Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Bora dhe pastrimi nga gjynahet

Një ndër hadithet që më ka bërë përshtypje, është një hadith i cili është lutje, por që Profeti a.s e përdorte në shumë raste. Ky hadith dhe kjo lutje e Profetit a.s është:

 

"O Zot! Më largo nga gjynahet, ashtu siç ke larguar perëndimin nga lindja! O Zot! Më pastro nga gjynahet, ashtu siç pastrohet rroba e bardhë nga papastërtitë! O Zot! Më pastro nga gjynahet e mia, me ujë, borë dhe breshër!"

 

Këtë lutje, Profeti a.s e bënte pasi kishte bërë tekbirin fillestar dhe para se të fillojë leximin e Fatihasë.

 

Tregon Ebu Hurejre:"Pasi Profeti a.s ngrinte duart për tekbirin fillestar, vëreja një heshtje të shkurtër të Profetit a.s para se të fillojë leximin e Fatihasë. Një ditë, unë e pyeta:"O i dërguar i Zotit! Çfarë thua pas tekbirit fillestar?" dhe Profeti a.s i tregoi lutjen e mësipërme.

 

Kur e lexova këtë lutje, më bënë përshtypje fjalët:"O Zot! Më pastro nga gjynahet e mia, me ujë, borë dhe breshër!"

 

Pyetja që më lindi menjëherë ishte:"Përse Profeti a.s e përmendi borën, ndërkohë që arabët nuk e njohin si është ajo?"

 

Veç kësaj, në një hadith tjetër, Profeti a.s lutet:"O Zot! Ma laj zemrën me ujë, borë dhe breshër!"

 

Çfarë do të thotë të lahet zemra me ujë, borë dhe breshër?

 

Të gjithë këtyre pyetjeve do u përgjigjemi në rrjeshtat në vazhdim.

 

Një çështje të cilën e kanë diskutuar juristët muslimanë, është edhe nëse lejohet bashkimi i namazeve gjatë rënies së dëborës. Sipas tyre, lejohet bashkimi i namazeve gjatë rënies së borës, ashtu siç lejohet gjatë rënies së shiut. Ata e kane lejuar bashkimin e namazeve edhe në stuhi ere të fuqishme, ose gjatë një të ftohti të acartë.

 

Një çështje tjetër, është edhe ajo nëse lejohet të kryehet namazi mbi dëborë. Dijetarët e kanë lejuar të kryhet namazi mbi dëborë. Vetë Abdullah ibnu Umer është falur mbi dëborë. Kurse kur është pyetur Hasen El-basrij, u përgjigj:"Nuk prish punë." Të gjithë këto, tregojnë dhe një herë frymën lehtësuese që gjendet në islam.

 

Kur Zoti krijoi universin, gjithçka tjetër e nënshtroi në funksion të njeriut. Edhe vetë bora është e nënshtruar për t'i shërbyer njeriut. Prandaj, njeriu duhet t'a shfrytëzojë atë në dobi dhe interes të tij.

 

Vetë arabët nuk e njohin dëborën, megjithatë e përdornin për të shprehur ftohtësinë dhe ngricën. Edhe kur duan të flasin mbi akullin, ata përdorin borën.

 

Abdullah ibnu Abasi, teksa fliste për dëborën një ditë, tha:"Ka ngjyrë të bardhë, por unë nuk e kam parë."

 

Të gjithë shokët e Profetit a.s nuk kishin parë borë, përveç Abdullah ibnu Umerit. Gjatë invazioneve islame të rajoneve përreth, atij i ishte dhënë rasti të shihte borë. Ai qëndroi për dy muaj në Azerbaxhan, ku përjetoi rënien e borës. Më pas ai bashkë me ushtrinë u kthyen, pasi e kishin të pamundur të çanin borën.

 

Kur është parë bora në Meke për herë të parë?

 

Halifeja abasid El-mehdij, shprehu dëshirën për të parë borë. Asokohe ai ndodhej në Meke dhe këtë dëshirë ia shprehu zëvendësit të tij Muhamed ibnu Sulejman. Kjo ndodhte në vitin gjashtëdhjetë hixhri.

 

Zëvendësi i tij që ndodhej në Basra, mori një sasi bore dhe ia dërgoi Halifes në Meke. Ishte hera e parë që banorët e Mekes panë borë me sy.

 

Ndërkohë që unë e lexoja këtë ndodhi, pyesja veten: Vallë si e transportoi borën deri në Meke? Si arritën muslimanët t'a ruajnë borën të ngrirë gjatë gjithë rrugës? Edhe pse u përpoqa të gjej diçka rreth kësaj, këto pyetje nuk gjetën përgjigje.

 

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta. Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë." (Insan, 12-13)

 

Banorët e xhenetit, do të jetojnë në mirësi dhe begati të pafund. Ata nuk do të ndjejnë as vapë dhe as të ftohtë.

 

Një ndër format e dënimit të banorëve të zjarrit, do të jetë edhe i ftohti i acartë.

 

Thotë Muxhahid dhe Mukatil, kur dëgjuan ajetin e mësipërm:"Zemherir, është i ftohti i acartë, i cili shkakton dhimbje si majat e gjilpërës kur ngulen në kokë."

 

Prandaj, Profeti a.s kërkonte tre herë mbrojtjen e Zotit nga zjarri i xhehnemit. Ai thoshte:"O Zot! Më ruaj nga dënimi i zjarrit!"

