Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo vetposhtërimit

Shumë të rinj dhe të reja, sidomos adoleshentë, komunikojnë me mua dhe më thonë se ka çaste kur përjetojnë lumturi dhe gëzim të papërshkrueshëm. Por këto çaste janë shumë të shkurta dhe pasohen nga çaste dëshpërimi, pezmatimi dhe stresi. Si është i mundur një ndryshim kaq i shpejtë? Si është e mundur që të transformohem nga një person i lumtur në një të vuajtur brenda pak çastesh?
Ashtu si besimi që forcohet dhe dobësohet, ashtu dhe lumturia përjeton rritje dhe zbritje. Po cilat janë shkaqet që na e turbullojnë lumturinë tonë? Ku e kanë burimin këto shkaqe? A janë ato shkaqe të jashtme, apo e kanë burimin te bota e brendshme e njeriut?
Turbulluesi i katërt i lumturisë, mbi të cilin do të flasim në rreshtat në vijim, të transformon nga njeri të lumtur, në të vuajtur, të stresuar, të pezmatuar dhe të dëshpëruar.
A e do veten ti, o vëlla dhe oj motër? A ke vlerësim të lartë për veten? A të duket e shtrenjtë vetja jote?
Nëse ti o vëlla dhe oj motër keni vlerësim të lartë për veten, nuk do ta poshtëronit dhe fyenit atë. Poshtërimi është turbulluesi i katërt i lumturisë.
Në një sondazh lidhur me fjalën më të përdorur nga njerëzit gjatë telefonatave, u zbulua se ajo ishte fjala “unë”. Është në natyrën e njeriut që ta shohë veten e tij dinjitoze dhe të respektuar. Çdo njeri pret që të tjerët ta vlerësojnë dhe ta respektojnë. Prandaj mos lejo që ta ulësh veten dhe ta poshtërosh atë si në vetmi ashtu edhe para njerëzve. Çasti kur njeriu nuk e vlerëson veten, madje e poshtëron atë, i ngjan rënies së lirë së ashensorit të shkëputur nga litarët mbajtës.
Kur Zoti e krijoi njeriun, e pajisi me tre instinkte: Instinkti i të ushqyerit, instinkti i riprodhimit dhe instinkti i dinjitetit. Po çfarë do të thotë të kesh dinjitet?
Të kesh dinjitet, do të thotë të respektosh veten, të kesh vlerësim të lartë për veten, të synosh një nivel vlerësimi të lartë nga familjarët e tu, shokët dhe njerëzit e tjerë. Jo vetëm në këtë botë, por edhe pas vdekjes një njeri me dinjitet, synon të lërë pas një emër të mirë.
Dy instinktet e para, të ushqyerit dhe riprodhimi, janë për të siguruar vazhdueshmërinë e jetës mbi tokë. Por instinkti i dinjitetit dhe i të qenët krenar, përse i shërben njeriut? Përse njeriu që kur lind, lind me dëshirën për të qenë i vlerësuar? Përse Zoti e ka pajisur njeriun me këtë instinkt që kur krijoi njeriun e parë mbi tokë dhe vazhdon me çdo njeri cilado qoftë feja e tij, ngjyra e lëkurës, raca dhe mosha? Edhe fëmijët e vegjël, nëse poshtërohen dhe u cenohet dinjiteti, fillojnë të qajnë.
Përgjigja e pyetjeve të mësipërme, është: Sepse Zoti e do njeriun, sepse kështu njeriu nuk mund të devijojë nga ligjet e Zotit mbi tokë. Ky instinkt, i detyron shumë njerëz të ruhen nga veprat e ulëta si pasojë e frikës së skandalit dhe cenimit të dinjitetit. A e imagjinoni si mund të ishte jeta mbi tokë nëse njerëzimi nuk do të ishte i pajisur me këtë instinkt? Ne sot ankohemi për korrupsionin, krimet dhe veprat e liga që janë përhapur. Imagjinojeni se në çfarë nivelesh do të ishin, nëse instinkti i dinjitetit dhe i dëshirës për të qenë i vlerësuar nuk do të ekzistonte te njeriu! Prindërit ruhen nga disa vepra, pasi i frikësohen skandalit dhe turpërohen para fëmijëve. Punëmarrësit nuk pranojnë ryshfete dhe mitmarrje, pasi i druhen skandalit në media.
