Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Fjala e ëmbël

I ftuar: Dok. Hamud Fehd El-Kash’an.

Konsulent familjar.

Drejtor i administratës së shërbimeve konsultative, pranë divanit të Emirit në Kuvajt.

I diplomuar në universitetin e Pensilvanisë, për administrim dhe prodhim.

 Prof. Xhasim El-Mutava: ”Fillimisht u përshëndesim me përshëndetjen tonë”

Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju!

Së dyti, meqë ndodhemi në një atmosferë feste, të Fitër Bajramit, dua t’ju urojmë gëzuar Bajramin dhe Zoti i pastë pranuar adhurimet gjatë muajit të Ramazanit.

Agjëruesi ka dy gëzime, një kur çel iftar dhe të dytin kur do të takohet me Zotin dhe Krijuesin e tij. Sot ne kemi dhe një gëzim të tretë, i cili është ky emision, me anë të të cilit lidhemi dhe ruajmë kontaktet me muslimanët në mbarë botën. Duke qenë se ndodhemi në ditët e kësaj feste të madhe, tema e këtij emisioni do të jetë e përqendruar rreth kësaj ndodhie.

Këtë temë e kemi titulluar “Fjala e ëmbël”. Ne zgjodhëm këtë titull, pasi në ditë të tilla, bashkëshorti uron bashkëshorten dhe anasjelltas, me fjalët “Gëzuar Bajramin” “Për shumë vjet gëzuar” etj...

I ftuari ynë në këtë emision është doktori Hamud Fehd El-Kash’an. Ne i urojmë atij mirëseardhjen dhe fillimisht e pyesim mbi mendimin e tij rreth kësaj teme”.

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Besoj se është diçka e bukur. Unë uroj dhe shpresoj që fjala e bukur, të jetë dominuese në marrëdhëniet mes burrit dhe gruas. Është për të ardhur keq, që disa familje e fillojnë jetën e tyre bashkëshortore me fjalë të ulëta. Ata harrojnë t’u thonë fjalë të mira dhe të ëmbla, edhe njerëzve më të afërt. Ndodh shpeshherë, që bashkëshortët t’u kushtojnë rëndësi marrëdhënieve shoqërore dhe publike, më shumë se ç’u kushtojnë rëndësi marrëdhënieve reciproke. Prandaj, fjala e ëmbël është baza dhe themeli i suksesit të marrëdhënieve, bashkëshortore qofshin ose shoqërore”.

Katergoritë e njerëzve në shfrytëzimin e pushimeve gjatë Bajramit

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Si mund t’i shfrytëzojë ditët e pushimit të Bajramit një çift”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Bajrami është një festë, që lidh njeriun me Zotin e tij. Pas agjërimit të një muaji, vjen festa e Bajramit si shpërblim. Është për të ardhur keq, që disa njerëz e humbasin vlerën e kësaj feste duke e kthyer atë në arenë zënkash, konfliktesh dhe vuajtjesh shpirtërore. Unë këtu flas si ekspert në çështjet familjare dhe kam vënë re, që pas Bajramit rastet e konflikteve familjare janë më të shumta se ç’ishin para Bajramit”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fakt njerëzit janë dy kategori:

a) Në kategorinë e parë hyjnë ata njerëz, të cilët menjëherë pas namazit të Bajramit, kthehen në shtëpi ku fillojnë problemet dhe zënkat. Disa prej tyre i kalojnë ditët e festës në gjumë. Të tjerë shkojnë tek varrezat. Ndërkohë që disa të tjerë arratisen dhe këtë arratisje unë e quaj arratisje shoqërore, pasi ai braktis fëmijët dhe gruan e tij dhe del me shokët.

Ka të tjerë që për festën e Bajramit blejnë shumë dhurata, jo për vete dhe fëmijët e tyre por për të tjerët. Këta nuk jetojnë për vete por për të tjerët”.

b) Në kategorinë e dytë hyjnë ata njerëz, të cilët ndihen të lumtur dhe të gëzuar. Këtu bëjnë pjesë ato familje të cilat kanë planifikuar që më parë për mënyrën se si do i kalojnë pushimet e Bajramit. Me këtë nuk dua të them që babai apo burri, të kapë pendën, një letër dhe të fillojë të shkruajë planet gjatë festës. Jo. Diçka e tillë ai mund t’a bëjë me mendje, pa pasur nevojë për t’a shkruar në letër. Gjëja më e bukur mbi të cilën mund të planifikojnë, është si të jenë bujarë gjatë Bajramit. Ju mund të thoni që ne të gjithë jemi bujarë dhe zemërgjerë gjatë Bajramit, pasi japim dhurata. Por unë kam si qëllim bujarinë familjare, ku burri u kushton kohën dhe vëmendjen e duhur pjesëtarëve të tjerë të familjes”.

A jetojmë vetëm për t’i parë fëmijët të lumtur?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi disa njerëzve këto pyetje: ”A keni planifikuar për Bajramin si familje? A keni diskutuar me palën tjetër rreth programit të Bajramit? Çfarë programi keni vendosur për të kaluar pushimet e Bajramit”?

