Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kurani erdhi për të trajtuar “Unin” negativ dhe të ndërtojë një tjetër pozitiv

Shejh Selman Aude, gjatë një emisioni televiziv, citoi se fjala “Unë” është cekur 66 herë në Kuran, ku 60 herë është përmendur në kontekstin pozitiv.

Ai tha se “Uni”, është pozitiv nëse e pranon fajin, mban përgjegjësitë dhe flet për mirësitë e Zotit, siç e shohim dhe në një hadith, ku Profeti a.s i pyeti një ditë shokët e tij:”Kush prej jush është gdhirë agjërueshëm sot?” Ebu Bekri tha:”Unë.” Profeti a.s pyeti:”Kush ka përcjellë një xhenaze sot?” Ebu Bekri u përgjigj:”Unë.” Profeti a.s pyeti:”Kush ka dhënë sadaka sot?” Ebu Bekri tha:”Unë.” Profeti a.s pyeti:”Kush ka vizituar ndonjë të sëmurë sot?” Ebu Bekri tha:”Unë.” Atëherë Profeti a.s shtoi:”Nëse këto katër vepra veprohen nga dikush brenda një dite, ka fituar xhenetin.”

Më tej, dr Aude u shpreh se “Unë” nuk është diçka negative në mënyrë absolute, pasi vetë Profeti a.s lutej:”Kërkoj ndihmën Tënde o Zot, nga sherri i vetes time!” Shohim që ai nuk thotë:”Kërkoj ndihmën tënde o Zot nga vetja ime”

Sipas tij, “Uni” përgjegjës është ai që përfshin besimin në vetvete, gatishmërinë dhe mesataren, është “uni” që i beson Zotit të lartësuar, që pranon mangësitë e vetes, që kërkon falje nga gabimet... prej kujtdo qoftë, bashkëshorti apo bashkëshortja, eprori apo vartësi, i vogli apo i madhi, i thjeshti apo sovrani.

Uni i refuzuar

Ai tha se “uni” negativ është ai në rastin e shejtanit i cili tha “Unë jam më i mirë se ai” Madje, ai ia atribuoi humbjen dhe devijimin Zotit, duke i thënë:”Meqë më çove në humbje dhe devijim...” Sakaq, Ademi a.s thoshte:”Zoti ynë ne i bëmë padrejtësi vetes tonë”. Dallimi mes dy egove duket i qartë në këto dy ajete.

Fjala “Unë” është ndër fjalët më të shpeshta që shqipton gjuha jonë, aq më tepër që askush prej nesh nuk mund të bëjë pa të, edhe pse është shumë e rëndësishme reduktimi i saj.

Të duash veten

Shejh Aude nuk e konsideron dashurinë për veten si diçka të dënueshme në vetvete, pasi vetë Profeti a.s thoshte:”Duaji vëllait atë që do për vete!” E dënueshme bëhet kur i kapërcen kufijtë, si në çdo gjë tjetër në jetë.

Kundërshto të bëhesh i njohur

Ai tërhoqi vëmendjen se disa persona, për tu ndjerë të vetrealizuar, dalin kundër të gjithëve, duke mos u konfirmuar me ta në çdo gjë. Ata e bëjnë këtë thjesht për tu dukur dhe për tu njohur, pasi e ka të pamundur vetaktualizimin në mënyrë pozitive. Kështu, ai ndjek linjën kundër rrymës. Veçse kjo, mund të përdoret ndonjëherë kundër kujtdo që sjell një frymë të re, një ide, mendim dhe perceptim të ri, siç u ndodhi profetëve dhe të dërguarve të Zotit, si dhe reformatorëve në çdo kohë dhe vend.

Të njohësh veten

Dr Aude foli dhe mbi rëndësinë e njohjes së vetes, gjë e cila fillon që nga fëmijëria e hershme. Teksa foshnja dëgjon zërin e prindërve që shqiptojnë emrin e tij plot dashuri e dhembshuri, zë e kupton se ata i drejtohen pikërisht atij, dhe se emri i tij është Muhamed psh. Më pas, ai fillon të kuptojë se cilës gjini i përket, me cilën fe dhe etni identifikohet etj...

