Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Veprat penale dhe denimet

Ajni Sinani

Ligjet Islame të Sheriatit nuk parashohin që të çrrënjosin në tërësi imoralitetin dhe mëkatet e tjera të mëdha. Është e qartë se asnjë bashkësi njerëzore nuk mund të jetë e mbrojtur nga sjelljet e tilla të gabuara dhe të këqija. Madje edhe në kohën e Muhammedit a.s. ka pasur njerëz që kanë bërë vepra të ndaluara.

Qëllimi kryesor i së drejtës islame është që të pengojë praktikimin publik të veprave të turpshme dhe sjelljen mashtruese që shpie deri tek ato, që t’i reduktojë në një pakicë të parëndësishme, e cila do të bënte veprime të tilla në fshehtësi dhe nën frikën e errësirës.[1]

Juristët muslimanë, njësoj sikurse edhe ekspertët bashkëkohorë të së drejtës penale, kanë mendime të ndryshme në aspekt të definimit të veprave penale. Definicioni i el Maverdit, duket se është më afër të kuptuarit bashkëkohor: “Vepra penale, në të drejtën islame, janë vepra të ndaluara juridikisht, të cilat Zoti i ka vendosur dhe të cilat ndëshkohen me dënimin e hadd-it ose ta’zir-it. Pra, ekzistojnë dy lloj veprash penale: për të cilat ndëshkimi është përcaktuar me dispozitat e Kur’anit dhe Sunnetit (hadd) dhe vepra të cilat ndëshkohen sipas vlerësimit të njerëzve të pushtetit (ta’zir).“[2]

Dënimi Hadd

Fjala ‘hadd’, shumësi ‘hudud’, në aspektin gjuhësor do të thotë: kufi, pengesë, ndalim, ndërkaq, sipas terminologjisë juridike, nënkupton ato ndëshkime që janë përcaktuar tekstualisht me Kur’an ose me Sunnet. Prandaj edhe thuhet “hududullah”- “dënimet e Zotit”. Ndëshkimi i mëkatarit është emëruar me fjalën hadd, sepse në të shumtën e rasteve, ai e ndalon dhe e pengon delikuentin që të kthehet edhe një herë në një delikt të tillë.[3] Sa i përket kategorisë së hadd-it, kadiut nuk i është e lejuar që të tërhiqet nga dënimi i përcaktuar.

Veprat Penale të cilat ndëshkohen me dënimin e përcaktuar Hudud

Këto vepra mund të ndahen në tri kategori:

1. Delikti kundër jetës dhe trupit, ku bëjnë pjesë:

a) vrasja; dhe b) lëndimet trupore;

2. Delikti kundër familjes dhe moralit, ku bëjnë pjesë:

a) adulteria (kurorë-shkelja); dhe b) akuza e pabazë për adulteri;

3. Delikti kundër pasurisë, ku bëjnë pjesë:

a) vjedhja; dhe b) kusaria.

Dënimet Hudud dhe Dënimet Tazir

Dënimet, ose janë dënime të përcaktuara tekstualisht (hudud), me Kur’an dhe Sunnet, ose janë dënime diskrecionale (tazir), të cilat i janë lënë gjykatësit – kadiut që të marrë vendim rreth tyre. Sa i përket kategorisë së dytë të kundërvajtjeve, ato nuk janë precizuar tekstualisht nga dy burimet e para.

Tekstet islame, ose më saktë dy burimet e para të Islamit kanë precizuar pesë lloje dënimesh: 1) Deliktin e vrasjes; 2) Deliktin e vjedhjes; 3) Deliktin e adulterisë (kurorë-shkeljes); 4) Deliktin e akuzimit për adulteri (kurorë-shkelje); 5) Deliktin për cenimin e sigurisë së përgjithshme.

Veprat Penale kundër Jetës dhe Trupit (Dënimi me Vdekje)

Sipas Islamit, vetëm Zoti e jep jetën, dhe meqenëse njeriu nuk mund t’i japë një njeriu tjetër jetën, ai nuk ka të drejtë as t’ia marrë atij jetën. Në pajtim me këtë ai i cili zgjat dorën që t’i marrë jetën një njeriu tjetër padrejtësisht, bën mëkat, i cili duhet të dënohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndëshkimi i asaj bote, është vuajtja e dënimit në zjarr: “Kush e mbyt qëllimisht besimtarin, dënim e ka xhehenemin, ku do të mbesë përgjithmonë, dhe All-llahu do të lëshojë mbi të hidhërimin e Vet, atë e ka mallkuar dhe i ka përgatitur mundim shumë të madh.” (En Nisa, 93).

Islami e shenjtëron jetën njerëzore, e mbron shenjtërinë e shpirtrave dhe sulmin kundër jetës e konsideron një ndër krimet më të mëdha. All-llahu në Kur’anin e shenjtë thotë: ”Nëse dikush mbyt dikë, i cili nuk ka mbytur askënd, ose nuk ka bërë në tokë turbullira, sikur ka mbytur tërë njerëzinë…” (El Maidetu, 32). Jeta është dhuratë e All-llahut dhe si e tillë është e shenjtë, dhe në Islam tërë gjinia njerëzore trajtohet si një familje, e cila duhet të çmojë jetën në mënyrë të merituar.[4] Islami ndalon vrasjen.

Në ajetin tjetër kur’anor është thënë në mënyrë të prerë: “Dhe mos mbytni askënd që e ka ndaluar All-llahu, përveç kur e kërkon e drejta. Por nëse dikush, pa pikë të fajit vritet, atëherë trashëgimtarit të tij i japim kompetencë, por, as ai le të mos e teprojë në vrasje! Ai është me të vërtetë i ndihmuar.” (El Isra, 33)

Llojet e Vrasjeve

Sipas Kur’anit ka tre lloj vrasjesh:

1) vrasja me paramendim; 2) vrasja pa dashje; dhe 3) vrasja e ngjashme me vrasjen pa dashje.

