgjedhur për ti parë dhe dëgjuar dhe as që ka ndërmend ta mohojë atë që i shohin sytë e i dëgjojnë veshët. Atij nuk i ndahet xhindi as në shtrat. Zogu i cili qëndron në dritaren e mbyllur dhe zë vend atje tej, i shkakton frikë e panik këtij njeriu. Xhindet janë krijesa të vërteta, gjë të cilën e pohon dhe Kurani fisnik dhe fakti që nuk shihen mjafton që për ta të thuren legjenda e mite të cilat trashëgohen nga njerëzit e dobët dhe pa personalitet. Ato u kallin datën njerëzve të luhatur dhe me karakter të dobët, pikërisht atyre që bien kollaj pre e iluzioneve.

Iluzioni dhe frika nga e ardhmja

Ai sheh në ëndërr se një luftë do të shpërthejë së shpejti. Këtë e ndjen me anën e shqisës së tij të gjashtë, siç pretendon. Një problem goxha i madh do e gozhdojë jetën familjare, duke ia nxirë jetën. Një ndjesi e çuditshme e bën të mendoj se e shoqja e tradhton. Ai harron kushedi sa parashikime të tij të cilat i ka pritur dhe nuk kanë ndodhur, por nuk e harron asnjëherë se dikur e ka ndjerë se do të ndodhë një aksident dhe ka ndodhur. Kur ulet e bisedon me një psikolog dhe ekspert, ai shpejton e i pohon se problemi i tij qëndron në faktin se sa herë që ëndërron apo i shkon diçka në mendje ajo i ndodh realisht.

Sot flitet shumë edhe për iluzionet e sëmundjeve elektronike. Një student i vitit të parë mjekësi apo dikush tjetër që ka lexuar dy tre libra rreth sindromave të sëmundjeve ia kanë mbushur mendjen vetes se janë të sëmurë për shkak se vuajnë nga iluzionet. Për ta vërtetuar ata zhyten në botën virtuale të internetit, duke rrëmuar lart e poshtë rreth sëmundjes që dyshojnë. E sigurisht, mund të gjejnë edhe ndonjë lidhje mes asaj që ndjejnë dhe sëmundjes. Kështu që laku i iluzionit i mbështillet fort për qafe por ky lak zanafillën e ka tek truri i tij.

Përse njeriu bie pre e iluzionit?

Njerëz të tillë kanë personalitet të lëkundur, ata kanë gatishmëri të çuditshme për ti pranuar dyshimet dhe depresionin. Sakaq besimi, lutjet, adhurimi dhe njohja e vetes i ndihmojnë në kapërcimin e kësaj gjendjeje. Traumat, surprizat e dhimbshme, vdekja e një të afërmi, dështimi në një biznes apo në martesë etj. e fusin njeriun përkohësisht në vorbullën e iluzionit që e bën të harrojë dhimbjen dhe brejtjen e ndërgjegjes.

Në kohë të vështira si; sezoni i provimeve, periudha e fejesës, përgatitjet për martesë etj. janë momente plot tension dhe mundësia për tu përfshirë nga iluzionet janë të shumta. Gjuha që përdor njeriu i dikton mendjes së tij udhëzime të prera. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Seid El-Hudrij profeti a.s. thotë:”Kur biri i Ademit gdhihet në mëngjes, të gjithë organet i drejtohen gjuhës duke i thënë:Kij frikë Zotin dhe mos na merr në qafë! Përderisa je në terezi, jemi të gjithë ne terezi, e nëse devijon, devijojmë dhe ne.” (Ahmed, Tirmidhij)

Ai që përsërit fjalë që i ka dëgjuar që nga fëmijëria e tij për veten, familjen, jetën, të ardhmen, të keqen, dështimin, plogështinë etj. thjesht po përgatit veten për një rrugë të gabuar edhe pa e ditur.

Ai që përsërit fjalë pozitive por pa qenë i bindur dhe pa përkuar me gjendjen e vërtetë të zemrës edhe pse mund të duket diçka pozitive fillimisht ai thjesht po aktron dhe mashtron veten. Fjalët pozitive nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv, nëse zemra dhe truri nuk i dorëzohen kuptimit dhe domethënies së tyre qoftë dhe pjesërisht.

Nuk është iluzion të insistosh se je njeri i lumtur dhe me fat, pasi lumturinë e ke pranë, në dorën tënde ajo buron brenda teje, pikat e saj janë të vogla por të mjaftueshme dhe ngazëllyese sidomos teksa e konstaton atë praktikisht.