Disa njerëz, në vend që tu shtohet informacioni mbi veten sa më shumë që rriten, në fakt vetja u duket më misterioze dhe enigmatike. Është shumë e rëndësishme që njeriu ta njohë veten, pasi brenda secilit prej nesh gjenden thesare të çmuar dhe potenciale të mëdha, me të cilat na ka pajisur Zoti dhe Krijuesi ynë.

Është shumë e rëndësishme që njeriu ta vëzhgojë dhe mbikëqyrë veten, në vend që të mbikëqyrë të tjerët, gjë e cila arrihet nëpërmjet vetmisë, nëpërmjet miqve të cilët janë si pasqyra, ku njeriu pasqyron të mirat dhe të këqijat e tij, nëpërmjet leximit etj...

Vetmia e vërtetë është ajo që shoqërohet me ibadet, siç ndodh gjatë itikafit në Ramazan, apo gjatë pjesës së fundit të natës. Njeriut i mjafton qoftë dhe një orë në natë vetmi për tu larguar nga zhurmat e jetës duke u izoluar vetëm me veten e tij.

Aude ceku dhe një thënie të Sufjan Theurij, i cili thotë:”Kush njeh veten e tij, është i qetë.” Kjo, sepse këtij njeriu nuk i bëjnë përshtypje lavdet e njerëzve, ashtu siç nuk i bëjnë përshtypje sharjet dhe akuzat e tyre, sepse si lëvdatat ashtu dhe sharjet mund të mos i meritojë.

Ai tha se “uni” negativ i ngjan qelizave kanceroze, të cilat nëse shtohen lipset një ndërhyrje kirurgjikale për të shkulur, në të kundërt e marrin në qafë njeriun. Siç thonë dhe studiuesit, narcisismi, është një ndër çrregullimet më të rënda që prekin njeriun. Ata që vuajnë nga ky çrregullim, i sheh të flasin me dhe pa vend mbi arritjet e tyre.

Ai shtoi se çdo arritje dhe vepër e mirë, nuk duhet të çojë në vetëpëlqim, por thjesht të forcojë besimin tek vetja, pasi njeriu e di mirë se dhuntitë e tij janë prej Zotit. Njeriu duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’ia atribuojë çdo arritje Zotit dhe ta falënderojë Atë për bukurinë, familjen, pasurinë, fëmijët dhe suksesin. Një ndër mirësitë më të mëdha është forca e personalitetit për tu përballur me fukarallëkun, sëmundjet, dështimin, privimin etj... Është forca e personalitetit ajo që e bën njeriun të durueshëm dhe të aftë për tu përballur me sfidat.

Maskat

Sipas Aude, çdo njeri ose më mirë të themi shumica e tyre, përdorin maska, duke e vështirësuar njohjen dhe prezantimin e tij me veten. Ata ua bëjnë të vështirë dhe të tjerëve që ti njohin.

Terapia me Kuran

Ai sqaroi se Kurani ka ardhur për ta trajtuar “Unin” e prishur dhe të sëmurë, për të formuar një “Un” pozitiv. Surja e parë që iu shpall Profetit a.s në Kuran, është surja Alek, ku që në fjalën e parë bëhet thirrje për të lexuar, gjë e cila është një nga format e njohjes dhe edukimit të unit. Veç kësaj, vetë fakti që menjëherë pas fjalës “Lexo” vjen “me emrin e Zotit tënd”  tregon se leximi dhe lidhjet me Zotin, janë mënyra më e mirë e trajtimit të egos. Njeriu që largohet nga Zoti, bëhet kapriçioz dhe mendjemadh, duke adhuruar veten në vend të Zotit. Sakaq, ai që njeh Zotin, njeh dhe veten, është i qetë dhe bën jetë të lumtur.

“i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!” Këtu, njeriut i bëhet thirrje për të pasur ndërmend zanafillën e vet të parë.

“Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh” i kujtohet njeriut se gjithçka që posedon, është nga Zoti.

“Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” Në këtë kontekst, flitet për shpërthimin e unit dhe vetëpëlqimin e tij. Prandaj, më poshtë atij i kujtohet vdekja “Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” Ashtu siç i kujtoi zanafillën e tij, i kujton dhe fundin dhe pafuqinë e njeriut për ta ndryshuar.

“Bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” është thirrje për edukimin e unit dhe vetdisiplinimit nëpërmjet adhurimit të Zotit, pasi momenti kur robi është më pranë Krijuesit, është në sexhde.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free