Vrasja me Paramendim

Vetëm për vrasjen me qëllim, ndëshkimi është: dënimi me vdekje, ose duhet t’i bëhet shpagimi i gjakut familjes së të vrarit nga dorasi ose nga familja e tij. Zoti në Kur’an thotë: “O besimtarë! Ju është caktuar norma për hakmarrje – vrasje: I liri – për të lirin, robi – për rob, femra - për femrën.. Ndërsa atij që i falet diçka nga vëllai i vet, le të pritet me bujari edhe ai le t’ua kthejë me të mirë. Kjo është lehtësi nga Zoti juaj dhe mëshirë. Po kush bënë shkelje edhe pas kësaj, atë e pret dënim i dhembshëm.” (El Bekareh 178).

Komentatorët e Kur’anit, mufesirët dhe teoricienët juridikë pajtohen plotësisht se me këto ajete, padyshim, i është dhënë e drejta familjes së të vrarit (trashëgimtarëve) që dënimin me vdekje për vrasje të qëllimshme mund ta ndërrojnë duke rënë në ujdi me dorasin për falje, duke kërkuar prej tij (dorasit) ose familjes së tij shpagimin e gjakut në mënyrë të lejuar. Ndërkaq, dorasi, ose familja e tij, duhet të paguajë për të vrarin pa zvarritur. Shqiptimi i dënimit me vdekje nuk i është lejuar askujt veçse imamit – gjykatësit.

Nëse vrasja është kryer me paramendim, dhe familja e të vrarit është e gatshme të bëjë marrëveshje për kompensimin e gjakut, gjyqi, para se të sjellë vendimin, do të marrë parasysh mënyrën se si është kryer krimi dhe pamjen e krim-bërësit, sepse nëse vrasja është e veçantë dhe mizore (gile) ose krim-bërësi është i dhënë pas dhunës (është kriminel ordiner) dhe si i tillë paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë e qytetarëve, gjyqi nuk duhet të pranojë kompensimin e gjakut, por duhet të shqiptojë dënimin me vdekje, pavarësisht prej kërkesës të familjes së të vrarit për kompensim.[5]

Islami ia ka njohur të drejtën familjes së të vrarit, më të afërmeve të tij për nga gjaku, sikurse janë: babai, biri, vëllai, xhaxhai, etj., që të kërkojnë hakmarrje, ose t’ia falin dorasit duke kërkuar shpagimin e gjakut të të vrarit nga ana e dorasit ose nga familja e tij. Të gjitha shkollat juridike janë të mendimit se dënimi mbi vrasësin mund të kryhet, vetëm pas një gjykimi të vlefshëm nga ana e gjyqit, e nëse dikush e vret vrasësin pa vendimin e gjykatës, do të trajtohet si vrasës dhe do t’i nënshtrohet kisasit.[6]

Një pjesë e teoricienëve jomuslimanë të së drejtës, janë për atë, që vrasësi të mos ndëshkohet me dënim kapital. Ka shumë ajete kur’anore dhe hadithe, që kanë shpallur shenjtërinë e jetës së çdo individi, dhe që urdhërojnë dënimin kapital për atë njeri, që pa të drejtë ia merr jetën tjetrit.

Kisas-i

Kisasi në të drejtën islame interpretohet si kundërshpërblim i dënimit në masë të njëjtë i atij i cili në çfarëdo mënyre ka atakuar trupin ose jetën e dikujt. Tek juristët islam ai do të thotë: të veprohet me delikuentin sipas veprës që ka bërë; nëse ka vrarë dikë me qëllim – të vritet, nëse ka shkaktuar lëndimin e tjetrit me qëllim – të lëndohet në masë të njëjtë.[7]

Islami ka paraparë dënim me vdekje – shpagim shpirti për shpirtin, për secilin që argumentohet se është autor i vrasjes, dhe dënim me ndëshkim të rëndë për vepra të këqija për secilin që vërtetohet se është shkaktar i këtij dëmi. All-llahu i Madhëruar thotë: “Kjo masë e dënimit është jetë për ju.” (El Bekarah, 179).

Ky dënim, është më efikas kur kemi parasysh procedurën që duhet ndjekur me kriminelin si dhe pasojat psikologjike që rezultojnë prej këtij ndëshkimi në aspekt të qetësisë shoqërore dhe jetesës humane. Edhe lëndimet trupore, ngjashëm me vrasjen mund të jenë të qëllimshme ose pa dashje. Në rastin e lëndimit trupor të qëllimshëm, dhimbja që i është shkaktuar të lënduarit, duhet t’i shkaktohet edhe shkaktarit të lëndimit: “Ne në të, atyre u kemi caktuar: krye për kryen, syrin për sy, hundën për hundë, veshin për vesh, dhëmbin për dhëmb, edhe plagët duhen kthyer. Por ai që heq dorë nga hakmarrja, kjo është kompensim për atë. Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur All-llahu, ata janë kriminelë. ” (El Maidetu, 45.)

Veprat Penale kundër Familjes dhe Moralit Publik (Dënimi për Kurorë-Shkelje)

Zoti i Gjithëfuqishëm në Kur’anin fisnik, thotë: “Laviren dhe lavirin, çdo njërin, goditeni me njëqind të rëna me kamxhik dhe le të mos u preokupojë asnjëfarë sentimentalizmi kur ta zbatoni fenë e All-llahut, nëse i besoni All-llahut dhe botës tjetër. Dënimin e të dyve le ta shikojnë një grup besimtarësh.” (En Nur: 2)

Dënimi për prostitucion, sipas këtij ajeti, është përcaktuar me njëqind të rëna me kamxhik. Ndëshkimi bëhet në mënyrë publike. Juristët islamë, bëjnë dallimin në dënimin e personit që ka qenë i martuar (muhsin) dhe personit i cili nuk ka qenë i martuar (gajr muhsin). Ndaj personit të pamartuar, zbatohet ndëshkimi i përmendur në ajetin kur’anor. Ndërkaq, kur kemi të bëjmë me personin, i cili ka qenë i martuar, juristët mbështeten vetëm në autoritetin e Sunnetit, duke përcaktuar gurëzimin si ndëshkim të ligjshëm. Disa juristë, goditjes me kamxhik personit të pamartuar, i shtojnë edhe internimin një vjeçar.