Nëse njeriu e poshtëron veten, qoftë dhe në vetmi, ai humbet çdo vlerësim dhe konsideratë për veten. Prandaj, poshtërimi i vetvetes, duke bërë gjynahe në vetmi apo haptazi, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivelin e lumturisë. Brenda çdo njeriu ekziston një sistem alarmi, i cili sinjalizon sa herë që ai e cenon dinjitetin e tij me vepra të liga. Në qendrat e mëdha tregtare, dyqanet kanë instaluar aparatura në mallrat e ekspozuara për t’u shitur, ku nëse dikush tenton të dalë pa paguar, menjëherë aktivizohet alarmi. Sistemi i alarmit i instaluar tek njerëzit, është pikërisht ndërgjegjja e secilit prej nesh. Në çastin kur cenojmë dinjitetin tonë me një vepër të ligë, ky alarm (ndërgjegjja) aktivizohet duke e bërë njeriun të skuqet, të djersijë, i thahet pështyma, dridhet dhe nuk e gjen dot fjalën.
 
Si e poshtëron njeriu veten?
Të gjitha gjynahet që i ka ndaluar Zoti, janë ndaluar pasi cenojnë dinjitetin e njeriut, e poshtërojnë atë. Kështu, narkomanët, poshtërojnë veten duke konsumuar drogë. Shpeshherë, që të sigurojnë të holla për të blerë drogë, ata vjedhin edhe prindërit e tyre. Pasi merr sasinë e drogës, narkomani duket dhe ndihet i poshtëruar dhe njeri pa dinjitet.
Konsumuesit e alkoolit radhiten te poshtëruesit e vetes. A i keni parë duke vjellë në mes të rrugës? A i keni parë si tallen të gjithë me ta? A i keni parë që nuk i kontrollojnë dot nevojat e tyre fiziologjike? A i keni parë që shndërrohen në qenie pa dinjitet? Unë u bëj thirrje të gjithë të rinjve që të mos bien pre e reklamave të cilat bëjnë thirrje: “Bëhu burrë dhe rrëkëlleje shishen me verë, birrë apo çfarëdo qoftë.” Nuk ka fyerje më të madhe për njeriun se të ftohet për të konsumuar gjëra që i cenojnë dinjitetin dhe burrërinë e tij.
Hajduti, që vjedh pasuritë e të tjerëve është njeriu më i ulët dhe pa dinjitet, sidomos në çastin që zbulohet. Një tregtar kishte punësuar në magazinën e tij një punëtor për t’i shitur mallin. Në fund të çdo dite e pyeste se sa kishte shitur për atë ditë. Por shitësi nuk tregohej i sinqertë, duke i dhënë shifra më të ulëta blerësish, ndërsa pjesën tjetër e merrte për vete, ngaqë dhe magazina ishte e madhe dhe nuk binte në sy. Një ditë, tregtari merret vesh me një shok të tij që të shkonte te shitësi dhe t’i kërkonte një sasi të madhe malli. Pasdite, kur të ishte dhe pronari në magazinë, të shkonte dhe t’ia kthente përsëri mallin. Dhe ashtu veproi, e bleu mallin. Pasdite shkon pronari si gjithmonë te magazina dhe e pyet shitësin se sa kishte shitur për atë ditë. Shitësi ia fsheh mallin që bleu personi, me të cilin vetë tregtari ishte marrë vesh më parë, dhe i tregon mbi disa shitje të tjera të vogla. Në atë çast futet blerësi në magazinë dhe i kërkon shitësit që t’ia kthente mallin, pasi nuk i kishte pëlqyer. Shitësi mashtrues u zbulua dhe doli i turpëruar dhe i nënçmuar me veprimin që kishte bërë.
Kurrë mos prano ta poshtërosh veten, o vëlla dhe oj motër! Në çdo hap që të hidhni, pyeteni veten nëse e cenoni dinjitetin tuaj. Ne jemi qenie gabimtare dhe unë nuk po bëj thirrje për idealizma. Por, nëse një herë e ke poshtëruar veten me diçka, mos e përsërit për së dyti. Është e palogjikshme që një person sa herë që del nga shtëpia, të rrëzohet në të njëjtën gropë.
Një i ri që ngacmon vajzat rrugës, është njeri pa personalitet dhe dinjitet. A e imagjinoni si mund të ndihet kur vajzat e ofendojnë? A e imagjinoni si mund të ndihet nëse vëllai i njërës nga vajzat e kap mat? Ndoshta mund të qajë dhe t’i lutet që ta falë se është hera e fundit.