Disa prej tyre përgjigjeshin se kanë planifikuar për pushimet e Bajramit, të cilat i kalojnë duke vizituar të afërmit. Disa prej tyre pohuan që nuk planifikonin për pushimet e Bajramit. Sipas tyre programi familjar zhvillohet në formë rutinë dhe se janë fëmijët ata, që marrin nën kontroll mënyrën e kalimit të pushimeve. Cili është komenti juaj doktor i nderuar”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Në përgjithësi përgjigjet janë pozitive, por ajo që vura re, është se sot jetojmë për fëmijët tanë dhe jo për veten tonë.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po ju a e përkrahni diçka të tillë”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Një person që jeton vetëm për të tjerët, është si një telekomandë, të cilën e komandojnë njerëzit si të duan. Nëse do punosh vetëm për fëmijët, do të vijë një ditë që do të raskapitesh, ngopesh dhe mërzitesh. E njëjta gjë ndodh dhe me prindërit!!

Kështu, një njeri që jeton vetëm për fëmijët e tij, do të ndihet gjithmonë i lodhur dhe raskapitur. Janë fëmijët ata që kontrollojnë jetën dhe vendimet e këtij njeriu.

Ne duhet të planifikojmë dhe të lodhemi, por as vetëm për fëmijët dhe as vetëm për ne.

Veç kësaj, dua të komentoj dhe fjalët e njërit nga të intervistuarit, që tha “Jeta jonë vazhdon për së mbari”. Unë dua të them që nuk ka njeri që ka një jetë të tillë. Nëse nuk planifikon siç duhet për të ardhmen, ti planifikon për të dështuar dhe vuajtur. Prandaj psikologjia i ndan njerëzit në tre kategori:

a) Njeri që jeton me të kaluarën e tij. Një njeri të tillë e shikon gjithmonë të depresionuar dhe të pashpresë.

b) Njeri që jeton me të tashmen dhe jeton gjatë gjithë kohës me frikë dhe ankth.

c) Njeri që e jeton jetën si t’i vijë. Jeta e tij është e mërzitshme dhe rutinë.

Njeriu i lumtur

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sipas jush, cila është kategoria e veçantë dhe që sipas mendimit tuaj ndjek drejtimin e duhur”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Një njeri të tillë, e ka përshkruar psikologu Xhon Kotman. Ai thotë: ”Njeriu i fortë, i suksesshëm dhe i lumtur, është ai që nxjerr dobi dhe mësime nga e kaluara, njeh mirë të tashmen dhe planifikon për të ardhmen”.

Lumturia kolektive

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Duke qenë se jeni doktor dhe ekspert në çështjet familjare dhe marrëdhëniet bashkëshortore, dua t’ju bëj një pyetje të rëndësishme. Ne kemi dy kategori etërish:

Kategoria e parë janë ata etër, të cilët janë egoistë përsa i përket lumturisë. Ata duan që vetëm ata të jenë të lumtur, duke mos u kushtuar rëndësi as fëmijëve dhe as gruas.

Kategoria e dytë janë ata etër, të cilët e sakrifikojnë lumturinë e tyre, për t’u falur fëmijëve dhe bashkëshorteve lumturinë e kërkuar. Unë dua t’ju pyes se nga cila kategori anoni ju vetë”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Kur them që dua të jem i lumtur, kjo nuk do të thotë se unë e shpërfill dhe neglizhoj lumturinë e të tjerëve. Nëse burri do të vuante nga depresioni dhe gruaja do të ndihej e lumtur, a e imagjinoni dot se si mund të dilnin për të bërë pazar këta të dy? Padyshim që gjatë pazarit, gruaja do i vinte re damarët e fryrë, fytyrën e skuqur, padurimin, nervozizmin etj... të burrit. Kjo në psikologji njihet me emrin “Depresioni sekondar”.

Ajo që dua të theksoj është, se lumturia është kolektive dhe e përbashkët, as vetëm e imja dhe as vetëm e jotja dhe planifikimi duhet të bëhet nga të gjithë për të gjithë. Në të kundërt, në rast lumturie individuale, do të hasim shfrytëzim dhe abuzim”.

Shfrytëzimi i Bajramit për familjen në emigrim

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le t’i kthehemi sërish temës tonë “Fjala e bukur”. Në ditën e festës së Bajramit, e gjithë familja mblidhet, të qeshurat shtohen, paqja dhe harmonia mbizotëron ambjentet familjare, mikpritja vihet re kudo, marrëdhëniet farefisnore forcohen etj... dhe diçka e tillë, padyshim që e bën familjen më kompakte dhe të bashkuar. Si mund të mbushet boshllëku që ndjejnë familjet që janë në emigrim? Është për t’u habitur, por një person që jeton në Amerikë, më tregoi se djali i tij nuk e njihte kushëririn e vet, as gjyshin dhe as gjyshen. Kjo, edhe pse djali i tij ishte njëzet e pesë vjeç”.

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Unë jam ekspert në psikologjinë familjare dhe mendoj, se familjet në emigrim më së shumti vuajnë nga emigrimi shpirtëror. Prindërit duhet të përpiqen, që t’ua kompensojnë fëmijëve ato vlera, që u mungojnë nga vendlindja e tyre. Për shembull, ata duhet t’a zbukurojnë shtëpinë gjatë festave islame. Gjatë qëndrimit tim në Penselvani, u njoha me një musliman nga Turqia, i cili në ditët e Bajramit i merrte fëmijët dhe i çonte tek lodrat. Disa familje të tjera, ndryshonin sa të mundeshin veshjet dhe mobiljet e shtëpisë, me qëllim që t’ju kujtojë fëmijëve se janë ditë feste dhe gëzimi.