Ndërkaq, ka juristë islamë, të cilët refuzojnë ta pranojnë ndëshkimin me gurëzim, meqenëse një gjë e tillë, thonë ata, nuk është përmendur dhe as nuk është përcaktuar me Kur’an. Ata insistojnë, që t’i nënshtrohemi dispozitave kur’anore, të cilat nuk bëjnë dallim në dënimin ndërmjet personit të martuar dhe personit të pamartuar.[8]

Islami e ndalon dhe e lufton amoralitetin dhe kurvërinë, sepse në këtë mënyrë mund të shkaktohen pasoja kaotike, krime të lindjes, devijime familjare, shkatërrime të lidhjeve, përhapje të sëmundjeve të pashërueshme, mbizotërime të epsheve dhe rrënime të moralit.[9] Sipas Islamit, kurvëria është ndër mëkatet më të mëdha dhe ndër krimet më të rënda, sepse ajo rrezikon dhe kërcënon shenjtërinë e nderit, ndalesat dhe lidhjet farefisnore. All-llahu i madhëruar thotë: “Dhe mos iu afroni amoralitetit, sepse është punë e fëlliqur dhe sa rrugë e shëmtuar që është!” (El Isra, 32).

Ibn Mesu’di transmeton se kur e ka pyetur Muhammedin a.s., se cili është mëkati më i rëndë, i Dërguari a.s. i është përgjigjur: “T’’i përshkruash All-llahut shok, kurse vetëm Ai të ka krijuar, të vrasësh fëmijën tënd nga frika se s’do të mund ta ushqesh dhe të bësh kurvëri me gruan e fqinjit tënd.” (Buhari & Muslimi)[10]

Islami pra e mbron nderin dhe dinjitetin, madje ai këtë e ka ngritur deri në shkallën e shenjtërisë. Abdullah ibn Umeri një ditë, deri sa po e shikonte Kaben, tha: “Sa e madhëruar je dhe sa e madhëruar që është shenjtëria jote, mirëpo besimtari është më i shenjtë se ti!”[11] Muhammedi a.s. në Haxhin e lamtumirës, para më shumë se njëqind mijë besimtarëve, në vendin, muajin dhe ditën e shenjtë tha këto fjalë: “Pasuria juaj, nderi juaj dhe gjaku juaj janë të shenjta si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend.” (transmeton Buhariu dhe Muslimi).[12]

Dënimi për prostitucion publik, është dënimi me gurëzim deri në vdekje, me kusht që kryesi i këtij akti të ketë qenë i martuar para kryerjes së veprës, dhe që kryerja e veprës flagrante seksuale të dëshmohet nga 4 dëshmitarë të besueshëm dhe në atë mënyrë që të mos ketë kurrfarë dyshimi në kryerjen e veprës, që do të thotë se nuk është e mjaftueshme që të akuzuarit për kurorë-shkelje vetëm të shihen të zhveshur.

Të akuzuarit mund të dënohen vetëm në rast se delikti vërtetohet nëpërmjet 4 dëshmitarëve të besueshëm. Dhe nëse ndodh që katër dëshmitarët të dëshmojnë, në atë mënyrë që dëshmia e tyre do t’i plotësonte konditat për t’u pranuar, atëherë do të konsiderohet se delikuenti ka kërcënuar rendin publik dhe moralin e shoqërisë, meqë veprimi është kryer në mënyrë të hapur.

Të Dëshmuarit nga Katër Dëshmitarë

Është me rëndësi të theksojmë se, gjatë gjithë jetës së të Dërguarit, Muhammedit a.s. nuk ka ngjarë që të jetë dëshmuar nga katër dëshmitarë. E gjithë ajo që është regjistruar është të pranuarit e lirë nga ana e delikuentit me dëshirë që të pastrohet personalisht nga ndyrësia e këtij delikti, në këtë botë para se të vijë bota e ardhshme.[13]

Burejde tregon: Ma’iz Ibën Maliku erdhi te Pejgamberi a.s. dhe tha: “O Dërguar i All-llahut, më pastro!” I Dërguari a.s. i tha: “Shko, kërko falje dhe pendohu tek All-llahu!” Ai shkoi, por shpejt u kthye dhe tha: “O i Dërguar i All-llahut, më pastro!” I Dërguari a.s. sërish i tha si më parë, por kur e tërë kjo u përsërit katër herë, pyeti: “Prej çfarë të të pastroj?” - “Prej amoralitetit” u përgjigj ai. I Dërguari a.s. atëherë iu drejtua të pranishmëve dhe pyeti: “A mos është i çmendur?” Pasi që e informuan se nuk është, pyeti: “Mos vallë është i dehur?” njëri prej të pranishmëve u ngrit dhe i mori erë, pasi që nuk ndjeu erë alkooli, deklaroi se nuk është i dehur. “A ke bërë amoralitet?” e pyeti i Dërguari a.s.: “Po” - u përgjigj ai. [14]

