Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ringjallja

Teksa flasim për temat e jetës tjetër, nuk kemi si qëllim që t`I trembim apo t`I friksojmë njerëzit, sepse kur flitet vetëm për këtë fushë, njeriu trembet dhe kjo i jep njeriut një efekt psikologjik të padëshirueshëm. Ai nuk jeton më në këtë dynja, por jeton me shqetësimet e botës tjetër. Kjo nuk është ajo që kërkohet prej nesh, por edhe frika për botën tjetër duhet të ekzistojë.
Besimtari duhet të mundohet me sa të ketë mundësi të barazpeshojë mes frikës dhe shpresës, madje në këtë dynja frika duhet të jetë pak më e madhe, kurse afër vdekjes më e madhe duhet të jetë shpresa tek Allahu (xh.sh).
Ne duhet të kemi frikë, por nga ajo frikë që të shton punët e mira, frikë që të lidh me Zotin, frikë që nuk të bën të lidhur pas kësaj dynjaje, sepse nuk do të jetosh gjithmonë në të.
Pjesa më e madhe e njerëzve janë të qetë, kur flitet për botën tjetër. Atyre iu duket sikur do të shohin diçka, pa e menduar se në ahiret do të përjetohen gjërat dhe do të jepet llogari.
Allahu (xh.sh) thotë në hadithin kudsij: “Unë nuk do t`i bashkoj robit dy frika dhe dy siguri. Ai që më ka frikë në dynja, Unë nuk do ta tremb në botën tjetër, por ai që është i sigurtë në dynja, Unë do ta frikësoj në botën tjetër”.
Prandaj frika duhet të ekzistojë, frika e gjynaheve tona, frika e dënimit që e meritojmë nga drejtësia e Allahut (xh.sh). Njeriu nuk duhet të jetë shumë i sigurt e i qetë, sepse i mençuri e di vlerën e tij dhe nuk ndihet rehat me atë që ka bërë.
Do të themi dy fjalë këtu për ditën e Kijametit apo të Ringjalljes. Me Kijamet ne kuptojmë shkatërrimin e kësaj bote dhe ringjalljen në botën tjetër.
Mbi 70 % të ajeteve të Kuranit flasin për botën tjetër, për Kijametin. Dita e Kijametit është shumë e gjatë, është 50 mijë vjet. Njeriu rrënqethet vetëm kur e imagjinon sa e gjatë është kjo ditë, le pastaj të kujtosh që njerëzit vuajnë në këtë ditë më shumë se në çdo ditë tjetër.
Por profeti (a.s) i përgëzoi besimtarët duke iu thënë: “Për besimtarin ajo ditë kalon më shpejt se koha e faljes së dy rekateve të shkurtra të namazit”.
Zoti i ka dhënë kësaj dite shumë emra. Emri kryesor është DITA E KIJAMETIT. Fjala Kijamet nga arabishtja do të thotë QËNDRIM. Kjo është dita e qëndrimit më të madh. Të gjithë njerëzit, nga i pari tek i fundit, nga profeti i parë deri tek profeti i fundit, ai që ka besuar dhe ai që nuk ka besuar, të gjithë qëndrojnë para Allahut (xh.sh) në këmbë dhe të gjithë kanë frikë.
Nga nga emrat e tjerë të Kijametit është Es-Se`atu – çasti. Pse vallë? Sepse Kijameti është shumë afër, sa një cast, më afër sesa ke menduar. Profeti (a.s) tha: “Unë dhe Kijameti jemi afër si këta dy gishta”, dhe tregoi dy gishtat e dorës së tij. Mund të thotë dikush: “Ka 1400 vjet që ka ndërruar jetë profeti (a.s), atëherë si ka mundësi që akoma nuk është bërë Kijameti”? Themi që këto janë vite, që ne i llogarisim me llogarinë tonë si njerëz, por tek Zoti i gjithësisë mund të jetë më afër se një ditë.