Një pikë e rëndësishme janë dhe kontaktet me pjesën tjetër të familjes, me anë të telefonit dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Në shumë familje, bojkoti i familjarëve, që jetojnë në vendlindje, është bërë diçka e zakonshme. Në vend që të harxhosh njëzet dollarë për të ngrënë një drekë, harxhoji ato për të folur në telefon dhe për t’u uruar festën prindërve dhe njerëzve më të afërt.

Unë i këshilloj familjet në emigrim që me sa të munden, t’a publikojnë festën dhe gëzimin. Me këtë rast, më kujtohet që një profesori ynë, na i justifikonte mungesat ne muslimanëve, kur e kuptonte që kemi munguar në ditë feste dhe Bajrami”.

Rëndësia e dialogut në lumturinë familjare

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Tek disa çifte vërehet se fjalët e bukura dhe të ëmbla janë inekzistente. Kjo mund të ndodhë për shkak të edukimit që në vegjëli. Pyetja ime është: ”A është e mundur që me anë të dialogut, të sigurojmë më shumë lumturi në familje”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Është pikërisht dialogu, faktori i cili siguron suksesin ose dështimin e një martese. Cila do të ishte më e mirë për një çift, që të kalonin disa kohë bashkë, apo të shkonin për t’u divorcuar në gjykatë?

Unë kam bërë një kërkim dhe hulumtim rreth kësaj çështjeje. Njerëzit jepnin mendime të ndryshme rreth shkaqeve dhe faktorëve që e bëjnë një familje të lumtur dhe të suksesshme.

Në një anketë, unë u takova me pesëqind familje të ndryshme, ku gjysmat kishin përfunduar në gjykatë dhe gjysma tjetër jetonin akoma bashkë. Unë i pyeta të gjithë rreth problemeve në jetën bashkëshortore. Të gjithë përmendën probleme të ndryshme, si ndërhyrjen e familjes, xhelozinë, edukimin e fëmijëve etj... Përgjigjet ishin hutuese për mua, pasi pothuaj ishin të njëjtat probleme, si për familjet që jetonin bashkë, si për ato që kishin përfunduar në gjykatë. Nëse problemet ishin pothuaj të njëjta, atëherë përse gjysma e këtyre familjeve kishin përfunduar në gjykatë?

Pas disa kohësh meditime dhe hulumtime, e gjeta shkakun. Shkaku ishte dialogu. Familjet të cilat dukeshin të lumtura, sa herë që në familje ndodhte një problem, ata uleshin me pjestarët e familjes, diskutonin dhe dialogonin duke u përpjekur të arrinin në një konkluzion dhe përfundim. Ata nuk e urrenin dhe nuk mbanin mëri me njëri-tjetrin gjatë dialogut. Nuk kishte të bërtitura dhe ulërima, pasi ishte zgjedhur edhe koha më e përshtatshme”.

Këshilla gjatë dialogut me palën tjetër

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur dhe si mund të ndodhin keqkuptimet mes dy bashkëshortëve? Është fatkeqësi e madhe, që ndërkohë që njëra palë fillon të dialogojë, pala tjetër fillon t’i komentojë gabim fjalët e thëna gjer atëherë. Kjo shkakton ftohje tek pala e parë. Kështu, sa herë që hapet porta e dialogut, ai do të përpiqet t’a mbyllë sërish, me pretekstin se do të keqkuptohet”.

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Pak më lart unë përmenda një faktor shumë të rëndësishëm në dialogun mes palëve, që është koha e përshtatshme. Para gjumit për shembull, nuk mund të zhvillohet një dialog konstruktiv, pasi ndërkohë që njëri mund të vazhdojë të flasë, tjetri i është dorëzuar gjumit të thellë.

Gjithashtu, unë e këshilloj bashkëshorten, që të mos hetojë shumë gjatë problemit dhe dialogut. Bashkëshorti nuk e dëshiron diçka të tillë.

Një këshillë tjetër për të cilën mbaj përgjegjësi, është se sa herë që gruaja i flet burrit fjalë të shumta dhe pa ndërprerje, ai kërkon të qëndrojë sa më larg saj. Për këtë, ajo duhet t’i përmbahet një sasie mesatare fjalësh, sepse burri nuk e pëlqen një grua llafazane dhe që nuk di të pushojë.

Një këshillë tjetër që ia drejtoj bashkëshortes është, që gjatë dialogut të zgjedhë vetitë pozitive tek burri dhe t’a lavdërojë për to. Gjëja më e vështirë për një burrë, janë fjalët “Kurrë nuk ke bërë gjë të mirë – të gjithë janë më të mirë se ty – shiko filani dhe filanin se çfarë kanë arritur etj ...”

Edhe nëse dëshiron të bësh ndonjë kritikë me vend, bëje atë pa prekur ndjenjat e tij. Shpeshherë, burri e braktis dialogun, kur kritikohet me fjalë të rënda dhe të drejtpërdrejta.

Një këshillë për bashkëshortët: Natyra e gruas është e tillë, që i pëlqen ngritja e zërit. Sa më shumë të tregohesh i matur dhe i heshtur para saj, ajo e ngren zërin edhe më shumë. Zgjidhja më e drejtë është që t'a informosh se ngritja e zërit nuk çon në zgjidhjen e problemit. Burrat duhet të dinë gjithashtu, se ngritja e zërit është në natyrën e gruas dhe nuk është diçka që ia ul vlerat.

