Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Unë jam Tigri

Një ditë, lepurushi i vogël doli për herë të parë nga strofka, në kërkim të ushqimit, por pasi i kishte marrë leje mamit. Në rrugë e sipër, ai e pyeti veten: Kurrë nuk do e harroj këshillën e mamit; Të plotësoj nevojat e mia dhe të mos sulmoj askënd.

 

Rendja lart e poshtë nëpër pyll, mes pemëve të larta, luleve të bukura dhe bimësisë pa fund, e mrekulloi. Panorama e mrekullueshme e bëri të ndihej i sigurt dhe kështu vazhdonte të çajë rrugën nëpër barishte.

 

Diku pranë një gëmushe, ai dalloi një kope dhelprash që luanin dhe hidheshin përpjetë të gëzuara. Ai u afrua me qetësi dhe kreu i kopesë e pyeti menjëherë:”Kush je ti?”

 

Krejt i çuditur nga kjo pyetje të cilën nuk e priste, lepuri ia ktheu:”A nuk më njeh?!”

 

Kryetari i kopesë së dhelprave ia ktheu:”E si të njoh, ndërkohë që s’të kam parë kurrë?!”

 

Gjithë siguri, lepuri i tha:”Unë jam tigri.”

 

Kryetari i kopesë së dhelprave ia nguli sytë sikur dëshironte të zhbirojë diçka të panjohur. Mandej, pasi u tërhoq pak, me vete mendoi:”Nëse nuk do të ishte me të vërtetë tigri i guximshëm dhe i fuqishëm, nuk do ia mbante ti avitej kopesë tonë të madhe dhe të sfidonte fuqinë tonë.” Mandej, ai iu afrua pjesës tjetër të kopesë dhe i vuri në dijeni për rrezikun që i kanosej të gjithë tufës. Ai u kërkoi t’ia mbathnin dhe të shpëtonin nga kthetrat e kësaj egërsire, për fuqinë e së cilës kanë dëgjuar kushedi sa histori e bëma. Kështu, të gjithë ia dhanë vrapit, duke e lënë lepurin të vetëm.

 

Lepuri, u hodh përpjetë për disa minuta, u argëtua dhe u dëfrye, por nuk harroi as të ushqehej me bimët e freskëta që i ofronte pylli dhe livadhet e tij. Mandej, vazhdoi udhën i mrekulluar nga panorama dhe madhështia e pyllit.

 

Pasi kishte përshkuar një distancë të shkurtër, ai u gjend përballë një kopeje drerësh pranë një liqeni. Ai iu afrua tufës me qetësi dhe guxim, gjë e cila i befasoi drerët. Menjëherë, kreu i tufës brofi dhe duke u afruar e pyeti lepurin:”Po ti, kush je që i afrohesh oazës së drerëve?!”

 

Lepuri ia ktheu:”Unë jam tigri.”

 

Këto fjalë ishin të mjaftueshme për ti kallur datën kryetarit të drerëve, i cili menjëherë njoftoi tufën për rrezikun që i kanosej nga kjo bishë e egër dhe u kërkoi të marrin arratinë. Të gjithë drerët e drenushat ia dhanë vrapit duke e lënë lepurushin sërish vetëm. Pasi pushoi pak në atë oazë që të lindte pa mend, lepurushi mori rrugën e kthimit për në shtëpi. Por, gjatë rrugës, ai u ndesh me një bishë të madhe dhe të frikshme, e cila i kaloi përbri. Lepurushi e përshëndeti me qetësi dhe vazhdoi në të tijën. Bisha mbeti gojëhapur nga ky reagim. Një lepurush i vogël, sapo kishte kaluar pranë tij dhe as që kishte shfaqur shenja frike. Përse nuk ishte frikësuar prej tij?!

