Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Paqja me ndergjegjen

Paqja me veten është hapi i parë drejt paqes. Nëse njeriu përjeton harmoni me veten e tij, e ka të kollajtë të jetojë në harmoni edhe me të tjerët. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:” Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin” (Nur, 61)

Besimitari teksa kryen ritualin e namazit, ndër të tjera citon edhe:”Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit dinjitozë të Zotit..”

Ashtu si dhe në ajetin e mësipërm, edhe këtu shohim që paqja pasohet nga përemri vetor shumës. Paqja buron nga rrezet e dritës të shpirtit dhe botës së brendshme. Paqja me veten, do të thotë që të marrëdhëniet me veten ti bazosh në objektiva të qartë, qëllime transparente, komunikim të çiltër dhe harmoni vetjake.

Pasi njohjes së Zotit, njeriut i takon të njohë veten e tij, të merret me përsosmërinë e saj dhe plotësimin e mangësive, duke u distancuar nga marrja me të tjerët.

Po ashtu, ai duhet të njihet me dhuntitë, aftësitë, energjitë dhe pikat e fuqisë dhe të dobësisë. Ai duhet ta dijë nëse është tip i durueshëm apo i padurueshëm, i nxituar apo i qetë, guximtar dhe nismëtar apo frikacak dhe i tërhequr, nëse është këmbëngulës apo mërzitet shpejt dhe heq dorë.

Përgjigja e këtyre pyetjeve, e ndihmojnë njeriun të përballet me realitetin dhe të ndjekë linjën e drejtë, duke shfrytëzuar dhe përdorur energjitë dhe kapacitetet e tij.

Të njohësh veten, me anët pozitive dhe ato negative, nuk do të thotë të biem pre e kërkimeve dhe hulumtimeve rreth thelbit të shpirtit. Përpjekje të tilla janë të kota, pasi nuk e kapërcejnë dot citatin hyjnor:” Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (Isra, 85)

Të njohësh veten do të thotë të njihesh me kufijtë e personalitetit tënd, me të fshehtat dhe të vërtetat e natyrës tënde, dhe kjo, për ti vënë në funksion të së mirës dhe qëndrimit larg të ligës.

Sheriati, e merr parasysh natyrën e njeriut dhe e vlerëson në kufijtë e saj, duke mos e dënuar dhe kritikuar, edhe kur kemi të bëjmë me profetët e Zotit dhe të dërguarit e Tij. Në fund të fundit, edhe ata njerëz si ne ishin. Thotë profeti Muhamemd a.s:”Ne meritojmë të na qetësohet zemra më shumë se Ibrahimi a.s, i cili tha:”O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” - “Besoj” - iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” (Bekare, 260) Zoti e mëshiroftë Lutin i cili kërkonte një mbështetje të fuqishme. E nëse do të qëndroja në burg aq gjatë sa qëndroi Jusufi, do i përgjigjesha ftuesit (vdekjes).” (Buhari dhe Muslim)

Shohim që hazreti Ibrahimi a.s manifeston kureshtje dhe ambicie për të zbuluar thelbin dhe realitetin e disa gjërave, bazuar në natyrën e tij njerëzore. Sakaq, profeti Muhamed a.s, duke thënë “Do i përgjigjesha ftuesit” na zbulon dhe ai natyrën e vet njerëzore, e cila është e dashuruar pas lirisë dhe shpengimit, sakaq e refuzon kufizimin dhe ndrydhjen e talentit, sidomos kur shtrihet në kohë.

Profeti Musa a.s e njihte mirë veten e tij dhe e shprehte atë që ndjente pa i ardhur turp e zor. Ai flet për frikën e tij të natyrshme duke thënë:”Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush..” (Shuara, 21)

“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të ndërkrehet më tepër”. (Taha, 44)

Kështu, njohja e vetes dhe harmonia me të, të bën të njohësh natyrën e saj, të njeh me aftësitë, të ndihmon në  caktimin e objektivit dhe qëndrimeve të tua, e për rrjedhojë ndjek linjën e duhur në jetë.

Paqja me parimet, bindjet dhe idealet, realizohet duke u shprehur dhe vepruar sipas tyre, sipas zërit të ndërgjegjes dhe sipas vlerave hyjnore, duke mos marrë parasysh qejfin apo hatërmbetjen e dikujt, as duke e kaluar jetën në një labirinth komplimentesh e servilosjesh, as duke iu dorëzuar rrethanave pasi ke hequr dorë nga pavarësia personale.