Kjo ditë quhet në Kuran El-Karijah – Trokitësja. Është dita që troket,  e cila shkund zemrat e të plas daullen e veshit. Prandaj atë ditë do ta shohin vetëm njerëzit më të ligj, krijesat që nuk kanë besuar në Zot dhe kurrë nuk kanë thënë Allah , kurse besimtarëve Zoti ua merr shpirtin përpara, që të mos shikojnë tmerrin e asaj dite.
Ajo quhet ndryshe Es-Saha – ajo që ushtin. Imagjinoni një zhurmë të frikshme në mes të natës që të tremb. Po imagjinoje ditën e Kijametit kur shkatërrohet çdo gjë. Vetëm kur dëgjon zhurmën e vullkaneve, të tërmeteve, cikloneve, stuhive, zhurmën e Cunamit frikësohesh shumë. Mëgjithatë kur ndodhin këto, bëhet fjalë për një përqindje shumë të vogël të tokës që lëkundet. Imagjinoje gjithësinë që shkatërrohet në këtë formë. Sa e frikshme!
Ajo quhet Et-Tamme – Katastrofa. Katastrofa më e madhe, shkatërrimi i gjithësisë.
Quhet ndryshe Dita e pendimit, dita kur njeriu bëhet pishman. Quhet Dita e mashtrimit, sepse atë ditë njeriu kupton, se në këtë botë ka qenë i mashtruar. Mendonte se ka qenë njeri i mirrë dhe i sigurtë, por kur shikon Kijametin pendohet dhe ndërgjegjësohet për çfarë po ndodh.
Ajo ditë është dita e bashkimit, dita e thirrjes, dita e llogarisë, dita e ndarjes. Zoti i gjithësisë i ka përmendur të gjithë këta emra, sepse kjo ditë është shumë e madhe.
Ajo quhet ndryshe Dita e trembjes së madhe. Të gjithë krijesat e Allahut (xh.sh) tremben atë ditë me në krye profetët e Zotit. Zoti na ruajt, se njeriu realisht ndihet i qetë dhe shpeshherë është i përgjumur dhe naiv ndaj Ahiretit, duke menduar se gjithçka do të shkojë rrjedhshëm, por atë ditë Zoti flet për gjithçka dhe njeriu hesht edhe pse ka folur sa ishte në dynja dhe ka bërë çdo punë, të mirë apo të keqe. Tashmë Allahu (xh.sh) i ka parë punët e njeriut, ka duruar për sjelljet e tij dhe tani vjen dita e llogarisë.
Fryhet dy herë në SUR. Fryrja e parë është lajmërimi i shkatërrimit, fryrja e dytë është lajmërimi i ringjalljes.
Kur u pyet se ç`është Suri, profeti (a.s) tha: “Suri është briri dhe Zoti krijuar një melek të posaçëm për t`i fryrë bririt e ai është Israfili. Betohem në Zot se e kam parë me bri në dorë dhe sytë i kishte nga Arshi i Zotit, duke pritur shenjën që t`i frynte e të bëhej Kijameti”. Gjerësia e Surit është sa distanca mes tokës dhe qiellit. Prej kësaj zhurme shkatërrohet gjithësia. Nga ky shkatërrim vdes çdo krijesë që e ka emrin KRIJESË dhe përveç Allahut (xh.sh) çdo gjë tjetër e ka emrin krijesë. Vdesin njerëzit, kafshët, shpendët, bimët, gjithçka vdes. Zoti jep urdhër që të vdesin edhe melekët e Tij.
Pastaj Zoti e pyet Israfilin, megjithëse Ai e di më mirë: “Kush ka mbetur”? Israfili përgjigjet: “Ka mbetur Xhibrili, Mikaili, Azraili dhe unë”. Atëherë Allahu (xh.sh) jep urdhër që të vdesin edhe ata.
