Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Gjuha

 E vogël, por tepër e rrezikshme .
Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, i Cili krijoi për njeriun gjuhën me të cilën flasim. Krijoi për njeriun dy sy, mendje dhe pamje të bukur. Ia mësoi atij të mirën që me të të jetonte dhe të keqen që asaj t’i ruhej. 
Gjuha është një dhuratë nga më të çmuarat që na ka dhuruar Allahu i Madhëruar, sepse me të flasim dhe tregojmë çfarë mendojmë e ndjejmë. 
Me të përmendim Allahun e Madhëruar, me të shijojmë të gjitha shijet e ëmbla dhe të hidhura. Ajo është një organ i vogël në trupin e njeriut, mirëpo rreziku i saj është tepër i madh nëse nuk e përdorim në vendin e duhur 
 
Nëse atë e ruajmë, arrijmë të fitojmë shpërblim të madh tek Allahu i Madhëruar në këtë botë dhe në botën tjetër. 
Në këtë teme do t’ju flasim për ceshtje të ndryshme që kanë të bëjnë me gjuhën tonë. Gjithashtu do të trajtojmë histori, kuriozitete dhe rregulla që kanë të bëjnë me gjuhën. 
Gjuha jote e vockël nuk e ka po aq të vogël rëndësinë…. Sepse me të bëhesh i dashur ndër njerëzit ose mund të bëhesh i urryer tek ata. Mund të të çojë në xhenet…ose mund të të çojë në zjarr. 
Pra bëj kujdes me gjuhën tënde dhe mundohu që t’i heqësh veset e saj e me të të kënaqësh Allahun e Madhëruar . 
E vogël por me rrezik është ky organ i yni dhe dije se ajo është si kali me kalorësin. Nëse e ruan, të ruan edhe ajo ty e nëse nuk e kontrollon, as ajo nuk të ruan ty. 
Profeti (a.s) thotë në një thënie të tij: “Kush ma garanton ruajtjen e gjuhës së tij, 
Rrezikshmëria e gjuhës 
Gjuha të dashur muslimane është një organ i vogël në gojën tonë por shumë i rrezikshëm nëse atë nuk e ruajmë nga fjalët e këqija. Profeti (a.s) i mësonte shokët e tij se si t’i llogaritnin fjalët që thoshin në mënyrë që të ruanin gjuhën nga gënjeshtrat dhe nga fjalët e këqija. Vetë Profeti (a.s) ishte shembull i njeriut të përsosur në ruajtjen e gjuhës nga të këqijat që ajo shkakton. 
Lë të ndjekim pra disa shembuj të këtyre njerëzve se si e ruanin gjuhën e tyre. 
SAHABËT DHE GJUHA E TYRE 
Një herë Abdullah ibn Abasi (zoti qoftë i kënaqur prej tij) e kapi gjuhën e tij me dorë dhe po belbëzonte disa fjalë. Një shok i tij kur e pa këtë veprim iu afrua dhe i tha: 
-O Abdullah! Çfarë je duke bërë kështu ? 
Dhe ai i tha: 
-Isha duke i thënë gjuhës time: “E mjera ti! O thuaj fjalë të mira që të shpëtosh, se në të kundërtën do të dënohesh nga Allahu i Madhëruar” 
Pastaj vazhdoi: - Kam dëgjuar Profetin (a.s) i cili ka thënë se : “Njeriu kur do të vijë në ditën e gjykimit nuk do të ketë pjesë të trupit të tij që nuk do të jetë i zemëruar me të, e më i zemëruar do të jetë me gjuhën e tij”. 
Të njëjtën gjë bënte edhe Ibn Mes`udi duke thënë: 
- O gjuha ime! Thuaj fjalë të mira që të gëzosh dhe mos thuaj të këqija që të shpëtosh. 
Profeti (a.s) ka thënë: “Gjynahet më të mëdha të njeriut vijnë nga gjuha e tij”. 