Në një ndodhi të vërtetë, një burrë komunikonte për një vit rresht me një grua të huaj. Pas një viti, vendosën të takoheshin dhe të shiheshin, pasi nuk ishin takuar asnjëherë. Kur u takuan, mbetën me gojë hapur, pasi ishin burrë e grua. Pas këtij takimi, të dy kërkuan divorc, pasi e kishin të pamundur ta shihnin njëri-tjetrin në sy.
Nëse ka gjynahe që i vepron që prej dhjetëra vitesh, pasi ke menduar se të sjellin lumturi, jepu fund menjëherë. Kjo, pasi janë ato gjynahe shkaku kryesor i vuajtjeve të tua. Mos prano ta fyesh veten dhe të cenosh dinjitetin tënd.
Problemi kryesor me të cilin përballen sot shoqëritë tona, është se janë mësuar me vetëposhtërimin dhe nuk u bën më përshtypje. Shumë prej tyre e pranojnë ryshfetin, shumë të rinj i ngacmojnë vajzat rrugës etj... dhe nuk u bën më përshtypje nëse fyhen dhe poshtërohen.
Zoti thotë në Kuran: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.” (Isra, 70)
Ndërkohë që Zoti na ka nderuar, jemi ne ata që e poshtërojmë dhe e ulim veten me gjynahe dhe vepra të liga. Është pikërisht ky shkaku kryesor i shume vuajtjeve tona. Sa më shumë që teknologjia zhvillohet dhe përparon, aq më shumë na shtohen vuajtjet dhe stresi. Kjo, pasi njerëzit e përdorin teknologjinë për vepra të liga, të cilat veprohen haptazi. Profeti (a.s.) ka thënë: “Gjithë umetit tim do t’i falen gjynahet, përveç atyre që i veprojnë haptazi.”
Njerëz të tillë do të vuajnë si në dynja, ashtu dhe në ahiret. Në dynja, ata nuk do të jetojnë të lumtur, kurse në ahiret do të ndëshkohen me zjarr.
Nëse nuk e frenon dot veten nga gjynahet dhe veprat e liga, të cilat cenojnë dinjitetin tënd, të paktën mos i vepro haptazi, para gjithë njerëzve. Nëse nuk e ke mposhtur dot nefsin dhe shoqërohesh me një vajzë, të paktën mos bëj veprime të turpshme në rrugë ku të të shohin njerëzit.
Ti o njeri je shumë i vyer dhe i shtrenjtë te Zoti. Ti je thelbi dhe esenca e të gjitha krijesave dhe je fryti i gjithësisë.
“Për fikun dhe ullirin, për malin e Sinait dhe për këtë Qytet të sigurt (Mekën), Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer..” (Tin, 1-4)
Por kur njeriu e poshtëron veten e tij:“pastaj e çuam atë në gjendjen më të ulët.” (Tin, 5)
“E atë që e poshtëron Allahu – për shkak të veprave të liga - askush nuk mund ta bëjë të nderuar.” (Haxh, 18)
Zoti të ka krijuar nga dy përbërësit më të pastër në univers, nga uji dhe dheu. Përse e ndot veten me gjynahe dhe e poshtëron atë? Përse e cenon këtë pastërti tënden? Përse ta ulësh veten kaq poshtë?
 
Si e ruante Profeti (a.s.) dinjitetin e njerëzve?
Ditën që Profeti (a.s.) hyri në Mekë bashkë me myslimanët e tjerë, i fali të gjithë mekasit me të cilët kishte pasur fërkime dhe e kishin lënduar. Nga kjo amnisti, Profeti (a.s.) përjashtoi dhjetë persona, për të cilët urdhëroi: “Kushdo që i gjen, qoftë dhe të kapur pas mbulesës së Qabesë, t’i vrasë.” Këta kishin qenë armiqtë më të egër, të pamëshirshëm me Profetin (a.s.) dhe myslimanët. Mes tyre ishte dhe Ikrime, djali i Ebu Xhehlit. Duke e ditur se Profeti (a.s.) do ta vriste, ai ishte arratisur nga Meka drejt detit. E shoqja e tij shkon te Profeti (a.s.) dhe i kërkon ta falë Ikrimen. Profeti (a.s.) pranon t’ia falë jetën dhe ajo menjëherë niset drejt Ikrimes dhe ia mbush mendjen të kthehet në Mekë. Teksa Ikrime po hynte në Mekë dhe po afrohej me Profetin (a.s.) dhe myslimanët e tjerë, Profeti (a.s.) u drejtohet shokëve të tij me këto fjalë: “O njerëz! Po u vjen Ikrime. Unë u kërkoj të mos ia shani babanë, pasi sharja e të vdekurit lëndon të gjallin dhe nuk mbërrin tek i vdekuri.”
