Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Gjuha e ndjenjave,para gjuhes se arsyes

 Ne synojmë dhe duam që familjet tona të jenë si ato të xhenetit. Në një shtëpi dhe familje të tillë, të gjithë pjesëtarët e saj rendin për tu kthyer tek foleja dhe streha familjare për kënaqësinë që u fal ajo. Për fat të keq, shumë njerëz të tjerë e kërkojnë prehjen kudo tjetër, por jo në familje. Në një familje të lumtur, secili ndjen kënaqësi kur takohet me të tjerët, bisedon dhe kalon kohën me ta. Në një familje të tillë, burri relaksohet kur bisedon dhe pleqëron me të shoqen, vëllai ndihet mirë kur ulet dhe qan hallet me të motrën, djali i hap zemrën prindërve dhe vëllait etj... pasi e ndjen që janë njerëzit më të afërt dhe që e kuptojnë më mirë. Nëse arrijmë të kemi një familje të ngjashme, kemi siguruar të ardhmen e vendit ku jetojmë dhe të gjithë umetit. Nëse familja është e fortë dhe e konsoliduar, është e mundur që të gjithë fushat e tjera të rregullohen dhe zhvillohen.

 Gjuha e përdorur në familje

Vallë cila është gjuha që përdorim sot në familjet tona? A dominon në marrëdhëniet familjare gjuha e komandave dhe urdhrave, apo gjuha e logjikës dhe ndjenjave?

 

Padyshim që gjuha që duhet të mbizotërojë, është ajo e logjikës. Nëse nuk do të flasë racionalist dhe logjikisht babai me fëmijët e tij, kush do ta bëjë këtë?

 

Megjithatë, gjuha themeltare, me të cilën duhet të fillojmë është ajo e ndjenjave dhe emocioneve. Mandej, folu me gjuhën e logjikës dhe interesit reciprok.

 

Shpesh herë, valët e zemrës interferojnë në ato të trurit dhe mendjes, duke mos e lënë të gjykojë drejt. Shumë prej nesh i kanë ndrydhur ndjenjat. Zemra e tyre u ngjan një pusi të thellë, por të mbyllur hermetikisht. Që në temën e parë, ne kemi bërë thirrje që secili të fillojë me veten. Askush mos të presë që pala tjetër të ndryshojë.

 

Gjëja që i prek më shumë njerëzit është gjuha e ndjenjave. Nëse do u flasësh duke u bazuar vetëm tek arsyeja dhe interesi, nuk do të kesh sukses me ta. Argument më të mirë se dështimi i shumë prindërve me fëmijët e tyre me këtë mënyrë nuk ka. Sado të përdorësh arsyetimin e fortë dhe logjikën, nuk do arrish në rezultatet e duhura me djalin dhe vajzën tënde, pa u falur atyre dashurinë dhe dhembshurinë e duhur, pa i përkëdhelur, pa u thënë se i do.

 

Me zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, është vënë re një prapambetje e theksuar në aspektin emocional dhe social. Sot, marrëdhëniet e ngushta, fjalët e ëmbla dhe të ngrohta, duket sikur janë kufizuar vetëm mes një mashkulli dhe femre që duhen. Ne kemi harruar se Zoti e ka bërë familjen institucionin ku shkarkohen dhe derdhen ndjenjat.

 

Qëllimi për të cilin na krijoi Zoti i lartësuar është që të vendosim rregullin në tokë. Padyshim që ky mision është tejet i vështirë. Vetë qiejt dhe toka e refuzuan një përgjegjësi kaq të rëndë. Kjo, sepse ky mision ka armiq të shumtë. Por meqë cilësitë kryesore të Zotit janë dhembshuria dhe mëshira, na pajisi me botën e ndjenjave dhe emocioneve, të cilat do na e lehtësojnë barrën e rëndë. Këtë botë emocionale dhe sentimentale, Zoti e mishëroi tek familja. Vetëm në jetën familjare njeriu ndihet i qetë, i paqtë dhe në prehje. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti u ka dhënë shtëpitë si banesa (ku ndjeheni të qetë).” (Nahl, 80)