ANKIMI 
Një ditë prej ditësh Umeri pa Ebu Bekrin (prijësin e myslimanëve) që po fliste me gjuhën e tij dhe po e kritikonte atë. 
Atëherë Umeri i thotë: 
-O prijës i besimtarëve! Pse po vepron kështu? 
Ebu Bekri ia ktheu: 
- Kam dëgjuar Profetin (a.s) i cili ka thënë: “Nuk do të ketë pjesë të trupit të njeriut që nuk do të ankohet prej gjuhës së tij”. 
I DËRGUARI I ALLAHUT 
Shkon një njeri tek Profeti (a.s) dhe e pyet: 
-O Profet i Allahut! Nga cilat gjynahe duhet të ruhem më tepër ? 
-Nga kjo,- iu përgjigj Profeti (a.s) dhe preku gjuhën me dorë. 
ERA E FJALËS SË KEQE 
Një herë Profeti (a.s) po u jepte mësim shokëve të tij. Në atë moment kundërmon një erë e keqe. 
Profeti (a.s) iu drejtua dhe u tha : 
-A e dini se çfarë është kjo erë e keqe? 
-Jo, - thanë ata! 
-Kjo erë, - tha Profeti (a.s), - është era e fjalëve të atyre që përgojojnë besimtarët. 
HIPOKRITËT 
Një ditë Profeti (a.s) pasi kishte hipur në minber e ngre zërin tek të pranishmit dhe u thotë: 
- U drejtohem gjithë atyre njerëzve që e kanë fenë vetëm në gjuhët e tyre dhe nuk u ka hyrë në zemër. Mos i mundoni myslimanët me fjalët tuaja, mos i shani dhe mos i ndiqni ata nga pas për të zbuluar turpin e tyre. Kush ndjek myslimanin për t’i zbuluar turpin, Allahu i Madhëruar ia zbulon turpin këtij njeriu. Nëse Allahu i Madhëruar i zbulon turpin njeriut, e demaskon atë qoftë edhe nëse është brenda në vatër të shtëpisë. 
DY VARRET 
Një ditë Profeti (a.s) po kalonte me një shokun e tij pranë dy varresh. 
I drejtohet shokut të vet dhe i thotë: 
- Në këto momente këta dy të vdekur po dënohen prej Allahut për gjynahet që kanë bërë, që për njerëzit mund të konsiderohen të vogla, por në të vërtetë ato janë shumë të mëdha. I pari përgojonte njerëzit kurse i dyti nuk u ruhej njerëzve kur dilte për të kryer nevojën dhe nuk pastrohej pas kryerjes së saj. 
FJALËT APO LOTËT 
Sa`d ibn Ubade ishte shumë i sëmurë dhe për vizitë shkuan të gjithë shokët e tij bashkë me Profetin (a.s). Kur e pa Profeti (a.s) në atë gjendje i rrodhën lot nga sytë dhe filloi të qajë për të. 
Kur e panë shokët që Profeti (a.s) po qante u mallëngjyen dhe filluan edhe ata të qanin. 
Pastaj Profeti (a.s) tha: 
- Allahu i Madhëruar nuk i dënon njerëzit për pikëllimin e zemrës apo për lotët e syve, por i dënon ose i mëshiron me fjalët që ata nxjerrin nga goja. 
I FALIMENTUARI 
Një herë Profeti (a.s) i pyeti shokët e tij se kush quhej person i falimentuar.Ata iu përgjigjën se i falimentuar quhet ai person që ka humbur në tregtinë e tij. 