Kjo, edhe pse Ebu Xhehli nuk kishte lënë gur pa lëvizur për ta torturuar dhe hequr qafe Profetin (a.s.) dhe për ta shuar fenë islame.
Ndonjëherë, jemi të detyruar të marrim masa ndëshkimore për dikë, por nuk na lejohet kurrsesi ta ofendojmë dhe ta poshtërojmë. Nëse je i detyruar t’i ndëshkosh fëmijët, kurrë mos i fyej dhe mos i poshtëro ata! Kurrë mos prano ta fyesh dhe ta poshtërosh gruan tënde!
Shokët e Profetit (a.s.), deklarojnë se i dërguari i Zotit (a.s.) kurrë nuk ka vënë dorë mbi një grua apo fëmijë. Ai vetë i ndalonte shokët e tij dhe myslimanët që t’i godisnin fëmijët në fytyrë, pasi përbën poshtërim dhe cenim të dinjitetit. Fytyra është simbol i dinjitetit dhe i krenarisë.
Profeti (a.s.) edhe pse dikush nga myslimanët ndëshkohej për një faj të caktuar, kurrë nuk pranonte që ai të fyhej dhe të poshtërohej.
Thumale ibnu Ethal i përkiste fisit Benu Hanife, fis i cili kishin vrarë një nga myslimanët e Medinës. Një ditë, ai zihet rob nga një njësi ushtarake myslimane dhe dërgohet në Medinë. Profeti (a.s.) urdhëron që të lidhet në një nga shtyllat e xhamisë. Ai e vendosi në xhami, me qëllim që të mos ndihej i vetmuar dhe që t’i shihte me sy sjelljet e myslimanëve dhe komunikimin mes tyre. Çdo ditë, Profeti (a.s.) shkonte interesohej për shëndetin e tij dhe një ditë e pyeti: “Çfarë mendon se do të bëjmë me ty, pasi ke vrarë njërin prej nesh?”
Thumale ia kthente: “Nëse më vret, ke vrarë dikë që është në gjak. Nëse fal, ke falur një mirënjohës. Por nëse kërkon shpagim, të jap sa të duash.”
Profeti Muhamed (a.s.) nuk i kthen përgjigje dhe largohet. Mesa dukej kishte akoma nevojë t’i njihte myslimanët dhe Islamin.
Të nesërmen, Profeti (a.s.) shkon sërish tek ai dhe e pyet: “Çfarë mendon se do të bëjmë me ty, pasi ke vrarë njërin prej nesh?”
Thumale ia kthen: “Nëse më vret, ke vrarë dikë që është në gjak. Nëse fal, ke falur një mirënjohës. Por nëse kërkon shpagim, të jap sa të duash.”
Profeti Muhamed (a.s.) nuk i kthen përgjigje dhe largohet.
Ditën e tretë, Profeti (a.s.) shkon sërish tek ai dhe e pyet: “Çfarë mendon se do të bëjmë me ty?” Këtë herë, Thumale hesht dhe nuk flet fare. Kuptohej se ndihej i thyer dhe kishte arritur në atë pikë ku pas saj konsiderohej poshtërim dhe fyerje. Menjëherë Profeti (a.s.) urdhëron: “Lëreni të lirë Thumalen!”
Duke ndjerë se nuk u ofendua nga myslimanët dhe nuk u poshtërua, Thumale merr kalin e tij, del jashtë Medinës dhe lahet e pastrohet në një oazë. Mandej, kthehet sërish në xhaminë e Profetit (a.s.) dhe thërret me zë të lartë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.” Këtë ai nuk e bëri me ta lënë të lirë, pasi ishte njeri me dinjitet dhe krenar. Përndryshe do të thoshin se e bëri për interes.
Të njëjtën gjë bëri edhe profeti Jusuf (a.s.) me vëllezërit e tij. Kur i vajtën kokulur, i kërkuan t’i ndihmojë, ai i fali dhe nuk i ndëshkoi. Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)
Ai i ndëshkoi për atë që kishin vepruar, por nuk pranoi t’i poshtëronte dhe t’u cenonte dinjitetin.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush shkon pas të metave të njerëzve, Zoti do ta poshtërojë qoftë edhe tek oxhaku i shtëpisë së tij.”
Kurrë mos kërko të metat dhe ligësitë e të tjerëve që t’i përdorësh për t’i poshtëruar dhe për t’ua nxirë jetën. Në të kundërt, Zoti do t’i nxjerrë në shesh të metat dhe ligësitë e tua.
