Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Paqja në sheriat dhe Kuran

Në kundërshtim me atë që paraqesin disa njerëz sot, islami është një fe e cila interesohet për paqen, e nxit, bën thirrje për paqe dhe e konsideron atë një objektiv rrënjësor të mesazhit të tij. Kjo duket qartë në mësimet, dispozitat dhe etikën islame.

Paralelisht me këtë, islami është kundër luftës, e urren atë dhe bën ç’mos që ajo të mënjanohet. Por edhe nëse shpërthen lufta, islami e ka ngushtuar rrethin e saj për sa më pak dëme dhe pasoja negative.

Islami dhe selami (paqja) kanë të njëjtën rrënjë:

Nga ana gjuhësore, si fjala Islam ashtu dhe selam (paqe) rrjedhin nga e njëjta rrënjë (selime). Zoti në Kuran, thotë:”O besimtarë! Pranojeni paqen me të gjitha rregullat dhe mos shkoni pas gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (Bekare, 208)

Në arabisht, fjala “silm” është interpretuar si “paqe”, e cila është antonim i luftës. Bazuar në këtë, ky ajet u bën thirrje besimtarëve që ta pranojnë paqen si tërësi dhe të mos e refuzojnë nëse u ofrohet. Fjala “silm” është interpretuar edhe “islam” dhe në këtë rast, u bëhet thirrje besimtarëve ta pranojnë islamin tërësisht, kredon, ritualet, moralet dhe legjislacionin. Duke hyrë në islam, besimtari hyn në paqen e vërtetë, paqen me veten, me familjen, shoqërinë dhe mbarë njerëzimin.

Paqja, përshëndetje e myslimanëve

Vlen të cekim se islami i motivon besimtarët drejt paqes, duke e kultivuar konceptin e paqes me forma nga më të ndryshmet, gjë të cilën nuk e gjen në asnjë fe apo ideologji tjetër.

Esselam (paqedhënësi) është nga emrat dhe cilësitë e Zotit, me të cilin besimtari i lutet, përgjërohet dhe i afrohet Atij. Thotë Zoti në Kuran:”Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to...” (Araf, 180)

Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi...”  (Hashr, 23)

Vetëm tek myslimanët gjendet emri Abdusselam, robi i Paqedhënësit, pra robi i Zotit.

Xheneti aq i dëshiruar nga çdo mysliman dhe për të cilin ai hedh çdo hap, ndryshe quhet dhe “daru selam” (shtëpia e paqes). Thotë Zoti në Kuran:”Ata do të kenë Shtëpinë e paqes te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë.” (En’am, 127)

Fjala më e dëgjuar në xhenet, do të jetë pikërisht fjala “paqe”. Ajo do të jetë dhe përshëndetja e besimtarëve atje. “Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.” (Ahzab, 44)

“dhe lutja e tyre aty do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!”. Përshëndetja e tyre do të jetë “Paqe” dhe lutja e tyre e fundit.” (Junus, 10)

“Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!” (Vakia, 25-26)

Ashtu siç paqja është përshëndetja e besimtarëve në xhenet, është dhe përshëndetja e tyre në këtë botë. Paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit qoftë me ju. Përhapja e paqes, është një ndër veprat më të vlerësuara në islam, për të cilën flasin një sërë hadithesh.

Myslimani nuk e dëshiron luftën dhe i lutet Zotit për paqe.

Myslimani, sa herë që qëndron ulur në namaz, përshëndet me selam (paqe) profetin e tij Muhamedin a.s, veten e tij dhe të gjithë umetin duke thënë:”Paqja qoftë mbi ty o profet, bashkë me mëshirën dhe bereqetin e Zotit. Paqja qoftë mbi ne dhe të gjithë robërit e mirë të Zotit.” Edhe namazin, ai e mbyll duke përshëndetur me paqe supin e djathtë mandej supin e majtë, duke njoftuar se namazi u krye totalisht në paqe. Pasi del nga namazi, ai përqafon jetën dhe njerëzit në paqe. Kështu, ai është në paqe gjatë kryerjes së ritualit, në paqe në jetën e përditshme.