Pastaj Zoti flet në atë gjithësi që vetëm Ai e di dhe thotë: “I kujt është pushteti sot? Ku janë mbretërit, ku janë perandorët, ku janë tiranët, ku janë pasanikët sot? Kujt i takon sot pushteti dhe lavdia”? Askush nuk përgjigjet . Atëherë Allahu i përgjigjet vetes së Tij duke thënë: “Sot pushteti është i Allahut”. Të gjithë janë të vdekur, ndërsa Allahu (xh.sh) nuk vdes, se nuk është krijesë por Krijues. Kjo është fryrja e parë e Surit. Kurani famëlartë i ka përmendur këto fakte, të cilat janë të frikshme. Vetëm po të shikosh katastrofat që kanë ndodhur në dynja, tmerrohesh.
Njerëzit e mendojnë sesi mund të jetë fundi i tokës. Ajo mund të shkatërrohet nga momenti në moment. Kur flasim për Kijamet, po flasim për shkatërrimin e gjithësisë. Në tre xhuzet e fundit, në pjesën më të madhe të sureve flitet për shkatërrimin e dynjasë.
Në Kuran thuhet: “Kur vjen momenti, shkatërrohet gjithçka. Ajo disa njerëz i lartëson, disa të tjerë i ul. Atëherë shkundet toka, çahen qiejt, malet fluturojnë. Do t`I shohësh kafshët sesi ulërijnë e bëhen turma – turma. Do t`i shohësh shejtanët sesi ikin nga frika. Do t`i shohësh njerzit që janë si të dehur. Ata nuk janë të dehur, por dënimi i Zotit është i ashpër. Atë ditë gjidhënësja do ta braktisë atë që ka për gjiri. Atë ditë do ta shohësh djalin e ri, që thinjet menjëherë”.
Në Kuran ka edhe shumë të tjera si këto. Janë momente të frikshme, por inshallah na ruan Zoti nga këto tmerre.
Fryrja e dytë e Surit është urdhri për ringjallje. Kur njerëzit të ringjallen, nuk do ta shohin gjithësinë ashtu siç është sot dhe do të çuditen. U pyet profeti (a.s) se sa është distance mes këtyre dy fryrjeve. Ai që transmetoi hadithin tha: “Dëgjova profetin të thotë 40”. E pyetën: “Çfarë janë 40? Janë ditë, javë, muaj apo vite”? Sahabiu mblodhi supet, duke nënkuptuar se nuk e mbante mend. Sidoqoftë ajo dituri është tek Zoti.
Kur jepet urdhri për fryrjen e dytë, ngjallet gjithçka. Këtu njeriu kërkon argument se si bëhet ringjallja. Njerëzit po e kuptojnë se universi po shkon drejt një fundi dhe drejt shkatërrimit.  Ata japin edhe hipoteza të ndryshme sesi do t`i vijë fundi universit, P.sh: “dielli do të fiket, do të shkatërrohet një planet, diçka do ta godasë tokën etj”. Por këta nuk besojnë se do të ketë ringjallje. Zoti është betuar disa herë se do ta bëjë ringjalljen, sepse ai që e krijoi gjithësinë për herë të parë pa ndonjë shembull, e ka shumë më të lehtë ta ribëjë atë.
Profeti (a.s) tregon se si do të ndodhë ringjallja: “Zoti jep urdhër të bjerë shi mbi tokë”. Disa dijetarë thonë, se do të bjerë shi për 40 ditë. Ky shi futet në varre. Njerëzit nuk janë më. Ata janë tretur nga toka, por diçka ka mbetur. Ajo që ka mbetur është fundi i kërbishtës. Profeti (a.s) ka thënë: “Toka tret gjithë trupin e njeriut përveç fundit të kërbishtës, prej saj është krijuar njeriu dhe prej saj do të fillojë ringjallja”. Është vërtetuar shkencërisht, se fundi i kërbishtës i ka të gjitha qelizat brenda saj dhe nga kjo pjesë mund të dalë çdo pjesë e trupit të njeriut. Prandaj nuk është çudi, që në këtë pjesë Zoti ruan sekretin e çdo njeriu. Ajo është shumë e vogël dhe nuk mund të shihet me sy.