Mirëpo Profeti (a.s) u tha: 
- I falimentuar nga myslimanët quhet ai njeri i cili vjen në ditën e gjykimit para Allahut me shumë namaze të falura e shumë ditë të agjëruara e shumë lëmoshë të dhënë. Mirëpo ai ka sharë dikën dhe ka përgojuar një tjetër apo dikujt i ka hyrë në hak një tjetri i ka marrë pasurinë pa të drejtë, ka goditur dikën apo mund t’i ketë derdhur edhe gjakun padrejtësisht. Që të gjithë këta njerëz do të marrin hakun e tyre sipas drejtësisë së Allahut duke marrë prej mirësive që ky njeri i kishte për veten e tij. Nëse të gjitha ato mirësi mbarojnë por numri i atyre që kërkojnë të drejtën e vet prej tij nuk ka mbaruar ende, atëherë ata lirojnë veten nga gjynahet që kanë bërë dhe ato ia japin atij. Kështu ai ngarkohet me to mbi shpinë dhe hidhet në zjarr. 
FJALE TE URTA 
·Zemra është hambar i sekretit, gjuha është çelësi i tyre. Pra ruaje çelësin e sekretit tënd. 
·Gjuha është një egërsirë e madhe që meriton burgimin më të gjatë. 
·Jeta dhe vdekja e njeriut është ndërmjet dy buzëve të tij. 
·Dëgjimi të jetë mësim, heshtja të jetë meditim dhe fjala të jetë adhurim, kështu jeta të bëhet gëzim. 
NDIKIM I FJALËS TEK NJERIU DHE SHOQËRIA 
Të folurit është gjëja më e lehtë që mund të bëjë njeriu, por që lë ndikimin më të rëndësishëm tek të tjerët. Sa e sa fjalë të mira e kanë ngritur njeriun në grada të larta ose e kanë ulur shumë tek Allahu i Madhëruar dhe tek njerëzit. 
Sa e sa fjalë kanë qenë shkak i fillimit të luftërave që kanë marrë jetën e miliona njerëzve, braktisjes apo terrorizimit të qindra mijëra fëmijëve. Që të gjitha këto vetëm prej një fjale që ka dalë prej një gjuhe të vetme. Sa e sa fjalë kanë shpëtuar jetë njerëzish e sa të tjera i kanë marrë ato. Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ( (A nuk e sheh se si Allahu sjell shembull për fjalën e mirë. Ajo është si ajo pema e mirë e cila rrënjët i ka të ngulitura thellë në tokë dhe kurora e saj ngrihet lart në qiell, frytet e saj ajo i jep herë pas here me lejen e Zotit. Kurse shembull për fjalën e keqe është ajo shkurre e keqe që shkulet nga toka dhe ajo kurrë nuk ka për të zënë vend ndonjëherë) ). 
Për këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të mirë që e kënaq Allahun, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e ngre atë në një gradë të lartë vetëm për atë fjalë. Po ashtu njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të keqe që e zemëron Allahun, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e hedh atë në vende shumë të ulta të zjarrit të xhehenemit”. 
FJALA E MIRË 
Fjala e mirë ia shton njeriut shpërblimet e tij pasi Profeti (a.s) ka thënë: “Ai që udhëzon të tjerët për të bërë një mirësi e ka shpërblimin njësoj si ata që e bëjnë”. Kurse fjala e keqe i ha punët e mira siç ha zjarri drutë. Profeti (a.s) thotë në një thënie tjetër : “Kush beson Allahun dhe ditën e gjykimit, le të flasë mirë ose të heshtë. Po ashtu kush beson Allahun dhe ditën e gjykimit, le të mos e mundojë fqinjin e tij dhe kush beson Allahun dhe ditën e gjykimit, le ta nderojë mikun e tij”. 
Që të gjithë sahabët dhe njerëzit besimtarë ruheshin që të flisnin vetëm fjalë të mira dhe gjithmonë e llogaritnin fjalën që nxirrnin nga goja. 
Ebu Derdai ka thënë: “Nuk ka gjë më të mirë në trupin e besimtarit që e do Allahu i Madhëruar se sa gjuha e tij, sepse me të ai hyn në xhenet. Kurse tek mosbesimtari gjuha e tij është pjesa më e keqe që e urren Allahu i Madhëruar sepse prej saj do ta fusë në zjarr”. 