 

Nëse çdo musliman e thotë këtë lutje tre herë në ditë, zjarri thotë:"O Zot! Ruaje prej meje!"

 

A përmendet në Kuran dëbora…?

 

Në Kuranin famëlartë, nuk përmendet bora, por përmenden terma të tjerë që tregojnë të ftohtët dhe acarin. Kurani nuk e përmend dëborën, pasi ai u drejtohet arabëve të cilët nuk e njihnin borën. Vetëm ata që merreshin me tregëti dhe udhëtonin drejt vendeve ku binte borë, e dinin si është bora. Vendet me të cilat arabët bënin tregëti, ishin kryesisht ato të Shamit (Lantonit), ku hyn dhe Libani. Kishte arabë si Gasasinët, të cilët e njihnin borën, por shumica e arabëve të tjerë nuk ia kishin idenë.

 

Në jetëshkrimin e Profetit a.s, përmendet një histori e cila ka të bëjë me borën. Kur ishte i vogël dhe jetonte në fisin Benu Sad, një ditë ndodhej në shkretëtirë duke luajtur me fëmijët e tjerë. Vijnë dy burra me rroba të bardha, të cilët mbanin në dorë një tas. Ata e morrën Profetin a.s dhe ia lanë zemrën. Vetë Profeti a.s tregon:"Ata ma lanë zemrën me borë."

 

Thotë Profeti a.s:"Kur ma nxorrën zemrën, hoqën prej saj diçka të zezë."

 

Rreth faktit që melekët ia lanë zemrën me borë, unë bisedova me një doktor, i cili më tha:"Dihet që vendosja e zemrës në dëborë, e mbron atë dhe nuk lejon vdekjen e qelizave. Duke e ulur temperaturën e zemrës në 18 gradë, ne reduktojmë harxhimin e oksigjenit nga qelizat e zemrës. Më parë, kur kryenin ndërhyrje kirurgjikale në zemër, e ulnin temperaturën e trupit të pacientit në 20  gradë. Këtë e bënin për të mbrojtur trupin nga problemet që mund të lindnin si pasojë e mungesës së oksigjenit. Kështu mbrohet jo vetëm zemra, por edhe truri, veshkat dhe shumë organe të tjera. Më parë, operacionet e zemrës zgjasnin më shumë se dymbëdhjetë orë.

 

Kur një pacienti i kryejmë transplant zemre, zemrën që do i vendosim, e fusim në një enë e cila përmban lëndë ushqyese për zemrën dhe në një temperaturë konstante 18 gradë. Kjo bëhet për të ulur konsumin e oksigjenit nga qelizat e zemrës. Dëbora e ruan trupin e njeriut, pasi redukton aktivitetin e qelizave. 

 

Nëse do i kthehemi sërish hadithit të mësipërm, ku Profeti a.s thoshte:" O Zot! Më pastro nga gjynahet e mia, me ujë, borë dhe breshër!"

 

Dikush mund të pyesë:"Përse Profeti a.s përmend edhe ujin dhe breshërin, bashkë me borën?

 

E njëjta pyetje, i është drejtuar dhe dijetarit të njohur Ibnu Dekik El-id. Ai u përgjigj:"Nëse njeriu dëshiron të pastrojë rrobat, ai do të përdorë ujin. Por nëse kërkon që rrobave t'ju japë bardhësinë maksimale, ai duhet që bashkë me ujin, të shtojë dhe përbërës të tjerë."

 

Është pikërisht ky, shkaku përse Profeti a.s përmend edhe ujin dhe breshërin bashkë me borën, në hadithin e mësipërm.

 

Doktorët thonë se bora është si një morg për trupin.

 

Larja e gjynahit me ujë, simbolizon pastrimin e trupit prej këtij gjynahi. Më pas vjen bora ajo që e neutralizon dhe breshëri që e shkatërron përfundimisht.

 

Në hadithin e mësipërm, Profeti a.s përmend borën, ujin dhe breshërin, të cilët të tre vijnë nga qielli.

 

Hadithi i mësipërm, ka dy transmetime. I pari, është i lartpërmenduri ku Profeti a.s thotë:" O Zot! Më pastro nga gjynahet e mia, me ujë, borë dhe breshër!"

 

Kurse në transmetimin e dytë, Profeti a.s thotë:"O Zot! Ma laj zemrën me ujë, borë dhe breshër!"

 

Dijetarët muslimanë, thonë se transmetimi i dytë, ku Profeti a.s përmend zemrën, është më kuptimplotë dhe domethënës. Kjo, pasi pastrimi i zemrës është më i mirë se pastrimi nga gjynahet. Gjynahu mund të pastrohet, por mund të kthehet sërish. Kurse nëse pastrohet zemra, nuk mund t'u rikthehet sërish.

 

Këtë lutje, Profeti a.s e përdorte edhe në lutjet e rastit kur falte namazin e një xhenazeje.

 

Siç e thamë dhe më lart, arabët e kohës së Profetit a.s nuk e njihnin borën. Megjithatë, Profeti a.s përmend atë, pasi mesazhi i tij është mesazh për mbarë njerëzimin.

 

Shokët e Profetit a.s, i përdornin të dy transmetimet në lutjet e tyre drejtuara Allahut. Edhe ne në fund të këtij emsioni, lutemi dhe themi:

 

" O Zot! Më pastro nga gjynahet e mia, me ujë, borë dhe breshër!"

 

"O Zot! Ma laj zemrën me ujë, borë dhe breshër!"

 

Paqja e Zotit qoftë mbi ju! 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free