Mos fol për të ardhmen se si do të jetosh i lumtur, por fol për të tashmen, ti je i lumtur tani me bashkëshorten tënde, me fëmijët e tu, me profesionin dhe punën tënde. “E mirësinë e Zotit tënd tregoje” (Duha, 11)

Mos e ekzagjero me iluzionin e syrit të keq edhe pse ai është realitet dhe mos harro se edhe mbështetja tek Zoti është realitet. Ata që të rrethojnë jo gjithmonë janë të ligj dhe ziliqarë, madje duan të mirën tënde.

Por edhe nëse je në kushte të mira, mund të flasësh për mirësinë e durimit dhe të qenit i kënaqur me caktimin e Zotit, të bisedosh mbi përpjekjet që bën për të përmbushur ëndrrat dhe ambiciet e tua.

A ke dëgjuar ndonjëherë rreth shtatë iluzioneve që burrat kanë ngritur për gratë? Lexo barsoletat që dërgohen nëpërmjet celularit apo emailit tënd për ta kuptuar çfarë mendojnë burrat rreth grave. Dikush më kishte dërguar një barsoletë të tillë por mesa duket i vinte rëndë dhe në fund më kishte shkruar:”Nuk po ta dërgoj që të qeshësh por që ta gjykosh dhe vlerësosh!!!” Mes burrave, është krijuar një opinion se gruaja nuk mund të kënaqet asnjëherë. Por ky është vetëm një iluzion. Hadithi i Profetit a.s se në çaste zemërimi gruaja thotë:”S’kam parë prej teje asnjë të mirë!” tregon se kjo është diçka momentale dhe s’ka përse të përgjithësohet. Ashtu siç përjeton ndjesi negative të tilla kalimtare ajo përjeton dhe ndjesi të tjera pozitive ku të thotë:”Ti je gjithçka për mua. Pa ty unë jam një hiç. Jeta ime pa ty s’ka kuptim”

Madje, mund të them që hadithi i mësipërm është stimul dhe nxitës për femrat që ta kontrollojnë gjuhën. Edhe pse njeriu nuk mund të dalë jashtë natyrës së tij ai bën çmos që të lartësohet me vlera dhe etikë. Burrat kanë dyshime edhe në besimin dhe amanetin e gruas. Ata i shohin gratë në një nivel më të ulët se veten çka nuk është e vërtetë. Ajo që shoh unë është se gruaja është më emocionale se burri edhe në çështjet e fesë. Personalisht njoh shumë raste kur gruaja është besimtare e devotshme dhe plot vlera morale, ndërkohë që i shoqi është një pijanec dhe njeri pa etikë.

Nuk kemi përse të ngremë beteja mes dy gjinive pasi të dy janë anë të së njëjtës monedhë. Ajo që kërkohet prej nesh është që ti heqim iluzionet dhe opinionet e ngritura rreth një shtrese të caktuar. Këtu nuk mund të lë pa cekur çështjen e Mahremit (shoqëruesit) për gruan i cili ka filluar të shihet si mbikëqyrës për t’ia nxirë jetën. Përkundrazi ai nuk ka rol as më shumë e as më pak sesa ta mbrojë dhe sigurojë gruan.

E njëjta gjë vlen edhe kur flasim për dashurinë, ku dihet se iluzioni për dashurinë nuk është vetë dashuria. Sot flitet për dashurinë me shikim të parë. Në fakt ajo nuk është gjë tjetër veç urisë emocionale apo dhe seksuale. Shkencërisht është vërtetuar se njeriu e në veçanti femra, kur dashuron vatra e të menduarit në tru, plogështohet. Kjo do të thotë se ajo nuk mendon për të ardhmen, aq sa mendon për momentin aktual. E kundërta ndodh me vatrën e emocioneve e cila në ato momente ka shpërthyer dhe marrë flakë. Prandaj thonë se “Dashuria është e verbër”.

Prandaj, bëni kujdes nga iluzioni i dashurisë sepse ajo është e verbër, katile dhe gjakderdhëse.

Bija ime e shtrenjtë! Jeta nuk është një film kinematografik as një çast romantik, as një premtim që të lë pa fjalë. Në fakt, jeta është ndërgjegjësim, përgjegjësi dhe ortakëri. Ai që nuk e ka parasysh këtë nuk e meriton as dashurinë, madje nuk është aspak i sinqertë në pretendimet rreth dashurisë.