Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

BESIMTARI MES FALENDERIMIT DHE DURIMIT

Sot ka shumë njerëz, që flasin për fenë e mbajnë ligjërata. Ne i dëgjojmë, kënaqemi dhe mundohemi të mësojmë sa më shumë prej tyre. Por disa ditë më vonë po ta pyesësh njerëzit, ata nuk e mbajnë mend pjesën më të madhe të asaj që është thënë. Duke mos kujtuar se çfarë është thënë, njeriut i duket sikur nuk ka përfituar ndonjë gjë të madhe.
Po ta pyesësh dikë se çfarë ka mësuar në klasën e parë, ai nuk i mban mend të gjitha. Por të gjjithë e dimë, se po të mos i kishim bërë ato mësime, të cilat edhe mund të mos i mbajmë mend, ne nuk do të ishim këtu ku jemi.
 
Një person shkruan në një gazetë: “Kam 30 vjet që fal xhumanë. Realisht nuk mbaj mend asnjë hytbe dhe s`po e marr vesh çfarë dobie ka nga kjo punë”. Filluan replikat me këtë njeri. Dikush thoshte: “Kij frikë Zotin, si tallesh me xhumanë” e kështu më rradhë. Dikush tjetër ia ktheu përgjigjen dhe tha: “Edhe unë kam 30 vjet që jam martuar. Çdo ditë kam ngrënë ushqim nga dora e gruas time. Asnjë ushqim nuk e mbaj mend se si ka qenë. Por jam i sigurt, se ky ushqim është shkaku, që unë unë kam mundur të jetoj e të lëviz për këto 30 vite”.
 
Ndoshta shumë mësime që dëgjojmë, nuk i mbajmë mend, por të jeni të sigurt se ato janë vendosur si tullat njëra mbi tjetrën dhe dashje pa dashje ne ndryshojmë shumë koncepte në jetë, shtojmë informacionin tonë, mësojmë gjëra që nuk i kemi ditur apo korrigjojmë gjëra, që i kemi ditur ndryshe. I lutemi Zotit që të na mësojë atë që është më e dobishme dhe të na japë dobi prej asaj që kemi mësuar.
 
Do të flas këtu për një hadith, në të cilin profeti (a.s) ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falenderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”. (Muslimi).
Profeti (a.s) ka buzëqeshur kur e ka përmendur këtë hadith.
 
Vetë fjala “është e çuditshme” tregon, që vetë profeti (a.s) shpreh çudi. Pse e thotë këtë fjalë? Sepse kjo gjë nuk i ndodh askujt tjetër përveç besimtarit. Ai merr sevap në çdo situatë të jetës së tij. Gjithashtu profeti (a.s) e thotë këtë fjalë për krenari. Besimtari duhet të jetë krenar për diçka të tillë dhe se të jesh besimtar është mirësi e madhe.
Po ta shikoni me vëmendje, profeti (a.s) thotë: “Është e çuditshme puna e besimtarit” dhe nuk thotë “puna e muslimanit”
 
Ka ndryshim të madh mes atij që është musliman dhe atij që është besimtar. Musliman do të thotë të dëshmosh se ka vetëm një Zot, të besosh, të hysh në këtë fe. Por rruga për tek besimi është e gjatë dhe ka grada të ndryshme. Ka shumë njerëz që janë muslimanë, por kur janë mirë nuk falenderojnë, kur janë keq nuk durojnë. Prandaj hadithi flet për besimtarin. Besimtari ka tregues dhe dy treguesit kryesorë të besimtarit, të cilat shfaqen fuqishëm në këtë hadith janë FALENDERIMI dhe DURIMI. Nëse e sheh dikë që nuk falenderon dhe nuk duron, dije se nuk e ka besimin e fortë, për të mos thënë se nuk ka besim edhe sikur të jetë musliman edhe sikur ta shikosh që i bën të gjitha ritet fetare, sepse ai nuk di të thotë një herë ELHAMDULILAH apo kur i bie një fatkeqësi e sheh që është i padurueshëm dhe shpreh mllef.
 
