Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sjellja e muslimanit

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë “Pasha njeriun dhe atë që e krijoi, atë që ia mësoi njeriut veset e mira dhe veset e liga. Ka shpëtuar ai njeri që ka pastruar veten e tij, ka humbur dhe ka dështuar ai njeri që ka poshtëruar veten e tij”. Shems 6-10.
 
Besimtarë muslimanë, vëllezër dhe motra!
Jetojmë në ato ditë, kur njerëzit shpenzojnë para, në ato ditë kur kryhen konkurse bukurie, në ato ditë ku shpenzohen me miliona pse jo dhe me miliarda dollarë për rrobat e njerëzve. Njerëzit shpenzojnë, harxhojnë për të rregulluar pamjen e tyre të jashtme dhe shumë pak shpenzojnë për të rregulluar moralin dhe sjelljen e tyre, me pak fjalë të brendshmen e tyre.
 
Njeriu shpenzon, ndoshta edhe abuzon për të rregulluar formën e tij të jashme, të cilën nuk e ka në dorë. Zoti nuk do t’i pyesë njerëzit, se përse njëri është i bardhë e tjetri i zi, pse dikush është më i bukur e tjetri më i shëmtuar, sepse vetë i ka krijuar dhe pyetja për këto gjëra është pa vlerë.
 Ajo për të cilën Zoti do t`i pyesë njerëzit, për atë që gjendet në zemrat e tyre, për moralet dhe sjelljet e tyre. Vetëm shikoni se sa shpenzohet për moralet e njerëzve? Sa harxhojmë në konkurse për t’u mësuar fëmijëve tanë edukatën, për t’u mësuar sjelljen? Shumë pak, ndoshta aspak. Gjithcka shpenzohet për të rregulluar të jashtmen tonë.
 
E ndjejmë të nevojshme të flasim për moralin dhe sjelljen, sepse ato e kanë zanafillën e tyre qysh me krijimin e njeriut të parë, Ademit (a.s). Kur Ademi (a.s) bëri një gabim, ai tregoi natyrën e tij të dobët, por tregoi edhe moralin e tij. Pasi bëri gabimin, Ademi (a.s) tha: “O Zot, ne I bëmë padrejtësi vetes tonë. Në qoftë se Ti nuk na mëshiron, në qoftë se ti nuk na fal do të jemi të humbur”. (A’raf 23). Kjo është natyra e njeriut të mirë, kjo është thjeshtësia, kjo është modestia, ky është morali i mirë.
 
Nga ana tjetër edhe shejtani bëri një gabim. Po çfarë bëri ai pas gabimit?! Ai tha: “Unë jam më i mirë se njeriu, pse u dashka t’i përulem njeriut? Unë jam krijuar prej zjarri, ai është krijuar prej balte”. Kjo është mendjemadhësia, ky është morali i mendjemadhësisë e i kryeneçit. Që në fillimet e njerëzimit doli në pah morali i mirë dhe morali i keq.
 
Dikush mund të mendojë: “Të flasësh për moralin, nuk është dhe aq e rëndësishme”. Përkundrazi morali është pjesë e Islamit, është pjesë e besimit të çdo muslimani. Duhet ta dimë, se Allahu (xh.sh) i ka shpjeguar hollësisht cilësitë dhe emrat e Tij të bukur në Kuranin famëlartë. Pse vallë? Në mënyrë që besimtarët muslimanë të kenë një shembull, të marrin shembull tek Allahu (xh.xh), tek Zoti i gjithësisë. Për këtë arsye Allahu (xh.sh) ka folur për Veten e tij dhe për cilësitë e Tij. Ato janë cilësitë absolute, janë cilësitë më të larta, që besimtari musliman mund të marrë shembull te Krijuesi i tij, tek Allahu (xh.sh).
 
