Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndërhyrja e familjes në çështjet bashkëshortore

Hyrje
 
Shumë çifte bashkëshortorë, tashmë edhe prindër, ankohen shpesh herë dhe thonë:"Nëna ime i përkëdhel dhe llaston shumë fëmijët e mi.." "Vjehra ime ndërhyn në edukimin e fëmijëve të mi me mënyra të papajtueshme me metodën që ndjek unë." "Vjehra i thyen të gjithë ligjet mbi metodën që duhet ndjekur në edukimin e fëmijëve të mi."
Të gjithë ankohen se gjyshja ndërhyn për shkak të dashurisë së madhe që ndjen për nipërit dhe mbesat. Kjo i bën fëmijët më të llastuar dhe thyen disa ligje që prindërit ndjekin në edukimin e fëmijëve të tyre.
Duke trajtuar historinë e Ismailit a.s me  babanë e tij Ibrahimin a.s, do të përmendim llojet e ndërhyrjes së familjes në edukimin e fëmijëve. Kur është pozitive kjo ndërhyrje dhe kur është negative.
 
 
Historia e Ismailit a.s dhe babait të tij Ibrahimit a.s.
 
Në koleksionin e Buharit, përmendet një hadith i gjatë, të cilin e transmeton Ibnu Abasi – Zoti qoftë i kënaqur me të – ku ndër të tjera thuhet:"Kur vdiq nëna e Ismailit a.s, Haxhereja, Ibrahimi a.s u nis të vizitojë djalin e tij Ismailin në Meke. Ai vajti tek shtëpia e tij dhe nuk e gjeti. Aty gjeti vetëm të shoqen e tij të cilën e pyeti mbi Ismailin a.s. Ajo iu përgjigj:"Ka dalë për të fituar."
Më pas, Ibrahimi a.s e pyeti mbi kushtet e jetesës dhe ajo iu përgjigj:"Jemi në hall të madh. Nuk kemi asgjë në shtëpi..."
Pasi e dëgjoi, Ibrahimi a.s i tha:"Kur të vijë Ismaili, përcilli të falat e mia dhe i thuaj të ndërrojë pragun e derës."
Kur u kthye Ismaili a.s pyeti:"A u vizitoi kush sot?"
E shoqja iu përgjigj:"Po. Ishte një i moshuar." Dhe i rrëfeu gjithçka. Ismaili a.s e pyeti:"A të porositi diçka?"
E shoqja iu përgjigj:"Po. Më porositi të të përcjell të falat e tij dhe të të  them të ndërrosh pragun e derës."
Ismaili a.s i tha:"Ai ka qenë babai im dhe më ka urdhëruar të të divorcoj. Prandaj shko tek familja jote!"
Kështu, e divorcoi të shoqen dhe u martua me një tjetër. Pa kaluar shumë kohë, Ibrahimi a.s vajti sërish t'a vizitojë Ismailin a.s në Meke, por përsëri nuk e gjeti të birin në shtëpi. Ai e pyeti të shoqen ku ishte Ismaili a.s dhe ajo iu përgjigj:"Ka dalë të fitojë."
Ibrahimi a.s e pyeti:"Si jeni në përgjithësi?"
E shoqja e Ismailit a.s, pa e njohur se kush ishte, iu përgjigj:"Jemi shumë mirë shyqyr Zotit."
Ibrahimi a.s e pyeti:"Cili është ushqimi juaj kryesor?"
Ajo iu përgjigj:"Mishi."
Ibrahimi a.s:"Po pija juaj?"
Ajo iu përgjigj:"Uji."
Ibrahimi a.s tha:"O Zot shtoje bereqetin e mishit dhe të ujit!"
Thotë profeti Muhamed a.s:"Asokohe nuk kishin në shtëpi asnjë kokër drithë. Sikur të kishin, Ibrahimi a.s  nuk do ishte lutur."
Ibrahimi a.s i tha:"Kur të vijë yt shoq, bëji selam nga unë dhe i thuaj t'a forcojë pragun e derës!"
Kur u kthye Ismaili a.s, e pyeti të shoqen:"A ishte kush sot?"
E shoqja iu përgjigj:"Po. Ishte një i moshuar, me pamje te hijshme dhe më pyeti mbi gjendjen tonë ekonomike dhe unë i thashë se jetojmë mirë."
Ismaili a.s e pyeti:"A të la ndonjë porosi?"
E shoqja:"Po. Më tha të të bëj selam dhe të porositi që t'a forcosh pragun e derës."
Ismaili a.s i tha:"Ai është babai im dhe më ka urdhëruar të të mbaj." (Buhariu 3/1227, hadithi nr 3184)
 
 
Si veprohet kur prindërit të kërkojnë të divorcosh gruan?
 
