Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo-ja me e famshme ne Amerike

 Gjatë një mbrëmjeje të acartë tetori, të vitit 1955, Rosa Parks, një grua zeshkane dhe me profesion rrobaqepëse, po bëhej gati për tu kthyer në shtëpi, pas një dite të lodhshme dhe rutine pune. Ajo doli në rrugë, me çantën të mbërthyer për kraharori, tek e cila ndjente sadopak ngrohtësi. Ajo pa majtas dhe djathtas, pastaj kaloi në krahun tjetër të rrugës, në pritje të autobusit i cili do e çonte në shtëpi. Gjatë qëndrimit në stacion, qëndrim i cili zgjati dhjetë minuta, asaj i vajti në mendje ajo panoramë e dhimbshme që tashmë ishte normale në Amerikë ku të zinjtë duhej të ngriheshin nga ulëset për t’ia lënë vendin të bardhëve. Kjo nuk ishte një sjellje që buronte nga shpirti vëllazëror apo ndjenja civilizuese. Në fakt, ishin ligjet Amerikane të asaj kohe, të cilat ua ndalonin rreptësishtë zezakëve të qëndronin ulur nëse ndonjë i bardhë ishte në këmbë. Kjo, edhe nëse i uluri ishte një grua e moshuar dhe i bardhi një i ri i fuqishëm. Të mos i lirohej vendi një të bardhi, ishte një thyerje e rëndë e ligjit dhe gruaja e moshuar do të gjobitej pa më të voglin dyshim. Të lexoje tek porta e ndonjë restoranti:”Nuk lejohet hyrja e maceve, qenve dhe zezakëve.” nuk shkaktonte asnjë habi.

 

Të gjithë këto akte raciste e lëndonin thellë Rosa Pack dhe i shkaktonin jo pak dhimbje dhe neveri. Deri kur do të trajtoheshin në këtë mënyrë? Përse duhej të diskriminoheshin dhe fyheshin? Përse duhej të barazoheshin me kafshët?

 

Kur autobusi qëndroi më në fund tek stacioni ku priste Rosa, ajo ngjiti shkallët me nxitim, sakaq në mendje kishte marrë një vendim i cili do të ndryshojë jetën e saj dhe të zezakëve. Ajo hodhi sytë sa majtas djathtas dhe me të pikasur një ndenjëse bosh, vajti dhe u ul. Duke shtrënguar çantën pas kraharorit, ajo ndiqte rrjedhën e rrugës që e çonte drejt shtëpisë. Kur në autobus u ngjitën pasagjerët e stacionit tjetër, ndenjëset ishin të gjitha të zëna. Me qetësi, një burrë i bardhë u drejtua drejt ndenjëses ku qëndronte Rosa dhe kur arriti, priti që zonja zeshkane të ngrihej dhe ti lironte vendin. Por, si për çudi, ajo i hodhi një shikim moskokëçarës dhe vazhdoi të shohë rrugën.

 

Ky reagim i saj e acaroi burrin e bardhë dhe jo vetëm. Të gjithë të bardhët në autobus, filluan ta shajnë Rosën dhe ta kërcënojnë nëse nuk ngrihet menjëherë nga ndenjësja që të ulet burri i bardhë. Por ajo kundërshtoi dhe insistoi në të sajën. Shoferi i autobusit nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ti drejtohet rajonit të policisë për këtë shkelje të ligjit. Vetë policia duhej ta hetonte çështjen kësaj gruaje zeshkane, e cila i kishte shqetësuar të bardhët.

Siç edhe pritej, Rosa u gjobit 15 dollarë për shkeljen e të drejtave të tjetrit. Që këtu, shpërtheu shkëndija në qiellin e Amerikës. Të zinjtë shpërthyen në revolta në të katër anët e SH.B.A dhe vendosën të bojkotojnë të gjithë mjetet e transportit. Ata kërkonin të drejtat e tyre humane dhe të trajtoheshin me dinjitet. Trazirat vazhduan për 381 ditë gjë e cila i shkaktoi jo pak kokëçarje Amerikës.

 

Në fund, gjykata mbajti anën e Rosa Parks. Ligji famëkeq dhe shumë ligje e norma të tjera raciste që dëmtonin komunitetin zezak u shfuqizuan.

 

Me 27 tetor të vitit 2001, 46 vite pas asaj nate, u përkujtua ajo ndodhi, ku Stive Hamp, drejtori i muzeut të Henri Ford në Michigan, shprehu dëshirën për blerjen e atij autobusi të viteve dyzet, në të cilin kishte ndodhur ngjarja historike. Ai autobus kishte shërbyer si këmbëz për shpërthimin e lëvizjes së drejtave civile në Amerikë. Autobusi u shit për 492.000 dollarë amerikanë. Në librin e saj “Fuqia e qetë” i cili u botua në vitin 1994, ajo sjell ndërmend ndjenjat e asaj nate magjike dhe thotë:”Atë natë mu kujtuan prindërit dhe gjyshërit e mi. Iu përgjërova Zotit dhe ai më pajisi me atë fuqi që pajis njerëzit e persekutuar.”

 

Me 24 Tetor të vitit 2005, pjesëmarrësit në varrimin e Rosa Parks, pionieres së të drejtave civile në Amerikë, ishin me mijëra. Ajo vdiq në moshën 92 vjeçare. Në varrimin e saj morën pjesë shumë presidentë shtetesh. Flamuri i Amerikës u ul në gjysmë shtizë atë ditë, kurse trupi i saj u mbajt në njërën nga ndërtesat e Kongresit Amerikan derisa u varros në varrezë, nder i cili nuk u bëhet veçse presidentëve dhe figurave të shquara. Që nga viti 1852, vetëm për tridhjetë veta është organizuar një ceremoni mortore e tillë dhe Rosa Parks është gruaja e vetme mes tyre.

 

Ajo vdiq pasi u dekorua me medaljen më të lartë, atë presidenciale të lirisë, e cila iu dha nga Kongresi në vitin 1996.

 

Por më shumë se këtë medalje materiale, ajo vdiq me medaljen e lirisë, të cilën ua dhuroi zezakëve të Amerikës nëpërmjet “Jo-së” së asaj nate. Ajo është jo-ja më e famshme në Amerikë. Pas çdo ngjarjeje historike, pas çdo qëndrimi dinjitoz, kanë qëndruar njerëz me iniciativë, të cilët besonin në energjitë e tyre për ta mposhtur bindjen e njerëzve se është e pamundur.

 

Rosa Parks jetoi nga 4 shkurit 1913 deri 24 Tetor 2005.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free