Jeta jonë dhe e gjithë njerëzve të tjerë pa dallim feje është dy formash: “Ose gëzime dhe kënaqësi, ose dhimbje dhe fatkeqësi”.
Askush nuk mund të bëjë dallime e të thotë: “Meqë unë jam besimtar, me siguri Zoti do më sjellë mua vetëm të mira. Do kem pasuri, fëmijë, shtëpi, makinë e shëndet”. Askush nuk guxon ta thotë diçka të tillë. Gjithashtu askush nuk mund të thotë: “Ky që nuk është besimtar, gjithë jetën e tij do ta ndjekin fatkeqësitë e sëmundjet”.
Ne jemi njerëz. Besimtarë apo jobesimtarë, ne rrotullohemi mes gëzimeve dhe fatkeqësive. Besimtari dallon nga jobesimtari jo tek kënaqësia apo fatkeqësia, por nga reagimi i tij në rast gëzimi apo hidhërimi.
Ushqimin e ha edhe besimtari edhe jobesimtari. Besimtari bën dua (lutje) në fillim dhe në fund. Njëlloj ndodh edhe për të gjitha gjërat e tjera. Puna është sesi pozicionohet njeriu ndaj gjërave. Dynjaja është njëlloj për të gjithë, por ndryshe e sheh atë një besimtar, ndryshe e sheh një jobesimtar.
 
Kur jobesimtari ka të mira dhe ka shumë jobesimtarë që notojnë në mirësi, është i verbër. Kjo do të thotë, që ai bëhet mendjemadh dhe abuzon me këto mirësi, duke harruar që dikush ia ka dhënë. Nëse e pyet, ai të përgjigjet se e ka fituar me djersën e ballit. Të njëjtin person, pak po ta sprovojë Zoti me një majë gjilpëre, do ta shohësh atë të mbushur me mllef, të mërzitur. Ai shan jetën, shan botën, shan Zotin, mallkon çdo gjë. Ai në fakt as të mirën nuk e shijon, e as në të keq nuk duron. Prandaj mosbesimi e bën njeriun që asnjëherë të mos jetë i qetë. Kur ka kënaqësi nuk e shijon atë, se falenderimi është shije shumë e madhe, e as kur ka fatkeqësi nuk duron.
 
Nga ana tjetër kur besimtarit i vjen një e mirë, falenderon Zotin dhe merr sevape. Kur i vjen një e keqe, duron për Zotin dhe përsëri merr sevape. Atëherë kush i merr sevapet në të gjithë situatat përveç besimtarit?! Askush tjetër, përveçse atij që është besimtar.
 
Feja ka dy shtylla: Njëra quhet FALENDERIM, tjetra quhet DURIM. Pra e gjithë feja e Zotit është ose falenderim ose durim.
Në përgjithsi në jetën e përdithme materializmi na meson, që është e natyrshme të kesh shëndet të mirë, të kesh edhe para deri diku, të kesh fëmijë e mundësi për shumë gjëra. Pra materializmi, këto gjëra i quan normale. Duke u mësuar me këto gjëra, ne nuk i përjetojmë ato dhe na duket sikur Zoti e ka për detyrë, që ta bëjë diçka të tillë, sikur ne e meritojmë diçka të tillë.
Nga ana tjetër e mbajmë veten për besimtarë, por pak po të na sprovojë Zoti, ne realisht nuk durojmë. Themi me gojë që jemi durimtarë, por në realitet ndodh diçka tjetër. Njerëzit përgjithësisht janë pak falenderues dhe pak durimtarë. Besimtari mendon mirë për Zotin.
 