Kurse këshilla për të dy bashkëshortët: Gjatë dialogut, përqendrohuni në problemin aktual dhe mos kërkoni probleme të tjetra, të vjetra.

Një ndër pikat më negative gjatë një dialogu dhe debati është ndërprerja e debatit dhe largimi nga skena, siç ndodh shpesh dhe rëndom në disa kanale satelitore. Është shumë me vlerë, që ne t'a dëgjojmë tjetrin deri në fund, pastaj të gjykojmë drejt.

Për këtë pikë, mund t'ju vijë në ndihmë libri me titull "Si të flasësh që të të dëgjojnë fëmijët dhe si t'i dëgjosh fëmijët, ndërkohë që janë duke folur".

Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: "Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni". (Araf: 204)

Vetë Zoti i Madhëruar na urdhëron, që para se të lexojmë Kuran ose t'a dëgjojmë atë, të jemi të heshtur dhe të parapregatitur.

Prandaj, unë i këshilloj çiftet dhe u them: "I lini të gjithë angazhimet e momentit dhe ërkushtojuni njëri-tjetrit gjatë debatit. Me qëllim që pala tjetër t'a ndjejë përkushtimin dhe rëndësinë që i kushtoni fjalëve të tij, mos u merr me asgjë tjetër".

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Për t'a përmbledhur atë që përmendët më sipër, për një debat dhe dialog konstruktiv, ne duhet që të zgjedhim kohën më të përshtatshme, vendin e duhur dhe të përshtatshëm, t'i kushtojmë rëndësi nivelit të zërit, i cili nuk duhet të jetë i lartë, të flasim rreth një pike dhe teme të caktuar dhe të dëgjojmë me vëmendje.

Siç më keni treguar, ju përdorni një pyetësor i cili përmban njëmbëdhjetë pyetje, të cilat konsiderohen një lloj testi për marrëdhëniet bashkëshortore. Përgjigjet e pyetjeve duhet të jenë me "po" ose "jo". Prandaj, ne u kërkojmë të gjithë teleshikuesve që në këto çaste, të marrin një laps dhe një letër dhe t'u përgjigjen këtyre pyetjeve. Në rast se kanë nevojë për ndonjë sqarim, le të na telefonojnë në redaksi".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Me anë të këtyre pyetjeve, në zbulojmë nëse çifti vazhdon rrugën drejt lumturisë bashkëshortore, apo – mos e thashtë Zoti – vazhdon drejt shpërbërjes dhe përkeqësimit të lidhjeve bashkëshortore. Me këtë të fundit, nuk kam për qëllim domosdoshmërisht divorcin, pasi ftohja e marrëdhënieve bashkëshortore është evidente kudo.

Pyetësori:

    A ankohesh tek të tjerët mbi problemet e tua bashkëshortore?
    A të ndodh, që t'a kesh të vështirë t'a harrosh një qëndrim të caktuar të bashkëshortit tënd?
    A ndodh që marrëdhëniet seksuale të ndërpriten për një periudhë jo normale?
    A e ndjen që çdo veprim i tij/e saj, sado i parëndësishëm qoftë, të nervozon?
    A e ndjen që je bërë shumë delikat/e, ndaj partnerit?
    A ndjen sikur dëshiron që të kalosh një kohë të gjatë larg partnerit?
    A i vepron disa gjëra, në mënyrë më të sforcuar se zakonisht?
    A ndjen që e ke humbur dëshirën për t'u zbukuruar para partnerit?
    A e ndjen që e ke të vështirë t'a kontrollosh zemërimin?
    A e ndjen sikur po jeton me një person tjetër?
    A i përdorni kontraceptivët për të shmangur shtatzanitë?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur që të na japësh disa sqarime rreth këtyre pyetjeve"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Sigurisht. Në pyetjen e parë, hyn edhe nëna apo një shoqe e ngushtë. Në këtë pyetje përjashtohet ankesa dhe konsultimi me specialistin e marrëdhënieve bashkëshortore. Për këtë rast, poeti arab thotë:

Konsultohu me ekspertë kur gjëma të godet

Konsultohu, edhe pse ekspert je vetë

Syri i njeriut, gjithçka e shikon

Por veten e tij, vetëm në pasqyrë e dallon.

Përsa i përket pyetjes së tretë, dua të them që nëse ndërprerja e marrëdhënieve seksuale ndodh për shkak të menstruacioneve ose për ndonjë sëmundje fizike, diçka e tillë nuk duhet të përfshihet në këtë pyetje. Këtu vlen vetëm nëse ndërprerja vjen vetëm për shkaqe jo normale.

Pyetja e gjashtë. Këtu qëllimi është që njëri nga bashkëshortët, dëshiron që të kalojë kohë më të gjatë jashtë shtëpie, ose me shoqërinë.

Pyetja e shtatë konsiston në faktin, nëse njëri nga bashkëshortët kërkon forma për të kënaqur veten e tij, duke mënjanuar partnerin. Këto forma mund të kenë lidhje me profesionin e tij, ose mund të shfaqen duke u ulur para kompjuterit, televizorit, telefonit etj… me orë të tëra.

Me pyetjen e nëntë, kemi si qëllim praninë e akteve të dhunës, si rrahje, keqtrajtim, sharje dhe ofendime.

Pyetja e dhjetë ka të bëjë me aspektin seksual. Në këtë rast, partneri ose partnerja, ëndërron sikur të ishte martuar me filan artist/e...