Ai gjithashtu i zgjodhi profetët e tij. Ata nuk ishin as më të fortët, as më të pasurit, por njerëzit me moralet më të larta, nga familjet më të pastra. Po pse vallë?! Në mënyrë që ata të jenë shembull për fenë, të jenë shembull për mbarë njerëzimin, të jenë pishtarë ndriçues për çdo lloj njeriu, që dëshiron të ndriçohet në jetën e tij dhe në rrugën e tij.
Nga ana tjetër, Allahu (xh.sh) na i ka treguar me hollësi cilësitë e shejtanit të mallkuar. Pse vallë? Në mënyrë që besimtarët ta njohin armikun e tyre e të mos i ndjekin ato cilësi.
Ja pra Zoti i gjithësisë tregon për Veten e tij, Ai zgjedh njerëzit më të pastër, ai tregon për armiqtë e besimtarëve, tregon për shejtanin dhe ithtarët e tij, që të mos merren si shembull.
 
Feja jonë nuk është vetëm fe rregullash, siç mund të reklamohet sot. Ajo është fe e besimit, është fe edhe e moralit. Feja jonë synon të rregullojë tre aspekte kryesore:
 
1-     Aspekti i parë është besimi i njeriut. Feja ka për qëllim të kanalizojë besimin e njeriut. Çdo njeri është besimtar në natyrën e tij, por Islami erdhi për ta drejtuar këtë besim aty ku e pëlqen Allahu (xh.sh). Nuk është normale, që njeriu të adhurojë njeriu gur e dru, lopë, dele e kafshë, por ai duhet të adhurojë Zotin e gjithësisë, Allahun (xh.sh), i Cili ka krijuar njeriun dhe gjithë universin. Ky është aspekti i parë.
 
2-     Aspekti i dytë janë marrdhëniet mes njerëzve. Feja erdhi për t`i rregulluar këto marrëdhënie.
 
3-     Aspekti i tretë është morali i njeriut. Feja erdhi për të rregulluar moralin e njeriut, të brendshmen e tij. Ja pra morali është një e treta e fesë islame. Gjithashtu duhet ta dimë, se morali i muslimanit nuk mund të shkëputet kurrë nga besimi i tij. Besimi i njeriut është pjesë e brendshme, është sekret mes tij dhe Allahut (xh.sh), ndërsa morali është ajo që duket.
 
Po të lexoni Kuranin famëlartë, do të habiteni se sa bukur i ka lidhur Allahu (xh.xh) besimin me moralin. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “Kanë shpëtuar besimtarët”. (Mu’minun 1). Kush janë besimtarët o Zot? Allahu (xh.sh) na përgjigjet në Kuranin e Tij fisnik: “Ata që kanë frikë Allahun në namazin e tyre, ata që falen me respekt dhe devotshmëri përpara Allahut”. (Mu’minun 2). Kjo është cilësia e parë e besimtarit, falja me respekt e devotshmëri.
 
Po pas namazit çfarë vjen? Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Janë ata që i kanë kthyer shpinën fjalëve të liga, fjalëve të kota”. (Mu’minun 3).
Direkt pas namazit vjen, lënia e punës së kotë. Ktheji shpinën punëve të kota! Merru me dicka të hajrit!
 
Pastaj vazhdon Allahu (xh.xh): “Janë ata që japin zekatin”. (Mu’minun 4). Besimtarët japin zekat nga pasuria e tyre. Pastaj Allahu (xh.sh) thotë: “Janë ata që kanë ruajtur nderin e tyre”. (Mu’minun 6). Të ruash nderin është pjesë e moralit.Pastaj vazhdojnë ajetet Kur’anore duke thënë: “Ata që mbajnë amanetin”. (Mu’minun 7). Ta mbash amanetin e të mos e humbasësh atë, është tregues i moralit.
 