FJALA DHE KËRBAÇI 
Ka disa njerëz që shpifin ndaj të tjerëve akuza të pavërteta dhe pa fakte. Për ata Allahu i Madhëruar ka përgatitur një dënim të tmerrshëm sepse dëmtojnë njerëzit e pafajshëm. Allahu i Madhëruar thotë: ((Ata të cilët shpifin ndaj njerëzve të ndershëm dhe nuk sjellin katër dëshmitarë goditini ata me tetëdhjetë kërbaçë dhe mos ua pranoni atyre asnjëherë dëshminë sepse ata janë njerëz të prishur, por nëse ata pendohen për veprat e këqija që kanë bërë dhe përmirësohen atëherë Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirues)). 
Profeti (a.s) thotë: “Largojuni shtatë gjërave” 
Kur e dëgjuan, shokët e tij e pyetën: 
-Cilat janë këto shtatë gjëra o i dërguar i Zotit? 
Profeti (a.s) tha: 
- Adhurimi i diçkaje tjetër veç Allahut, magjia, vrasja, kamata, marrja e pasurisë së jetimit, tradhtia në luftë, shpifja ndaj njerëzve të ndershëm. 
SËMUNDJET E GJUHËS 
Gjuha mund të sëmuret nga sëmundje të rrezikshme. Prej tyre mund të përmendim: 
Përgojimi: Profeti (a.s) thotë: “A e dini se çfarë është përgojimi? Shokët e tij iu përgjigjën: Allahu dhe Profeti i Tij e dinë më së miri. Profeti (a.s) vazhdoi: “Është përgojimi i vëllait tënd për atë gjë që ai nuk e pëlqen” I thanë: Edhe sikur ai t’i ketë këto gjëra? “Nëse ai i ka ato të këqija ti e ke përgojuar atë, e sikur të mos i ketë atëherë ti ke shpifur ndaj tij”. 
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: ((Dhe asnjëri nga ju të mos e përgojojë tjetrin. A e dëshiron ndonjëri nga ju ta hajë trupin e vëllait të vet të vdekur? Ajo është shumë e pështirë, prandaj kini frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i Madhëruar është Falës dhe Mëshirues i madh)). 
Kur Profeti (a.s) shkoi të vizitonte Allahun në qiell, duke kaluar rrugës për atje pa disa njerëz që i kishin thonjtë e duarve prej bakri dhe gërvishtin me to fytyrën dhe gjokset e tyre. 
Kur Profeti (a.s) i pa ata në atë gjendje e pyet Xhibrilin: 
-Kush janë këta njerëz o Xhibril ? 
-Këta janë ata të cilët përgojojnë njerëzit dhe shpifin ndaj nderit të tyre, - i tha Xhibrili. 
Profeti (a.s) thotë: “Kush e mbron nderin e vëllait të tij mysliman, Allahu i Madhëruar e mbron fytyrën e tij nga zjarri i xhehenemit”. 
Në disa raste përgojimi lejohet. Për shembull: 
1.Në rast se njeriut i është bërë padrejtësi dhe me të përmend gabimin e tjetrit që ka bërë ndaj tij. 
2.Paralajmërimi i myslimanëve nga dëmi i atij njeriu nëse ai është i dëmshëm për të gjithë. 
3.Këshillimi i atij që kërkon mendim për një njeri të caktuar për një çështje të caktuar. Kështu lejohet të përmendet e keqja e një njeriu, për të cilin të është kërkuar mendim në rast martese. 
4.Kur dëshiron ta këshillosh një njeri dhe ia thua gabimet e tij në sy. 
Thashethemet: 
Marrja dhe dhënia e fjalëve ndërmjet njerëzve me qëllim që të shkaktohet prishja dhe përçarja e tyre. Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((Mos iu bind asnjë njeriu të prishur që merr dhe çon fjalë)). 
