Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Preferenca mes femijeve

Hyrje
 
Të preferosh disa fëmijë nga të tjerët, të mos i trajtosh në mënyrë të barabartëtë gjithë, të bësh dallime mes tyre etj… mund të shkaktojë armiqësi mes tyre, urrjejtje, inat, xhelozi dhe prish lidhjet vëllazërore mes tyre.
Cilido qoftë shkaku i preferencës, fëmijët e tjerë nuk do e përceptojnë dot siç duhet. Ata do e luftojnë vëllanë e preferuar, madje kjo armiqësi mund të shfaqet edhe ndaj prindërve.
Diçka të tillë do e shohim të konkretizuar tek historia e Jusufit a.s me vëllezërit e tij. Ne do të flasim mbi rëndësinë e barazisë mes fëmijëve, format e preferencës dhe pasojat e saj.
 
 
Historia e Jusufit a.s me vëllezërit
 
Zoti i Madhëruar, na flet në Kuran mbi vëllezërit e Jusufit a.s dhe reagimin e tyre kur panë se Jusufi a.s ishte i preferuari i babait.
"Vëllezërit e tij thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon. Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë”. Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin, por hidheni në fund të ndonjë pusi; do ta marrë ndonjë karvan; nëse përnjëmend doni të bëni diçka me atë”. (Jusuf, 8-10)
Jusufi a.s dallohej nga vëllezërit e tij për mprehtësinë dhe hijeshinë fizike. Babai i tij Jakubi a.s, e kishte pikasur diçka të tillë tek djali më i vogël. Për këtë, ai tregonte një farë përkushtimi dhe përkujdesi të madh ndaj Jusufit a.s. Në fakt, përkushtimi, dashuria dhe përkujdesja ishte për të gjithë djemtë e tij. Këtë e gjejmë të shpalosur më mirë në fjalët:" “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë"
Ata nuk e mohuan faktin se babai i donte, por ishin kundër dallimit dhe preferencës që babai i tyre bënte për Jusufin a.s.
Zoti i madhëruar tregon një kujdes më të madh për profetët dhe të dërguarit e Tij dhe Jusufi a.s ishte njëri prej tyre.  Babai i Jusufit a.s, Jakubi a.s, dalloi tek djali i tij cilësi dhe virtyte të rralla, të cilat nuk gjendeshin tek vëllezërit e tij. Veç kësaj, nëna e Jusufit a.s dhe e Benjaminit, kishte vdekur, gjë e cila e shtonte dashurinë dhe përkujdesjen e Jakubit a.s për të dy. Ëndrra që pa Jusufi a.s dhe që ia rrëfeu babait të tij, e përforconte intuitën e Jakubit a.s për një të ardhme të ndritur të Jusufit a.s. (Ruhul Meani, Alusi 2/190)
Por fëmijët e tjerë nuk i dhanë të drejtë babait për përkujdesjen dhe dashurinë e madhe që ndjente për Jusufin. Madje ata e paragjykuan dhe e akuzuan për njëanshmëri. Në vend që t'a donin dhe të përkujdeseshin për të, ata filluan t'a trajtojnë me ashpërsi, e urrenin dhe ishin xhelozë.
Zoti i kishte fshehur Jusufit a.s një të ardhme të ndritur, mbi të cilën nuk dinte gjë as Jusufi dhe as babai i tij. Ëndrra që pa Jusufi a.s, ishte një sinjal i largët për të ardhmen e tij. Jakubi a.s, duke ditur natyrën e vëllezërve të Jusufit a.s, urrejtjen dhe xhelozinë që u kishte pushtuar zemrat, e urdhëroi Jusufin a.s t'a mbajë të fshehtë ëndrrën. Nëse do ua tregonte dhe vëllezërve, urrejtja e  tyre, xhelozia dhe smira do u shtohej më shumë.
Jusufi a.s ka vuajtur shumë për shkak të dashurisë. Fillimisht, vuajti nga vëllezërit e tij, të cilët deshën t'a eleminojnë fizikisht, por në fund e hodhën në një pus në shkretëtirë. Kurse herën e dytë, po për shkak të dashurisë, u burgos për disa vite.
Dashuria, aq sa është e bukur dhe e këndshme, është dhe e dhimbshme. Ajo është e verbër dhe është bërë shkak i shumë problemeve që kanë arritur deri në vrasje. Në fund, Zoti e mbrojti Jusufin a.s nga e keqja dhe e shpërbleu për durimin dhe devotshmërinë e treguar prej tij.
Periudhën kur iu shpall Profetit a.s surja Jusuf, dijetari i mirënjohur Sejid Kutb e ka quajtur "Periudha kritike". Kjo periudhë shtrihet që pas bojkotit që u bënë mekasit muslimanëve dhe Profetit a.s deri në marrëveshjen e parë të Akabesë dhe më pas të dytës. Gjatë kësaj periudhe, keqtrajtimet, torturat dhe lufta kundër Profetit a.s dhe muslimanëve kishin arritur kulmin. Ata që vuanin më së shumti ishin muslimanët e dobët dhe pa përkrahje. Atmosfera dukej shumë e rënduar dhe muslimanët pyesnin shpesh herë:"A do të përfundojnë një ditë këto vuajtje?! Kur do të vijë ndihma e Zotit?!"
Gjatë kësaj periudhe, Zoti i shpalli Profetit a.s disa sure, me qëllim që t'u japë zemër muslimanëve dhe t'i pregatisë për rreziqet që i rrethojnë. Nga këto sure ishin: Surja Junus, En'am, Hud, Hixhr dhe surja Jusuf. (Fi dhilal Kur'an, Sejid Kutb 4/1949)
 