Kurani na tregon më tej: “Ata që janë të kujdeshëm në namaze”. (Mu’minun 9). Janë ata që nuk e harrojnë namazin e tyre. Feja jonë ka bashkuar mes namazit, moralit, besimit dhe sjelljes. Ka ardhur koha që muslimanët ta kuptojnë, se ata nuk janë mbrapa thjesht me ekonomi, janë mbrapa edhe me morale. Ata duhet të jenë shumë më të fortë nga ana morale, duhet të kenë sjellje të forta, përndryshe do të shkojnë gjithmonë në rënie.
 
Çfarë e rregullon shoqërinë dhe çfarë e prish atë? Shoqërinë e prish morali i keq. Nga ana tjetër shoqërinë e forcon morali i mirë, i cili lidh familjet dhe njerëzit.
 
Ç`do të mendoje për një pallat, banorët e të cilit shohin njëri-tjetrin vëngër, mbajnë inat me njëri-tjetrin? Në atë pallat njeriu nuk guxon të lërë familjen e tij, nuk guxon të lërë pasurinë e tij, sepse ka frikë nga komshiu i tij.
 
Çfarë mund të themi për një kompani, punëtorët e së cilës kanë inat njëri-tjetrin, kanë smirë e zili ndaj njëri – tjetrit?! Nëse punon në një kompani të tillë, pret me padurim që të mbarojë orari i punës e të dalësh që aty një orë e më parë.
 
Ç`mendoni për një familje që po shkatërrohet, vetëm e vetëm se babai s’pyet për fëmijën e tij, as fëmija s’pyet për prindin e tij, as bashkëshorti për bashkëshorten e anasjelltas. Aty secili mundohet të bëjë qejfet e tij. Në këtë familje nuk ka moral dhe ajo për fat të keq do të shkatërrohet shumë shpejt, siç po ndodh me shumë familje në shoqërinë tonë.
 
E pra, kjo është shoqëria. Shoqëria është një pallat, një kompani, një familje. Po shkatërrohet shoqëria jonë, po shkatërrohen familjet tona dhe shkaktar I gjithë kësaj është morali i prishur, ai kancer që po futet në zemrat e njerëzve dhe po shkatërron mbarë njerëzimin. Pikërisht për këtë arsye na del për detyrë të kemi parasysh moralet tona.
 
Le ta pyesim veten “Ku jemi ne në lidhje me atë, që do Allahu (xh.xh)? Kush mund ta rregullojë moralin e njerëzve”? Kjo është një pyetje shumë e madhe. Po mundohen parti, po mundohen filozofë e sociologë për të rregulluar moralin e njerëzve. Po kush vallë e rregullon vërtet moralin e njerëzimit?
Kur do të vijë dita, që të jetojmë në një shoqëri e bashkësi të moralshme? Kur do të vijë ajo ditë, që të mos kemi më frikë për familjet tona, për pasuritë tona, të mos kemi frikë se mos na fusin duart nëpër xhepa e na vjedhin? Kur ka për të ardhur kjo ditë? Kush e rregullon moralin e njerëzimit? Mos vallë e rregullojnë ligjet që vendosin njerëzit? Ato ligje mund të rregullojnë vetëm anën e jashtme. Ato mund ta ndalojnë njeriun të mos bëjë keq, por ato nuk e nxisin njeriun të bëjë mirë. A mos vallë zhvillimi teknologjik do ta rregullojë moralin e shoqërisë sonë?
 
Po mundohemi të zhvillohemi, po çfarë po ndodh me moralet tona? Ata po shkatërrohen. Shikojeni vetë shoqërinë tonë, si po shkatërrohet. Shohim zhveshje të femrave nga të katër anët. Nënat tona, vajzat tona, motrat tona, po konkurojnë për t’u zhveshur sa më shumë. Mos vallë kjo është pjesë e moralit? A kjo do ta rregullojë shoqërinë tonë? A s’i keni parë televizionet në shtëpitë tuaja? A s’e keni parë se edhe në kuize edhe në konkurse, në plan të parë dalin dy vajza, dy figura gjysëm të zhveshura. Fëmijët i shikojnë, bashkëshortet i shikojnë, gjithë familja I shikon këto gjëra. Sot I bëhet reklamë zhveshjes, për ta bërë normal moralin e keq.
 