Pra, kur Ma’izi erdhi tek Muhammedi a.s., duke kërkuar prej tij që të zbatohej dënimi për kurorë-shkelje, i Dërguari i Zotit, ia ktheu shpinën, sepse nuk donte të dëgjonte një gjë të tillë, meqenëse delikti ishte kryer në fshehtësi dhe nuk kishte kërcënuar rendin dhe moralin publik, prandaj ia la vetë delikuentit që të kërkojë falje nga All-llahu. Mirëpo, kryesi i deliktit u kthye disa herë tek i Dërguari a.s. duke pranuar se kishte bërë shkelje flagrante dhe duke insistuar që të ndëshkohej, në mënyrë që pendimi i tij të ishte i sinqertë para Zotit, dhe duke thënë se nuk do të mund të përsëriste një gjë të tillë. I Dërguari i Zotit, e mëson atë që ta tërhiqte deklaratën e tij publike, në fillim duke refuzuar që ta dëgjonte, apo më pas duke shprehur dyshimin nëse ai e kishte bërë një gjë të tillë. Madje, i Dërguari a.s. e kishte pyetur: a mos ndoshta vetëm e ke puthur? Duke parë se delikuenti ishte i vendosur në kërkesën e tij për t’u ndëshkuar, atëherë i Dërguari a.s. pranon që në bazë të pranimit publik dhe me kërkesë të vet delikuentit, të dënohet. Kur më vonë, Muhammedi a.s. e mori vesh se në fillim të zbatimit të dënimit, delikuenti kish filluar të ikte, ndërkaq zbatuesit e dënimit i kishin shkuar nga pas, kishte thënë: ‘Pse nuk e latë që të pendohej dhe që t’ia falte Zoti’.[15] Pas dy tre ditëve, Muhammedi a.s. u tha shokëve (sahabëve) të vet: “Ma’iz Ibn Maliku iu lut All-llahut për falje dhe ai u pendua sinqerisht sa që, sikur ai pendim të ishte ndarë në tërë popullin, do t’iu mjaftonte të gjithëve.”[16]

Kundërshtarët e Ndëshkimit për Kurorë-Shkelje

Ndërkaq, atyre që janë kundër këtij ndëshkimi, u përgjigjemi se qysh kur është bërë i obligueshëm ky dënim, rastet në të cilat është zbatuar mund të numërohen me gishta gjatë gjithë periudhës prej 14 shekujsh. Prandaj lirisht mund të thuhet se ky dënim, i rreptë për nga ndëshkimi, ka mbetur i rrallë për nga aplikueshmëria. Islami me këtë dënim të rreptë e ka ruajtur familjen nga shkatërrimi dhe nga konfuzioni i atësisë.

Prandaj shtrohet pyetja a është më mirë që një shoqëri të ketë këtë lloj dënimi, të ashpër për nga ndëshkimi, i cili krahas frikës ndaj Zotit e ndalon delikuentin nga delikti, e si rrjedhim i kësaj edhe nga dënimi, duke ofruar siguri familjare dhe kënaqësi martesore, apo të formulohen ligje me të cilat nuk do të ndëshkohej aq ashpër delikuenti për një delikt të tillë dhe as që do t’i imponohej shoqërisë respektimi i shenjtërisë familjare, gjë që do të rezultonte që të shkatërrohej një numër i madh familjesh.

Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga vendi dhe koha që jetojnë, dëshirojnë që të ruhet shenjtëria e familjes, mirëpo mungesa e një dënimi të tillë të ‘ashpër’ në ligjet njerëzore, dhe mungesa e vet gjykimit shoqëror të kësaj vepre të shëmtuar, ka bërë që marrëdhëniet familjare në shumë vende të botës të jenë larg mësimeve të Zotit dhe të bëhen pre e pasionit. Si rezultat i një gjendjeje të tillë kemi dobësimin e lidhjeve familjare në vendet jo-islame dhe humbjen e kënaqësisë martesore, krejt ndryshe nga familja në vendet islame, ku çifti bashkëshortor arrin ta ruaj shenjtërinë dhe kënaqësinë, të reflektojë sinqeritet ndaj njëri tjetrit, fesë dhe Zotit.[17]

Edhe pse dënimi për prostitucion është shumë i ashpër, megjithatë, të dëshmuarit për një veprim të tillë para gjyqit është gati i pamundur. Fajtori sikurse kemi theksuar nuk do t’i shtrohet rrezikut përderisa veprën e tij amorale nuk do ta bëjë hapur, publikisht dhe pa kurrfarë turpi.

Qëllimi i Dispozitave të Sheriatit

Së këndejmi, qëllimi i dispozitave të Sheriatit është që ta pastrojë mjedisin dhe shoqërinë, ashtu që me ndihmën e drejtimit shpirtëror të Kur’anit dhe sunnetit të Pejgamberit a.s. bashkësia e në mënyrë të veçantë gjeneratat e reja, veprimin dhe sjelljen amorale ta pranojnë si vepër të keqe dhe jomorale.[18]

Njeriu i pamoralshëm në shoqëri, është shembull shumë i keq, prandaj shembulli i keq në Sheriatin islam nuk duhet të ekzistojë. Nuk ka dyshim se ky ndëshkim ka ndikim shumë të madh në kuptimin dhe eliminimin e krimit në çdo kohë dhe në çdo vend.[19]

Akuza që s’mund të dëshmohet

Akuza, e ngritur për prostitucion kundër një personi, duhet të provohet nga katër dëshmitarë të besueshëm. Nëse akuzuesi nuk mund të sjellë dëshmitarë të besueshëm, atëherë ai duhet të heshtë, në të kundërtën do të konsiderohet fajtor për ‘kadhf’* (akuzë të pa bazë për kurvëri), dhe do të ndëshkohet me tetëdhjetë goditje me kamxhik për shpifje. Atij gjithashtu i hiqet e drejta që në të ardhmen të paraqitet si dëshmitar. Gjithashtu, gjatë dëshmisë së bërë nga katër dëshmitarë, nëse dëshmia e tyre nuk përputhet, atëherë ajo do të jetë e papranueshme dhe do të çojë deri te ndëshkimi i tyre për shpifje.