 

Të rinjtë, sidomos ata në moshën 18 vjeçare, kanë një botë të pasur ndjenjash, emocionesh dhe energjie. Të gjitha këto duhet të kanalizohen në një drejtim dhe shumë prej të rinjve i shkarkojnë dhe kanalizojnë në lidhje haram. Sakaq, secilit prej nesh, Zoti i ka dhënë familjen për ti kanalizuar ndjenjat dhe energjitë e tepërta. Dashuria mes anëtarëve të familjes është diçka e rrënjosur thellë nga vetë Zoti që na ka krijuar. Brenda familjes, aspekti sentimental është katër dimensional: Dy bashkëshortët që duan njëri-tjetrin, nënë që do fëmijët e saj, baba që do fëmijët e tij dhe fëmijë që duan prindërit e tyre. Dashuria dhe ndjenjat për njëri-tjetrin mes këtyre kategorive është e ngulitur thellë në botën e brendshme të secilit, që ditën që i krijoi Zoti. Përderisa do të ketë diell që lind dhe perëndon, bota sentimentale mes këtyre katër kategorive nuk do të ndryshojë. Sentimentet dhe ndjenjat brenda pjesëtarëve të familjes, i kanalizon energjithë dhe ndjenjat e tepërta. Po ashtu, pjesë të rëndësishme në kanalizimin e ndjenjave sentimentale luajnë dhe të afërmit e tjerë, xhaxhallarët, dajat etj...

 

Përse të mos jetë gjuha e ndjenjave ajo që dominon marrëdhëniet djalë baba? Zakonisht, prindërit dhe sidomos babai, i flet fëmijës me gjuhën e interesit, pak a shumë si kjo e mëposhtmja:

 

“Kur kemi qenë në moshën tënde, nuk jemi sjellë kështu. Ne ishim të ndërgjegjshëm për interesat tona dhe mësonim shumë. Sakaq ti nuk mëson, pasi nuk di as interesat e tua. Ne nuk duam gjë prej teje, nëse mëson e bën për vete, nëse merr nota të mira, ti vetë do të përfitosh. Unë nuk të kërkoj asgjë...”

 

Në fakt, çdo fjalë e thënë është e drejtë, por problemi qëndron në atë se kjo është gjuha e interesit.

 

Sakaq, djali, edhe pse nuk ia thotë me gojë përgjigjen, ajo i vlon në kraharor DHE sikur i thotë:”E kush u ka thënë se dua të mësoj dhe të marr nota të mira?! Për mua njëlloj është. As që dua t’ia di fare.”

 

Fjalët që i thotë babai, janë të nevojshme, madje të domosdoshme. Vetë Zoti në Kuran thotë:”Ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri...” Pra, unë nuk kam asnjë problem me përmbajtjen, por e kam me mënyrën dhe gjuhën e përdorur.

 

Njeriu është qenia e vetme, edukimi thelbësor i të cilit kërkon dhjetë dymbëdhjetë vjet. Këlyshi i luanit është i aftë të gjuajë dhe të sigurojë ushqimin brenda një viti. Pra, luaneshës i lipset vetëm një vit për ta mësuar dhe edukuar këlyshin e saj. Kurse njeriut i duhet një vit e kusur vetëm që të mësojë të të flasë dhe të ecë. Për tu mësuar me jetën, njeriut i duhen mbi dhjetë vite. Njeriu lind dhe rritet në një ambient familjar, ku familja është institucioni i cili do kultivojë tek ai vlera. Bashkë me qumështin e gjirit, nëna do të pajisë me dhembshuri dhe dashuri, me qëllim që ta refuzosh ashpërsinë dhe ngurtësinë kur të rritesh. Misioni yt reformator dhe rregullues kërkon që të mos ushtrosh dhunë dhe të bësh shkatërrim në tokë. Vitet e tjera të jetës kanë nevojë për një kredit të pasur vlerash, dhembshurie, ndjenjash, dashurie etj... Misioni yt si njeri nuk ka asgjë të përbashkët me kafshë si luani, majmuni etj... të cilët thjesht duhet të riprodhohen, ushqejnë dhe të ngordhin. Misioni që të ka ngarkuar Zoti është sa fisnik ashtu dhe i vështirë, prandaj kërkon dhe aq vite parapërgatitje. Prandaj, prej babait dhe nënës kërkohet që ti orientojnë dhe udhëzojnë fëmijët e tyre, por jo me gjuhën e komandave dhe urdhrave, por me gjuhën e ndjenjave dhe emocioneve. Fjalët që i thotë babai fëmijës, ndërkohë që ky i fundit thotë qoftë dhe me vete:”Aha, tani do të fillojë predikimet!” janë të pavlera.