Shiu që bie, bën që të riformohet i gjithë trupi i njeriut, tamam siç mbin bima nga toka. Kur njerëzit kan pyetur sesi bëhet ringjallja dhe kanë mohuar, Zoti u ka dhënë vetëm një përgjigje: “A nuk e keni parë tokën kur është e vdekur dhe Ne sjellim erën që lëshon shi dhe pastaj ju shikoni që jeta mbin dhe ngjallet”. Gjithmonë Zoti na ka lidhur me bimët. Shkencëtarët thonë se kjo është një lidhje e çuditshme mes bimëve kur dalin nga një tokë e tharë dhe daljes së njeriut prej varreve. Në tokë është hedhur fara. Ajo duket si e vdekur por ajo ka brenda sekretin e bimës. Vetëm një shi të bjerë dhe ajo është e gatshme ta nxjerrë bimën, të nxjerrë rrënjët, të nxjerrë kërcellin e kështu me rradhë. Zoti ka krahasuar gjithmonë mes farës së bimës dhe asaj që mbetet nga trupi i njeriut. Zoti i ka treguar njerëzve edhe në këtë dynja sesi i krijon njerëzit. Mishi përzihet me gjakun, me kockat e me dheun.
Pas kësaj jepet urdhër të hapen varret e njerëzve. Disa kanë varre, por ka të tjerë, që nuk kanë varre. Njeriu do të ringjallet në vendin dhe në formën sesi ka vdekur. Prandaj Muhamedi (a.s) ka thënë: “Mundohu ta zgjedhësh vdekjen, sepse njeriu ringjallet në formën sesi ka vdekur”. Zoti na e sjelltë vdekjen gjithmonë në punë të mira.
Pra jepet urdhër të happen varret. Personit të parë, që i hapet varri, është profeti ynë Muhamed (a.s). Trupat kanë vdekur por jo shpirtrat. Profeti (a.s) ka thënë: “Mbin trupi siç mbin qepa e njomë dhe pasi dalin nga varret, çdo shpirt kërkon trupin e vet”. Për këtë Allahu (xh.sh) ka thënë: “Kur nefset bashkohen”. Këtu e ka fjalën për bashkimin e shpirtit me trupin, pasi ai është ringjallur. Njerëzit do të ringjallen me të njëjtën pamje që kanë pasur në këtë dynja. Ndoshta trupat do të jenë ndryshe. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “A mendon njeriu se nuk do ta ringjallim atë? Po, do ta ringjallim siç ka qenë madje edhe majat e gishtave të tij”. Kjo është ajo që quhet ringjallje. Njeriu është i përbërë nga tre elemente. I pari është shpirti, i cili në momentin që trupi vdes ai shkon tek Zoti, por vetë nuk vdes. Elementi i dytë është dheu, i cili me vdekjen e njeriut kthehet përsëri në dhe`. Elementi i tretë është fundi i kërbishtës, që përmbledh në vetvete trashgiminë e këtij njeriu, çfarë gjatësie ka, si i ka flokët, si i ka sytë, të gjitha tiparet e tij. Çfarë ndodh kur bëhet ringjallja?! Shpirti ka ekzistuar nuk ka vdekur, fundi i kërbishtës është përsëri në varr dhe mbetet vetëm që dheu të kthehet në mish e në kocka, gjë që nuk është e vështirë për Allahun (xh.sh). E parë nga ky këndvështrim, ringjallja është shumë e lehtë për t`u besuar.