Zoti i madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë: “Ata të cilët fajësojnë gratë e ndershme e pastaj nuk e argumentojnë këtë me katër dëshmitarë, t’i rrihni tetëdhjetë herë me kamxhik dhe mos e pranoni më kurrë dëshminë e tyre. Ata janë njerëz të prishur.” (En Nur, 4).

Juristët islamë pajtohen me atë se padinë në këtë rast mund ta ngrejë vetëm personi i dëmtuar, dhe rasti do të konsiderohet i mbyllur nëse tërhiqet padia prej tij. Gjithë këto dispozita, janë tregues i qartë se e drejta islame i ka dhënë vend të rëndësishëm moralit dhe mbrojtjes së familjes.

Si kundërpeshë e dënimeve të rrepta që i dedikohen njerëzve amoralë, e drejta islame ka vendosur kërkesa të rrepta dhe të vështira në aspekt të dokumentimit të domosdoshëm për vërtetimin e një vepre të tillë penale. Juristët islamë nuk janë kënaqur vetëm me dëshminë e katër dëshmitarëve të besueshëm, por kanë kërkuar më tej që dëshmitarët duhet të vërtetojnë se kanë qenë dëshmitarë okularë dhe se e kanë parë me sy vetë aktin seksual.[20] Dispozitat e ashpra dhe kërkesat e rrepta shkojnë në favor të ruajtjes të shenjtërisë së nderit njerëzor dhe në mbrojtjen e tij, në paprekshmërinë e gjakut dhe të pasurisë.

Veprat Penale kundër Pasurisë (Dënimi për Vjedhje)

Juristët islamë pajtohen me definimin e vjedhjes (serika) si marrje e fshehtë e gjërave mbi të cilat nuk ushtrohet e drejta e pronësisë dhe që i përkasin një personi tjetër. Dënimi për vjedhje, e cila është bërë jo për shkaqe urie, sipas Kur’anit, është prerja e dorës: “Vjedhësit e vjedhëses, prejani duart, si dënim për atë çka kanë fituar shpërblim prej All-llahut. All-llahu është i fortë dhe i urtë. E kush pendohet, pas veprës së vet të keqe dhe përmirësohet, All-llahu me siguri e fal. All-llahu njëmend fal dhe është mëshirëplotë.” (El Maidetu, 38-39)

Në mes juristëve islamë, ka pasur mjaft mospajtime rreth formave të ndryshme të kësaj vepre penale dhe kushteve të nevojshme për aplikimin e ndëshkimit të ligjshëm. Diskutimet janë zhvilluar mbi objektin (sendin), vendin, kushtet e kryerjes së vjedhjes, si dhe raportit ndërmjet vjedhësit dhe të vjedhurit.

Kush konsiderohet Vjedhës?

Terminologjia gjuhësore me fjalën vjedhës, nënkupton secilin që vjedh një mall nga një vend i huaj, çfarëdo qoftë ky mall, edhe pa ndonjë vlerë të veçantë, qoftë vezë, apo ndonjë qindarkë. Terminologjia legjislative islame, ndërkaq nuk përfshin çdo vjedhës, por vetëm atë person që vjedh çerek dinari e sipër. Është mendim unanim se, dënimi nuk aplikohet mbi gjërat e imta d.m.th. ato gjëra që nuk arrijnë vlerën prej 10 dërhemësh

Sasia e Sendit të Vjedhur

Muhammedi a.s. thotë: “Nuk ka prerje (dore), përveç se për çerek dinari e sipër.” Dinari ka qenë një monedhë e asaj kohe, e barabartë me vlerën e 10 dhe sipas disave 12 dërhemëve argjend. Juristët, gjithashtu, bëjnë dallim në mes të vjedhjes, e cila bëhet në vendet e mbrojtura dhe vendet e pambrojtura. Nuk pritet dora për vjedhjet në vendet e pambrojtura dhe ato që bëhen ndërmjet të afërmeve. Nuk i pritet dora vjedhësit i cili nuk është i moshës madhore dhe as atij që është i detyruar dhe i kërcënuar nga të tjerët për të vjedhur. [21]

Raporti ndërmjet Vjedhësit dhe të Vjedhurit

Ebu Jusufi, në librin e tij Kitab-ul-haraxh, shkruan: “Vjedhësi nuk do të ndëshkohet me prerje dore nëse vjedh prej të atit, nënës, djalit, vëllait, motrës, gruas ose cilitdo personi, me të cilin, për shkak të afërsisë, nuk i lejohet martesa. Gruaja, gjithashtu, nuk ndëshkohet me këtë dënim, nëse vjedh prej burrit të saj.” I Dërguari i Zotit për shkak të ashpërsisë së dënimit, ka lejuar që vjedhësi të mos ndëshkohet, nëse kuptohet qartë se ai është penduar dhe është përmirësuar në pajtim me porosinë Hyjnore.

Pasojat e pendimit

Juristët, nuk pajtohen, sa i përket pasojave të pendimit. Disa juristë, në krye me Ebu Hanifen, mendojnë se pendimi nga ana e vjedhësit nuk e anulon dënimin e prerjes së dorës, ndonëse e liron atë nga dënimi në botën e ardhshme. Ndërkaq, Shafiu dhe shkolla e tij juridike, konsiderojnë se, pendimi e liron vjedhësin nga dënimi në këtë botë dhe në botën tjetër.[22]

Pse vjedhësi ndëshkohet me vrerje Dore?

Shkaku i ndëshkimit të vjedhësit apo vjedhëses me prerjeje dore është ngase ai që vjedh, mundohet të shtojë pasurinë e tij, duke i dëmtuar të tjerët. Një person i tillë nuk kënaqet me pasurinë që ka, por dëshiron të shtojë pasurinë e tij duke u shtirë para të tjerëve se është i pasur, apo duke tentuar që të pasurohet në mënyrë të pandershme.