Pjesë e paqes me veten është dhe harmonia dhe përkimi i të jashtmes me të brendshmen. Thotë Zoti në Kuran:” Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!” (Saff, 3) dhe kjo bëhet duke ndjekur rrugën e drejtë, duke qenë i ndershëm dhe i rregullt. Sufjan ibnu Abdullah Thekafij e pyeti Profetin a.s:”O i dërguar i Allahut! Më thuaj diçka të Islamit, që të mos kem nevoj të pyes askënd tjetër pas teje!” Profeti a.s iu përgjigj:”Thuaj “Besova Allahut” pastaj qëndroji kësaj fjale!” (Muslim)

Harmonia mes ritualeve fetare dhe jetës së përditshme, ku ritualet duhet të jenë mjet për disiplinimin e sjelljes, respektimin e të drejtave, zbatimin e drejtësisë,  luftën kundër dualizmit mes fjalëve të bukura në xhami dhe praktikës në jetë.

Shumë dështime dhe disfata burojnë nga vakumi i thellë mes ritualit në aparencë dhe devijimit të zemrës e shpirtit.

Neve na lipset ngutshëm të rrënjosim besimin në zemrat tona, ta forcojmë dhe ta përdorim si pikë mbështetjeje, pasi jeta e dynjasë është plot rreziqe. Njeriu befasohet nga fatkeqësi e sprova nga më të papriturat në veten e tij, familjen, fëmijën dhe profesionin. Atë mund ta kaplojë mërzia dhe inkurajimi, prej të cilit nuk e shpëton gjë tjetër përveç besimit të thellë tek Zoti, adhurimit të vërtetë i cili përfshin adhurimin e zemrës dhe të gjymtyrëve.

Paqja dhe harmonia mes ambicies dhe mundësisë, mes asaj që duam dhe asaj që kemi, mes asaj që kemi dhe asaj që mund të ofrojmë, ku duhet ruajtur ekuilibri mes tyre. Thotë Profeti a.s në koleksionin e Buhariut:”O njerëz, punoni aq sa e përballoni, pasi Zoti nuk mërzitet derisa të mërziteni ju. Puna më e mirë tek Allahu është ajo që ka vijueshmëri, sado e vogël të jetë.”  Në një transmetim tjetër të Ebu Daudit:”Bëni punë aq sa e përballoni!” Këtu hyn çdo punë përfshirë edhe dëshira për të shtuar të mirat materiale, pasi njeriu mund të lakmojë më shumë se i mban kurrizi, e për rrjedhojë hapërdahet e vdes.

Poeti arab thotë:

Renda pas lakmisë e ajo më skllavëroi

Sikur të isha kënaqur, do isha i lirë

Paqja në rrugën e ftesës, pasi nuk imagjinohet që e gjithë bota të jetë nën efektin e ftesës tonë. Ky është një privilegj të cilin se kanë pasur as profetët e Zotit dhe të dërguarit e tij. Ashtu siç punojmë ne, punojnë e rropaten edhe të tjerët, ndoshta disa shembin atë që ke ndërtuar ti.

Paqja me natyrën njerëzore. Njeriu nuk ka përse të përplaset dhe të dalë kundër natyrës së tij dhe të shtiret ai që nuk është, por të jetë në harmoni me veten. Një herë, profetit Muhamed a.s iu ofrua mish dabbi (zvarranik shkretëtire) ai hoqi dorë dhe nuk hëngri. Halid ibnul Velid e pyeti:”A është haram mishi i dabbit o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Jo, por në vendin tim nuk konsumohet si mish, prandaj dhe mua më neveritet.” Profeti a.s nuk e hëngri mishin e këtij zvarraniku pasi nuk përkonte me karakterin dhe preferencat e tij. Nuk ishte çështje hallalli apo harami, por përkimi ose jo me natyrën.

Le të shohim hazreti Musain a.s teksa rrok për flokësh të vëllain, Harunin a.s:“O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke!” (Taha, 94)

Ai e bëri diçka të tillë spontanisht, ashtu siç e ndjeu, larg shtirjes dhe luhatjes.

Të tillë ishin dhe shokët e profetit Muhamed a.s, secili kishte karakterin e vet, Ebu Bekri për shembull ishte krejt i ndryshëm nga Umeri. Debati lidhur me fatin e robërve pas betejës së Bedrit dhe mendimet që u dhanë, përkonin me karakterin e secilit. Ebu Bekri ishte zemërbutë dhe tolerant, gjë të cilën e pranoi Profeti a.s. Umeri ishte i fuqishëm dhe i ashpër dhe Profeti a.s e vlerësonte.

