Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Lakmia në Islam

Arsyet që e shtyjnë individin drejt një vetie të tillë duhen kërkuar mes të tjerash, tek varësia (në mënyrë kronike) nga paratë dhe pasuria.
Individi i prekur nga lakmia shndërrohet lehtësisht në skllav të parasë. Në fakt, ne na shqetëson fakti se shumë vëllezër myslimanë e kanë bërë qëllimin e vetëm të jetës së tyre, fitimin e sa më shumë parave dhe grumbullimin e një pasurie sa më të madhe.
Disa myslimanëve nuk u prish shumë punë fakti, se tek pasuria e madhe mund të vihet shpesh vetëm në rrugë të pandershme ose në sajë praktikash biznesi jo të pastra.

Besimi Islam nuk është kundër mundësisë që myslimanët të bëhen të pasur dhe të jetojnë në bollëk.
Përkundrazi, Islami i nxit ithtarët e vet që të zhvillojnë tregtinë dhe të dinë t’i investojnë paratë e tyre me llogjikë të ftohtë, sidomos në ditët e sotme kur me para mund të bësh çudira – (në mënyrë metaforike).
Por, Islami është kundër faktit që paraja të shndërrohet në qëllimin dhe hobin e vetëm në jetën e myslimanit.
Islami gjithashtu është kundër mundësisë që myslimani të bëhet i pasur duke shkelur mbi familjen e tij, mbi shoqërinë dhe fenë e tij.

Islami i dënon dhe i konsideron lakmitarët dhe lakminë si simbol të hipokrizisë dhe të hienizmit (babëzisë).
Në Islam, nuk ka vend për egoizëm vetjak dhe ata që vuajnë nga kjo veti e përbuzur, meritojnë të dënohen nga Zoti xh.sh.
Pejgamberi ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi qofshin me të, i cili shërben si shembull për të gjithë ne, besimtarët, e urrente lakminë dhe vetë ishte mjaft bamirës.
I dërguari i Zotit e konsideronte vetinë e sipërpërmendur si shenjë të besimit të dobët. Muhamedi, paqja dhe shpëtimi qofshin me të, shprehej si më poshtë : « O Zoti im! Më merr nën strehimin Tënd dhe më mbro nga paaftësia dhe dembelizmi si dhe nga mendjelehtësia dhe lakmia.....“

Ambicia për të fituar sa më shumë para, shpesh e shtyn njeriun të mbylli sytë para mënyrës sesi fitohen këto para dmth. nëse janë fituar në mënyrë të ndershme dhe në bazë të ligjit.
Myslimani i ndershëm e shikon paranë si mjet dhe jo si qëllim në vetvete.
Nëse paratë fitohen sipas parimeve tregtare të përcaktuara nga Islami, ato mund të shërbejnë për të zgjidhur jo pak probleme, dhe mund t’u ndihmojnë myslimanëve të kapërcejnë pengesa dhe probleme të ndryshme të cilat mund t’u dalin atyre në jetë.

Islami e kupton që lakmia dhe dashuria për paranë është veti apo tipar (dobësi) e karakterit njerëzor. Në Kuran thuhet:

„ Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote ...“ (Kurani fisnik, 18-46)

Por problemet lindin atëherë, kur ambicia për para e bën myslimanin lakmitar dhe egoist në një kohë, kur momenti e kërkon që duhet t’i ndihmojë të tjerët. ?shtë e trishtueshme të shikosh, sesi disa myslimanë nuk e paguajnë zeqatin (taksën e detyrueshme fetare) përkundër faktit se i përmbushin kushtet sipas të cilave Islami ua bën detyrim atë.
Allahu i ka paralajmëruar myslimanët para një sjelljeje të tillë dhe u ka premtuar atyre që s’paguajnë zeqatin, dënim të rreptë:

„ Ata të cilët e ruajnë arin dhe argjendin (pasurinë) e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhimbshëm…“ (Kurani fisnik 9-34)

Mund të konstatojmë me keqardhje, se lakmia ka pushtuar zemrat e disa myslimanëve aq thellë, sa i pengon ata të kryejnë detyrimet themelore jetësore si p.sh. të mbajnë dhe të kujdesen për familjen dmth. për gruan, fëmijët, prindërit apo edhe farefisin.
Në përmbledhjen e Buhariut është regjistruar thënia e Pejgamberit, paqja dhe shpëtimi qoftë me të, e cila është përkthyer si më poshtë: „ Për paratë që mund t’i dhurosh familjes të takon shpërblim më i madh, sesa për paratë që mund t’i dhurosh një varfanjaku apo për paratë që mund t’i përdorësh për qëllime bamirësie.“.
Ky hadith, të dashur vëllezër dhe motra, nuk nënkupton aspak se na hiqet obligimi për t’u ndihmuar të tjerëve dmth. personave jashtë farefisit. Ky hadith veçse përcakton prioritetin që ka farefisi para të tjerëve nga aspekti i ndihmës.

Mes myslimanëve egziston një tip i çuditshëm individësh, të cilët janë të aftë të shpenzojnë shuma të mëdha parash për të kënaqur qejfin e tyre (qëllimet e dynjasë), por u dridhet dora kur vjen puna të kontribuojnë me një shumë sado simbolike për asistencë sociale ose lëmoshë.
Individi lakmitar nuk mund të jetë njëkohësisht edhe mysliman i mirë, sepse besimi dhe lakmia e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Cdo mysliman duhet të jetë i vetëdijshëm për shpërblimin e majmë që ia ka premtuar Allahu xh.sh. nëse jep sadaka dmth.lëmoshë (dmth.tregohet bamirës).

Të dashur vëllezër dhe motra! Kini parasysh ju lutem, se sadakaja (lëmosha-bamirësia) ka disa përfitime e përparësi:

Sadakaja është një mjet efikas për mbrojtjen e pasurisë nga shpërdorimi,falimentimi apo likuidimi.

''e çkado që të jepni,Ai e kompenson atë''(Kurani fisnik 34-39)

Allahu e pranon sadakanë, pendimin e gjynahtarëve (mëkatësve) dhe ua shton atyre shpërblimin:

''A nuk ditën ata se Allahu është Ai që pranon pendimin e robëve të vet, pranon lëmoshat....''(Kurani fisnik 9-104)

Pejgamberi Muhamed, paqja dhe shpëtimi qofshin me të, ka thënë:''Sadakaja e fshin veprën e keqe ashtu sikurse uji shuan zjarrin.''

Bamirësia e ruan myslimanin nga zjarri i xhehenemit (ferrit) dhe e largon nga ai (ferri),Ditën e Kiametit.
Pejgamberi Muhamed,paqja dhe shpëtimi qofshin me të, ka thënë:''Largojuni ferrit,qoftë edhe me kontributin e një gjysmë hurme (arabie).“-(dmth. nëse i jepni dikujt një gjysëm hurme si bamirësi)

Bamirësia e mbron myslimanin nga humbja në çastet e vdekjes.

''Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë:''O Zoti im,përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve !''
(Kurani fisnik 63-10)

Le ta lusim Allahun xh.sh. që të na ndihmojë në kryerjen e veprave të mira si dhe të na i pranojë ato.

''Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.''
(Kurani fisnik 59-9)

Të dashur vëllezër e motra!Të kemi gjithnjë kujdes, të mos biem viktimë e interesave të ngushta personale dhe e epsheve të ndryshme.
Le të jemi bamirës dhe të mos lejojmë, që lakmia për para të na pengojë në dhënien e ndihmës së çdo lloj karakteri, ndaj atyre që kanë nevojë.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free