 

Një baba tjetër, i thotë djalit:”Unë jam i interesuar të ti jap të gjithë përvojat e mia jetësore. Ti ke një shans të artë, pasi do të marrësh të gjithë përvojat e mia. Prandaj, ulu dhe dëgjo çfarë do të them unë!”

 

Çdo fjalë është e drejtë dhe e qëlluar, por mënyra si i thuhen dhe gjuha e përdorur është gjuhë e arsyes dhe interesit, larg asaj të ndjenjave. Ajo që lipset është që po të njëjtat fjalë, të mbështillen me emocione dhe ndjenja.

 

Një nënë i thotë vajzës së saj:”Nuk më pëlqejnë aspak lidhjet me këto farë shoqesh. Ti je e mbetur në klasë nëse vazhdon të shoqërohesh me filanen.”

 

Unë e kuptoj që për shumë lexues këto fjalë janë kushedi sa herë të dëgjuara dhe unë do u jap të drejtë prindërve dhe nënave të tilla. Megjithatë, e përsëris që këto fjalë do të merren në konsideratë nga fëmijët vetëm nëse i ofrohen të mbështjella me ndjenja dhe sentimente. Ka shumë rëndësi si ta nisim dhe vazhdojmë bisedën me fëmijët tanë.

 

Sakaq, vetë vajza ia kthen:”Ato janë shoqet e mia dhe siç i dua janë.” Ndoshta një zë i brendshëm mund edhe të thotë:”Po ti moj mama, me çfarë shoqesh je shoqëruar kur ke qenë si unë?”

 

Unë u bëj thirrje si prindërve ashtu dhe fëmijëve që ta ndryshoni gjuhën me të cilën komunikoni me njëri-tjetrin. Unë u bëj thirrje që të fokusohemi më shumë tek gjuha e zemrës, që para se të flasim me arsye të flasim pikërisht me zemër. Të rinjtë, teksa rriten, merren me sport dhe u zhvillohen muskujt, mësojnë gjuhë të huaja dhe zanate të ndryshme, duket sikur kanë ndryshuar dhe janë të tjerë. Në fakt, janë po ata që kanë qenë të vegjël, thjesht të lipset një përkëdhelje në kraharor, një fjalë e butë dhe e dashur, që të zbulosh sa të mirë janë. Mos u mashtro nga pamja e tij e jashtme, mos të duket i ngurtë dhe i ashpër, mos të mashtrojë fakti se ai nuk flet. Nga brenda ai është i pastër qelibar, por thjesht ka nevojë për një gjuhë dashurie dhe dhembshurie. Me qëllim që të mbërrish tek arsyeja dhe logjika e tij, duhet të kalosh fillimisht nga zemra. Dikush thotë:”Foli zemrës time që të të dëgjoj! Kalo nga zemra e mandej tek mendja, që të të kuptoj!” Nëse këtë e themi për djemtë, për vajzat është dyfish më e kërkuar. Imagjinojeni një person i cili shkon të hapë derën e shtëpisë me çelës dhe ajo nuk hapet. Ai do e provojë dhe për disa minuta, mandej do të kërkojë një mënyrë tjetër për të hapur derën. Do të ishte çmenduri dhe marrëzi nëse ai do të rrekej ta hapë derën po me atë çelës për vite të tëra. E njëjta gjë vlen edhe në komunikimin me fëmijët tanë. Nëse ke vite që rrekesh ti mbushësh mendjen duke përdorur logjikën dhe interesin e tij vetja dhe kjo nuk ka funksionuar, atëherë ndrysho mënyrë, ndrysho gjuhë. Provoje njëherë gjuhën që po të sugjerojmë në këtë temë.

