Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Dashuria në ISLAM

Qëndrimi i Islamit lidhur me këtë dhe çështje të ngjashme me këtë është i qartë. Ai kërkon stabilitetin dhe mirëqenien shoqërore, kërkon harmoninë dhe dashurinë e respektin e sinqertë e të çiltër në mesin e njerëzve. Për realizimin e këtij qëllimi ai i mbyll disa rrugë dhe i pengon disa sjellje e lëvizje që shërbejnë për rrënimin dhe çrregullimin e këtyre raporteve, ndërkaq hap rrugë për më të shëndoshën, më të qëndrueshmen, më të dashurën e më të sinqertën.

Islami dashurinë ndërmjet njerëzve e sheh si një element bazë të ngritjes dhe ruajtjes së shoqërisë. Është elementi i cili garanton qetësinë dhe rehatinë. Paramendo për një moment një botë ku mungon elementi, koncepti apo ndjenja e dashurisë?! Atëherë vërtet njeriu për njeriun do të kishte qenë ujk (sipas thënies së Plautusit dhe Thomas Hobbesit).

Në këtë kontekst duhet shikuar edhe dashurinë e dy të rinjve muslimanë. Në të shumtën e rasteve dashuria nuk pyet a të vij, porse ajo, sidomos ajo që quhet ‘dashuria e parë’, vjen papritmas po madje edhe hutueshëm, papërmbajtshëm, palogjikshëm; shpesh plot dhimbje, tronditje e çrregullime të llojeve të ndryshme.

Tregon Ebu Hurejreja r.a.: “Isha bashkë me Muhammedin a.s., kur erdhi një njeri dhe e lajmëroi Pejgamberin a.s. se ishte fejuar me një ensare (grua medinase). Ai e pyeti: “A e ke parë atë?”. I tha: “Jo”. Muhammedi a.s. atëherë i tha: “Shikoje atë! Sepse në sytë e ensareve ka diçka (që ndoshta nuk do ta pëlqesh)”. Në një version tjetër thuhet: “Shikoje atë, sepse kjo do ta mundësojë vazhdimësinë e dashurisë midis jush”. (Muslimi, Nesaiu, Taberaniu)

Është e qartë sipas kësaj se shikimi i dy kandidatëve për martesë, dhe kjo të bëhet brenda kornizave që i ka paraparë Islami, vlerësohet si një element i rëndësishëm për mbjelljen dhe kultivimin e dashurisë midis dy të fejuarve dhe të martuarve.

Islami, konkretisht Muhammedi a.s., e ndalon atë që quhet “halvet” (vetmim i një mashkulli dhe i një gruaje të huaj për njëri-tjetrin), duke thënë: “Atje ku janë të vetmuar një mashkull dhe një femër, i treti është shejtani”.

Shikimi dhe biseda e dy të rinjve mund të bëhet në praninë e një personi të tretë, për t’u ikur manipulimeve si dhe cytjeve të djallit. Nga kjo kuptohet edhe fakti se Islami e ndalon edhe çdo lloj të takimit fizik, trupor midis këtyre dy të huajve, deri në momentin kur të lidhin kurorë.

Pas këtij shikimi dhe bisede në këtë formë vjen në shprehje pajtimi ose mospajtimi i dy palëve për hapin e ardhshëm, fejesën e më pas edhe për martesën. Natyrisht që ky shikim nuk duhet të mjaftojë që palët të sjellin vendimin përfundimtar të tyre për më tej, porse duhet të interesohen për njëri-tjetrin edhe përmes personave të tjerë seriozë si dhe shokëve e miqve që kanë. Sepse mund të ndodhë që dy të rinjtë të pasionohen ndaj njëri-tjetrit vetëm duke u mbështetur në pamjen dhe dukjen e jashtme të tyre dhe si përfundim të sjellin vendime të gabuara e të pamatura, të cilat shpesh përfundojnë me ndarje të hershme e me pasoja të tjera shpirtërore e materiale.

