Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Marrëveshje mes të fortit dhe të dobëtit

Dikur, pylli mori flakë. Të gjitha kafshët rendën të shpëtojnë kokën nga zjarri që përpinte gjithçka që i dilte para. Mes tyre ishte dhe një gjarpër i cili zvarritej me shpresë se do i shpëtonte flakëve. Gjatë asaj zallamahie të madhe, gjarpri në fjalë u plagos dhe u rraskapit, shto dhe etjen e madhe e cila po e përvëlonte së brendshmi. Pasi kuptoi se kishte shptuar nga zjarri, u përball me një mi, i cili me ta parë gjarprin, ia dha vrapit. Por gjarpri i thirri:”Mi, o mi! Mos ik të lutem. Meqë shpëtova vetë, nuk do të bëj keq as ty.”

Miu ndaloi dhe i tha:”Nuk të kuptova!”

Gjarpri:”Jam i etur për vdekje. Dua të bëhem miku yt derisa vdekja të na ndajë. Prej teje dua një nder, të më gjesh sado pak ujë.”

Miu i tha:”Më ndiq pas o gjarpër!”

Miu para e gjarpri pas ashtu i lodhur, i sakatosur dhe i etur. Ata ecën derisa mbërritën pranë një foleje, të cilën miu e kishte përgatitur për vete. Ai hyri brenda dhe kur doli, mbante në dorë një enë me ujë për gjarprin. Ai piu derisa e shojti etjen, mandej i tha:”Tani dua të fle pak! A ke ndonjë vend të përshtatshëm për tu shtrirë sa të qetësohem?”

Miu zemërgjerë iu përgjigj:”Po, hyr në shtëpinë time se gjithçka është gati.”

Hyri gjarpri brenda dhe me tu shtrirë, e zuri gjumi. Pas disa orësh u zgjua dhe ndjeu se i kishte ardhur takati. I hodhi një sy shtëpisë, ku dalloi mikun e tij, miun, të cilit i tha:”Dëgjo miku im! Që sot, do të nënshkruaj me ty një marrëveshje, sipas të cilës, do të jetojmë të dy në paqe, pa e kërcënuar jetën e njëri-tjetrit. Dakord?”

Miu u përgjigj si me hezitim:”Po, po, dakord zoti gjarpër.”

Pasi gjarpri i hodhi një shikim shtëpisë së miut, ky i fundit i tha:”Unë po dal të gjej ca ushqime.” Gjarpri ia priti:”Mirë por mos u vono!”

Pasi mbërriti tek pragu i derës, miu u kthye nga gjarpri dhe i tha:”Lamtumirë o gjarpër! E gëzofsh shtëpinë time! Unë po largohem për të mos u kthyer kurrë në këtë vend!”

Gjarpri i thirri dhe i tha:”Çfarë? Nuk ke besim tek unë?”

Miu ia ktheu:”Kjo është një marrëveshje mes të dobëtit dhe të fortit. Të them të drejtën, unë nuk ta kam takatin dhe marrëveshjen e pranova nga frika më tepër, jo se isha i bindur. Po largohem që të ruaj kokën.”

Urtësia:

Jo të gjitha marrëveshjet garantojnë të drejtat e dy palëve nënshkruese. Nëse një marrëveshje e caktuar nuk ka asnjë garanci, atëherë është më mirë të kërkojmë një tjetër e cila na garanton mbrojtje.