Tregon Abdullah ibnu Umer:"Kam qenë martuar me një  grua të cilën e doja shumë, kurse babai im, Umeri, e urrente. Një ditë ai më tha:"Divorcoje!" kurse unë refuzova. Babai vajti tek i dërguari i Zotit a.s dhe i tregoi. Profeti a.s më tha:"Divorcoje!" (Sunen ibnu Daud, 2/757 hadithi 5138)
Juristët muslimanë kanë mendime të ndryshme mbi atë që e urdhëron babai të divorcohet nga e shoqja. Disa prej tyre mendojnë se burri duhet t'a divorcojë gruan, nëse këtë ia kërkojnë prindërit. Disa të tjerë mendojnë se nuk duhet t'a divorcojë. Kurse rastin e Umer ibnul Hattabit e justifikojnë me faktin se është një rast specifik.
Ndërkohë, dijetari Hasen Ejub thotë se nëse bashkëshortja i keqtrajton prindërit e burrit, ose vepron gjynah duke mos u falur, duke dalë e zbuluar etj... në këtë rast duhet të divorcohet.
 
 
Llojet e ndërhyrjes së familjes në edukimin e fëmijëve
 
Ndërhyrje morale: Kjo bëhet duke stimuluar ndëshkimin ose faljen (p.sh për të parë televizionin) ose duke penguar ndëshkimin e fëmijëve nga prindërit.
Ndërhyrje materiale: Duke i dhënë fëmijëve të holla, duke i blerë makinë, duke e ndihmuar për të përballuar shpenzimet e udhëtimeve etj...
Ndërhyrje e detyruar: Kjo ndosh zakonisht kur prindërit e fëmijës ndodhen larg për shkak të angazhimeve të ndryshme. Kur njëri nga prindërit ose të dy, nuk kanë aftësi pasi vuajnë nga ndonjë sëmundje etj... ose kur babai martohet me një tjetër dhe neglizhon edukimin e fëmijëve.  
 
 
Kur konsiderohet pozitive ndërhyrja e familjarëve dhe kur konsiderohet negative?
 
Ndërhyrja pozitivie, konsiderohet e tillë kur:
- Kompenson rolin e babait ose të nënës gjatë një mungese të përkohshme ose të përhershme. Kjo mund të ndodhë gjatë një udhëtimi të gjatë të njërit prej prindërve – sidomos të babait – ku nëna e ka të vështirë t'a kontrollojë situatën e vetme. Në raste të tilla preferohet ndërhyrja e gjyshit të fëmijëve.
- Ndihma e ofruar nëpërmjet ofrimit të përvojës dhe prezantimi me zakonet dhe traditat e shoqërisë. Kjo, duke u mësuar fëmijëve vlerat islame, namazin, mënyrën si të sillen me shokët etj...
- Nëpërmjet udhëzimeve, orientimeve dhe ndërgjegjësimit kulturor.
- Ndihma e ofruar prindërve, duke korrigjuar gabimet e tyre me të butë.
- Pajtimi mes prindërve dhe fëmijëve dhe rikthimi në shtëpi, i fëmijëve të frikësuar nga ndëshkimi i prindërve.
 
Kurse ndërhyrja negative ndodh kur:
- Thyhen vendimet e prindërve në praninë e tyre ose gjatë mungesës. P.sh, kur babai e këshillon fëmijën të mos qëndrojë gjatë para televizionit, kurse gjyshi ndërhyn dhe i thotë:"Lëre djalin/vajzën të qetë! Viti shkollor është i gjatë dhe ka kohë për të mësuar." Ose kur gjyshi/gjyshja ia thotë:"Babi nuk është këtu tani, prandaj luaj dhe argëtohu si të duash!"
- Ofendimi i prindërve nga gjyshi/gjyshja, në sytë e fëmijëve.
- Dallimi në komunikim mes fëmijëve dhe prindërve të tyre.
- Në rast të ndonjë konflikti mes prindërve dhe fëmijëve, gjyshërit përpiqen të ndërmjetësojnë. Ndonjëherë fëmijët veprojnë gjëra për të cilat duhen kritikuar dhe ndëshkuar. Në raste të tilla, ndërhyjnë gjyshërit ose njëri prej tyre duke u përpjekur t'a ndalojë babanë me fjalët:"E çfarë bëri?! Diçka e vogël është!"
- Duke i nxitur prindërit të jenë më të ashpër me fëmijët, duke u thënë:"Mos i llasto kaq shumë fëmijët! Ata duhen rrahur dhe ndëshkuar kur gabojnë! Ti duhet të jesh i ashpër, që të të respektojnë...!"
- Nxitja e nipërve të rebelohen ndaj vendimeve të prindërve. Kjo mund të ndodhë p.sh në rast se gjyshi niset në udhëtim dhe nipërit duan të shkojnë me të. Duke parë se babai refuzon, gjyshi ndërhyn dhe u thotë fëmijëve fshehurazi:"Ejani dhe mos kini frikë nga babai! E çfarë do bëjë nëse vini?!" Me këtë, ai i mëson të mos u binden prindërve, duke ulur personalitetin e tyre.
 