Myslimani nuk e dëshiron dhe nuk e uron lutën për hir të luftës. Përkundrazi, ai dëshiron dhe uron paqen dhe mirëqenien. Por nëse lufta bëhet obligim, ai përballet me të me trimëri dhe durim, duke shpresuar ose fitoren ose martirizimin. Thotë Zoti në Kuran:”Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)

Thotë profeti Muhamed a.s:”Mos e uroni luftën me armikun dhe i kërkoni Zotit paqen! Por nëse jeni të detyruar, atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe duroni! Dijeni se xheneti është nën hijen e shpatave.”

Kurani komenton luftën e koalicionit idhujtar, të cilët sulmuan shoqërinë islame në Medine. Numri i ushtrisë idhujtare ishte tepër i madh krahasuar me ushtrinë e myslimanëve që synonin mbrojtjen e qytetit, jetës dhe pasurive të tyre. Idhujtarët ishin mbledhur me mace e me mi, me qëllimin e vetëm: Shfarosjen e myslimanëve fizikisht dhe materialisht, duke mos u lënë asnjë shenjë. Por kujdesi dhe dhembshuria e Zotit nuk u mungoi as në këtë rast të vështirë myslimanëve. Ajo që e rëndoi më shumë situatën, ishte se hebrenjtë e fisit Benu Kurejdha e kishin shkelur marrëveshjen me myslimanët duke u bashkuar me ushtrinë idhujtare. Thotë Zoti në Kuran:”O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju. Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund. Aty besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme.” (Ahzab, 9-11)

Komenti që Kurani i bën kësaj ngjarjeje përmblidhet në ajetin:”Allahu i zmbrapsi jobesimtarët (e ushtrisë së aleatëve) me hidhërimin e tyre dhe ata dolën duarbosh. Ai i kurseu besimtarët nga lufta. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Ahzab, 25)

Faktin që Zoti ua kurseu luftën besimtarëve, e përmend si vlerë dhe mirësi, pasi beteja përfundoi pa luftë dhe gjakderdhje. Kjo ishte një mirësi për të cilën lipsej të falënderohej Zoti.

Kurani e konsideron marrëveshjen e Hudejbijes, si një triumf të qartë, madje surja e cila komenton këtë ngjarje emërtohet si surja e Fitores (fet’h). “Ne të dhamë ty një fitore të qartë” (Fet’h, 1)

Myslimanët e kishin të vështirë të besonin se ka fitore dhe triumf pa luftë, saqë e pyesnin Profetin a.s:”A është fitore kjo o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s ua kthente:”Po, fitore është.” Zoti jo vetëm që e konsideroi fitore, por një fitore të qartë.

“Është Ai që i ka penguar duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre brenda në Mekë, pasi ju dha fitoren mbi ata. Allahu i sheh të gjitha çfarë bëni ju.” (Fet’h, 24)

Zoti e rendit në kuadrin e mirësive ndaj besimtarëve faktin që besimtarët nuk u përfshinë në luftë, gjë e cila tregon tendencën drejt paqes mes palëve.

Nëse myslimanët detyrohen të përfshihen në një betejë e cila u imponohet, ata janë të urdhëruar që të reduktojnë në maksimum dëmet në njerëz dhe dëmet materiale. Atyre nuk u lejohet të vrasin veçse ata që duan ti vrasin, nuk vrasin gratë, nuk vrasin fëmijët, as pleqtë, as murgjërit në manastire, as fermerët, as tregtarët, por vetëm ata që mbajnë armë dhe luftojnë.

Përveç kësaj, myslimanëve nuk u lejohet të presin pemët, të prishin ndërtesat, të djegin të mbjellat etj... Lufta e tyre është e kufizuar vetëm me ushtrinë armike e cila synon ti shfarosë. Në këtë rast lufta e armikut bëhet e domosdoshme dhe kjo domosdoshmëri, vlerësohet sipas rrethanave. Zoti e ka kufizuar veprimin e domosdoshëm, me mos kapërcimin e kufijve. Pasi e ndalon ngrënien e cofëtinës, të gjakut, mishin e derrit dhe kurbanet që theren jo për hatër të Zotit, Kurani thotë:”Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 173)

Pranimi i paqes nëse e pranon kundërshtari:

Kurani i urdhëron myslimanët që ta pranojnë thirrjen për paqe, edhe pasi të ketë nisur lufta. Thotë Zoti në Kuran:”Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka. Por, nëse ata synojnë të të mashtrojnë, të mjafton Allahu (si mbrojtës). Ai të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët.” (Enfal, 61-62)

Edhe kur ka vend për dyshime lidhur me qëllimin e paqes, ftesa për paqe nuk duhet refuzuar, duke e pranuar me kushtet dhe kriteret fetare.