Profeti (a.s) ka thënë: “Njerëzit do të ringjallen atë ditë, të zhveshur (lakuriq) dhe të pa bërë synet”. Kur e dëgjoi këtë fjalë gruaja e tij, Aishja (r.a) tha: “O profet i Zotit, si ka mundësi, që do të ringjallen burrat dhe gratë bashkë të zhveshur duke shikuar njëri – tjetrin”? Atëherë profeti (a.s) ia ktheu: “Oj Aishe, problemi është më i madh nga ç`mendon ti. Nuk e ka kush mendjen atje”. Kanë ndodhur raste kur dikush ka pësuar një fatkeqësi dhe nuk e ka parë nëse është i veshur apo i zhveshur. Më vonë pasi qetësohet, shikon sesi ka qenë.
Kjo është dita, për të cilën Zoti thotë në Kuran: “Atë ditë largohet burri prej gruas, vëllai prej vëllait, fëmija prej prindit”.
Atë ditë prindi do t`i thotë fëmijës: “A nuk ta kam bërë unë kokën, a nuk të kam rritur? Unë sot kërkoj vetëm diçka prej teje. Fëmija i përgjigjet: “O baba asaj që ti ia ke frikën ti, ia kam frikën edhe unë sot. Larg meje, larg meje”. Kur njeriu ka një siklet, nuk do asnjeri që ta shqetësojë. Kjo është dita e Kijametit. Madje edhe profetët e Zotit do të thonë: “Vetja ime, vetja ime”.
Kur hapen varret, njerëzit dalin prej tyre. Imagjino sesa njerëz ka pasur kjo dynja! Ne sot themi 6 miliardë, por sa ka pasur përpara nesh e sa do të ketë pas nesh vetëm Zoti e di. Të gjithë këta njerëz do të ringjallen e bashkë me ta edhe xhindët. Kur dalin prej varreve, njerëzit shohin, që melekët i presin dhe i shtyjnë me vrap drejt një vendi. Ai vend është toka e rrafshët. Zoti thotë për këtë vend, se ai nuk ka male e as lugina, por është e rrafshët. Profeti (a.s) e përshkroi këtë duke thënë: “A e keni parë bukën e hollë, të bardhë dhe të rrafshët, që bëjnë njerëzit? Kështu është toka atë ditë”.
Hapësira që krijohet i fut frikën njeriut. Melekët i shtyjnë të gjitha krijesat drejt një vendi, që quhet Vendi i Mahsherit ose Vendi i Tubimit.
Të gjithë njerëzit do të kenë frikë. Do të çuditen besimtarët dhe jobesimtarët. Jobesimtarët nuk e kanë besuar këtë ditë dhe thonë: “Ç`po ndodh me ne? Kush na ngjalli prej varreve?” Allahu u thotë atyre: “Ju kujtohet kur Zoti ju premtonte në dynja se do të vinte kjo ditë, por ju nuk e besonit”. Atë ditë secili ec kokëulur dhe i vetëm. Askush nuk ecën në grup por vetëm dhe dëgjohen vetëm pëshpëritje: “Çfarë po ndodh me ne, Ç`po bëhet, ku është e ardhmja ime…..”.
Profeti (a.s) thotë: “Njerëzit qajnë nga frika për 70 vjet derisa iu mbarojnë lotët. Pastaj qajnë por nga sytë e tyre nuk dalin lot por gjak. Pastaj Zoti urdhëron që dielli të ulet rreth një milje mbi kokat e njerëzve. Ata kanë vapë por nuk vdesin. Ata djersisin sipas nivelit të gjynaheve të tyre. Dikush mbulohet nga djersa deri në nyjen e këmbës, dikush mbulohet deri në gju, dikush tjetër mbulohet deri në mes, dikush deri tek goja, por do të ketë nga ata, që notojnë në djersë”.
Mbizotëron një qetësi absolute. Në ato moment mbi kokat e tyre dëgjohet një zhurmë dhe të gjithë shikojnë sesi qielli çahet dhe fillojnë e zbresin krijesa, që askush nuk i ka parë me sy. Ata janë melekët e qiellit të parë. Janë të shumtë në numër. Ata vijnë dhe i rrethojnë njerëzit. Njerëzit thonë: “A është mes jush Zoti yn”? Ata thonë: “I lartësuar është Zoti ynë, Ai po vjen por nuk është mes nesh”.