Njihe karakterin dhe natyrën tënde dhe përdore për vendosjen e paqes, por pa iu kundërvënë me kokëfortësi dhe pa u orvatur ta ngarkosh me tipare me të cilat nuk përkon. Umer ibnul Hattabi ka thënë:”Gjëja më e shijshme është një kënaqësi që përkon me normat e sheriatit.”

Paqja me caktimin e Zotit dhe pranimi e kënaqësia me atë që ka shkruar Zoti. Kjo, e shoqëruar me përpjekje për t’iu kundërvënë kaderit (caktimit të Zotit) me kader. Thotë hazreti Umeri r.a:”Po ikim nga kaderi i Zotit për tek kaderi i Zotit.”

Besimtari i dorëzohet kaderit të Zotit dhe është i kënaqur me të, saqë nuk uron as ta përshpejtojë as ta zvarrisë e vonojë.

Një i paralizuar që nuk shpreson të shërohet, një i shëmtuar mashkull qoftë apo femër, një fakir, një i paditur që nuk ka asnjë mundësi të nxërë dije, një e ve, një jetim dhe gjithë të sprovuarit e tjerë, u lipset të vendosin paqe me caktimin e Zotit (kaderin) dhe ta pranojnë fatin e tyre të zgjedhur nga vetë Zoti. Njëkohësisht, nëse është e mundur, të kundërveprojnë me kaderin e Zotit me mjetet e mundshme. Por nëse nuk është e mundur, atëherë ti dorëzohet plotësisht.

Drejtësia me veten dhe distancimi nga çdo formë egoizmi, pasioni dhe koprracie. Në koleksionin e imam Buhariut, Ammari Zoti qoftë i kënaqur me të thotë:”Kush i ka tre cilësi, ka siguruar të gjithë imanin: Të jetë i drejtë me veten, ti japë selam botës dhe të jetë dorëdhënë edhe pse është në varfëri.”

Atëherë përse konfliktuohemi me tjetrin dhe nuk përpiqemi ta vëme veten në vendin e tij dhe t’i urojmë atë që i urojmë vetes?

Unë gati sa nuk betohem se në këtë botë nuk ka njerëz të cilët janë të drejtë me veten e tyre, përveç dikujt që e do Zoti, të cilët sigurisht janë pakicë. Thotë profeti Muhamed a.s:”Shikon qimen në syrin e shokut, e nuk shikon trungun në sytë e tij.”

Çuditem me atë që e qan me lot vdekjen e tjetrit

E nuk nxjerr lot gjaku për vdekjen e vetes

Çuditem me atë që gjynahet e tjetrit i duken male

Kurse për gjynahet e veta mbyll sytë

Kuptoje fenë siç duhet larg pasioneve dhe interesave personale, në atë mënyrë që nuk bie ndesh me natyrën e pastër, sepse islami në vetvete është feja e natyrës së pastër, nuk bie ndesh me shijen normale, as me pasionin e drejtë, as me aktualitetin e natyrshëm.

Paqja me mendjen realizohet duke besuar në botën e padukshme të konfirmuar nga të dërguarit e Zotit, besim i cili nuk bie ndesh me shkencën e vërtetë dhe as me logjikën e shëndoshë. Ne duhet ta marrim të mirëqenë, por pa lejuar të shndërrohet në mitologji duke pranuar gjithçka na jepet pa e shoshitur dhe testuar. Gajbi (bota e padukshme) qëndron mbi arsyen, ndërkohë që mitologjia qëndron poshtë arsyes.

Izz ibnu Abduselam thekson se dobitë dhe ligësitë dallohen me anë të mendjes, para se të na shpallen ligjet hyjnore, ashtu siç dallohen edhe pas shpalljes.

Trajtimi i dyshimeve dhe skepticizmave që bombardojnë mendjen dhe idetë tona, duke na turbulluar jetën, i përkasin ose fushës së  besimit ose jetës së përditshme. Shumica e tyre janë psikologjike dhe trajtimi i tyre bëhet duke i injoruar dhe duke mos u kushtuar vëmendje, me lutje, kërkim mbrojtje nga Zoti dhe duke respektuar recetën profetike me leximin e sures Ihlas. Njeriu duhet të mobilizojë gjithë energjitë e tij dhe të jetë i vendosur të mos u shkojë pas dyshimeve bie fjala të pastërtisë, abdesit etj... Konsideroji gjëra të tilla si aksidentale derisa të qetësohet zemra. Nëse Zoti sheh qëllim dhe nijet të pastër në zemrat tuaja, do u ndihmojë.

 

Perktheu: Elmaz Fida


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free