Por të pranosh paqen nuk do të thotë të lejoj të më zaptosh tokat e mia me forcë, e mandej të më bësh thirrje për paqe dhe bisedime, duke hequr dorë nga të drejtat e mia. Kushti për pranimin e paqes me armikun është kur ai ta vërtetojë praktikisht se është i interesuar për paqe. E tillë ishte paqja dhe marrëveshja e Profetit a.s me kurejshët në Hudejbije. Ajo nuk erdhi për shkak të pozitave të dobëta të Profetit a.s dhe myslimanëve, të cilët pak më parë i kishin dhënë besën për të vdekur. Megjithatë, Profeti a.s anoi nga paqja kur nuhati se edhe kundërshtarët e tij anojnë nga ajo. Kështu u arrit marrëveshja e paqes e njohur si marrëveshja e Hudejbijes. Gjithmonë marrëveshjet për paqe kanë qenë të dobishme. Pas kësaj marrëveshje, myslimanët përfituan shumë, pasi një numër i madh i kurejshëve u konvertuan në myslimanë, si rasti i Halid ibnu Velid, Amr ibnul As etj...

Emri “Luftë” është i urryer

Një tregues tjetër mbi faktin se Islamit i intereson paqja, është neveria që ndihet ndaj emrit Luftë. Në një thënie, Profeti a.s thotë:”Emrat më të dashur tek Zoti janë Abdullah dhe Abdurrahman. Emrat më të sinqertë janë Harith dhe Hemam. Kurse emrat më të shëmtuar janë: Harb (luftë) dhe Murre.”

Jo vetëm si emër njeriu, por edhe si fjalë, islami e urren që fjala luftë të përdoret shpesh nga njerëzit. Bazuar në këtë, Profeti a.s e urrente këtë fjalë dhe e shihte si emër të shëmtuar nëse dikush quhej Luftë. Arabët para islamit e kishin zakon që fëmijëve të tyre tu vinin emra si “Luftë”, siç quhej babai i Ebu Sufjanit, Harb ibnu Umeje.

Transmeton imam Malik në librin e tij El-muvetta, se i dërguari i Zotit a.s kishte një deve që milej. Një ditë, ai u tha të pranishmëve:”Kush e mjel devenë time?” U ngrit një burrë dhe tha:”Unë.” Profeti a.s e pyeti:”Si të quajnë?” Ai u përgjigj:”Murre (hidhësirë).” Profeti a.s i tha:”Ulu!” Mandej pyeti sërish:”Kush e mjel devenë time?” U ngrit një tjetër dhe tha:”Unë.”

“Si të quajnë?” e pyeti Profeti a.s “Harb” u përgjigj ai. Profeti a.s i tha:”Ulu!” Pastaj pyeti për të tretën herë:”Kush e mjel devenë time?” Një tjetër u ngrit dhe tha:”Unë.” “Si të quajnë?” e pyeti Profeti a.s. “Jeish (Jeton)” u përgjigj ai. Atëherë Profeti a.s:”Mile devenë!”

Transmeton imam Buhariu se Ali ibnu Ebi Talib ka thënë:”Kur më lindi djali i parë, e quajta Harb (luftë). Profeti a.s erdhi dhe më tha:”Pa hë, më tregoni çfarë emri i keni vënë djalit?” Unë i thashë:”Harb.” Ai tha:”Jo, ai do të jetë Hasen (mirësi).”

Kur lindi djali i dytë, ia lashë emrin Harb. Me të ardhur Profeti a.s na pyeti:”Çfarë emri i keni vënë djalit?” Unë i thashë:”Harb.” Ai tha:”Jo, ai do të quhet Husejn.” Kur më lindi djali i tretë, ia lashë sërish Harb. Profeti a.s erdhi dhe më pyeti:”Çfarë emri i keni vënë djalit?” Unë i thashë:”Harb.” Ai tha:”Jo, do të quhet Muhsin.”

Në një transmetim të Aliut, thuhet se ai e pëlqente të thirrej si Ebul Harb (Babai i luftës).”