Profeti (as) thotë: “Nuk ka për të hyrë në xhenet ai që merret me thashetheme”. 
Gënjeshtra: 
Kjo është nga sëmundjet më të rrezikshme që mund të ketë gjuha e njeriut. Profeti (a.s) thotë: “Vërtet sinqeriteti të bën të devotshëm dhe devotshmëria të çon në xhenet. Për aq kohë sa njeriu vazhdon ta ketë këtë virtyt do të njihet tek Allahu i Madhëruar si i sinqertë.Kurse gënjeshtra të bën të lig dhe ligësia të shtyn për në zjarr dhe për aq kohë sa njeriu vazhdon ta ketë këtë ves do të njihet tek Allahu i Madhëruar si gënjeshtar”. 
Gjithashtu Profeti (a.s) thotë: “Shenjat e hipokritit janë tre; kur flet ai gënjen, kur premton e shkel premtimin dhe kur i besohet diçka ai tradhton”. 
Gënjeshtër quhet edhe shpifja ndaj tjetrit, Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((Largojuni adhurimit të idhujve dhe shpifjes)). 
Fjalët e pista: 
Profeti (a.s) nuk i ka dashur asnjëherë njerëzit që flisnin fjalë të pista. Njerëzit që flasin fjalë të pista nuk kanë moralin e Islamit në asnjë gjë. 
Sharja dhe mallkimi: 
Profeti (a.s) thotë: “Sharja e myslimanit është poshtërsi dhe vrasja e tij është mohim i Zotit”. Po ashtu ai thotë: “Nga gjynahet e madha është që njeriu të shajë prindërit e tij”. Shokët e tij, kur e dëgjuan i thanë se si ishte e mundur që njeriu të shante prindërit e tij. Ai u tha: “Kur shan ndonjëri babin e tjetrit, ai ka sharë babin e tij dhe kur shan nënën e tjetrit, ai shan nënën e tij”. 
Gjithashtu nuk lejohet që njeriu të shajë jetën as erën apo shiun apo fenomenet e tjera të natyrës. Po ashtu as kafshët e as krijesat e tjera të Zotit sepse ato janë vepra të Zotit, ashtu siç është edhe njeriu vetë. 
Poshtërimi: 
Nuk lejohet gjithashtu që ta poshtërosh vëllain tënd mysliman për mangësitë që ai ka. Ndoshta Allahu i Madhëruar e mëshiron atë duke ia hequr ato mangësi dhe t’i hedh ato ty. 
Marrja me fjalë pa dobi: 
Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an për shkaqet që i çuan banorët e zjarrit në të: ((Çfarë ju bëri ju të hyni në zjarr? Thanë sepse nuk faleshim dhe as nuk jepnim ushqim për të varfëritë dhe merreshim me fjalë të kota)). 
Gjithashtu Allahu i Madhëruar na ndalon që të qëndrojmë me ata që flasin fjalë të kota duke thënë: ((Nëse shikon njerëzit që diskutojnë duke përbuzur fenë, largohu prej tyre derisa të kalojnë në një diskutim tjetër dhe nëse shejtani të bën që ta harrosh këtë porosi atëherë kur të kujtohesh mos rri më me ata njerëz zullumqarë. Sigurisht që besimtarët nuk kanë gjynahe për ato veprime të shëmtuara të atyre, porse ky është përkujtim për ata që të jenë të ruajtur)). 
Profeti (a.s) thotë: “Allahu i Madhëruar urren nga ju thashethemet, shpërdorimin e pasurisë dhe pyetjet e padobishme”. 
Diskutimi për një gjë që nuk të intereson: 
Profeti (a.s) thotë: “Prej shenjave të besimit të mirë të një njeriu është që të largohet nga ajo që nuk i intereson”. 