Nëse ka ndodhur që dy të rinjtë të jenë dashuruar me njëri-tjetrin, ata takimet e tyre duhet t’i realizojnë brenda atyre kushteve që i përmendëm më lart dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur ta përshpejtojnë procesin e martesës së tyre, sepse vonesa e saj ka gjithashtu pasojat e veta fetare dhe psikologjike...

Ibni Abbasi r.a. tregon se si një njeri vjen te Pejgamberi a.s. dhe i thotë: “O i Dërguar i Zotit, nën përkujdesjen time e kemi një vashë. Prej nesh dorën e saj e lypin dy persona: njëri pasanik dhe tjetri një varfanjak që e ka humbur pasurinë. Ne dëshirojmë ta martojmë me atë pasanikun, kurse ajo e dashuron varfanjakun?!”. Atëherë Muhammedi a.s. i tha: “Për dy të dashuruar nuk ka gjë më të rëndësishme sesa martesa” (Ibni Maxheh).

Mirëpo, duhet theksuar, edhe atë zëshëm, se dashuria është me rëndësi, ama nuk është gjithçka. Për një jetë bashkëshortore të suksesshme ekzistojnë edhe shumë faktorë të tjerë. Është rrezik i madh personal dhe shoqëror nëse martesa nuk mbështetet edhe në këta faktorë të tjerë pos dashurisë. Për këtë fakt flasin edhe ekspertët shkencorë po edhe vetë ata që e kanë pirë një gotë të hidhur të kësaj dashurie idealiste...

Ajo çka bie sot në sy është trendi i kulturës joislame që po imitohet qorrazi nga të rinjtë muslimanë edhe në këtë aspekt. Modë është që sot të mos martohen të rinjtë tanë pa e përjetuar atë që quhet “flirt”; atë e shohin si një fazë njoftimi dhe eksperience për t’u nxehur e përgatitur për hapin pasues. Për këtë atyre u duhet një kohë prej një apo disa vitesh, u duhet një pushim në ndonjë plazh tropikal, një ‘testim i marrëdhënieve intime’... Akoma më rrëqethëse është kur këtë e preferojnë, e mbështesin ose së paku me këtë mburren disa prindër, qofshin të vajzës apo të djalit. Këtë e bëjnë edhe duke e ditur se këto takime të të rinjve aspak nuk realizohen në pajtim me parimet islame. Këta, pa kurrfarë kushti, i kanë liruar të gjitha rrugët vetëm e vetëm që i riu ose e reja e tyre ta gjejnë “partnerin e përshtatshëm të jetës”.

Nga ana tjetër ke familje që në asnjë formë nuk e lejojnë së paku as edhe atë që Muhammedi a.s. ia porositi shokut të tij në hadithin më lart, që të shkojë ta shikojë personin me të cilin ka vendosur të martohet. Në këtë aspekt ngulin këmbë aq shumë, saqë e quajnë punë turpi dhe çnderimi të vajzës dhe familjes së saj. Në të shumtën e rasteve këtë e bëjnë nga presioni shoqëror: “Çka do të thonë të tjerët, nëse merret vesh që vajza jonë është takuar me një të huaj?!”.

Ndërkaq Islami, siç pamë më lart, e ruan mesataren midis këtyre dy skajshmërive. E lejon shikimin dhe takimin e tyre, madje edhe dashurinë e sinqertë e të çiltër, por brenda kushteve të caktuara, e ato janë, edhe një herë shkurtas, se ata nuk janë burrë e grua (bashkëshortë), se nuk guxojnë të qëndrojnë të vetmuar në ndonjë vend të mbyllur ose ku nuk i sheh askush, se nuk guxojnë të kenë asnjë lloj kontakti fizik, se duhet ta përshpejtojnë punën e martesës nëse pajtohen dhe ndarjen e largimin nëse nuk e shohin për të përshtatshëm njëri-tjetrin...

Allahu ju ruajtë dhe ja'u shtoftë dashurinë familjare dhe te gjitha llojet tjera të saj!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free