Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Gjyqtari Shurejh el-Kadiu

Gjyqtari Shurejh el-Kadiu

Sunduesi i besimdrejtëve, Omer ibën el-Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) bleu një kalë nga një beduin, e pagoi çmimin e caktuar, e mandej i hipi dhe u nis. Megjithatë, ende pa u larguar shumë, vërejti se kali nuk mund të vraponte më tej për shkak se ishte me të meta, andaj u kthye te njeriu nga i cili e bleu dhe i tha:

- Merre kalin tënd prapë, sepse qenka me të meta!

- Jo, nuk e marr, o sundues i besimdrejtëve, - u përgjigj tjetri, sepse ta kam shitur të shëndoshë dhe pa të meta.

Omeri i tha:

- Zgjidh kë të duash që të gjykojë ndërmjet nesh!

- Le të gjykojë ndërmjet nesh Shurejh b. el-Harith el-Kindi - i tha ai:

- Mirë, pajtohem - u përgjigj Omeri.

Kur dëgjoi deklaratën e beduinit Shurejhi, u kthye nga Omer b. El-Hatabi dhe e pyeti:

O sundues i besimdrejtëve, a e pranove kalin të shëndoshë?

Po, - u përgjigj Omeri.

O sundues i besimdrejtëve, - i tha Shurejhi, - ose mbaje atë që ke blerë, ose ktheje ashtu siç e ke pranuar!

Omeri me krenari e shikoi Shurejhin dhe i tha:

A mund të ketë gjykim ndryshe se ky? Shkurt dhe qartë, e vërteta është e vërtetë dhe drejtësia është e kënaqur – dhe shtoi:

Përgatitu që të shkosh në Kufe! Po të emëroj kadi të Kufës!

Shurejh b. el-Harithi, të cilin Omeri e emëroi kadi (gjykatës) në Kufe, nuk ishte një njeri i panjohur për dijetarët, emërimi i tij si kadi i Kufës nuk ishte një veprim i ngutur nga ana e Omerit. Ky është njëri prej argumenteve për mendjemprehtësinë dhe vlerësimin e drejtë të Omerit, afro gjashtëdhjetë vjet qëndroi në atë post duke ndarë drejtësinë ndërmjet muslimanëve. Katër herë është zgjedhur në atë post prej: Omerit, Othmanit, Aliut, Muaviut dhe ata që erdhën pas tij prej udhëheqësve të beni Umejjes, derisa Shurejhi kërkoi që të lihet i lirë nga detyra në kohën e Haxhaxhit kur mbushi njëqind e shtatë vjet.

Historia e drejtësisë islame ka regjistruar në faqet e saj shumë shembuj nga drejtësia e Shurejhut, prej tyre rrëfehet se Ali b. Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) kishte humbur parzmoren, të cilën e donte shumë dhe kishte parë dhe njohur në tregun e Kufës se si e shiste një jomusliman, i mbrojtur nga shteti islam.

Posa e pa e njohu, iu afrua pronarit dhe i tha:

Kjo është parzmorja ime. Më ka rënë nga deveja natën, në atë kohë dhe në atë vend.

Jo, kjo parzmore është imja, o sundues i besimdrejtëve, u përgjigj pronari.

Jo, kjo është parzmorja ime, - ia ktheu Aliu, - sepse nuk ia kam shitur askujt e as nuk e kam dhuruar, që të mund të jetë e jotja.

Pronari u përgjigj:

Atëherë le të gjykojë ndërmjet nesh kadiu!

Mirë, ke të drejtë, - i tha Aliu dhe shtoi: Eja të shkojmë tek ai!

Zoti e deshi që të vijnë te Shurejhi. Kur hynë, Shurejhi i tha Aliut:

Fol ç’ke për të më thënë, o sundues i besimdrejtëve?

Ndërsa, Aliu tha:

Te ky njeri pashë dhe njoha parzmoren time, e cila më kishte rënë nga deveja natën në aksh kohë dhe në aksh vend. Prandaj ai as nuk e ka blerë e as nuk e ka dhuratë.

Mandej Shurejhi u kthye nga pronari i mburojës dhe e pyeti:

E ç’ke të thuash për këtë, o njeri?

Kurse, ai u përgjigj:

Parzmorja është imja dhe në duart e mia, por nuk them se sunduesi i besimdrejtëve po gënjen.

Shurejhi u kthye kah Aliu dhe i tha:

O sundues i besimdrejtëve, nuk dyshoj aspak për atë që thatë se parzmorja është jotja, por duhet të kesh dy dëshmitarë ta vërtetojnë atë që thua.

Po i kam, - thotë Aliu, - do të dëshmojë robi im i liruar Kanberi dhe djali im Hasani.

Por, o sundues i besimdrejtëve, nuk lejohet që djali të jetë dëshmitar i babait – i tha Shurejhi.

Atëherë Aliu iu drejtua jomuslimanit dhe i tha:

Atëherë merre! Sepse unë nuk kam dëshmitar të tretë.

Por, unë o sundues i besimdrejtëve do të dëshmoj se parzmorja është jotja, - tha jomuslimani dhe shtoi:

O Zot, o Zot, e pashë me sytë e mi që sunduesi i besimdrejtëve më gykoi te kadiu, e kadiu i tij gjykoi në favor timin, e në dëm të tij!!! Deklaroj se feja, e cila urdhëron drejtësi është fe e vërtetë! Dëshmoj se nuk ka Zot që adhurohet me të drejtë pos Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij!

Kur e dëgjoi këtë Aliu, i tha:

Tani meqë e pranove Islamin po ta dhuroj dhe jo vetëm atë, por edhe kalin tim më të mirë...


Një herë Shurejhut i tha djali i tij:

Baba, kam rënë në mosmarrëveshje me disa njerëz. Kështu që, dëshiroj që së pari të më dëgjosh,nëse unë kam të drejtë, do t’i padis në gjyq, e në qoftë se ata kanë të drejtë, atëherë na pajto!

Kur ia shpjegoi çështjen, Shurejhu i tha djalit të vet:

Shko nise procesin gjyqësor kundër tyre!

Mirëpo kur erdhën, Shurejhu mosmarrëveshjen e zgjodhi në favor të tyre, e kundër djalit të vet, e kur u kthyen në shtëpi, djali i tij i tha:

Baba, më turpërove! – i tha i biri.

Shurejhu ia ktheu:

Nuk desha të tregoj se drejtësia është në anën e tyre se u frikësova se do të përpiqesh ta rregullosh rastin e do t’i dëmtosh ata.


Tregohet se i biri i Shurejhut njëherë hyri dorëzanë për një njeri, mirëpo njeriu iku nga duart e drejtësisë, atëherë Shurejhu mbylli në burg djalin e vet në vend të njeriut të ikur, dhe për çdo ditë i çonte ushqim në burg.


Allahu qoftë i kënaqur prej Shurejhut, i cili për afro gjashtëdhjetë vjet ndau drejtësinë ndërmjet njerëzve.




Marrë nga libri: “Suver min hajat et-Tabi’ijn” i autorit Abdurrahman Ra’fet el-Basha.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free