Betimi në diçka tjetër veç Allahut: 
Kush do të betohet, të mos betohet veçse për Allahun. Betimi për Allahun është shumë i rëndë, kështu që besimtari duhet të jetë i besueshëm edhe pa u betuar duke mos gënjyer kurrë. Besimtari në rast nevoje duhet të betohet vetëm për Allahun. 
Lutja e njeriut kundër vetvetes ose të tjerëve: 
Njeriu nuk duhet t’i lutet Allahut për vdekjen e tij ose të ndonjë tjetri atëherë kur e gjen veten ngushtë. Ai duhet t’i lutet Allahut të Madhëruar që t’ia lehtësojë vështirësitë që ai has. 
Diskutimi me pëshpëritje i dy vetave në prezencën e tjetrit: 
Profeti (a.s) thotë: “Nëse jeni tre vetë, mos flisni vetëm dy dhe të lini të tretin pa folur vetëm, sepse kjo e mërzit shokun tuaj” . 
Tallja: 
Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((O ju që keni besuar! Mos u tallni me njëri-tjetrin sepse ndoshta ata që ju i tallni mund të jenë më të mirë se ju. Po ashtu as gratë nuk duhet të tallen me njëra tjetrën sepse ndoshta ato që ju i tallni mund të jenë më të mira se ju dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin as mos i ngjisni epitete njëri-tjetrit sepse epiteti është i keq pas besimit që keni dhe ai që nuk pendohet është me të vërtetë zullumqar)). 
Krekosja: 
Nuk lejohet për besimtarin që tu krekoset të tjerëve. Kjo është padrejtësi ndaj tyre sepse njeriu duhet të jetë modest ndaj të tjerëve. 
Përmendja e nderit: 
Po ashtu nga sëmundjet e gjuhës është edhe përmendja e ndihmesës që i ke dhënë një njeriu. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((O ju që keni besuar! Mos ua hiqni vlerën mirësive që ju kryeni duke i përmendur ato)). 
Shakaja e tepruar: 
Myslimani nuk duhet të qeshë vazhdimisht sepse bëhet i bezdisshëm tek të tjerët dhe i pavlerë. 
Po ashtu ka edhe të tjera sëmundje që në fakt janë të shumta si psh: 
Përhapja e sekretit 
Mosmbajtja e premtimit 
Lavdërimi i vetes 
Mohimi i dijes 
Nxitja e të keqes dhe ndalesa e të mirës 
MREKULLIA E ALLAHUT NË KRIJIMIN E GJUHËS 
Gjuha është një organ muskulor me formë piramidale e mbajtur fort nga muskujt, të cilët ia mundësojnë lëvizjen në pozicione të ndryshme që të ketë mundësi për zhvillimin e bluarjes, përtypjes dhe thithjes. Ajo është e veshur me një cipë të lëmuar dhe shumë të hollë nga poshtë dhe nga ana e sipërme është e ashpër. Në anën e sipërme ka gjëndra shumë të imëta nga ku buron edhe pështyma, me të cilën ndihmohet procesi i zbutjes dhe tretjes së ushqimit. Po ashtu një nga rolet më të rëndësishme të muskujve të gjuhës është edhe prodhimi i tingullit që është bashkëveprim i mushkërisë që nxjerr ajër dhe i gjuhës që e nxjerr atë në forma të ndryshme. 
GJUHA DHE SHQISA E TË SHIJUARIT 
Njeriu çdo ditë konsumon lloje të ndryshme ushqimesh dhe pijesh të shumëllojshme. Shqisa e të shijuarit është protagonistja kryesore në këtë proces. Kur ne hamë ushqim, e kuptojmë menjëherë nëse ai është i kripur apo i ëmbël, i ngrohtë apo i ftohtë. E gjithë merita i takon Allahut (xh.sh), i Cili na krijoi këtë gjuha në formë kaq të përkryer. Ne cipën e sipërme të së cilës ndodhen dhjetë mijë vrimëza mikroskopike dhe poshtë çdonjërës prej tyre është vendosur nga një fije e hollë nervi e cila shërben si informator i trupit për atë ushqim që përcillet në stomak. 