 

 

 

Profeti Muhamed a.s, modeli më i mirë

 

Le të shohim sesi sillej dhe si i trajtonte profeti Muhamed a.s të rinjtë. Ai nuk i injoronte ndjenjat e të tjerëve dhe për tu bërë qejfin dhe për tu fituar zemrën, shfrytëzonte çdo gjë të madhe dhe të vogël. Ai vetë thotë:”Mos i shpërfillni sjelljet e mira sado të vogla të jenë, qoftë dhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të qeshur.” Një herë, Profeti a.s ishte rrugës dhe takon Muadh ibnu Xhebel-in, asokohe djalë i ri nëntëmbëdhjetë vjeç. Ai e kap përdore dhe vazhdon rrugën bashkë me të. Pasi kishte bërë disa hapa pa thënë gjë, Profeti a.s i drejtohet dhe i thotë:”O Muadh!” Muadhi ia kthen:”Urdhëro o i dërguar i Allahut!” Profeti a.s i tha:”Unë të dua shumë. Prandaj, pas çdo namazi mos harrosh të thuash:”O Zot! Më ndihmo të përkujtoj, të falënderoj dhe të adhuroj sa më mirë!” Profeti a.s e udhëzoi dhe orientoi drejt një vepre të mirë, por duke kaluar nga zemra e Muadhit, i foli me gjuhën e ndjenjave. Unë nuk jam kundër idesë që ti si baba apo nënë ta këshillosh dhe orientosh djalin e vajzën. Unë thjesht po të them që të zgjedhësh momentin, fjalët dhe mënyrën e duhur.

 

Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:”Tregohuni zemërbutë me vëllezërit tuaj!” Unë u kërkoj të rinjve që të jenë zemërbutë me prindërit e tyre, ti ndihmojnë në zgjatjen e duarve të pajtimit. Një dorë që i zgjat prindërve, ndoshta tek Zoti peshon më shumë se kushedi sa muaj adhurim. Një sjellje e tillë e xhindos shejtanin dhe e dëbon përfundimisht nga shtëpia. Sevapi i namazeve nafile nuk është i konsiderueshëm, nëse ambiente familjar përreth vlon nga shamatat dhe zënkat e përditshme. Sa herë që Xhurejxh El-abid fillonte të falë namaz nafile, e thërriste e ëma. Mes dëshirës për t’iu përgjigjur nënës dhe pasionit për tu falur, ai zgjidhte këtë të dytën. Pasi përfundon tregimin e Xhurejxhit, Profeti a.s thotë:”Zoti e mëshiroftë Xhurejxhin! Nëse do të ishte dijetar, ai do e kuptonte se ti përgjigjesh nënës (gjatë namazit nafile) është më me vlerë.”

 

Prandaj, nëse vjen prindi dhe të zgjat dorën, zgjatja dhe ti dorën dhe me zgjatjen e dorës synojmë gjithçka që ka të bëjë me botën sentimentale dhe emocionale. Asokohe do të shfaqen lidhjet e ngrohta, prindërit miq, respekti i ndërsjellë dhe kthehet ngrohtësia familjare.

 

Lutjen e mësipërme që Profeti a.s ia mësoi Muadhit, e përsërisin myslimanët anë e mbanë botës pas çdo namazi. Ajo është transmetuar gjer në kohët tona, nga Muadhi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Muadhi e kishte të pamundur që këtë fjalë ta harronte dhe të mos ua tregonte të tjerëve. Kjo, sepse ajo u parapri nga kapja për dore dhe fjalët:”Të dua” nga ana e Profetit a.s, fjalë këto të paharrueshme.