A mund ti thotë dhe veprojë gjëra të tillë dikush që është i etur për luftë dhe gjakderdhje, siç rreken producentët fanatikë ti paraqesin padrejtësisht të dërguarit e Zotit?

Një e treta e vitit është armëpushim i detyruar

Nevoja për paqe në islam, vihet re qartë në ligjërimin e një armëpushimi të detyrueshëm, ku lufta ndalohet kategorikisht për katër muaj, një e treta e vitit. Këto muaj janë katër muajt e shenjtë: Dhul Kide, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexheb, tre muaj janë njëri pas tjetrit, kurse njëri është më vete. Thotë Zoti në suren Maide:” O besimtarë! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, as të muajve të mëdhenj...” (Maide, 2)

“Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin” (Maide, 97)

Ajeti në fjalë, e vë në një kontekst shenjtërinë e Qabes dhe të katër muajve, nëse njëri është në dimension lokal, tjetri është në dimension kohor.

“Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju:“Luftimi në atë kohë është gjynah i madh” (Bekare, 217)

Kështu, shohim që të luftosh në këto katër muaj, konsiderohet si një gjynah i madh, edhe pse idhujtarët kishin shkelur çdo cak.

Megjithatë, nëse myslimanët sulmohen në një nga këta muaj, atëherë atyre u del si detyrë të vetëmbrohen dhe tu japin një mësim agresorëve, të cilët shfrytëzojnë paqen për luftë, duke shkelur shenjtërinë e këtyre muajve. Thotë Zoti në Kuran:”Shkelja e muajit të shenjtë do të shpaguhet me shkelje të muajit të shenjtë, por dhe shkelja e të shenjtave do të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë. Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” (Bekare, 197)

Haxhi, stërvitje paqeje për myslimanin:

Një tregues i përkushtimit të islamit ndaj paqes, është se e ka bërë obligim për çdo mysliman, që të kryejë ritual specifik një herë në vit, vizitën e Qabes. Ai është një ritual në të cilin myslimani ushtrohet për paqen. Ky ritual zhvillohet në një muaj të shenjtë, Dhul Hixhe, në një vend të shenjtë, Meka dhe i veshur me Ihram. Kështu, ky ritual rrethohet nga shenjtëria kohës, vendit, situatës dhe veshjes e cila i ndalon besimtarit të vrasë edhe gjahun. Thotë Zoti në Kuran:”O besimtarë! Mos gjuani, duke qenë në Ihram! Kushdo që e vret gjahun me paramendim, për dënim duhet të therë si kurban në Qabe, një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur..” (Maide, 95)

Në këtë udhëtim, myslimani rrethohet nga paqja nga të katër anët. Atij nuk i lejohet të këpusë qoftë dhe fijet e barit, apo degëzat e pemëve. Çdo mysliman është i obliguar që këtë ritual ta kryejë qoftë dhe një herë në jetë për hatër të Zotit dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.

Nëse do të ishte lufta me të gjithë jomyslimanët në botë detyrim i myslimanëve, derisa të pranojnë islamin ose të paguajnë taksat, tekstet që na urdhërojnë për paqe me armiqtë, nuk do të kishin asnjë vlerë. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”I lini të qetë ahbashët (etni), përderisa u lënë të qetë!”

Islami e pranon dialektikën

Islami edhe nëse bën luftë, gjë e urryer kjo, nuk e bën për hir të luftës në vetvete. Thotë Zoti në Kuran:”Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni.” (Bekare, 216) Myslimanët mund të hyjnë në luftë vetëm të detyruar nga ligji i dialektikës, një nga ligjet universalë dhe njerëzor, që Zoti e ka vendosur për funksionimin e jetës. Këtë ligj e cek Zoti në Kuran në dy ajete: I pari në suren Bekare ku përmendet menjëherë pas historisë së Talutit dhe rezistencës kundër tiranit Xhalut, me gjithë numrin e pakët të ushtarëve besimtarë kundrejt atyre idhujtarë. Në këtë luftë fitoi pakica besimtare kundër shumicës idhujtare. Thotë Zoti lidhur me këtë ngjarje:”Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre:“Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”. Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë:“Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!”  Me ndihmën e Allahut, ata i thyen armiqtë dhe Dauti e vrau Xhalutin. Allahu i dha atij pushtetin dhe Profecinë dhe i mësoi dituritë që deshi. Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.” (Bekare, 249-251)

Nëpërmjet dialektikës Zoti nxit njerëzit për ruajtjen e jetës mbi tokë nga shkatërrimi, në të kundërt, do të sundonin diktatorët dhe delenxhinjtë, duke e shndërruar tokën në një xhungël egërsirash që shqyejnë më të dobëtin.