Shijet kryesore që gjuha i njeh menjëherë dhe me shumë lehtësi janë, e ëmbla, e hidhura, e tharta dhe e njelmëta. Kjo gjë arrihet vetëm nëse lënda është e tretshme sepse ajo që e bën të mundur shijimin është tretja e lëndës me pështymën. 
PJESËT E GJUHËS DHE LIDHJA E TYRE ME SHIJIMIN 
Çdo pjesë e gjuhës ka rolin e saj të veçantë në ndjesinë e shijimit. 
Për shembull qelizat e shijimit të ëmbëlsirës gjenden kryesisht në pjesën e përparme të gjuhës, qelizat e shijimit të thartirës dhe njelmësisë ndodhen në dy anët e saj, ndërsa qelizat e shijimit të hidhësirës ndodhen në fundin e saj. 
Për këtë arsye njeriu nuk e ndjen hidhësirën e ilaçit nëse atë e përtyp shpejt. E nëse atë e përtyp ngadalë dhe ajo fillon e shkrihet prej pështymës do të fillojmë të ndjejmë shijen e hidhësirës kur ajo të arrijë në fundin e gjuhës. Gjuha nuk mund të arrijë plotësisht që ta kryejë funksionin e saj të shijimit nëse ajo sëmuret qoftë edhe nga një grip kalimtar. Këtë dukuri e vëmë re në momentin kur i sëmuri nuk bën shumë dallime në të shijuarin e ushqimeve. Për të pothuajse të gjitha janë njëlloj. 
GJUHA DHE PËRTYPJA 
Gjuha është ndihmuesja kryesore e procesit të përtypjes së ushqimit. Kjo arrihet prej lëvizjes së saj akrobatike duke e rrotulluar ushqimin brenda në gojë gjatë kohës së bluarjes së tij. E gjithë kjo falë muskujve të cilët janë vendosur në këtë organ kaq perfekt. Në fund të procesit të ushqimit gjuha i jep lamtumirën e fundit ushqimit duke e shtyrë atë drejt stomakut. 
SI DEL FJALA NGA GOJA 
Zëri del nga dy korda që kanë formën e germës “V” dhe që janë vendosur posaçërisht për këtë mision në gurmaz. Në momentin kur nuk del zë nga goja këto korda largohen nga njëra-tjetra. Kur njeriu do të flasë ato dy korda vrapojnë për tek njëra-tjetra për tu dridhur nga disa muskuj që janë vendosur tek ato vetëm për këtë bashkim dhe dridhje. Kjo dridhje është ajo që ne e quajmë fjalë, e cila ndryshon me ndryshimin e bashkimeve të këtyre dy kordave. Tek fëmijët dhe tek gratë këto dy korda janë më të shkurtra. Për këtë arsye zëri që del prej tyre është më i hollë dhe më i butë. Kurse tek burrat këto korda janë më të gjata dhe më të forta e pikërisht për këtë edhe zëri i tyre është më i fortë dhe më i trashë. 
ORGANET E FJALËS 
Në kohët e hershme njerëzit mendonin se gjuha ishte i vetmi organ i cili prodhonte fjalën. Me zhvillimin e shkencës u mësua se edhe po të dëmtohet një pjesë e gjuhës fjala vazhdon të prodhohet. Kjo do të thotë se ka edhe organe të tjera që ndihmojnë në nxjerrjen e fjalës. Por cilat janë ato ? 
Është zbuluar se ka edhe disa organe të tjera të trupit të njeriut që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në prodhimin e fjalës. Ndër to mund të përmendim: mushkëritë, gurmazi, kordat, muskujt rrethues të gurmazit, qiellza, membranat e hundës, dhëmbët, nofullat, buzët etj. 