Po dëgjojmë dhe po habitemi per martesat mes llojit, burrë me burrë dhe grua me grua. Sot po kërcënohet rëndë institucioni i familjes, që është bërthama e një shoqërie të shëndoshë.
 
Moralin e rregullon vetëm Zoti i gjithësisë. Ai e di më së miri se cfarë ka krijuar, e di më së miri se çfarë do të veprojë njeriu. Themi pa frikë dhe mëdyshje, se ajo që rregullon tërësisht moralin, është feja e Allahut (xh.sh), Njeriu, duke dashur të rregullojë jetën e tij, shpeshherë pa dashje I bën dëm vetes së tij. Vetëm Allahu (xh.xh), Krijuesi i njeriut, mund të rregullojë jetën e njeriut.
 
Allahu (xh.sh), Zoti Ynë, Krijuesi i gjithë botëve, Ai i Mëshirshmi, i Buti, na mëson se na do shumë, na mëson moralet e mëdha dhe të vogla. Të mëson respektin ndaj prindërve, të mëson se si duhet të trokasësh në derën e prindit. Të mëson të mbash farefisin, të mëson se si duhet të shkosh për vizitë tek tjetri. Të mëson se si duhet të ecësh, se si duhet të ulesh. Të mëson edhe sesi duhet të futesh në banjo e si duhet të dalësh prej saj. Po pse vallë? Që të mos thotë besimtari se nuk kishte ku të merrte shembull. Ti e ke shembullin, por ndoshta nuk do të marrësh shembull. Kjo është feja e Allahut (xh.sh).
 
Po të studioni Islamin, do të shihni se ai nuk ka lënë gjë të vogël apo të madhe pa e shpjeguar, në mënyrë që njerëzit të kenë shembullin më të mirë. O vëllezër! Ka ardhur dita, kur njerëzit duhet të masin besimin e tyre, të masin moralet e tyre. Na duket se jemi njerëz të moralshëm dhe inshallah të tillë jemi, sepse shikojmë dikë që është poshtë nesh. Por ta dini se nuk është ky parametri, me të cilin besimtari mat veten e tij. Besimtari duhet ta masë veten me gjëra shumë të thjeshta. A s’e ke dëgjuar se Allahu (xh.sh) për cilësinë e parë të robërve të vet tha: “Robtë e Zotit janë ata që ecin butë, ecin thjesht në tokë”. (Furkan 63). A ecim ne thjeshtë në rrugë? A ecim thjesht me makinat tona, apo presim momentin për të xhiruar gomat e makinave tona? Ky është tregues i moralit të muslimanit.
 
A se ke dëgjuar fjalën, që Llukmani (a.s) i tha djalit të tij: “Biri im, mos e ngri zërin më shumë se c’duhet, se zëri më i shëmtuar është zëri i gomarit”. (Lukman 19). A bërtasim ne në familjet tona? A i mbledhim mllefet, zemërimet, para nënës, para babait, para fëmijëve, para bashkëshortes dhe shfryjmë mbi ta me egërsi?! Kjo është pjesë e moralit të Islamit. A bërtasim ne në rrugë, a bërtasim në xhamitë tona, në vendet e kultit? Këtu matet morali i besimtarit musliman.
 
Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Të heqësh papastërtinë prej rruge është pjesë  besimit”. (Buhariu dhe Muslimi).
Kush prej nesh denjon të dalë prej xhamie, të pastrojë rrugën, të pastrojë rrugën e shtëpisë së tij. I shikon njerëzit sesi e hedhin qesen me mbeturina nga kati i tretë, apo nga xhami i makinës. Ky është parametri, me të cilin besimtari e mat veten e tij, pra tek gjërat më të thjeshta. Ne s’e kemi pyetur veten, po keto janë tregues të besimit. Islami nuk kërkon mrekullira prej njerëzve. Ai kërkon prej nesh ta fillojmë me punë shumë të vogla. Po qe se e fillojmë me punë të vogla, Zoti (xh.xh) i rregullon punët e mëdha.
A kanë dëgjuar gratë dhe motrat tona, se Profeti Muhammed (s.a.s) ka thënë: “O gra besimtare, kur të gatuani dicka, shtoni pak dhe jepini edhe komshiut tuaj”. Çfarë bëjnë muslimanët sot? A e respektojnë komshiun apo e marrin atë nëpër gojë. Sot ka gra që banojnë në katin e tretë dhe nxjerrin për të terur rrobat e zeza, të cilat kullojnë mbi rrobat e bardha të komshiut të katit të dytë, duke i bërë pis ato. Ku është besimi këtu?! A nuk logjikoni?!
 
Ne duhet ta pyesim veten tonë për gjëra shumë të thjeshta. A ka besimtarë që me makinën e tyre zënë rrugën e makinave të tjera? A ka besimtarë, që vendosin të parkojnë makinën e tyre përpara derës së komshiut? Ja ky është morali i muslimanit.
 
Bota nuk dëgjon me veshë, ajo shikon me sy. Në qoftë se do të tregosh se kush është muslimani i vërtetë, tregoje me vepra dhe jo me llafe. Tregoje veten tënde, tregoji moralet e tua, se ato do të shikojnë njerëzit, ndërsa atë që është mes teje dhe Allahut (xh.xh) nuk e di as unë, as njerëzimi, atë e di vetëm ti dhe Allahu (xh.sh).
 
E lusim Allahun (xh.sh) t’i zbukurojë moralet tona. Lusim Zotin e gjithësisë të na mundësojë ta kalojmë gjendjen e dobësisë tonë e t`i forcojmë moralet tona me lejen e Tij.
Lusim Allahu (xh.sh) të na dhurojë një shok të mirë, i cili na tregon për mangësitë tona. Lusim Allahu (xh.sh) të na bëjë të thjeshtë, ta dëgjojmë mangësinë dhe gabimin tonë edhe prej armikut. Armiku mund të të ndihmojë të njohësh veten tënde.
 
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Jam dërguar për të plotësuar moralet e larta”. Buhariu në Edebul Mufred dhe hadithi është i vërtetë.  Ta thoshte këtë fjalë një filozof mund të pranohej, ta thoshte një sociolog mund të pranohej, por e thotë profeti i Allahut (xh.xh), ai që ishte edhe president por ishte edhe shërbëtor, ai që e jetoi jetën si beqar por edhe si burrë I martuar, ai që jetoi në paqe dhe në luftë. Gjatë gjithë 23 viteve që jetoi si profet ai tha: “Unë kam ardhur vetëm për një qëllim, për të përsosur moralet e njerëzimit”. (Hadith i vërtetë. Buhariu në Edebul Mufred)
Po të rregullohet morali, rregullohet jeta, rregullohen marrëdhëniet me Allahun (xh.xh). Ja ky është funksioni i Profetit (a.s), ky është edhe funksioni i Islamit.
 
Duhet të na vijë keq, që feja e Allahut (xh.sh) po reklamohet thjesht si fe rregullash të thata e pa asnjë kuptimi. Mos vallë ky është thelbi i Islamit? A kjo është feja e Allahut (xh.sh)? Disa rregulla që ne bëjmë, e të tjerët nuk kuptojnë se cfarë bëjmë ne? Ne falemi, ata habiten. Ne agjërojmë, ata habiten. Kjo është feja e Allahut? Jo pasha Zotin nuk është kjo feja e Allahut (xh.sh).
 