Ka një ide tek njerëzit, sipas së cilës Zoti sprovon e dënon. Ndonjëherë edhe ne për t`i bindur njerëzit, u themi se Zoti i dënon për ato që bëjnë, i ndëshkon për gjynahet e tyre e kështu me radhë. Duke e bërë shpesh këtë gjë, krijohet mendimi sikur Zoti Ynë është Zot dënues, që gjithmonë do që t`i prishë planet e njerëzve, që nuk do që ti t`i kesh punët mirë.
Ndërsa besimtari nuk mendon kështu për Zotin. Besimtari thotë: “Zoti gjithmonë cakton hajr. Edhe ajo që për mua është fatkeqësi, me siguri e ka një të mirë”.
Zoti thotë në hadithin kudsij: “Sikur të më mendoni Mua, ashtu do të jem edhe Unë me ju”. (Muslimi).
Njeriu nëse mendon mirë për Zotin, do ta shikojë që Zoti është shumë i mirë. Por nëse mendon keq për Zotin, i krijohet ideja se Zoti gjithmonë ia prish planet.
Ne duhet të mendojmë mirë për Zotin, Nëse të vjen një mirësi, falendero e nëse të bie një fatkeqësi, duro për hir të Zotit. Të jeni të sigurt, se me atë që ju sjell Zoti, ka një hajr të madh.
 
Më tepër njerëzit ankohen për fatkeqësitë. Dije se me këtë fatkeqësi Zoti ose do që të t`i falë gjynahet, ose do që të të ngrejë në grada të larta, ose do që të të sprovojë e ti ta tregosh vërtet besimin tënd.
Mirësinë e shijon besimtari dhe jobesimtari, por ndryshe është shija e besimtarit, sepse pas shijimit të mirësisë, besimtari falenderon, ndërsa qafiri nuk falenderon. Pas kësaj besimtari shpërblehet, ndërsa jobesimtari jo.
 
Pra të vijnë tre të mira:
E mira e parë është kur ti si besimtar e shijon të mirën që të jep Zoti. Shijoje pasurinë, shtëpinë, miqësinë. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “Kush I ndaloi të mirat që Zoti ka shpërndarë në tokë”?! (El A`raf: 32).
E mira e dytë është kur ti falenderon. Sa për dijeni edhe falenderimin që ne bëjmë, e kemi dhuratë nga Zoti. Ai e ka rrënjosur në zemrat e besimtarëve edhe falenderimin.
E mira e tretë është shpërblimi që merr besimtari nga Zoti.
Imagjino të të japë Zoti fëmijë, shëndet, pasuri, mendje e dituri. Ti i shijon këto gjëra, bëhesh edhe burrë i mirë, merr edhe sevape. Kur e bën këtë? Kur ti falenderon: “O Zot kjo është prej Teje, prandaj Ty të falenderoj, Ty të takon merita, Ty të takon mirësia. Unë gjithmonë jam borxhli ndaj Teje”.
Kjo është puna e fesë. Ke të mirat mateiale, ke edhe shpërblimin nga Allahu (xh.sh).
 
Falenderimi është nga cilësitë që i kanë pjesa më e vogël e njerëzve në botë. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “...shumë pak prej jush janë falenderuesit”. (Sebe’e: 13).
Zoti na bëftë prej falenderuesve.
 
Treguesi i parë është falenderimi me zemër. Ky është falenderimi më i madh. Si shprehet me zemër? Atëherë kur zemra është e qetë dhe e kënaqur me Zotin.
Shihi të gjithë profetët e Zotit. Secili prej tyre ka pasur një aftësi. Kur janë pyetur kanë thënë: “Unë jam shumë i dobët, por Zotit i takon falenderimi”. Nëse zemra nuk falenderon, as goja nuk mund të falenderojë. Nëse dikush falenderon me gojë dhe jo me zemër, ai falenderon për hipokrizi.
 