Pyetja e njëmbëdhjetë, vlen për burrin duke u tërhequr dhe për gruan duke marrë ilaçe për parandalimin e shtatzanisë.

Këto pyetje dhe përgjigja që japin secili nga bashkëshortët, do të tregojnë praninë e problemeve mes këtij çifti ose jo. Gjëja më e rëndësishme në jetën e një çifti, duhet të jetë dialogu. Martesa duhet të shihet dhe të konsiderohet si një mision që duhet përmbushur. Tashmë ka ardhur koha, që ne si bashkëshortë të ulemi me njëri-tjetrin dhe të diskutojmë pa e akuzuar njëri-tjetrin.

 

Besueshmëria e këtij testi

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur të na tregoni mbi kredibilitetin e një pyetësori të tillë? Kjo, pasi jam i bindur që disa teleshikues mund të jenë ulur para televizorit dhe mund të thonë: "Marrëdhëniet e mia bashkëshortore janë shumë të mira, prandaj nuk kam nevojë t'iu përgjigjem këtyre pyetjeve".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Në shkencat humane, nuk ka asgjë të prerë si me dorë dhe që merret si e mirëqenë. Edhe vetë ilaçet e prodhuara, tek disa njerëz nuk e japin efektin e pritur.

Megjithatë, pyetësorë të tillë japin informacione dhe të dhëna të rëndësishme, të cilat edhe pse nuk mund të merren 100 % si të mirëqena, nuk e humbasin vlerën.

Një herë, më ndodhi që pyetjet e larpërmendura ia drejtova një gruaje, e cila kishte ardhur të konsultohej me mua. Shumicës së pyetjeve, ajo iu përgjigj me "Po".

Unë e pyeta: "Sa vite ka që je divorcuar"?

Ajo u përgjigj: "Unë nuk jam e divorcuar"!

Atëherë unë e pyeta: "Problemet që u shfaqën gjatë këtij pyetësori, sa vite ka që janë evidente në marrëdhëniet tuaja bashkëshortore"?

Ajo u përgjigje: "Ka pesë vite".

Diçka të tillë ne e konsiderojmë si tregues dhe sinjal.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Si arrini në përfundimin nëse një familje vuan nga probleme bashkëshortore, ose jo, me anë të këtij pyetësori"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Nëse i pyeturi u përgjigjet gjashtë pyetjeve dhe sipër, me "Po", kjo do të thotë se familja është në krizë dhe në probleme bashkëshortore. Me këtë rast, dua të kujtoj dhe një herë vargjet e poetit arab që thotë:

Konsultohu me ekspertë kur gjëma të godet

Konsultohu, edhe pse ekspert je vetë

Në raste të tillë, burri duhet të ulet me gruan dhe të diskutojnë në mënyrë të qetë dhe të sinqertë mbi problemin e vërtetë që i shqetëson".

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po nëse përgjigjet me "Po" janë të pakta"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Ky është një tregues optimist mbi marrëdhëniet e mira bashkëshortore, megjithë problemet që mund të ekzistojnë. Nëse i pyeturi u përgjigjet vetëm dy pyetjeve me "Po", atëherë kuptohet që përqindja e problemit është tek 20 %-shi.  E njëjta gjë vlen edhe nëse përgjigjet pozitive janë për tre, katër pyetje e kështu me radhë".

Jeta bashkëshortore është si bima

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Nga pyetësori i mësipërm vërejmë, që pyetjet janë të larmishme. Disa prej tyre janë rreth marrëdhënieve seksuale, disa të tjera janë rreth dialogut, disa të tjera rreth marrëdhënieve bashkëshortore, e kështu me radhë. Si mundet një njeri që t'a ekzaminojë problemin"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Martesën unë e krahasoj me një bimë të vogël. Bimës i nevojitet ajri, uji, dheu dhe ndriçimi. Nëse ne këtu në studio nuk do të kishim ndriçimin e duhur, çfarë mund të shikonte teleshikuesi ynë?

Kështu, nëse qetësia shpirtërore mungon tek një çift, si mund të jetojnë të lumtur ata? Prandaj është vendosur dhe pyetja numër 11, mbi shtatzaninë. Nëse bashkëshortja jeton mes frikës, tmerrit dhe panikut, si mund të lindë ajo fëmijë?

Kështu, ndriçimi në jetën bashkëshortore, është qetësia shpirtërore.

Oksigjeni i jetës bashkëshortore është dialogu.

Dheu i jetës bashkëshortore janë nevojat e familjes.

Kurse uji i jetës bashkëshortore janë marrëdhëniet seksuale. Nuk është vetëm seksi nevojë biologjike për dy bashkëshortët. E tillë është dhe fjala e ëmbël, përqafimi, përkëdhelja etj…"

Lumturia është fakultative

Një teleshikuese nga Kuvajti: "Përsa i përket planifikimit që cekët më lart, ai nuk ekziston fare. Grumbullimet familjare nuk bëhen si më parë. Ne nuk dimë ç'të bëjmë tjetër".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Për fat të keq, disa njerëz i konsiderojnë shtëpitë e tyre si burg. Teleshikuesja nga Kuvajti pohon, se tubimi i familjes nuk bëhet më si më parë. Unë dua t'a pyes atë: "A nuk janë familjet ekzistente edhe sot"? Ne presim nga të tjerët, të na bëjnë të ndihemi të lumtur. Në fakt, lumturia është diçka fakultative dhe veç kësaj, sot gjenden shumë vende, lojra dhe konkurse, të cilat ndikojnë pozitivisht në lumturinë e familjes dhe të fëmijëve.

