Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shenjat e vdekjes se mire

Vdekja është një ngjarje e madhe, një realitet i pashmangshëm, një fatkeqësi që do ta shijojë secili prej nesh. Nëse jeta për të cilën aq shumë punohet në këtë botë është e përkohshme dhe e dyshimtë, si qëndron puna me vdekjen, e cila është e caktuar dhe e sigurt? Vallë sa duhet punuar për të? Vdekja është tragjedi, por tragjedi edhe më e madhe është mospërkujtimi dhe mospërgatitja për të. Ekziston vdekja e mirë dhe vdekja e keqe dhe gjithashtu ekzistojnë shenja dhe shkaktarë për secilën prej tyre. Vdekje e mirë konsiderohet ajo kur njeriut i mundësohet të ketë një përfundim të shkëlqyer, me të cilin Allahu është i kënaqur. Shenjat e vdekjes së mirë Dijetari i njohur me origjinë shqiptare, Muhamed Nasirudin Albani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i Urtë ka bërë shenja me anë të së cilave argumentohet për vdekjen e mirë. E, këto janë nga të mirat e Tij ndaj nesh dhe çdokush që vdes me ndonjërën prej tyre është i përgëzuar.” - Shqiptimi i shehadetit, i fjalës ‘La ilahe il-lallah’: Kjo fjalë është çelës hyrës në Islam dhe nevojitet gjatë gjithë jetës dhe gjithashtu nevojitet edhe gjatë vdekjes. Për këtë fjalë janë krijuar njerëzit dhe xhinët dhe çdo gjë tjetër. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e ka fjalën e tij të fundit nga kjo botë la ilahe ilallah. do të hyjë në xhenet.”1 - Djersitja e ballit në momentet e vdekjes: Kjo i ka ndodhur edhe Profetit tonë sal-lallahu alejhi ue selem, Burejde iben Hatijbi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kishte vizituar një vëlla të tij në Hurasan, i cili ishte i sëmurë për vdekje dhe kur e pa që po i rridhte balli djersë, bërtiti ‘Allahu ekber’ dhe tregoi hadithin: “...vdekja e besimtarit bëhet duke i djersitur balli…”2 - Vdekja natën e xhumasë apo ditën e saj: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Asnjë musliman nuk vdes ditën e xhuma apo natën e saj, veçse Allahu do ta shpëtojë Allahu nga sprova e varrit.”3 - Vdekja në frontin e luftës: Në lidhje me këtë, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Për dëshmorin tek Allahu janë shtatë veçori:... i falen mëkatet me daljen e pikës së parë të gjakut, sheh vendin e tij në xhenet, shpëton prej dënimit të varrit...” 4 - Vdekja nga të vjellët dhe nga fundosja në ujë: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “...ai që është sprovuar me vjellje ka shpërblimin e një shehidi, ndërsa ai që vdes në ujë ka shpërblimin e dy shehidëve.”5 - Vdekja e shkaktuar nga egërsirat, zjarri, shembja, dhimbjet e barkut. - Vdekja e një personi që është i qëndrueshëm dhe stabil në fe gjatë sprovave: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem duke iu drejtuar shokëve të tij tha: “Vërtet pas jush do të vijë një kohë që duhet bërë durim shumë. Ai që i përballon e përmbahet, do të ketë shpërblimin e 50 dëshmorëve nga ju.” Shokët e tij thanë: “50 nga radhët tona apo nga ata?” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Nga ju.”6 - Vdekja e shkaktuar nga rrëzimi prej kodrave të larta. - Vdekja pas ndonjë vepre të mirë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kujt i vjen vdekja duke qenë agjërueshëm, do të hyjë në xhenet.”7 Pastaj hadithi tjetër: “Kush jep sadaka duke dëshiruar shpërblimin tek Allahu dhe vdes pas saj, do të hyjë në xhenet.”8 Ndërsa në një hadith tjetër qëndron: “Atij që Allahu ia do të mirën, e shfrytëzon.” (Shokët e tij ) Thanë: “Si e shfrytëzon?” Ai tha: “Ia mundëson veprimin e një vepre të mirë para vdekjes dhe pastaj ia merr shpirtin.”9 - Vdekja nga murtaja: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Murtaja është shehidllëk për çdo musliman.”10 Dhe në hadithin tjetër: “Murtaja ka qenë dënim që Allahu ua ka dërguar kujt ka dëshiruar, por tani ajo është mëshirë për besimtarët dhe nuk ndodh që një rob, kur të bjerë murtaja mbi një vend, të qëndrojë aty duke e ditur se nuk e kaplon asgjë jashtë asaj që ka caktuar Allahu, do të ketë shpërblimin e dëshmorit në rrugë të Allahut.”11 - Vdekja e gruas si rezultat i shtatzënisë. Në lidhje me këtë, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “...dhe gruaja që vdes nga fëmija i saj është shehide (i cili do ta mbartë me kërthizën e tij deri në xhenet).”12 * Vdekja duke mbrojtur veten, familjen dhe fenë: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush vdes duke mbrojtur pasurinë e tij është shehid, kush vdes duke mbrojtur familjen e tij është shehid, kush vdes duke mbrojtur fenë e tij është shehid, kush vdes duke e mbrojtur gjakun e tij është shehid.”13 * Vdekja në qytetin e Medinës së Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: Në hadith është transmetuar: “Kush ka mundësi të vdesë në Medinë, le të vdesë sepse unë do të ndërmjetësoj për të Ditën e Kiametit.”14 Duhet ditur se ndikimi i shenjave të lartpërmendura shfaqet atëherë kur personi është me besim të pastër. Në fund, themi se shfaqja e këtyre shenjave te një person nuk do të thotë se ai ka siguruar xhenetin. Gjithashtu, mosshfaqja e tyre nuk argumenton futjen e tij në xhehenem, por ato janë vetëm përgëzim i mirë për të.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free