Pastaj zbresin melekët e qiellit të dytë, të cilët janë më shumë se të qiellit të parë dhe i rrethojnë njerëzit duke bërë një rresht të dytë. Kështu vazhdon derisa zbresin melekët e shtatë qiejve. Kur njerëzit e shikojnë numrin e madh të melekëve të Zotit, atëherë bëhen pishman. Askush nuk flet, as njeri, as xhind, as melek.
Pastaj zbret Allahu (xh.sh) siç i takon Madhështisë së Tij e ne s`mund ta imagjinojmë me mendjen tonë. Sapo zbret Zoti i gjithësisë thotë: “O njerëz dhe xhinde! Ju premtova për këtë ditë por ju e mohuat. Shikoni sot punët tuaja. Nëse gjeni që keni bërë punë të mira, falenderoni Allahun. Nëse nuk keni bërë punë të mira, mos mallkoni tjetër përveç veteve tuaja”. Atëherë njerëzve u shtohet edhe më shumë sikleti për atë që do të ndodhë më pas.
Pastaj Zoti jep urdhër që të vijë xhehenemi. Ai vjen përpara njerëzve. E sjellin atë rreth 5 miliardë melekë. Ata tërheqin zjarrin e xhehenemit. Profeti (a.s) ka thënë: “Xhehenemi ka 70 mijë cepa. Në çdo cep ka 70 mijë melekë që e tërheqin”.
Xhehenemi është i frikshëm. Ai lëshon ulërima kur afrohet dhe kur njerëzit e dëgjojnë zërin e xhehenemit, të gjithë pa përjashtim bien në gjunjë nga frika. Po kur bie në gjunjë njeriu? Kur nuk e mbajnë këmbët.
Pasi vjen xhehenemi, Zoti ringjall kafshët. Njerëzit çuditen nga kjo gjë. Atëherë Zoti jep urdhër që të vihet drejtësia mes kafshëve. Kafshës që nuk ka patur brirë në dynja, ia jep Zoti brirët dhe ajo ia merr hakun asaj që e ka vrarë në dynja. Pasi vihet drejtësia mes kafshëve, jepet urdhri që ato të kthehen në dhe`. Kur njeriu e shikon këtë gjë thotë: “Ah sikur të isha bërë edhe unë dhe`”.
Në këtë tokë të rrafsht, ku nuk ka asnjë hije, e vetmja hije është ajo e Arshit të Zotit. Profeti (a.s) ka thënë: “Shtatë lloje njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të Zotit atë ditë që nuk ka hije tjetër përveç saj. Prej tyre janë: një prijës i drejtë, një i ri që e ka kaluar rininë e tij duke adhuruar Allahun, një njeri që e ka zemrën të lidhur me xhaminë, një njeri që e fton një grua e bukur e me pushtet për të bërë imoralitet dhe ai thotë: “Unë kam frikë Allahun”, ai njeri që jep sadaka me të djathtën e tij dhe nuk e merr vesh e majta, ata dy persona që u deshën vetëm për hatër të Allahut dhe u ndanë vetëm për hir të Tij si dhe ai njeri që e kujtoi Allahun (xh.sh) në vetmi dhe iu mbushën sytë me lot”.
Njerëzit mendojnë se çfarë të bëjnë. Atëherë ata mendojnë të kërkojnë ndihmë tek profetët e Zotit. Shkojnë tek Ademi (a.s) dhe i thonë: “O Adem. Ti je babai ynë. Zoti të krijoi ty me dorën e Tij. Ne të gjithë jemi fëmijët e tu. Ndërmjetëso tek Zoti për ne, që të bëjë vetëm llogarinë”. Ademi (a.s) ua kthen: “Kjo që thoni ju, është e vërtetë, por Zoti pasi më futi në xhenet më porositi që të mos e bëj një gjynah. Unë e bëra atë, prandaj kam hallin tim dhe nuk ju ndihmoj dot”.