Unë kam frikë se teleshikuesja dhe familja e saj vuajnë nga fobia e turmave dhe kallaballëkut. Ata duhet të relaksohen dhe të ndihen të qetë dhe të lumtur. Lumturia ka nevojë për dy faktorë të rëndësishëm: Qëllimin e mirë dhe mjeshtërinë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Me këtë rast më vjen ndërmend një person, i cili kishte vënë një kuti në shtëpi, mbi të cilin kishte shkruar "Sënduku i propozimeve". Ai e vendosi sëndukun me 15 Ramazan dhe u tha familjarëve: "Në fund të Ramazanit, do nxjerrim një propozim me short. Personit që e ka shkruar propozimin, do i blejmë një dhuratë për Bajram".

Tregon vetë personi: "Kur e hapëm sëndukun para Bajramit, në të gjetëm mbi shtatëdhjetë propozime dhe sugjerime të ndryshme. Të gjithë ndiheshin të lumtur dhe të gëzuar. Veç kësaj, ne përfituam nga propozimet e bëra për festat e ardhshme".

 

Nervozizëm i tepruar

 

Një teleshikuese nga Kanadaja: "Unë iu përgjigja pyetësorit të mësipërm dhe më rezulton që tetë nga pyetjet u jam përgjigjur me "Po". Unë jam njëzet e një vjeçe e martuar me një njeri të mirë dhe të kuptueshëm. Problemi qëndron tek unë, pasi jam shumë nervoze dhe e kritikoj shumë burrin, edhe pse pa shkak".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Unë e këshilloj teleshikuesen nga Kanadaja që të lexojë librin e Ëilliam Grisel, i cili thotë: "Nuk ekzistojnë shkaqe të jashtme të cilat e bëjnë njeriun të nervozohet dhe zemërohet..."

Kështu, është vetë teleshikuesja ajo, që duhet të mbajë përgjegjësi për nervozizmin e saj të tepruar. Unë e këshilloj që në raste nervozizmi, të mos marrë asnjë vendim dhe të mos bëjë asnjë premtim. Nëse e ndjen që po nervozohet, le t'a mbajë veten dhe të mos thotë asnjë fjalë. Ajo duhet t'a mësojë veten që të tërhiqet në situata të ndezura.

Një pikë tjetër e rëndësishme me këtë rast është, se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm, pasi nervozizmi kalon dhe tek fëmijët".

Kërkimi i anëve pozitive tek partneri

Një teleshikuese nga Amerika: "Të njëmbëdhjetë pyetjeve të mësipërme unë u jam përgjigjur me "Po". Jam e martuar dhe kam dy fëmijë. Nuk e di si do të përfundojë çështja ime"!

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Pa dashur që t'a ofendoj dhe të prek ndjenjat e teleshikueses, unë habitem sesi e ka duruar ajo këtë burrë.

Me këtë rast, dua t'ju drejtohem bashkëshortëve dhe bashkëshorteve: "Çdo njeri, ka të mira dhe të këqia, anë pozitive dhe të tjera negative. Zoti i madhëruar thotë në Kuran: "Veprat e mira i fshijnë veprat e këqia"

Në jetën bashkëshortore, të dy partnerët duhet të kërkojnë vetitë më të mira tek tjetri dhe të përpiqen që t'i zhvillojnë ato. Kjo të bëhet, me qëllim që jeta bashkëshortore të sigurojë vazhdimësinë e saj, madje të forcohet dhe konsolidohet".

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur që t'i themi teleshikueses nga Amerika, që edhe zbritja nga 11 deri në 3 është e mundur? Apo diçka e tillë kërkon kohë dhe vullnet"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Asgjë nuk mund të vijë papritur dhe menjëherë. Problemet akumulohen, ashtu siç janë akumuluar  tullat në një godinë".

Lakuriqësia shpirtërore në jetën familjare

Një teleshikuese nga Amerika: "Të njëmbëdhjetë pyetjeve të mësipërme unë u jam përgjigjur me "Po". Si është e mundur që unë të jetoj me një njeri, nga i cili kam frikë dhe kurrë nuk kam ndjerë prej tij dashuri dhe dhembshuri?! Ajo që më ka bërë të sakrifikoj kaq shumë është vetëm djali ynë i vogël".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an:”Sa vite ka që jeni të martuar"?

Teleshikuesja:"Një vit e gjysëm".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Dua t'ju kujtoj që jeta bashkëshortore kalon në tre faza, ku faza më e rëndësishme është ajo e para, e cila shtrihet nga viti i parë i martesës deri në vitin e pestë të saj.

Përqindjet më të mëdha të divorceve ndodhin gjatë këtyre pesë viteve. Konfliktet në jetën bashkëshortore janë të pashmangshme, pasi kemi të bëjmë me një lakuriqësi shpirtërore. Me t'u martuar, të dy bashkëshortër zhveshin çdo rrobë para tjetrit, ata janë të zbuluar plotësisht dhe kanë depërtuar thellësisht në karakterin e partnerit. Kështu, duke qenë se tashmë e njohin njëri-tjetrin më shumë, konfliktet bëhen të pashmangshme. Kjo fazë ka nevojë për shumë durim dhe maturi".