Treguesi i dytë është falenderimi me zemër dhe me gojë. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Kur Zoti të jep një të mirë, duhet t`ua thuash njerëzve”. (Duha: 11). Le ta dëgjojnë njerëzit kur thua ELHAMDULILAH. Pse nuk e lartëson Zotin përpara vëllait tënd?!
Mos fol vetëm atëherë kur ke frikë se mos të marrin mësysh, ose kur kanë smirë ndaj teje. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e njerëzve ka në majë të gjuhës vetëm ankesën. E pyet dikë: “Si je me shëndet”? Ai të përgjigjet: “Mirë more mirë por…” dhe fillon e të rreshton 100 halle që mund të ketë. Në fakt njeriu as nuk e shijon të mirën, as nuk e largon të keqen. Ankesa nuk e largon të keqen, por thjesht të mërzit zemrën.
Mund të ankohesh tek Zoti për dikë: “O Zot filani më ka hyrë në hak, Ty të ankohem”, por t`i ankohesh njeriut për Zotin: “Ah i mjeri unë ç`më ka gjetur për këtë e për atë”, ky është turp i madh.
Thuhet që njëherë profeti (a.s) shkoi tek një plak i vjetër i sëmurë dhe i tha: “Inshallah pastrim gjynahesh dhe inshallah bëhesh mirë sa më shpejt”. Plaku ia ktheu: “Çfarë pastrim gjynahesh?! Ta dish ti se ç`temperaturë e çfarë dhimbjesh që kam unë! Çfarë gjynahesh mendon se më pastrohen mua”. Atëherë profeti (a.s) i tha: “Si ta mendosh ashtu ka për të ndodhur”. (Buhariu).
Plaku në fakt tha të vërtetën se kishte hall të madh, kishte dhimbje, por ai mendonte vetëm për sëmundjen. Pra edhe përjetimi i sëmundjes nuk është njëlloj për të gjithë. Pra falenderoje Zotin me zemër dhe me gjuhë.
 
Treguesi i tretë është falenderimi i Zotit me punë. Nëse Zoti të ka dhënë shëndet, mundohu t`i japësh hakun Zotit. Nëse të ka dhënë pasuri, jepi hakun jetimit, nëse të ka dhnë dituri, meso dikë. Nëse të ka dhënë Zoti fëmijë, edukoji ata. Nëse të ka dhënë Zoti shtëpi, jepi hakun mikut e kështu me rradhë. Vallahi po t`i numërojmë të mirat e Zotit nuk dalin as lapsat e as letrat. Shumë pak prej njerëzve janë falenderues.
 
Pjesa e dytë e hadithit: “Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”.
Të gjithëve na ndodhin fatkeqësi. Mund të vdesin fëmijët, shtëpia të dëmtohet, pasuria të humbet, mbetesh pa punë, nuk shkojnë planet siç duhet e kështu me rradhë. Të gjithëve na ndodhin gjëra të tilla. Por besimtari e kap menjëherë situatën. Ai thotë: “Ky është kader i Zotit dhe Zoti cakton vetëm mirë për mua. Mua më kërkohet të duroj dhe sa të kem mundsi të mundohem ta ndryshoj këtë gjendje”. Nuk është e thënë që kur të bie një sëmundje, të jetosh në sëmundje, apo nëse nuk ke pasuri, të jetosh në varfëri. Ti mundohu që ta ndryshosh gjendjen tënde për mirë, por gjithmonë duke e shoqëruar këtë me durim.
Prandaj besimtari zgjidhjen e sheh në mes të vështirësisë. Aty ku shtrëngohet situata dhe bëhet nyje, besimtari shpreson se aty do të vijë zgjidhja. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “pas vështirësisë vjen lehtësimi. Vërtet pas vështirësisë vjen lehtësimi”. (El Inshirah: 5-6).
Dijetarët thonë, se një vështirësi nuk i mund dot 2 lehtësime. Pra në këto ajete është përmendur një herë vështirësia dhe dy herë lehtësimi. Na ndodh shpeshherë, që për 5 minuta e prishim punën, për të cilën kemi duruar ndoshta me ditë të tëra. Kjo është çështja e durimit.
 
E mira me siguri do të vijë. Besimtari është ai, që e sheh ilaçin tek helmi i gjarprit, shikon dobi tek pickimi i akrepit. Besimtari sheh se nëpërmjet vdekjes ai mund të fitojë edhe xhenetin. Në çdo moment ai i sheh gjërat ndryshe nga njerëzit e tjerë. Ajo që për njerëzit duket e zezë, për besimtarin nuk është e tillë, sepse ai e di që Zoti ka një urtësi dhe se Ai nuk cakton keq për robërit e Tij. Me siguri do të vijë ndryshimi, por duhet pritur edhe pak.
 
