Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Amerikani miliarder dhe meksikani i thjeshtë

 

Një biznesmen amerikan, aty nga vitet e fundit të pleqërisë, ishte vendosur përfundimisht në shtëpinë e tij në një breg lumi të Meksikës. Atë ditë, ai qëndronte ulur pranë bregut, sikur të ndodhej në parajsë. Pamja e mrekullueshme që shtrihej tejpërtej, qielli pa re dhe uji i kulluar sikur e kishin shkëputur nga kjo botë. Në një moment, ai vuri re një peshkatar meksikan duke u afruar me varkën e tij tepër modeste, ku mënjanë kishte disa mjete pothuaj primitive. Në varkë, peshkatari kishte një sasi peshqish, trofe e asaj dite. Biznesmeni e thirri që ti blejë ca peshq dhe, pse jo, të shkëmbejë disa fjalë. Peshkatari i thjeshtë u afrua dhe biznesmeni bleu disa peshq të freskët. Mandej, biznesmeni amerikan e pyeti:”Sa kohë të duhet për të zënë kaq peshq sa ke zënë sot?”

Peshkatari iu përgjigj:”Nuk më duhet shumë kohë senior.”

Biznesmeni e pyeti sërish:”Përse nuk qëndron më gjatë atëherë, që të peshkosh më shumë peshq?!”

Peshkatari iu përgjigj:”Aq sa peshkoj, më mjafton mua dhe familjes time senior.”

Biznesmeni e pyeti:”E çfarë bën me pjesën tjetër të kohës? Si e kalon atë?”

Peshkatari u përgjigj:”Pasi kam fjetur aq sa më nevojitet, nisem për peshkim. Mandej kthehem dhe luaj pak me fëmijët e mi. Në mesditë, shtrihem dhe flej bashkë me gruan, të cilës i kushtoj kohë dhe vëmendje. Në mbrëmje, ulem me shokët e fshatit, luajmë dhe bisedojmë gjer në orët e vona. Shumicën e kohës e kaloj pa punë senior.
Biznesmeni i moshuar amerikan, tundi kokën me ironi nga fjalët që dëgjoi nga peshkatari meksikan, të cilit pas pak i tha:”Do të ofroj një këshillë të vyer miku im... Unë jam biznesmen amerikan 24 karat. Së pari, duhet ti kushtohesh tërësisht peshkimit, derisa të arrish të peshkosh sasi të mëdha peshku. Së dyti, duke shitur përherë e më shumë peshk, do të shtohen të ardhurat, prandaj të duhet një peshkarexhë e madhe dhe e re. Së treti, pasi të jenë shtuar të ardhurat, të blesh disa peshkarexha që të peshkosh më shumë.

Së katërti, pasi disa kohësh do të shohësh që ke formuar një flotë të tërë peshkimi. Tani, në vend që të merresh vetë me shitjen e peshkut, mund t’ua shesësh atë tregtarëve që e shpërndajnë në të katër anët e vendit.

Së fundmi, pas gjithë këtij suksesi, mund të ngresh krejt kollaj fabrikën tënde të konservimit, e cila do të mundësojë të kontrollosh prodhimin e peshkut dhe shpërndarjen e tij.

Pas këtij suksesi, mund të shpërngulesh nga fshati yt i vogël ku jeton tani, për në kryeqytet, Meksiko siti, e pse jo, edhe në Amerikë më vonë. Atëherë do të radhitesh tek milionerët e famshëm. A e kupton tani miku im i dashur si duhet të mendosh drejt?”

Peshkatari meksikan uli kokën dhe heshti për një farë kohe, për të thënë pas pak:”Por senior... Sa kohë lipset për gjithë këtë sukses?”

Biznesmeni amerikan qeshi dhe tha:”Vetëm pesëmbëdhjetë vite, e shumta njëzet. E beson apo jo?”

Peshkatari, si i hutuar e pyeti:”E çfarë ndodh pastaj senior?”

Biznesmeni, duke qeshur shtoi:”Këtu është momenti më i bukur. Kur të vijë koha e përshtatshme, të cilën e zgjedh ti vetë, i shet të gjithë aksionet e tua, duke hyrë tek pasanikët më të mëdhenj të botës. Asokohe do të zotërosh miliardat, o burrë.”

Peshkatari i thjeshtë pyeti:”E çfarë ndodh pasi të posedoj miliardat senior?”

Amerikani i thinjur shtoi:”Heq dorë nga gjithçka, duke e shijuar deri në maksimum pjesën e mbetur të jetës. Mund të blesh një vilë të bukur në një fshat të bukur, pranë një lumi plot peshq, ku do të kalosh jetën bashkë me gruan dhe fëmijët. Do të flesh sa të duash natën, do të pushosh në mesditë me gruan tënde deri pasdite. Kurse në darkë, mund të dalësh të luash dhe të bisedosh me miqtë e tu deri natën vonë. Atëherë mund të flesh dhe të ngrihesh kur të duash, pa të shqetësuar kush.”

I habitur, peshkatari meksikan i tha:”Mos do të  thuash që të shpenzoj njëzet vite nga jeta ime, të lodhem e të më dalë shpirti në punë, lar fëmijëve, gruas dhe duke sakrifikuar shëndetin tim, që në fund të bëj të njëjtën jetë që unë po e bëj tani?!” Shumë faleminderit senior!”