Dua të dialogoj me të por...

Një teleshikuese nga Amerika: "Fillimisht unë e falenderoj Zotin që nga përgjigjet e pyetësorit vetëm dy pyetjeve u jam përgjigjur me "Po". Por doja të them që nuk gjej kohën për të dialoguar me bashkëshortin. Kjo, pasi me t'u kthyer nga puna, ai ulet para televizorit derisa të vijë koha e gjumit. Të nesërmen niset sërish në punë, pa gjetur kohë për të biseduar".

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Burri ndryshon njëqind përqind në këtë drejtim nga gruaja. Nëse ai është duke ndjekur televizorin, ai e harron plotësisht veten e tij dhe të tjerët që e rrethojnë. Ndërkohë, gruaja mund të ndjekë programet e televizorit, mund të jetë duke pregatitur sallatën dhe njëkohësisht i kthen përgjigje dhe bisedon me burrin e saj. Kurse burri mund t'i përkushtohet vetëm një gjëje të caktuar. Prandaj ti kurrë nuk do të mund të dialogosh dhe diskutosh me burrin tënd, veçse nëse do të bëhesh më tërheqëse se televizori. Unë të këshilloj që të kesh informacion më të thellë rreth programeve që ndjek burri, me qëllim që fillimin e diskutimit dhe të dialogut, t'a nisësh me programet e tij të preferuara".

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A ka ndonjë rol dhe lidhje mes radhës së fëmijëve dhe edukimit të tyre"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Padyshim që po. Me këtë rast më kujtohet një grua, e cila erdhi dhe filloi të ankohej për anët negative të të shoqit dhe se ishte ajo, që e komandonte. Unë e pyeta mbi radhitjen e të shoqit mes vëllezërve dhe motrave të tij dhe më tha se ëshë fëmija i fundit, ndërkohë që ajo vetë ishte fëmija i parë. Zakonisht, fëmija i parë është komanduesi që kontrollon gjithçka. Ndërkohë që fëmija i fundit është pasiv dhe paqedashës. Kurse fëmija i mesit, zakonisht është i heshtur dhe nuk flet shumë".

Mes lëvores dhe qepës

Një teleshikuese nga Amerika: "Unë e falenderoj Zotin që të gjithë pyetjeve të pyetësorit u jam përgjigjur me "Jo". Megjithatë, duke ditur se burri është kryetari i familjes dhe furnizuesi ynë, familja e tij janë të shqetësuar dhe të frikësuar se mos unë e bind, që t'i braktisë dhe t'ju kthejë shpinën. Çfarë duhet të bëj në një rast të tillë"?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”O motër! Një njeri që nuk është i vlefshëm për familjen e tij, nuk mund të jetë i vlefshëm as për gruan dhe fëmijët e tij. Një njeri që është i ndershëm dhe i shërben familjes, të jesh e sigurtë se nuk mund të të mashtrojë dhe zhgënjejë ty. Unë të këshilloj të mos hysh mes lëvores dhe qepës. Mënyra më e mirë për të forcuar lidhjet e tua me bashkëshortin, është që t'a falenderosh dhe t'i jesh mirënjohëse për atë që bën, madje t'a nxisësh edhe më shumë. Një fjalë e urtë thotë: "Ruaju të keqes së atij që i ke bërë mirë, duke vazhduar t'i bësh mirë".

Dialogu i dobishëm

Një teleshikues nga Siria: "Shpeshherë ndodh, që dialogu të kthehet në polemikë dhe konflikt, gjë e cila e shton urrejtjen dhe mërinë mes dy bashkëshortëve. Si t’a bëjmë dialogun dhe diskutimin sa më të dobishëm për çiftin”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Mënyra më e mirë është që të përpiqesh të flasësh rreth ndjenjave dhe jo nevojave. Ne duhet të flasim me gjuhën “unë ose “ne” dhe jo me gjuhën “ti”. Le të jemi bujarë me ndjenjat. Fjala e ëmbël është me të vërtetë e bukur dhe me efekt, prandaj le të fillojmë me më të mirën dhe të dobishmen”.

Gruaja është më e pakënaqur se burri

Një teleshikuese nga Amerika: ”Pesë nga pyetjet e pyetësorit të mësipërm, unë u jam përgjigjur me “Po”. Ato janë pyetjet 4,5,7,8,10, megjithatë unë ndihem e lumtur dhe nuk e di si ka ndodhur, që i kam këto të pesta”!

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Sigurisht që këto pyetje nuk janë matësi i vetëm dhe i saktë. Ekzistojnë mbi 130 teste të ndryshme për të përcaktuar marrëdhëniet bashkëshortore nëse janë apo jo të lumtura. Veç kësaj, ne dëgjuam vetëm mendimin e teleshikueses rreth martesës së saj, kurse të burrit të saj nuk e dimë. Zakonisht dhe sipas studimeve të bëra, gratë shquhen për pakënaqësi më shumë se burrat.

Përveç kësaj që përmendëm, unë e këshilloj motrën me fjalët e profesorit Muhamed Ahmed Rashid, i cili thotë: ”Mos u bëj thashethemaxhi, shmangi aluzionet, qëndro larg delikatesës së tepruar dhe dyshimeve të pabaza”.