Atëherë njerëzit shkojnë tek Nuhu (a.s) dhe I thonë: “O Nuh, ti që ke jetuar më shumë në dynja, ndërmjetëso tek Zoti për ne, që të na marrë në llogari”. Nuhu (a.s) ua kthen: “Unë kam bërë një dua (lutje) kundër popullit tim. Kam frikë se Zoti ma ka marrë për të madhe këtë dua. Kam frikë për veten time, prandaj nuk ju ndihmoj dot”.
Atëherë njerëzit shkojnë tek Ibrahimi (a.s), babai i profetëve, që është Halilullah – Miku i Zotit dhe i thonë: “Ti je mik i Zotit, ndërmjetëso tek Zoti për ne që të na marrë në llogari”. Ibrahimi (a.s) thotë: “Un kam thënë tre fjalë. Kam frikë se janë gënjeshtra dhe nuk kam fytyrë t`i dal përpara Zotit. Unë kam hallin tim”.
Atëherë njerëzit shkojnë tek Musai (a.s) dhe i thonë: “O Musa! Ti që ke biseduar direkt me Zotin, ndërmjetëso tek Zoti për ne”. Musai (a.s) ua kthen: “Un kam vrarë një njeri. Vërtet e vrava pa qëllim, por kam frikë nga Zoti. Nuk ju ndihmoj dot”.
Atëherë njerëzit shkojnë tek Isai (a.s) dhe i thonë: “O Isa, ty që të krijoi Zoti pa baba, ndërmjetso për ne tek Zoti”. Isai (a.s) u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë por shkoni tek ndonjë tjetër”.
Atëherë njerëzit shkojnë tek profeti Muhamed (a.s) dhe i thonë: “O i fundit i profetëve. O njeriu më i mirë që ka krijuar Allahu (xh.sh). Ndërmjetëso tek Zoti që të na marrë në llogari. Atëherë profeti (a.s) thotë: “Unë jam për këtë gjë”. Tregon vetë profeti (a.s): “Atëherë do të shkoj të bëj sexhde përpara Arshit të Zotit. Do të rri shumë gjatë në sexhde. Do të them disa dua` që sot nuk i di, por i krijon Zoti në zemrën time. Pas një kohe të gjatë do të më thotë Zoti: “O Muhamed. Ngrije kokën tënde. Kërko se do të të jap. Ndërmjetëso se do të të bëj ndërmjetës”. Atëherë ngrihem dhe them: “O Zot merri njerëzit në llogari”.
Kjo është dita e zemërimit më të madh. Është dita kur Zoti që na ka krijuar, i ka parë gjynahet tona dhe punët tona të mira dhe do të na marrë në llogari.
Llogaria nuk është me grupe, por secili do të dalë i vetëm para Allahut (xh.sh) për të dhënë llogari për punët e tij. Atyre që mendojnë se sa do të zgjasë llogaria, Zoti u përgjigjet në Kuranin fisnik: “Zoti është llogaritësi më i shpejtë”.
E lusim Zotin ta bëjë të sotmen tonë më të mirë së të djeshmen, të nesërmen më të mirë se të sotmen, ahiretin më të mirë se dynjanë. E lusim Zotin të na e shtojë besimin në botën tjetër dhe në Ditën e Kijametit. E lus Allahun (xh.sh), të Mëshirmin, të mos na trembë atë ditë, të na fusë në hijen e Arshit të Tij, të na trajtojë me mëshirën e Tij dhe jo me drejtësinë e Tij. Lus Zotin të na përfshijë me mëshirën e Tij. Zoti na mundësoftë, që profeti Muhamed (a.s) të ndërmjetësojë për ne dhe Zoti na bëftë nga banorët e xhenetit.
                                                                                                            A M I N