 
Disa lloje barazie mes fëmijëve
 
1 – Barazia në puthje.
Transmeton Enesi se një burrë ishte ulur me Profetin a.s dhe në një moment vjen një djalë i vogël, të cilin burri e mori, e puthi dhe e uli në prehër. Më pas vjen vajza e tij, të cilën ai e mori dhe e uli përbri. Profeti a.s ndërhyri dhe i tha:"Nuk i trajtove në mënyrë të barabartë!" (Shuab el-iman, El-bejhakij, 6/410, hadithi nr, 8700)
2 – Mos ndëshkimi i fëmijës që nuk respekton prindërit.
Nuk është transmetuar asnjë hadith nga i dërguari i Zotit a.s, që tregon se ai ka urdhëruar të ndëshkohet fëmija mosprespektues ose t'i mohohen të drejtat. Madje, ai ka urdhëruar për barazi mes fëmijëve, të bindur qofshin ose jo. Transmeton Numan Beshir – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguar i Zotit a.s ka thënë:"I trajtoni fëmijët në mënyrë të barabartë! I trajtoni fëmijët në mënyrë të barabartë! I trajtoni fëmijët në mënyrë të barabartë!" (Musned Ahmed 4/278, hadithi nr 18475)
3 – Jo mallkimit të fëmijëve.
Thotë Profeti a.s:"Mos e mallkoni veten! Mos i mallkoni fëmijët tuaj! Mos e kërkoni (me mallkime) orën që Zoti e pranon lutjen tuaj!" (Muslim, 4/2304, hadithi nr 3009)
4 – Jo çdo lloj dallimi të dukshëm mes fëmijëve.
Transmeton Siri ibnu Jahja se Umer ibnu Abdul Azizi përqafoi një ditë njërin nga djemtë e tij të cilin e donte shumë. Më pas i tha:"O biri im! Për Zotin që të dua shumë, por nuk mund të të dalloj nga vëllai yt qoftë dhe me një kafshatë të vetme." (Ibnu Ebi Dunja, në librin "Fëmijët" 1/176)
 
 
 
A është e domosdoshme edhe barazia në dhurata?
 
Transmeton Numan ibnu Beshir ibnu Sad – Zoti qoftë i kënaqur me të – se babai i tij, vajti tek i  dërguari i Zotit a.s dhe i tha:"Unë i dhurova djalit tim një skllav."
Profeti a.s e pyeti:"A të gjithë fëmijëve u ke dhënë një dhuratë të tillë?"
Babai iu përgjigj:"Jo."
Profeti a.s ia tha:"Atëherë merrja sërish dhuratën djalit!"
Kështu, barazia në dhurata dhe dhënie është diçka e kërkuar sipas haditheve të Profetit a.s. Por dijetarët dhe juristët muslimanë kanë mendime të ndryshme mbi faktin nëse barazia është obligative apo diçka e pëlqyer.
Sipas mendimit tim, barazia në dhurata është obligative. Vetëm kështu arrihet drejtësia për të cilën na ka urdhëruar Zoti dhe i dërguari i Tij. Aq të holla sa i jepet djalit, duhet t'i jepet dhe vajzës, pasi fjala "fëmijë" vlen si për djalin ashtu dhe për vajzën.
Por nëse dallimi bëhet për një arsye tjetër – përveç dashurisë dhe lidhjes – ndryshon çështja. Në librin El-mugni thuhet:"Nëse prindërit e trajtojnë ndryshe njërin nga fëmijët, për arsye të pranueshme, kjo lejohet. P.sh nëse është i verbër dhe i sëmurë ose nëse është student. Këtu hyn dhe forma tjetër, ku njëri nga fëmijët privohet dhe ndëshkohet nga shpenzimet ditore për shkak se i shpenzon në haram etj... Vetë imam Ahmedi e lejonte një dallim të tillë." (El-mugni, Ibnu Kudame, 5/388)
Gjithësesi, sipas meje drejtësia dhe barazia ëshë më e mirë. Nëse prindërit janë të detyruar t'a diferencojnë njërin nga fëmijët, është mirë që fëmijët e tjerë të vihen në dijeni mbi shkakun. Kjo bëhet me qëllim që të mos u japë shans atyre të paragjykojnë, të mendojnë negativisht dhe të xhelozojnë. Transmeton Amr ibnul As, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:"Njerëzit e drejtë do të jenë mbi podiume prej drite në të djathën e vetë Zotit të Gjithëmëshirshëm. Njerëz të tillë janë ata që zbatonin drejtësinë në vendimet e marra, në familje dhe me vartësit."  (Muslim 3/1458, hadithi nr 1827)
 