 

Kur Profeti a.s takoi një ditë Ebu Umamen, i tha:”O Ebu Umame! Ka njerëz që me ti parë, më ngrohin zemrën. Ti je një prej tyre.” Mandej, Profeti a.s i tha:”O Ebu Umame! Kur të hysh në shtëpi, përshëndeti familjarët me selam. Ajo është bereqet për ty dhe për familjarët e tjerë.” Tregon Ebu Umame:”Për Zotin nuk e kam lënë pas dore që atë ditë.”

 

Profeti a.s u paraprinte këshillave dhe udhëzimeve përkatëse, me fjalë sentimentale dhe ndjenja të ngrohta, jo të kundërtën. Ai nuk vepronte si shumë prindër sot, të cilët u thonë fëmijëve:”Nëse do të vazhdosh ta ngasësh makinën siç e nget çdo ditë, shumë shpejt do të aksidentohesh dhe do të vdesësh! A kupton apo jo? Do të vdesësh.” Dhe gjërat nuk ndryshojnë aspak. Provoje një herë me gjuhën dhe mënyrën e Profetit a.s:”O Ebu Umame! Kur të hysh në shtëpi, përshëndeti familjarët me selam. Ajo është bereqet për ty dhe për familjarët e tjerë.”

 

Tregon Abdullah ibnu Mesudi:”Ma ka mësuar i dërguari i Allahut a.s teshehudin, ashtu siç më mësonte suret e Kuranit. Këtë e bënte duke e mbajtur dorën ngjitur me dorën time dhe pëllëmbën mbi pëllëmbën time.”

 

Shumë dijetarë dhe ftues, kur na flasin mbi jetën e Profetit a.s, fokusohen kryesisht tek betejat e tij. Unë do të preferoja më shumë që në këtë periudhë që jemi, të fokusohemi tek aspekti social në jetën e Profetit a.s.

 

Kur Profeti a.s ndërroi jetë, Abdullah ibnu Abasi ishte vetëm trembëdhjetë vjeç. Që më parë, Profeti a.s kishte pikasur tek Ibnu Abasi talent dhe zgjuarsi të rrallë. Meqë islami ishte në ditët e tij të para, lipseshin të rinj të zellshëm të cilët do e perfeksiononin dhe do ua përcillnin brezave të tjerë. Një ditë, Profeti a.s e pa Abdullah ibnu Abasin, i cili menjëherë iu afrua. Profeti a.s i hapi krahët, e përqafoi dhe pasi e shtrëngoi me mall, pëshpëriti në veshin e tij këtë lutje orientuese:”O Zot! Jepi dije të thella në çështjet e fesë!” Me këto fjalë, Profeti a.s sikur i thoshte:”Shko dhe studio fenë!” Njëzet vite më vonë, Abdullah ibnu Abasi ishte këshilltari më i mirë i kalifit Umer ibnul Hattab dhe konsiderohej si personi më i ditur ndër të gjithë myslimanët. Shpesh herë, hazreti Umeri thoshte:”Zoti më ruajtë nga një problem të cilin nuk e zgjidhin Ali ibnu Ebi Talibi dhe Ibnu Abasi.”

 

Ibnu Abasi u bë ai që njohim, me një përqafim, një shtrëngim si shenjë kurajimi dhe një lutje orientuese dhe udhëzuese.

 

Profeti Muhamed a.s u dërguar tek një popull endacak, ku etika nuk ishte në nivelin e duhur. Për të thyer skemat sociale të krijuara, islami erdhi me një sërë ritesh etike, si abdesi, larja, pastërtia e rrobave etj... Etika e hyrjes në banjo dhe të pastruarit, u dukej e vështirë në fillim myslimanëve dhe normalisht që bënin dhe gabime. Profeti Muhamed a.s i cili i konstatonte këto gabime, i duhej ti korrigjojë. Por si gjithmonë, ai zgjidhte mënyrën më të përshtatshme. Kështu, një ditë ai u tha të pranishmëve në xhami:”O njerëz, afrohuni më pranë!” Pasi u afruan me të, Profeti a.s u tha:”Unë jam si një prind për ju. Dëshiroj për ju, atë që e dëshiroj edhe për veten time. Prandaj, kur të kryeni nevojat tuaja personale, veproni kështu e ashtu.”