DISA PROBLEME TË SHQIPTIMIT 
Në disa njerëz vihet re që kanë probleme me shqiptimin e drejt të fjalës dhe këto janë të llojeve të ndryshme si psh: 
Memecëria: 
Është një sëmundje që shkakton mosnxjerrjen e fjalës dhe këta njerëz quhen memecë. Në pjesën më të madhe të rasteve kjo lloj sëmundje shkaktohet nga një sëmundje tjetër që është shurdhimi total i dëgjimit. Kjo ndodh sepse njeriu i mëson fjalët nga dëgjimi i të tjerëve. Kështu fëmija i cili ka probleme me dëgjimin humb edhe vetinë e të folurit, sepse ai nuk mund të mësojë asnjë fjalë nga të tjerët. 
Në shumicën e rasteve këto sëmundje hasen më shpesh tek fëmijët. Kjo për faktin se fëmija mund të dëmtohet në barkun e nënës apo një sërë problemesh të tjera siç është heqja e gurmazit nga ndonjë sëmundje kanceri etj. 
Mekja e gojës: 
Është një tjetër sëmundje e gjuhës, e cila shkakton pengesën e nxjerrjes së një apo më shumë germave gjatë të folurit, duke mos pasur mundësinë e rrjedhshmërisë së gojës. Kjo është një lloj burgimi i fjalës. Nga kjo mekje e gojës shkaktohet në trurin e njeriut një lloj pasigurie dhe ndryshim i volumit të zërit. Kur dëgjojmë një njeri të cilit i meket goja, në momentin që arrin ta nxjerrë pjesën e fundit të fjalës, ai e ngre zërin pavetëdije. 
Nxitimi i të folurit: 
Ky është një rast tjetër i sëmundjeve të shqiptimit, i cili shkakton atë që quhet ndryshe edhe nxitimi në të folur apo ngrënia e fjalëve. 
Ngathtësia e shqiptimit: 
Edhe kjo është një tjetër sëmundje e shqiptimit që e bën njeriun të flasë shumë ngadalë. Kjo vihet re sidomos tek njerëzit e moshuar. 
Ndryshimi i germave: 
Ka disa njerëz që germën “S” nuk arrijnë ta shqiptojnë dot ashtu siç duhet, por e zëvendësojnë atë me germën “TH”. Këta njerëz quhen ndryshe thuthuqë. Po kështu të tjerë njerëz nuk mund ta shqiptojnë fare germën “R”. 
Shërimi: Kurimi i këtyre sëmundjeve arrihet nëse pacienti i nënshtrohet një terapie speciale që ka të bëjë me një shlodhje të plotë të trupit, duke dëgjuar fjalët që ka problem me to e duke ushtruar frymarrjen dhe nxjerrjen e germave . 
Përfundim 
Sa e bukur është fjala e mirë dhe sa ndikim të madh ka ajo në zemrat e njerëzve, duke zgjuar tek ta shpresën dhe dashurinë. 
Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta sepse Allahu ua rregullon ju punët tuaja dhe ua fal mëkatet. Ai që i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij ka arritur një sukses të madh)). 
Sa e shëmtuar është fjala e keqe dhe sa pasoja negative lë ajo në zemrat e njerëzve, duke i shkatërruar ato dhe duke vrarë ëndrra dhe dëshira. 
Profeti (a.s) thotë: “Njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të mirë që Allahun e kënaq, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e ngre atë në një gradë të lartë vetëm për atë fjalë. Po ashtu njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të keqe që Allahun e zemëron, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e hedh atë në vende shumë të ulta të zjarrit të xhehenemit”. 
Besimtari është gojëmjaltë dhe zemërbardhë. Ai gjithmonë duhet ta llogarisë veten për fjalët që nxjerr nga goja duke synuar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. 
Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: ((Çdo fjalë që njeriu flet ka për të një mbikëqyrës të saktë që e shënon)).

 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free