Sa i përket ndëshkimit me amputim të dorës, (kur dëshmohet në mënyrë të pakontestueshme se vjedhja është kryer jo nga uria), disa juristë jomuslimanë mendojnë se ky dënim është i egër dhe i ashpër. Ne mendojmë se ky dënim është në nivelin e aktit, që bën krimineli. Nuk ka egërsi dhe vrazhdësi në këtë dënim. Ndërkaq i egër është ai që plaçkit pasurinë e tjetrit pa të drejtë. Madje krimi i vjedhjes mund të rezultojë edhe me krime të tjera.[23]

Sot shumica e vjedhjeve janë vjedhje me armë në dorë. Prandaj në më të shumtën e rasteve vjedhjet përfundojnë me terrorizimin ose vrasjen e atyre që vidhen. Shtrohet pyetja: Pse duhet të kemi mëshirë ndaj dorës së vjedhësit, e të mos të tregohemi të mëshirshëm për kokën e të vjedhurit? Madje, padyshim, ashpërsia e dënimit është ajo që e ruan dorën e vjedhësit nga amputimi, sikurse që mbron jetën e të vjedhurit dhe i garanton të gjithëve siguri dhe qetësi. Dënimi i prerjes së dorës së vjedhësit, bëhet hapur, në mënyrë publike, për të pasur efekt tek vjedhësit e tjerë potencialë.

Në fakt, zbatimi i këtij dënimi, në vendet islame është shumë i rrallë, madje vite me radhë nuk ndodh një gjë e tillë, dhe kjo ndodh për shkak të vjedhjes së rrallë që ndodh në ato vende ku zbatohet e drejta islame. Mund të thuhet se nga ky dënim, thuajse s’ka mbetur veçse ashpërsia e tij, e cila të gjithë i ka bërë të jenë të sigurt dhe të kenë qetësi. Ai i ka ruajtur edhe duart e atyre, të cilët do të ishin të gatshëm për vjedhje, sepse vetë ashpërsia e dënimit, ua bën gati të pamundshme kryerjen e një veprimi të tillë.[24]

Numri i Njerëzve të dënuar për Vjedhje

Nëse bëjmë një krahasim midis shteteve që zbatojnë dënimin e prerjes së dorës dhe atyre që zbatojnë dënimin me burg, do të shohim se në vendet në të cilat zbatohet dënimi i prerjes së dorës, dukuria e vjedhjes është shumë e rrallë, ndërsa në vendet ku zbatohet dënimi me burg, kemi dështim të plotë. Burgosja e vjedhësve dhe vendosja e tyre në mes personave që kanë bërë kundërvajtje të ndryshme mund të jetë shkak në rritjen e përhapjes së krimit të vjedhjes.[25]

Ndonëse sot vëmendja e perëndimorëve më shumë është e përqendruar tek karakteri i ashpër i ndëshkimeve që zbatohen në vendet muslimane, të cilat jo rrallëherë cilësohen si vende fundamentaliste, ata pak, ose aspak nuk e theksojnë faktin se dënimet e tilla vërtet zbatohen shumë rrallë në botën islame përgjithësisht, dhe kjo për shkak të vjedhje të pakta në ato vende.

Ndërkaq ajo që duhet të theksohet është se duhet të përqendrohet më shumë vëmendja tek fakti se numri i njerëzve, të cilët vdesin, ose janë lënduar seriozisht në deliktet që janë rezultat i vjedhjeve dhe dhunës seksuale në SHBA është shumë më i madh, se sa numri i njerëzve të dënuar për vjedhje dhe prostitucion, sikurse është Arabia Saudite, së cilës gjithnjë i adresohen kritikat dhe tërheq vëmendjen e vendeve perëndimore për shkak të këtyre dënimeve.[26]

Dënimet për Prishësit e Rendit dhe Kusarët

Për ata njerëz, që ngrihen dhe luftojnë kundër pushtetit të ligjshëm, duke rrezikuar rendin dhe qetësinë shoqërore, dhe në mënyrë banditeske shkaktojnë gjakderdhje duke i terrorizuar dhe tmerruar njerëzit, duke sfiduar fenë, moralin sistemin legjitim dhe ligjin, ka dënim të rëndë.[27] Zoti në Kur’an thotë: “Shpërblimi i atyre të cilët bëjnë luftë kundër All-llahut dhe të Dërguarit të tij dhe që bëjnë çrregullime në tokë, është: të vriten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët tërthorazi, ose të përzihen prej andej. Ajo është poshtërim në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret dënim i madh. Përveç, atyre që janë penduar para se t’i kapni. E, dine pra se All-llahu bën falje të madhe, është mëshirues.” (El Maidetu, 33) “

Dënimet për prishësit e rendit dhe kusarët në bazë të ajetit kur’anor, janë: 1 ekzekutimi me vdekje; 2 gozhdimi; 3 prerja e pjesëve të trupit; 4 internimi.

Këto katër dënime janë përmendur me pjesëzën ev- ose. Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të saj, mirëpo duket se ajo është për llojllojshmërinë dhe radhitjen e dënimit sipas nivelit të krimit.[28] Nga ajeti kur’anor, shohim se kemi të bëjmë me një llojshmëri dënimesh. Juristët kanë mendime të ndryshme se si duhen zbatuar këto dënime. Problemi është zgjidhur duke e lënë në kompetencë të kadiut apo gjyqtarit, që të zgjedhë dënimin, i cili, sipas mendimit të tij, do t’i përgjigjej një vepre të bërë krimi.