Kurrë mos e ul veten dhe t’u servilosesh njerëzve për para apo për poste në administratë. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush i përulet një pasaniku për pasurinë e tij, ka humbur dy të tretat e fesë së tij.”
Dy të tretat e fesë përbëjnë dinjitetin dhe krenarinë tënde. Njeriu pa dinjitet dhe fisnikëri, është shumë i ulët. Zoti i ka cekur në Kuran ata njerëz, të cilët edhe pse janë të varfër, nuk ua shtrijnë dorën të tjerëve, pasi kanë dinjitet dhe fisnikëri.
“Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur.” (Bekare, 273)
Të jesh i varfër dhe të kesh probleme ekonomike është një e keqe, por ta ulësh dhe ta poshtërosh veten janë dy të këqija. Një ndër cilësitë dhe atributet e Zotit është dhe “El-Aziz”, kuptimi i të cilit është: “Ai që nuk e pranon poshtërimin e robërve të tij. Robërit e El-Azizit nuk mund të jenë të poshtëruar dhe pa dinjitet.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur të kërkoni diçka, kërkojeni me kokën lart, pasi gjithçka ndodh sipas caktimit të Zotit.”
Nëse je i papunë dhe kërkon të punësohesh, shko dhe kërkoje me edukatë, por jo gjithë servilizëm dhe kokulur.
Thotë Ali ibnu Ebi Talib: “Për Zotin, për Zotin! Fshirja e gjithë Gadishullit me dy pupla dhe zhvendosja e dy maleve të mëdhenj, është më e lehtë se t’i përulem një të ligu.”
 
Çfarë kërkohet prej nesh?
E para, mos e ul veten me gjynahe dhe vepra të liga. E dyta, mos e ul veten nëse shkon të kërkosh diçka, por kërkoje kokëlartë.
Një njeri i varfër por me dinjitet, jeton i lumtur. Ndërkohë që një i pasur, por pa dinjitet, nuk mund të jetojë i lumtur. Mes të mirave materiale dhe lumturisë, ekziston një hapësirë ndarëse, zemra e njeriut. Nëse zemra e njeriut është e sëmurë dhe e kalbur nga gjynahet, sado të shumta të jenë pasuritë, njeriu nuk mund të jetojë i lumtur. Nëse zemra e njeriut ndihet e poshtëruar dhe e ulët për shkak të gjynaheve, t’i rrojnë milionat, diplomat, karriera dhe postet.
Prandaj, mos e ul veten me tradhti, me korrupsion dhe ryshfet. Mitëmarrësi, në çastin që pranon të zgjasë dorën dhe të marrë ryshfet, është i poshtëruar dhe i ulët. Edhe pse në shtëpi shkon me xhepat plot, në zemër ai ndihet i poshtëruar. Personi që i jep ryshfetin e kupton qartë që po ia jep një personi pa dinjitet dhe të ulët.
 
Si t’ia kthej vetes dinjitetin?
E para, të ushtrohesh për njëzet e një ditë duke u ndarë një herë e përgjithmonë nga veset e liga. Që sot, shkëputu nga gjithçka që të ul para njerëzve, para Zotit dhe para vetes tënde.
E dyta, pendohu sa më parë për gjynahet që vepron. Nëse dikush pranon ryshfete, pasi ta lexojë këtë temë le të betohet: “Për Zotin që nuk do të pranoj më ryshfete!”
Për Zotin do të jetoni të lumtur ju vetë dhe fëmijët tuaj. Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo mish që vihet me haram, meriton zjarrin.”
Nëse je djalë i ri dhe deri sot ke ngacmuar vajzat, betohu se që sot do të shkëputesh nga ky ves. Nëse deri sot ke tradhtuar bashkëshorten/bashkëshortin, betohu se do të largohesh nga kjo vepër e ligë.
E treta, mbulojua të metat njerëzve, që të t’i mbulojë Zoti ty. Nëse do t’i publikosh të metat dhe gjynahet e njerëzve, do të jetë vetë Zoti ai që do t’i publikojë të metat dhe gjynahet e tua.
E katërta, kurrë mos i vepro veprat e liga në publik dhe haptazi. Nëse e ke të vështirë të shkëputesh nga ai gjynah, të paktën ruaje veten dhe mos e vepro në publik. Mos shkruaj fjalë banale në facebook, në forume, apo kudo tjetër.
Me këtë temë, mbyllim elementin që përmban turbulluesit e lumturisë.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free