 
Format e dallimit
1 – Mes vajzave dhe djemve dhe kjo bëhet duke bërë dallime emocionale, me prekje, përkëdhelje, përqafim dhe dialog.
2 – Mes djemve dhe djemve. Kjo, duke bërë dallime në çështjet materiale, shërbime, leje për të dalë etj...
3 – Mes vajzave dhe vajzave. Dallimi bëhet në shpërndarjen e roleve, kompetenca dhe përgjegjësi.
 
 
Modele për llojet e dallimit
 
Rasti 1: Një djalë i vetëm mes disa vajzave. Forma e dallimit: Interesi që i kushtohet djalit - dhuratat - kurrë nuk e dëgjon fjalën "Jo."
Rasti 2: Një vajzë e vetme, mes disa djemve. Forma e dallimit: Interesimi – Dhuratat – Nuk dëgjon fjalën "Jo".
Rasti 3: Një vajzë e vetme. Forma e dallimit: Preferohet nga babai, gjë e cila shkakton xhelozinë e nënës.
Rasti 4: Një djalë i vetëm. Forma e dallimit: Preferohet nga nëna, gjë e cila shkakton xhelozinë e babait.
Rasti 5: Djali i madh. Forma e dallimit: E thërrasin babanë me emrin e tij.
Rasti 6: Djali i vogël. Forma e dallimit: I llastuar dhe gjithmonë e gjen në prehër.
Rasti 7: Djali i mesëm. Forma e dallimit: Ndihet i shpërfillur.
 
 
Pasojat e dallimit mes fëmijëve
 
Urrejtja dhe inati mes fëmijëve – xhelozi dhe smirë – urren prindërit – nuk merr pjesë në udhëtimet e familjes – agresiv ndaj fëmijëve të privilegjuar tek prindërit, ose vjedhja e sendeve të tyre – e urren bashkëshorten dhe fëmijët kur rriten – dhe mund të privilegjojë disa nga fëmijët e tij kur të bëhet prind.
 
Udhëzim edukativ
 
Prindërit duhet të bëjnë shumë kujdes përsa i përket privilegjimit dhe dallimit të disa fëmijëve nga të tjerët. Nuk ka përse të përqendrohet e gjithë familja tek njëri fëmijë, për arsye se ai është i dalluar në shkollë, është më i zgjuar, më i bukur apo më me edukatë. Diçka e tillë shkakton pakënaqësi, xhelozi dhe urrejtje mes vëllezërve.
Disa prindër, janë të detyruar t'a privilegjojnë njërin nga fëmijët, për shkak se është i paralizuar, i sëmurë, më i vogël, më i varfër nga të gjithë vëllezërit e pasur, ose ngaqë është në emigrim, kurse vëllezërit në shtëpi. Në një rast të tillë, prindërit duhet t'ua shpjegojnë fëmijëve të tjerë shkakun përse njëri nga fëmijët është më i privilegjuar. Gjithashtu, u duhet thënë se kjo nuk do të thotë se fëmijët e tjerë nuk kanë rëndësi. E gjitha kjo bëhet me qëllim që të shmanget xhelozia, urrejtja dhe t'i pritet rruga shejtanit.
Një nënë u pyet:"Cilin nga fëmijët don më shumë?" Ajo u përgjigj:"Të voglin derisa të rritet, atë që mungon derisa të kthehet dhe të sëmurin derisa të shërohet."
 
 
Përfundim
 
Privilegjimi dhe dallimi mes fëmijëve në dhurata dhe komunikim, shkakton urrejtje dhe xhelozi tek fëmijët e tjerë. Një sjellje e tillë i prish lidhjet vëllazërore mes tyre. Mesa duket, ajo që ndezi fitilin e urrjetjes, xhelozisë dhe komplotit në zemrat e vëllezërve të Jusufit a.s, ishte pikërisht privilegjimi i Jusufit a.s nga i ati. Diçka e tillë shihet qartë në ajetin:“Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon."
Prindërit duhet t'a kenë parasysh edhe anën emocionale të fëmijëve dhe të mos i neglizhojnë të drejtat e tyre. Një kujdes i tillë, kontribon në barazinë në familje dhe lumturinë tek të gjithë individët e saj.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free