Nga ajeti kur’anor: “Përveç, atyre që janë penduar para se t’i kapni. E, dine pra se All-llahu bën falje të madhe, është mëshirues.” (El Maidetu, 34) që pason pas ajetit të lartpërmendur është nxjerrë edhe një dispozitë, e ajo është largimi i dënimit për ata që dorëzohen para së të kapen. Kjo është e ngjashme me praktikën bashkëkohore, për dhënien e amnistisë pjesëmarrësve në një komplot, kundër sigurisë shtetërore, ose në një rezistencë publike, kundër qeverisë, në rast se ata dorëzohen me parë vullnetarisht.[29]

Veprat që nuk ndëshkohen me Dënimin Hudud

Përveç veprave të përmendura, të cilat i përkasin veprave penale për të cilat është përcaktuar dënimi i tyre sipas Ku’anit dhe Sunnetit, kemi edhe vepra të tjera, të cilat janë vështirë për t’u definuar dhe të cilat nuk i nënshtrohen sanksioneve të caktuara dhe nuk janë të ndaluara shprehimisht me Kur’an.

Këto vepra dallohen nga të mëparshmet, ngase janë më pak të rrezikshme dhe sepse nuk e kërcënojnë mirëqenien e individit. Rregulli, që kanë vënë juristët islamë gjatë definimit të këtyre veprave, është: Çdo kush që bën kundërvajtje, për të cilën nuk është përcaktuar dënimi ‘hadd’, dhe me të cilën nuk dëmtohet asnjë musliman ose jomusliman, me fjalë ose vepër, meriton ‘tazir-in’.

Dënimi Tazir

Et Ta’zir, rrjedh nga fjala arabe “azzere”, që do të thotë: me pengu, me ndihmu, me eduku. Kështu p.sh fjala “azerehu” mund të thotë: “e ka penguar, e ka ndihmuar, e ka edukuar”.

Është e drejtë dhe obligim e personave përgjegjës (ulul emr) që të kujdesen për rendin dhe qetësinë publike, të zgjidhin dhe të gjykojnë në rastet për të cilat nuk është caktuar sanksion me tekst. Ky lloj sanksionimi quhet “ta’zir”. ‘Tazir’ është dënim për shkelje të caktuara, masa e ndëshkimit të të cilave i është lënë kadiut. Ky dënim mund të ketë formë dhe nivel të ndryshëm, por nuk mund t’ia kalojë dënimeve ligjore të përcaktuara me tekst, ‘hadd’.

Veprat për të cilat parashihet ky dënim diskrecioni- Taziri , mund të ndahen në dy kategori:

1. Veprimet që bien ndesh me frymën e fesë, rendit publik dhe moralit; 2. Kundërvajtjet, që kanë të bëjnë me të drejtën e individit.

Ta’ziri pra pengon, që të përsëritet kundërvajtja, kurse shqiptimi dhe zbatimi i sanksionit sipas të drejtës islame, i cili vazhdimisht aplikohet publikisht, ka për qëllim që ta edukojë dhe ta ndihmojë kundërvajtësin, në mënyrë që t’i kthehet jetës së mëparshme të paprapësueshme.[30]

Et Ta’zir përfshin llojet e ndryshme të qortimit të hapur, që kadiu i bën kundërvajtësit. Ky kuptim është zgjeruar, ashtu që përfshin edhe të drejtën e gjykatësit, që të shqiptojë çfarëdo dënimi, që e sheh adekuat, por që nuk arrin shkallën dhe peshën e dënimit ‘hadd’. Masa dhe shkalla e këtij dënimi, sipas mendimit të juristëve muslimanë, ndryshon varësisht nga mosha, gjinia dhe pozita e kundërvajtësit, si dhe, varësisht nga pesha e veprës kundërvajtje.

Në këtë kategori, bëjnë pjesë masat e ndryshme, sikurse është: 1. tërheqja e vërejtjes; 2. heqja e lirisë; 3. goditja me kamxhik; dhe 4 dënimi me të holla.

Personat, të cilët neglizhojnë obligimet fetare, mund të ndëshkohen. Këtu, mund të përmendim edhe matjen e shtrembër: “Edhe masën plotësojeni dhe kur të peshoni në litër, madje peshoni drejt edhe me terezi…” (El Isra, 35).

Përdorimi i pijeve alkoolike, është një vepër e ndaluar, për të cilin, në Kur’an, nuk është përcaktuar ndonjë dënim i veçantë: “O besimtarë, nuk ka dyshim se alkooli, edhe loja me para, edhe idiolatria, edhe shigjetat për fall janë të ndyra, nga punët e djallit, prandaj largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (El Maidetu, 90).

Dallueshmëria në mendime ka rezultuar si rezultat i përpjekjeve për të caktuar dënimin për përdorimin e alkoolit, dhe është zgjeruar meqenëse juristët nuk arritën të pajtohen në aspekt të dënimit, të cilin e kishte shqiptuar i Dërguari a.s. për këtë vepër. Disa mendojnë se i dehuri duhet të ndëshkohet me dyzet goditje, ndërkaq pjesa dërmuese e juristëve islam kanë pranuar se duhet të ndëshkohet me tetëdhjetë goditje, sipas fjalëve të Aliut r.a. që i tha për të dehurin: “Ai kur pi – dehet, e kur dehet – e kalon kufirin, dhe kur e kalon kufirin – shpif, kurse për shpifësin ndëshkimi është tetëdhjetë goditje.”[31]

Ndërkaq, kundërvajtje kundër të drejtave të individit, konsiderohet çdo shkelje e të drejtave të tjetrit. Shkelësi i të drejtave të tjerëve, ndëshkohet me ‘ta’zir’, madje ai mund të privohet nga të drejtat e tij.[32] Juristët islamë, kanë sjellë një rregull, në bazë të hadithit të Muhammedit a.s.: “Mos zbatoni dënime, në rastet kur nuk jeni plotësisht të sigurt për fajtorin!” [33]. Prandaj, më mirë është të mos ndëshkohet delikuenti, dhe për këtë pajtohen të gjithë dijetarët muslimanë, se sa të ndëshkohet dikush pa të drejtë, në bazë të akuzave të pa bazë.