Kategoritë e fëmijëve në një familje ashpër.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në tabelën që më keni dhënë mua, keni pasqyruar radhitjen e fëmijëve sipas personalitetit të fituar në një familje të ashpër dhe të vrazhdë”.

 Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Po. Sipas tabelës kemi:

Mëmësi negative – atësi të ashpër.

(Dinamika e një familje ku mungon stimulimi dhe morali).

Fëmija i parë: Heroi i familjes.

Fëmija i dytë: Dashi i shpagimit.

Fëmija i tretë: I neglizhuari.

Fëmija i katërt: Paqebërësi.

Heroi i familjes, zakonisht është fëmija i parë që u lind prindërve, mashkull qoftë ose femër. Nga cilësitë dhe vetitë e tij është, se është komandues, e shikon veten të madh edhe pse me moshë të vogël. Problemi i tij është se është strikt, idealist dhe shumë kritik.

Dashi i shpagimit, zakonisht është fëmija i dytë, i cili shpesh herë transformohet në koshin ku hidhen të gjithë problemet dhe shqetësimet e familjes. Ai zemërohet shpejt dhe karakterizohet nga dy veti të kundërta: Është inatçi dhe i dhembshur.

Në një studim timin në vitin 1995, gjeta se sa më inatçi të jetë fëmija, aq më i zgjuar është. Vetë i dërguari i Allahut, thotë në një hadith: ”Kokëfortësia e një fëmije është superioritet”.

Kurse nga jeta praktike gjejmë, se shkencëtari i njohur Ajnshtajn, u përjashtua nga shkolla në klasën e dytë fillore.

 

Fëmija i neglizhuar është ai fëmijë, i cili në përgjithësi nuk është i shoqërueshëm dhe është i heshtur. Ai gëzon një fantazi të gjerë dhe me të mund të komunikojmë me anë të mendimeve.

Një herë, kur një grua erdhi dhe u ankua për të shoqin i cili qëndronte gjatë gjithë kohës i heshtur, unë e këshillova që t’i dhurojë një kasetë bosh dhe t’i kërkojë që t’a dëgjojë. Burri e vendosi kasetën në manjetofon dhe kur pa që ajo ishte bosh, i tha të shoqes:”Përse tallesh me mua? Përse më ke dhënë një kasetë bosh”?

Atëherë gruaja i tha: ”Ti nuk durove kasetën që ishte vetëm disa minuta, ndërkohë që unë të kam duruar për pesë vite rresht. A nuk meritoj pak më shumë vëmendje dhe muhabet”?!

Paqebërësi, zakonisht nuk është i pashëm. Shumica e studimeve i konfirmojnë lidhjet mes hijeshisë dhe zgjuarsisë. Për këtë, një nënë që ka një vajzë nga kategoria e katërt, le t’a lëvdojë bukurinë e saj në vegjëli. Por kur ajo të arrijë moshën e adoleshencës, mos lëvdojë vetëm bukurinë, pasi do të mendojë se vetëm bukuria mjafton që njerëzit t’a duan.

Kurse përsa i përket një djali, problemi i tij qëndron në faktin se ai nuk i ruan dot sekretet, por është i sinqertë dhe i besueshëm.

Këto katër kategori, lindin si rezultat i një edukimi negativ. Tashmë, gruaja e ka të kollajtë t’a dallojë se cilës kategori i përket i shoqi”.

 

Si të sillemi me palën tjetër nëse është i heshtur?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi disa grave pyetjen: ”Si do të silleshit dhe reagonit, nëse partneri do të ishte i heshtur”? Disa prej tyre u përgjigjën: ”Do të krijoj një problem, që t’a nxjerr nga heshtja”. Disa të tjera thanë: ”Do të hap tema bisede, që ai i pëlqen”. Të tjera thanë: ”Do e respektoja heshtjen e tij”. Ndërkohë që disa të tjera thanë: ”Do e provokoja”. Cili është mendimi juaj rreth këtyre përgjigjeve”?

Dr. Hamud Fehd El-Kash’an: ”Besoj se biseda dhe diskutimi mes gruas dhe burrit duhet të bëhet në një mënyrë të caktuar. Për këtë, unë i këshilloj çiftet që të lexojnë librin: ”Burrat janë nga Marsi, gratë nga Afërdita”.

Ai është një libër shumë i dobishëm, i cili i mëson burrat dhe gratë si të veprojnë në raste konfliktesh. P.sh, nëse gruaja zemërohet dhe burri përpiqet që t’a qetësojë me fjalët:  “O nëna e filanit...”, ajo do i thotë: ”Largohu nga unë... mos më fol...” Në fakt, në të vërtetë ajo dëshiron që i shoqi t’i qëndrojë pranë.

E njëjta gjë ndodh dhe me burrin, kur i thotë gruas: ”Më ler rehat”, ai dëshiron që ajo t’i qëndrojë pranë dhe t’a ndihmojë.

Me qëllim që gratë të mund të zhvillojnë biseda dhe debate të dobishme me burrat e tyre, unë i këshilloj që t’i presin me ngrohtësi burrat kur kthehen nga puna. Ato duhet t’u japin disa minuta kohë derisa të qetësohen dhe të ndërrojnë rrobat dhe gradualisht të fillojnë bisedat.

Në raste problemesh dhe konfliktesh, unë i këshilloj që të mos hezitojnë të këshillohen me ekspertë, të marrin pjesë në trajnime etj...

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të këtij emisioni, u përshëndesim me përshëndetjen islame:

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”