Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin

Valiu i një rajoni, kishte dalë në pazarin e vjetër, helbete mos i zë syri diçka të bukur dhe ta blejë. Me qëllim që të mos e bezdiste njeri, ishte veshur si një tregtar. Teksa bridhte sa lart poshtë, i zënë sytë një dyqan të vjetër, i cili s’kishte ndonjë mall që të mbush sytë për të shitur. Dyqani pothuaj ishte krejt bosh dhe brenda tij, gjen
dej një i moshuar, i ulur mbi një karrige që veç Zoti e di si qëndronte në këmbë. Valiut i zunë sytë disa tablo të vjetra dhe gjithë pluhur, të cilat dukeshin krejt të vetmuara në atë hapësirë. Valiu e përshëndet të moshuarin dhe e pyet:”Çfarë ke për të shitur zotrote?”
I moshuari, iu përgjigj:”Mirë se vjen zotëri! Kemi mallrat më të mirë dhe më të shtrenjtë në të gjithë pazarin!”
Valiu, i hodhi një shikim për tu siguruar nëse po bënte shaka dhe kur dalloi seriozitetin e të moshuarit, i habitur e pyeti:”Çfarë?! Mos e ke fjalën për këto rrangallat?!”
I moshuari i tha:”Këto rrangallat që sheh ti, janë urtësia vetë. Ato janë tepër të vyera dhe kam shitur shumë prej tyre. Gjithçka tjetër në treg e ka një çmim, kurse këto nuk çmohen.”
Valiu i tha si me ironi:”Duhet të jetë goxha fitimprurëse kjo tregti, apo jo?!”
I moshuari iu përgjigj:”Po zotëri. Kam fituar shumë prej saj. Secila nga këto tablo kushton qimet e kokës. Të gjithë ata që i kanë blerë, kanë përfituar shumë nga urtësitë e mia.”
Valiu iu afrua njërës prej tablove, e kapi në dorë dhe e pastroi nga pluhuri. Në të dalloi të qëndisura fjalët:”Mendohu mirë par se të veprosh dhe kij frikë Zotin!” Pasi u mendua rreth këtyre fjalëve, iu drejtua të moshuarit dhe e pyeti:”Mirë, po sa kushton kjo tabloja?!”
Me një qetësi të admirueshme, i moshuari iu përgjigj:”Vetëm dhjetë mijë napolona floriri!!!”
Këtu, valiu nuk e mbajti dot të qeshurën, ndërkohë që i moshuari jo nuk lëvizi nga vendi, por as që i bënte përshtypje sjellja e këtij burri të huaj në dyqan.
Valiu i tha:”Më fal, por a seriozisht e ke?”
I moshuari iu përgjigj:”Fjala e fundit dhjetë mijë napolona. Nuk bëj pazar me mallin tim.”
Valiu filloi të dyshojë në aftësitë mendore të dyqanxhiut. Ai i tha:”Mirë, po të jap një mijë napolona për këtë tablo.” Por i moshuari refuzoi. Mandej i shtoi dhe një mijë të tjera, por sërish i moshuari nuk pranoi. Valiu vazhdoi të shtojë, derisa mbërriti tek nëntë mijë napolona floriri, por sërish i moshuari nuk pranonte. Këtu, valiu shpërtheu në të qeshura dhe vendosi të largohej, duke pritur që i moshuari do e thërrasë nga pas. Por i moshuari as që e prishi terezinë, thjesht iu kthye karriges së tij të hallakatur dhe u ul i qetë. Teksa bridhte pazarit, valiu filloi të meditojë dhe në mendje i erdhi një mendim jo burrëror, por në çast iu kujtuan fjalët që kishte lexuar në tablonë e qëndisur. “Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!” Prandaj menjëherë hoqi dorë dhe iu duk vetja e lehtësuar. Mandej, filloi të mendojë rreth atyre fjalëve të urta, si mund ti hynin në punë. Shumë gjëra mund t’ia shndërronin jetën në një ferr, nëse nuk i pleqëron dhe mendon mirë. Që këtu, iu mbush mendja top lidhur me dobinë e asaj tabloje dhe menjëherë u nis për tek dyqani i të moshuarit. Me të mbërritur, qëndroi para shitësit dhe i tha:”Kam vendosur ta blej tablonë tënde aq sa kërkon ti.”
I moshuari u ngrit pa buzëqeshur fare nga karrigia e tij, mori një leckë dhe pasi e pastroi nga pluhuri, ia zgjati valiut. Pasi mori paratë dhe para se të largohej blerësi, i moshuari i tha:”Po ta shes me një kusht!”
Valiu i çuditur i tha:”Cili është kushti?”
I moshuari:”Këtë urtësi ta shkruash tek porta e shtëpisë dhe në çdo vend tjetër të dukshëm, madje, edhe në ato objekte të domosdoshme për jetën tënde!”
Pasi u mendua pak, valiu i tha:”Dakord!”