Ashpërsia e Ligjeve Islamike

Armiqtë e Islamit, kanë shkruar se, dispozitat e Sheriatit janë tejet të ashpra*. Madje ka edhe të atillë që me deklaratat e tyre skizofrene shkojnë aq larg, sa që pohojnë se, ligjet islame janë ‘të ashpra’ sepse origjinën e kanë prej arabëve, prandaj në ‘ashpërsinë’ e ligjit islam reflektohet ‘ashpërsia’ e vetë arabëve.

Padyshim se, njeriu, nën hijen e së drejtës islame, ndihet jo i frikësuar, por i sigurt dhe i qetë, për jetën dhe pasurinë e tij. Këtë e di secili, që ka pasur rastin të jetojë në këto vende, për një kohë të caktuar. Këtë e kam ndier edhe unë gjatë viteve që i kam kaluar atje. Ndërkaq, njeriu nuk mund të jetë edhe aq i sigurt në një vend, ku aplikohen ligjet sekulariste.

Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se masat ndëshkimore në Islam kanë për qëllim mbrojtjen e shoqërisë nga shkatërrimi dhe zvetënimi i saj. Lirisht mund të themi se këto masa ndëshkimore kanë pasur ndikim në çrrënjosjen e veprave penale me vetë normimin e dënimeve dhe sanksionimin e ndëshkimeve.

Dënimet e parapara në islam kanë arritur të kenë sukses, më shumë me normimin e tyre, se sa me aplikim praktik. Ato, më shumë, kanë ndikuar përmes aspektit teorik, se sa atij praktik. Këto dënime të rrepta, para së gjithash, kanë pasur për qëllim shërimin psikologjik të të sëmurëve nga këto sëmundje shoqërore, se sa që kanë rekomanduar (kanë pasur për qëllim) dënimin trupor. Në këtë mënyrë, e drejta islame, me mbështetje të fortë në bazat e fesë dhe të moralit islam, arrin të çrrënjosë dukuritë negative dhe e pastron shoqërinë nga e gjithë ajo që anon nga negativitetet, në raport me sigurinë e shoqërisë, me qetësinë familjare dhe dinjitetin e femrës.[34]

----------------------------------------------------------------------------------------------

* Dënimet e quajtura “hudud” në Ligjin Islamik, janë më pak të ashpër se sa tek Ligji Hebraik, sipas të cilit 36 vepra kriminale, sikurse janë: kurorë-shkelja, sodomia, idhujtaria, magjia dhe vrasja, ndëshkohen me varje deri në vdekje, këputje koke, djegie ose mbytje (zënie fryme), shih: Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 195.

[1] Malik Badri, AIDS/SIDA i Kriza Modernog Svjieta u Svijetlu Islama, Sarajevo, 2002, fq. 270

[2] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, Takvim, Sarajevë, 1985, f. 63.

[3] Dr. Muhammed Bekr Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, Darul Menar, Kajro, f. 259.

[4] Jusuf Kardavi, Hallalli dhe Harami, Shkup, 1418/1998, f. 322.

[5] Mr. Ibrahim Dzananovic, Hudud i Tazir- Krivicna Djela i Prekersaju u seriatskom Pravu, Zbornik Radova 2, Islamski Teoloski Fakultet u Sarajevu, 1987, f. 122.

[6] Ibid, f. 123.

[7] Dr. Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 300.

[8] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, Zbornik Radova 2, Islamski Teoloski Fakultet u Sarajevu, 1987, f. 65.

[9] Jusuf Kardavi, Hallali dhe Harami, op. cit., f. 148.

[10] Dr. Muhammed Bekr Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 194.

[11] Jusuf Kardavi, Hallalli dhe Harami, op. cit., f. 321.

[12] Hutbeja Lamtumirëse e Muhammedit a.s.

[13] Dijalog Islamskih i Evropskih Ucenjaka, Sarajevë, 1979, f. 27.

[14] Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, Furkan ISM Shkup, 1420/1999, f. 80-81. & f. 197

[15] Dijalog Islamskih i Evropskih Ucenjaka, op. cit., f. 28.

[16] Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, op. cit., f. 81.

[17] Dijalog Islamskih i Evropskih Ucenjaka, op. cit., f. 28.

[18] Malik Badri, AIDS/SIDA i Kriza Modernog Svjieta u Svujetlu Islama, op. cit., f. 270

[19] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, Edukata Islame, Prishtinë, 2001, nr. 65, f. 50.

* Kadhfi, në kuptimin linguistik do të thotë gjuajtje me gurë ose diçka tjetër, kurse në terminologjinë e Sheriatit do të thotë gjuajtje (akuzë) për prostitucion. Shih Dr. Muhammed Bekr Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 232.

[20] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, op. cit., f. 66.& Shih: Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, Edukata Islame, Prishtinë, 2001, f. 54

[21] Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 242.

[22] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, Takvim, Sarajevë, 1985, f. 67.

[23] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 51.

[24] Dijalog Islamski i Evropskih Ucenjaka, op. cit., f. 25.

[25] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 51.

[26] Sejid Husein Nasr, Srce islama, El kalem, Sarajevë, 1423/2002, f. 197.

[27] Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 257.

[28] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 55.

[29] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, op. cit., f. 67.

[30] Mr. Ibrahim Dzananovic, Hudud i Tazir- Krivicna Djela i Prekersaju u seriatskom Pravu, op. cit., f. 120.

[31] Dr. Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 290.

[32] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, op. cit., f. 68-69.

[33] Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, op. cit., f. 24.

[34] Dijalog Islamskih i Evropskih, op. cit., f. 127.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free