 

Bisha u kthye dhe pasi e arriti lepurushin e mjerë, u përgatit ta qëllojë fort me putrën e tij të fuqishme, por e mbajti veten. Me vete mendoi: Jo. Para se ta shpie në botën tjetër, dua të zbuloj sekretin e guximit dhe trimërisë së tij. kështu, bisha i kërkoi lepurit të qëndrojë dhe ashtu veproi. Ai i hodhi një vështrim gjithë respekt bishës së egër dhe e pyeti se çfarë dëshironte prej tij dhe përse e kishte ndjekur. Bisha e egër nuk i ktheu përgjigje, por e pyeti i zemëruar:”Kush je ti more i mjerë?!”

 

Gjithë krenari dhe gjithë besim se kjo bishë bezdisëse do ia mbathe siç bënë kopetë e dhelprave dhe drerëve, lepurushi iu përgjigj:”Unë jam tigri.”

 

Kjo përgjigje u pasua nga një e qeshur ironike nga ana e bishës, e cila aty për aty ia priti:”Po a e di kush jam unë vogëlush?!”

 

Lepurushi i tha:”Unë nuk njoh askënd në këtë pyll.” Bisha e pyeti:”Po tigrin, a e njeh?”

 

Lepurushi ia ktheu plot besim:”Unë jam tigri.”

 

Bishën e çuditi besimi i tepruar i lepurushit dhe e pyeti:”Kush të ka thënë se je tigri?”

 

Lepurushi iu përgjigj:”Më ka thënë mami. Madje ajo më ka mësuar që ti respektoj dhe të sillem mirë me të tjerët.”

 

Bisha tundi kokën dhe i tha:”Mirë, le të shkojmë tek mamaja jote!”

 

Të dy ndoqën rrugën derisa mbërritën në shtëpinë e lepurushit. Kur e ëma pa vogëlushin e saj me kë shoqërohej, e pushtuan drithërimat dhe me vete mendoi:”Po na bën gropën!”

 

Lepurushi, duke i bërë me shenjë nga e ëma, i tha bishës:”Ja, kjo është mami im.”

 

Bisha e pyeti të ëmën:”Përse i ke vënë vogëlushit tënd ketë emër?!

 

Nëna e lepurushit u drodh e tëra dhe shpërtheu në të qara. Sakaq, lepurushi nuk e kuptonte atë sjellje të çuditshme të mamit dhe nuk dinte si ti komentojë lotët që i rridhnin çurg. Por bisha ia ndërpreu këto mendime me një pyetje të dytë:”Përse i ke vënë vogëlushit tënd këtë emër?!”

 

Lepuri nënë u përgjigj:”Nga dashuria që kemi për ty o tigër zemërmirë. Nuk gjeta asnjë emër më të bukur për djalin tim, sesa emrin tënd të vyer.”

 

Mandej, lepurushi i rrëfeu nënës dhe tigrit të madh, gjithçka i kishte ngjarë me kopenë e dhelprave dhe të drerëve. Atëherë ai e kuptoi nga nëna e tij përse ia kishin mbathur drerët dhe dhelprat. Kjo ndodhi i pëlqeu dhe tigrit, i cili e pranoi justifikimin e kësaj nëne të zgjuar. Lepurushi dhe e ëma e falënderuar përzemërsisht tigrin për faktin se ai u kishte premtuar miqësi të përhershme.

 

Nëna e lepurushit i tha:”Nëse nuk do të ishte emri yt i bukur, i cili manifeston edhe forcë, do ma kishin vrarë vogëlushin tim.”

 

Tigri i kuptoi ndjenjat e kësaj nëne e cila e donte fort vogëlushin e saj dhe që njëkohësisht e vlerësonte dhe forcën e tigrit.

 

Para se të merrte rrugën e kthimit, tigri i tha:”Të lumtë! Unë do të jem gjithmonë gati për tu ndihmuar.”

 

Lepuri nënë e falënderoi tigrin për mirësjelljen, mandej e përqafoi fort vogëlushin e saj, teksa ndiqte tigrin duke hyrë në pyll.

 

Lëre besimin në vete në kufijtë e tij dhe mos refuzo asgjë që e forcon këtë besim. 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free