Me të mbërritur në pallatin e tij, valiu urdhëroi që ato fjalë magjike të tablosë, të gdhendeshin në vende të ndryshme të pallatit. Madje, urdhëroi disa shërbëtore që t’ia qëndisnin edhe në rrobat e tij personale.
Kaluan ditë, muaj e vite dhe në një moment krize, komandanti i ushtrisë thuri një plan për vrasjen e valiut, pasi i lakmohej vetë këtij posti. Për zbatimin e këtij plani, ai përdori berberin personal të valiut, të cilit i mbushi mendjen dhe e joshi me pasuri ta ndihmojë ta heqë qafe. E kush tjetër më mirë se berberi kishte mundësinë për ta realizuar këtë plan.
Teksa ishte nisur rrugës për tek pallati i valiut, berberin e kaploi frika dhe hutimi. Si do të vriste valiun?! Ishte një mision shumë i vështirë dhe plot rreziqe! Shumë kollaj mund të dështonte dhe i fluturonte koka.
Kur mbërriti tek pallati, lexoi mbi portën e madhe:”Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!” Frika dhe hutimi iu shtuan edhe më shumë, por e mblodhi veten dhe hyri brenda. Teksa kalonte oborrin, i zunë sytë të njëjtën shprehje, e cila përsëritej herë pas here. “Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!” “Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
Për të kontrolluar emocionet e tij, ai vendosi të ecë kokulur që të mos i lexojë më ato fraza që i kallnin datën dhe i kujtonin aktin mizor që do të kryente. Por edhe kur uli kokën, lexoi mbi një sixhade:“Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
Më në fund, arriti tek dhoma e madhe, ku do të qethte dhe rruante valiun. Mbi portë lexoi të njëjtën shprehje, por edhe kur hyri brenda, të njëjtat fjalë qëndronin të qëndisura mbi një tablo në mur. Frika dhe dridhjet që e kapluan e bënë ta humbasë toruan, por sërish e mblodhi veten. Duhej të ishte sa më i qetë dhe askush nuk duhej të dyshonte. Kur hyri valiu brenda, pa që mbi rrobën që kishte veshur ishte qëndisur:“Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
I gjithë trupi iu rrëqeth nga frika, pasi iu mbush mendja se valiu e dinte dhe i drejtohej pikërisht atij me ato fjalë. Jehona e atyre fjalëve i oshtinte në veshë. Kur shërbëtori i solli kutinë me veglat e berberit, ai lexoi mbi kuti:“Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
Si pa vetëdije ktheu shikimin nga valiu, i cili e shihte i buzëqeshur. Në atë çast, berberin e mbuluan djersët. Teksa përgatiste shkumën, valiu e vëren që i dridheshin duart dhe se i ishte zverdhur lëkura e fytyrës. Prandaj, ia qepi sytë dhe filloi ti ndjekë me kujdes lëvizjet e tij. Kur e pikasi këtë berberi, u orvat ta shmangë kontaktin me sy me valiun, prandaj e fokusoi shikimin në mur. Por edhe atje lexoi:“Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
Në atë çast, e kuptoi se komploti i tij ishte zbuluar, prandaj u shemb përtokë duke qarë dhe duke iu përgjëruar valiut që ta falë. Rojet iu hodhën sipër dhe nuk e patën të vështirë t’ia nxjerrin planin dashakeq. Berberi u tregoi se ishin pikërisht ato fjalë magjike që e kishin bërë të bindet se plani i tij ishte zbuluar.
Menjëherë, valiu dërgoi ushtarët që të arrestojnë komandantin e ushtrisë, ndërkohë që berberit ia fali jetën.
Pasi u qetësua situata, valiu doli para asaj tabloje me fjalët magjike e cila i kishte shpëtuar jetën. Mori një pëlhurë të pastër dhe e fshiu e pastroi mirë e mirë. Sa më shumë e shihte, aq më shumë e qetësohej zemra. Në një çast, mendja i vajti tek i moshuari që ia kishte shitur dhe një zë i brendshëm i tha:”Shko dhe shpërbleje atë burrë, se të shpëtoi jetën!” Përse jo, ti blinte dhe një urtësi tjetër. Menjëherë u nis drejt pazarit dhe kur mbërriti tek dyqani, e gjeti të mbyllur. Njerëzit i thanë se i moshuari kishte vdekur.
Shkruaje dhe ti lexues i dashur këtë thënie të urtë dhe vendose kudo në shtëpi, mbi televizor, para kompjuterit, në tavolinën e zyrës, në makinë etj... Teksa e lexon dhe të shfaqet kudo, ajo do të zërë vend në pavetëdijen tënde dhe jehona e saj do të dëgjohet nga zemra dhe mendja jote kudo. Sa mirë do të ishte që këtë thënie ta shihnim të skalitur në zemrat e njerëzve të thjeshtë, por edhe tek politikanët dhe pushtetarët!
“Mendohu mirë para se të veprosh dhe kij frikë Zotin!”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free