Në këtë ngjarje që Kurani përmend rreth Bijve të Izraelit, Taluti dhe mbështetësit e tij ishin në mbrojtje të fëmijëve dhe pronave të tyre. “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!” (Bekare, 246)

Kështu, Zoti dërgoi Daudin, të riun besimtar që ta vrasë diktatorin Xhalut, duke e ruajtur jetën mbi tokë nga një e keqe e madhe.

Ajeti i dytë ku pranohet dialektika, gjendet në suren Haxh, kur Zoti i lejon shtresës së persekutuar të besimtarëve, të luftojnë në mbrojtje të jetës dhe lirisë së besimit, madje edhe për lirinë e besimit të feve të tjera. Thotë Zoti në Kuran:”Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Haxh, 39-40)

Që këtu, vihet re qartësisht që islami e njeh të drejtën për luftë në mbrojtje të fesë së drejtë dhe lirive të tjera, me në krye lirinë e besimit. Atyre u njihet e drejta për tu përballur me diktatorët që u mohojnë njerëzve të drejtën për të besuar dhe i nxjerrin ata nga tokat, shtëpitë dhe pronat e veta. Prandaj shohim që lufta defensive e islamit nuk është vetëm ndaj xhamive, por përfshin dhe kishat dhe manastiret e të krishterëve, si dhe sinagogat e hebrenjve. Kjo, me qëllim që askush të mos pengojë njerëzit nga ushtrimi i riteve të tyre fetare, aq më pak, ti detyrojë të ndryshojnë fenë.

Që nga dita e parë e jetës në tokë, që kur njerëzimi përbëhej nga një familje e vetme, Ademi, e shoqja dhe fëmijët, ekzistonte e mira dhe e keqja, paqësori dhe agresori, Kabili dhe Habili. Kurani i qaset historisë së dy vëllezërve, ku njëri e vrau padrejtësisht vëllain e tij. “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit.” (Maide, 27-30)

Vallë si duhet të reagojnë njerëzit nëse pasuesit e Kabilit të lig shtohen dhe kanë në dorë pushtetin? Mos duhet ti lënë të lirë të veprojnë si të duan, pa u treguar vendin? A është e logjikshme që i gjithë njerëzimit të marrë pozitën e Habilit, vëllait që u sakrifikua, duke i dhënë rastin Kabilit kriminel të ushtrojë hobin e tij, vrasjen dhe shkatërrimin e jetës? Kushdo që lexon aktualitetin e njerëzve, sheh se një pjesë e madhe e tyre janë shndërruar në Kabilë, duke përdorur fuqinë në punë të liga. Një filozof thotë se njeriu është një ujk i bindshëm. Sakaq ka shkrimtarë që e përshkruajnë njeriun si një kafshë luftarake. Menaxhim Bigen, në librin e tij “Revolucioni” libër të cilin e shkroi para krijimit të Izraelit, thotë:”Përderisa luftoj, unë ekzistoj.”

Si mund të injorohen këto filozofi të cilat i besojnë logjikës së forcës dhe jo forcës së logjikës? Përballja me ta duhet të jetë me të njëjtën logjikë, pasi e liga hiqet veçse duke e shkulur. Zullumqar dhe katil është ai që e nis të keqen, jo ai që e lufton atë.

Kurani na tregon se Zoti bashkë me të dërguarit, ka shpallur libra dhe kërkon vendosjen e drejtësisë në tokë. Thotë Zoti në Kuran:”Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt. Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit, me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Hadid, 25)

Aktualiteti thotë se jeta nuk mund të funksionojë pa fuqinë e cila mbron të drejtën, i bën rezistencë të ligës, vendos drejtësinë, lufton padrejtësinë, i vë fre Kabilit që mos rrezikojë jetën e Habilit. Ky është realiteti ideal i moraleve të Islamit, ligjeve të sheriatit dhe orientimeve të Kuranit. “Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit.” (Nahl, 126)

Perktheu: Elmaz Fida

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free