 

Një komunikim i tillë duhet zhvilluar edhe në rastet kur fëmija bën ndonjë gabim. Me të drejtë, dikush mund të thotë:”Por ti nuk e njeh djalin tim, prandaj flet kështu. Ai ta bie në majë të hundës dhe një komunikim i tillë është i papërshtatshëm.”

 

Megjithatë, unë nuk do e ndryshoj mendimin tim. Allahu i madhëruar e këshillon profetin Muhamed a.s:”Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të

 

largoheshin prej teje.” (Al Imran, 159)

 

Sa herë që e dëgjojmë apo lexojmë këtë ajet, mendja na shkon tek komunikimi që duhet të ketë një profet me popullin e tij. Në fakt, një ajet dhe këshillë e tillë vlen për secilin prej nesh dhe ajo duhet zbatuar edhe në komunikimin tonë me familjarët. Nëse zihesh me djalin apo vajzën, çfarë fitove? Çelësi që përdor ti nuk e hap portën e zemrës, prandaj duhet ndërruar. Nëse dashuria dhe respekti mes prindit dhe fëmijës funksionon siç duhet, do të mirëkuptoheni me një shikim. Në raste të tilla, një shikim që shpreh pakënaqësi, është më i rëndë se ndëshkimi fizik.

 

Gjatë betejës së Hajberit, myslimanët u përballën edhe me mungesën e ushqimit. Aq shumë vuanin, saqë kishin lidhur nga një gur mbi bark. Prandaj, kishin rënë dakord që çdo lloj ushqimi që të vinte, ta ndanin me njëri-tjetrin. Një nga myslimanët, Abes ibnu Xhebr tregon:”Duke u vërtitur sa andej këtej, gjeta një copë dhjam. I mrekulluar nga ajo që më panë sytë, thashë me zë të ulët:”Për Zotin nuk do i jap tjetër kujt.” Në atë çast, u ktheva mbrapsht dhe pashë të dërguarin e Zotit a.s pranë. Ai më pa në sy dhe buzëqeshi i pakënaqur me atë që dëgjoi. Mandej, pa folur u largua. Unë ia dhashë vrapit dhe me të vajtur tek myslimanët e tjerë u thashë:”Gjeta një copë dhjamë, hajde ta hamë bashkarish.”

 

Ndonjëherë, një pakënaqësi që shfaqet nga ana e prindërve, është shumë herë më e rëndë sesa ndëshkimi fizik apo fjalët e rënda. Por kjo ndodh nëse jemi rritur dhe edukuar me frymën e dashurisë dhe dhembshurisë në shtëpi.

 

Gjatë një studimi në Amerikë, u morën pesëqind prindër dhe pesëqind fëmijë. Një ndër pyetjet që iu drejtua prindërve ishte:”A e do djalin/vajzën tënde?” Ata përgjigjeshin:”Çfarë është kjo pyetje koti kështu?! E kush është ai prind që nuk e do fëmijën e tij?!” Mandej u pyetën fëmijët:”A të do babai?” Disa prej fëmijëve përgjigjeshin:”Nuk e di!” Të tjerë thonin:”Mendoj se po”, “Jo”, “Sigurisht”, “Kurrë nuk e kam ndjerë dashurinë e tij”. Shumica e përgjigjeve ishin:”Sigurisht, por kurrë nuk e ka shprehur atë.”

 

Këto rezultate ishin në Amerikë dhe unë besoj se në vendet tona marrëdhëniet janë më të mira, por kam frikë se kanë filluar të krisen dhe përkeqësohen, gjë të cilën nuk duhet ta lejojmë.