Po të studiosh Islamin, po të njohësh thelbin e tij, do ta shohësh se të gjitha adhurimet që bëjmë, falja e namazit, agjërimi, haxhi, zekati kanë një qëllim të vetëm: “Të rregullojnë moralin e njeriut”. Ky është qëllimi final, për të cilin ka ardhur feja e Allahut (xh.sh).
 
Allahu thotë në Kuranin famëlartë: “Namazi ndal nga veprat e liga, nga fjalët e kota”. (Ankebut 45). Nëse namazi po të ndalon nga veprat e liga, atëherë dije se namazi po bën dobi në zemrën tënde.
Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Pasha Zotin, nuk ka vlerë agjërimi i atij njeriu që agjëron, mban barkun bosh, por nuk largohet nga gënjeshtra dhe thashethmet. Allahu (xh.sh) nuk ka nevojë për agjërimin e këtij personi”. (Buhariu dhe Muslimi).
 Agjërimi ka një qëllim: të rregullojë moralet dhe sjelljet e njerëzve.
 
Allahu (xh.xh) thotë: “Merr nga pasuritë e tyre zekatin”. (Teube 103). Pse vallë të marrim zekatin? Për të pastruar zemrat e besimtarëve. Qëllimi i zekatit është të pastrojë zemrën e njeriut. Po ashtu Allahu (xh.xh) flet për haxhin: “Kush e ka bërë nijet të shkojë në haxh le ta dijë, se atje nuk ka fjalë të kota, nuk ka debate, nuk ka punë koti”. (Bekare 197). Atje ka pastrim zemrash e moralesh.
 
Kjo pra është feja jonë. Këto janë bazat e fesë tonë. Ata kanë një qëllim të vetëm, kanë një synim final, të rregullojnë marrëdhëniet e njeriut me njeriun, të rregullojnë moralet e njerëzve. Është e vërtetë, se të jesh i moralshëm në kohën tonë është shumë e vështirë, sepse në këtë kohë, kur ti mendon mirë, tjetri mendon keq për ty, ti mundohesh t’i japësh hakun tjetrit, tjetri mundohet të të hajë hakun tënd. Nëse nis të bësh llogari e parashikime, të duket e pamundur. Por besimtari i tejkalon parashikimet. Ai nuk është bir i dynjasë, por i ahiretit. Ai punon e jeton për xhenetin e Allahut (xh.xh).
 
Sot është e rëndë të jetosh me moral, por më e rëndë se kaq është morali në ditën e Gjykimit tek peshorja e besimtarit. Ne I besojmë fjalës së profetit (a.s), i cili ka thënë: “Puna më e rëndë që vihet në peshoren e njeriut Ditën e Gjykimit, është morali i tij”. (Tirmidhiu dhe Ibn Hibani).
 
E lusim Allahun (xh.sh) t’i pastrojë zemrat tona. Lusim Allahun (xh.xh), që ashtu siç ka zbukuruar fytyrat tona, të zbukurojë dhe moralet tona.
O Zot, na udhëzo nga moralet e mira, sepse nuk ka kush na udhëzon drejt tyre përveç Teje. O Zot, largoji prej zemrave tona moralet e ulta, sepse askush përveç Teje nuk mund t’i largojë këto morale të ulta prej nesh.
O Zot na fal ne, fali prindërit tanë, fali të gjithë njerëzit që e duan faljen tënde. O Zot fali gabimet tona, ata që duken dhe ata që nuk duken, gabimet e mëdha dhe gabimet e vogla. Ata që i dimë vetëm ne dhe Madhështia jote.
O Zot na mëshiro dhe prindërit tanë, na mëshiro sa jemi gjallë, na mëshiro kur të vdesim, na mëshiro kur të dalim para Madhështisë tënde. O Zot, rëndoje peshoren tonë me morale të mira, rregulloji moralet e muslimanëve dhe shoqërinë ku jetojnë muslimanët.
 
     A M I N


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free