Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kështu më jep sadopak shpresë

Ishte ora tre pasdreke dhe unë po prisja të lirohej trafiku i rënduar i zakonshëm i pasditeve të Ramazanit. Shoferi i makinës pas meje, herë pas here më shurdhonte me borinë e makinës së tij, duke më kërkuar të lëviz një hap para. Boria e tij ma solli në majë të hundës dhe në një çast, dola dhe i thashë:”A nuk e sheh fluksin e makinave?! Përse më kërkon të lëviz qoftë dhe një hap?!”

Duke më buzëqeshur, ai ma ktheu:”Se kështu më jep sadopak shpresë.”

Për një kohë të gjatë, vazhdova të thellohem në faktin se njerëzit janë gjithmonë në kërkim të shpresës. Ata e simpatizojnë atë që ua vesh jetën me shpresë dhe e braktisin këdo që orvatet t’ua bojatisë jetën me furçë dhe bojë të zezë. Kështu, mësova se njerëzve u duhet dhënë shpresë gjithmonë, edhe në kushtet më të vështira. Prandaj, i përgëzoni njerëzit dhe u jepni atyre shpresë.

Shpresa lind gjithmonë nga ndjesia e shpresës, me optimizëm dhe shpresë lind e mira. Që herët është thënë se:”Jini optimistë për të mirën, ta gjeni atë!”

Në një hadith kudsij, Zoti i lartësuar thotë:”Unë jam tek pritshmëria dhe mendimi që robi ka për Mua. Prandaj, le të presë dhe të mendojë ç’të dojë për Mua.”

Kush pret të mira prej Zotit, të mira do të vjelë, kush pret të keqen, atë do të korrë. Atëherë, përse të jesh pesimist dhe i pashpresë o vëlla?!

Psikologët paralajmërojnë për efektin negativ të përmbushjes së profecisë vetjake, e cila nuk është gjë tjetër veçse një kompleks idesh dhe perceptimesh negative, me të cilat njeriu i mbush mendjen vetes, të tilla si:

Unë jam një dështak.

Bota është plot e përplot me njerëz të ligj.

Nuk ka shpresë tek njerëzit.

Ajo që do të vijë është më e rëndë.

E ardhmja është e mbushur plot fatkeqësi.

Kurrë nuk do i realizoj objektivat e mia.

Psikologët thonë se njeriu vazhdon ti përsërisë shprehje të tilla, derisa të bindet dhe tu besojë verbërisht. Kështu, në mënyrë të pavetëdijshme ai konkludon në hapat dhe rrugët që i duhen për përmbushjen e këtyre ideve. Ilaçi i vetëm gjendet vetëm tek optimizmi, pritshmëria dhe mendimi i mirë për Zotin. Kjo, edhe nëse jeni të rrethuar nga fatkeqësitë dhe nuk të shqiten problemet. Qëndro para tyre me fytyrë të buzëqeshur, optimist dhe i mbushur me dashuri e shpresë. Do të shohësh që e mira do të vijë me vrap drejt teje, duke dëbuar problemet dhe hallet që të kishin rrethuar. E mbi të gjitha, do e shohësh veten tërheqës për të tjerët, të cilët do e pëlqejnë shoqërimin me ty, do e lakmojnë nurin që të rrethon, si dhe shpresën që të karakterizon.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free