 

Në Medinen ku jetoi Profeti a.s bashkë me shokët e tij, zotëronte një atmosferë dashurie dhe ndjenjash të ngrohta me njëri-tjetrin. Kur tre nga myslimanët e braktisën Profetin a.s dhe ushtrinë myslimane në betejën e Tebukut pa asnjë arsye, u ndëshkuan duke mos i folur asnjë nga myslimanët. Ndjenjat e tyre gjatë pesëdhjetë ditëve të bojkotit, Zoti i përshkruan në Kuran me fjalët:”kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen.” (Teube, 118)

 

Pra, ndëshkimi i tyre ishte duke mos u folur, mëria dhe bojkoti social. Një ndëshkim i tillë do të jetë edhe në botën tjetër. Thotë Zoti në Kuran:” Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre..” (Mutafifin, 15) Ndëshkimi i tyre do të jetë pamundësia për ta parë Zotin.

 

Një i ditur, zahid dhe adhurues i Zotit, një herë bëri një gjynah të rëndë, për të cilin priti ndonjë ndëshkim ekuivalent me gjynahun. Por, ndëshkimi nuk i erdhi, gjë e cila e habiste. Ngaqë po e përjetonte shumë këtë, një natë në ëndërr pa dikë që i tha:”A nuk je privuar nga ëmbëlsia e lutjeve dhe adhurimit që ndjeje më parë?!”

 

Prandaj, në fund të kësaj teme, unë u bëj thirrje të gjithëve që ta ndryshojmë çelësin e portës së komunikimit në familje. Unë jam i bindur se të rinjtë janë grupmosha që mund ta bëjë më së miri diçka të tillë. Unë jam i bindur se ata mund ti thyejnë barrierat e ngritura dhe ta harrojnë të kaluarën.

 

Kështu, rregulli që mësuam nga e gjithë kjo temë është se gjuha sentimentale duhet të përdoret para asaj logjike.

 

Ka disa prindër, sidomos baballarë, të cilët janë shumë të ngurtë dhe të thatë me fëmijët e tyre. Njoh një baba të tillë nga Libani, i cili kishte ngritur barriera me djalin e tij. I biri, do të merrte pjesë në maratonën e qytetit dhe i kërkoi me ngulm të atit që të vijë ta ndjekë. I ati vajti gjithë seriozitet dhe i kollarisur ta ndjekë garën e të birit. Kur gara filloi të nxehej dhe dukej sikur djali i tij po dilte tek të parët, i ati e harroi krejtësisht seriozitetin dhe sjelljen zyrtare të tij, hoqi mënjanë kollaren dhe filloi të bërtasë që ta stimulojë të birin. Ngaqë vraponte për ti dhënë zemër të birit, atë e mbuluan djersët. Disa njerëz e panë të habitur, ngaqë kaloi nga një ekstrem në një tjetër, kurse ai ua kthente:”E ç’të keqe ka, unë jam baba!” Djali i tij doli i treti në garë, gjë e cila e gëzoi pa masë të atin, i cili e përqafoi dhe të dy gëzuan si asnjëherë tjetër. Kështu, ai arriti ti thyejë barrierat e ngritura gjatë viteve.

 

Thyeji këto barriera që ke ngritur me fëmijët e tu o baba dhe oj nënë! Profetin Muhamed a.s e keni shembullin dhe modelin më të mirë për thyerjen e skemave sociale të formuara. Një herë, kur ai ishte duke predikuar në xhami, në prezencën e figurave më të ndritura të myslimanëve, vijnë nipat e tij të vegjël, Haseni dhe Husejni, të cilët sa hidhnin dy hapa rrëzoheshin përtokë. Edhe pse ishte duke predikuar, Profeti a.s e ndërpreu fjalën, zbriti nga foltorja, i mori të dy nipat në krahë dhe sërish u ngjit tek foltorja për të vazhduar predikimin. Ai u tha myslimanëve:”I pashë dy nipat e mi të pengohen teksa ecnin dhe zemra ime nuk e duroi dot diçka të tillë. Prandaj zbrita dhe i mora në krahë.”

 

Ai nuk i mbajti të fshehta ndjenjat e tij karshi nipërve, por i shfaqi haptazi. Kush është i gatshëm të ndjekë gjurmët e të dërguarit të Zotit?