 
Ebu Bekri dhe ndërhyrja e tij pozitive
 
Aisheja, gruaja e Profetit a.s dhe vajza e Ebu Bekrit, u akuzua për tradhëti bashkëshortore. Në fillim, Aisheja nuk dinte gjë mbi akuzat dhe shpifjet që kishin filluar të përhapeshin mes banorëve të Medines. Kur dëgjoi mbi atë që thuhej, u shokua. Tregon ajo vetë:"Me të dëgjuar mbi shpifjet që ishin thurrur, u ktheva në shtëpi, duke mos i kushtuar aspak rëndësi problemit për të cilin kisha dalë. E dëshpëruar, i thashë të dërguarit të Zotit:"Më ço në shtëpinë e babait!" Ai më dha një shërbëtor për të më shoqëruar dhe kështu shkova në shtëpinë e babait. Me të hyrë në shtëpi, e gjeta nënën në katin e parë, ndërkohë që babai – Ebu Bekri – po lexonte mbi taracën e shtëpisë. Nëna më tha:"ç'e mirë të solli i bija ime?"
Unë i tregova mbi atë që më kishin dëgjuar veshët. Duke dashur të më qetësojë, më tha:"Mos u merakos o bija ime! Për Zotin që çdo grua e bukur si ty, të cilën e don burri, do të xhelozohet nga shemrat e saj."
Unë e pyeta:"Po babai a din gjë?"
Nëna më tha:"Po."
Unë e pyeta sërish:"Po i dërguari i Zotit a.s?"
Ajo u përgjigj:"Edhe ai e din."
E mërzitur në kulm për ato që thuheshin shpërtheva në të qara. Ebu Bekri, duke dëgjuar zërin dhe të qarat e mia zbriti poshtë dhe e pyeti nënën:"çfarë ka?" Nëna iu përgjigj:"Ka dëgjuar mbi shpifjet dhe akuzat që janë thënë." Duke parë gjendjen time, edhe babai shpërtheu në të qara dhe me ngashërime më tha:"O bija ime! Kthehu në shtëpinë bashkëshortore!" dhe unë u ktheva..." (Buhariu 4/1780, hadithi nr 4479)
Më vonë, Zoti shpalli ajete në Kuran me anë të cilave deklarohet qartë pafajësia e Aishes dhe dënohen ata që shpifën dhe e akuzuan pa të drejtë.
Në ngjarjen e mësipërme, vërejmë që Ebu Bekri i kërkoi me këmbëngulje vajzës së tij të kthehet në shtëpinë e bashkëshortit të saj. Kjo, pasi duke qëndruar në shtëpinë e prindërve, fjalët e njerëzve do të shtoheshin edhe më shumë dhe problemi do të merrte përmasa të tjera, pasi njerëzit do mendonin se Profeti a.s e ka divorcuar Aishen.
 
 
Statistika mbi ndërhyrjen e gjysheve në edukimin e nipërve
 
Pyetëm bashkëshortet mbi mënyrën si ndihen kur vjehra e saj ndërhyn në edukimin e fëmijëve dhe u pa se 55 % e bashkëshorteve nuk e kundërshtojnë, kurse 34 % e tyre ndihen keq nga kjo sjellje.
Gjithashtu, pyetëm nënat, mbi reagimin e nuseve të djemve në rast të ndonjë ndërhyrjeje të tyre në edukimi ne nipërve dhe u pa se 79 % nga nuset nuk e kishin problem. Kurse vetëm 17 % ndiheshin keq.
Kur i pyetëm nënat e fëmijëve, nëse kishin të drejtë të ndërhynin në edukimin e nipërve dhe mbesave, u zbulua se 66 % mendojnë se është e drejtë e tyre të ndërhyjnë në edukimin e nipërve dhe mbesave. Sipas tyre, përderisa kanë arritur të edukojnë fëmijët e tyre, përse qenka e pamundur të edukojnë dhe nipërit dhe mbesat?!
Kurse 19 % e këtyre nënave u përgjigjën "Ndonjëherë". Sipas tyre, vetëm ndonjëherë e shohin si të drejtë dhe të arsyeshme të ndërhyjnë, sidomos nëse ndonjëri nga prindërit është i ashpër me fëmijët.
Gjyshet që mendonin se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në edukimin e nipërve ishin vetëm 15 %. Ato e lidhnin këtë me ndryshimin e kulturës, angazhimet e përditshme dhe mos dëshirën për të ndërhyrë. (Revista "Ferha" nr 5, fq 37-39)
 
 
Përfundim
 
Padyshim që gjyshi dhe gjyshja, duke gjykuar lidhjet e forta me nipërit dhe mbesat, radhiten në krye të listës së kontribuesve në edukimin e fëmijëve. Sado qofshin anët negative dhe pozitive të ndërhyrjes së tyre, ne duhet t'a konfirmojmë se prioriteti i bindjes përsa i përket burrit, fillon nga nëna, pastaj babai pastaj bashkëshortja. Kurse përsa i përket gruas, fillon nga burri i saj, nëna dhe pastaj babai. Ne mendojmë se është e dobishme organizimi i mbledhjeve familjare, në të cilat të diskutohet lirshëm, edhe ndërhyrjet e të afërmve në jetën bashkëshortore. Nuk duhet të harrojmë që dy bashkëshortët të përfitojnë nga eksperienca e gjatë e prindërve të tyre në jetë. Një konkluzion të tillë, e nxjerrim nga historia e Ismailit a.s në marrëdhëniet që kishte me të atin, Ibrahimin a.s.