Thuhet se një nga të parët e muslimanëve ishte njeri pa flokë, kishte sëmundjen e lebrozës, ishte i shurdhër dhe i paralizuar. Ky njeri kishte një mal me fatkeqësi mbi kokën e tij. Por ai gjthmonë thoshte këtë lutje: “O Zot! Falenderimi të takon Ty, që mua më ke ruajtur nga shumë sprova, me të cilat i ke goditur njerëzit e tjerë”. Dikush i tha: “Më fal por më duket sikur po tallesh. Po a ka fatkeqësi më të mëdha se këto që të kanë rënë ty”?
I sëmuri iu përgjigj: “O njeri pasha Zotin e them këtë lutje me gjithë zemrën time. Me gjithë këto fatkeqësi që më kanë rënë, Zoti më ka dhënë një gjuhë, me të cilën e përmend Atë. Çfarë kam në zemër e them me gojë dhe nuk kam nevojë të bëj me shenja. Më ka dhënë Zoti një zemër që falenderon. Zemra imë nuk prishet kurrë. Gjithashtu Zoti më ka dhënë një trup që duron sëmundjen dhe dhimbjen”.
Është mirësi e madhe të shprehesh me gjuhë, të falenderosh. Gjtihashtu a ka mirësi më të madhe se të të japë Zoti një zemër falenderuese?! Po ashtu ka njerëz, që kur iu bie një sëmundje, nuk e durojnë dot atë. Ndërsa ka të tjerë që kanë një mal me sëmundje dhe i durojnë ato, madje janë falenderues. Pra ky njeri i sëmurë pa tre thesare që I kishte, ndërsa ai që e pyeti, pa vetëm sëmundjet që i kishin rënë këtij njeriu.
 
Ne duhet të stërvitemi. Si vjen durimi duke u stërvitur? Dëgjoje këtë hadith të profetit (a.s): “Ai njeri që kërkon prej Zotit, që Zoti t`ia ruajë nderin, atij do t`i ruhet nderi i tij. Ai njeri që i lutet Zotit që të mos e shtrijë dorën e të lypë, Zoti nuk do ta çojë atë njeri deri në atë gradë. Ai që kërkon durim, Zoti do t`i japë durim”. (Buhariu dhe Muslimi).
Në një hadith tjetër profeti (a.s) thoshte: “Nuk i është dhënë njeriut mirësi më e madhe në këtë botë sesa durimi”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ne duhet të kemi durim, duhet të kemi mendim të mirë për Zotin, duhet të përkujtojmë të mriat që kemi dhe jo vetëm të këqijat.
 
Dijetarët kanë bërë një debat: A më mirë të jesh pasanik dhe falenderues, apo i varfër dhe durimtar. Ibn Hazmi, një nga dijetarët e muslimanëve thoshte: “Kjo pyetje është pa kuptim, sepse çështja nuk është nëse je i pasur apo i varfër, por puna është se çfarë bën ti kur je pasanik apo i vërfër. Të dyja duhen edhe durimi edhe falenderimi”.
Gjendjen tonë e zgjedh Zoti, ndërsa ne na del për detyrë, që të sillemi si duhet ndaj gjendjeve në të cilat ndodhemi. Pasuria është sprovë nga Zoti, por edhe varfëria është sprovë nga Zoti.
 
Allahu (xh.sh) na bëftë nga ata që janë falenderues ndaj të mirave të Tij dhe të durueshëm ndaj fatkeqësive, fatkeqësi pas të cilave Zoti ka fshehur përsëri të mira për ne. Allahu (xh.sh) na bëftë nga ata që shikojnë gjithmonë tek ajo që u ka dhënë Ai dhe jo nga ata që shikojnë ato gjëra që nuk i kanë.
Zoti e pranoftë çdo punë të mirë prej nesh dhe shpresojmë, që Zoti të na shpërblejë për çdo fjalë që dëgjojmë në rrugën e Zotit dhe për çdo vepër që bëjmë për hir të madhështisë së Tij.
 
A M I N