Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Materializmi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Është fjala për shkaqet e animit nga materializmi. Në fillim duhet të përcaktojmë këndvështrimin e tanishëm terminologjik dhe kufizimet e tij e pastaj të nisim diskutimin. Termi “materializëm” ka përdorime të ndryshme, prej të cilëve jo të gjithë lidhen me diskutimin tonë. Për shembull, thuhet materializëm e nënkuptohet doktrina mbi prejardhjen e materies, në atë që materia është diçka e rrënjësishme (asil) dhe e vërtetësishme në sferën e të qenit e jo diçka e përfytyruar nga mendja - një shfaqje dhe sajim i saj, përkundrejt idealizmit që mohon realitetin e materies dhe e konsideron të krijuar në mendjen e njeriut.
Nëse materializmin e vështrojmë kështu, atëherë të gjithë besimtarët, qofshin myslimanë apo jo, janë “materialistë”, sepse të gjithë ata pohojnë se materia - si një realitet në hapësirë dhe kohë, e cila i nënshtrohet ndryshimit, shndërrimit dhe zhvillimit, duke qenë gjithashtu që ndjehet dhe preket, diçka e dallueshme, metafizike dhe efikase - është realitet objektiv me ekzistencë të dukshme e të pavarur nga mendja, që ka vetitë e saj të vrojtueshme. Të qenit materialist në këtë mënyrë nuk është në kundërshtim me Zotin dhe monoteizmin. Përkundrazi, kozmosi dhe natyra, si një tërësi funksionale dhe e harmonizuar, duke qenë produkte të krijimit, janë dëshmia më e mirë për njohjen e Zotit. Gjatë këtyre ndryshimeve materiale zbulohet vendosmëria kuptimplotë e Zotit. Dukuritë materiale përmenden në Kuran si shenja Hyjnore (ayat).1
Ndërsa nganjëherë kjo fjalë përdoret për mohimin e ekzistencës së mbimateries, si një shkollë ekskluzive mendimi, e cila e sheh ekzistencën dhe sferën e të qenësishmes si të ndryrë tek materia, duke i vënë cak të qenit tek e ndryshueshmja dhe duke e kufizuar atë te hapësira dhe koha. Kurse atë që ndodhet përtej caqeve të shqisave dhe ndjenjave njerëzore, si dhe jashtë ndryshimeve, e mohon dhe e konsideron të paqenë. Tani pra, bëhet fjalë për arsyet e animit nga kjo doktrinë dhe si ka mundësi, që disa njerëz janë bërë përkrahës të kësaj teorie përjashtuese dhe negative, duke mohuar Zotin dhe duke e pandehur atë që ndodhet jashtë sferës së materies të paqenë.2
A është njeriu në thelb materialist, apo besnik ndaj Zotit? E parë kështu, cilat janë arsyet e prirjes materialiste?
Natyrisht, del sikur ne pohojmë, që për nga natyra njeriu s’duhet të kishte prirje [të anonte] nga materializmi; materializmi është diçka e kundërt me karakterin dhe natyrën e tij (al-fitrah) e meqenëse është i kundërt me thelbin, duhet kërkuar arsyeja e kësaj prirjeje. E thënë më thjeshtë, të besuarit në Zot është si shëndeti, ndërsa animi nga materializmi - sëmundje. Të fshehtat e shëndetit s’duhen hetuar kurrë, sepse shëndeti ecën në harmoni me rrjedhën dhe procesin e sistemit të Krijimit, por nëse vëmë re që një person, apo shoqëri janë të sëmurë, atëherë lind pyetja, përse janë sëmurur gjithë këta njerëz dhe cili është shkaku i sëmundjes së tyre.
Ky mendim yni është pikërisht e kundërta e asaj, që është shkruar zakonisht në historinë e fesë. Autorët e librave të tillë bëjnë kërkime, pse njeriu ka prirje ndaj fesë. Sipas mendimit tonë, çështja nuk qëndron në prirjen nga të besuarit, kjo është prirje e natyrshme; por përkundrazi, duhet kërkuar pse njeriu ka arritur animin nga ateizmi.3 Tani nuk do shtjellojmë diskutimin nëse të besuarit është diçka e natyrshme e ateizmi jo, apo anasjelltas, pasi nga pikëpamja e diskutimit kryesor nuk shohim arsye për këtë. Natyrisht, duhet pasur parasysh, që nuk pohojmë se ngaqë prirja ndaj monoteizmit është një prirje natyrore dhe e lindur (fitrah), nuk dalin kurrfarë pyetjesh kur bëhet trajtimi në nivelin e njohjes shkencore dhe filozofike. Jo, nuk është ashtu. Kjo çështje, si çdo tjetër, sado që mund të pranohet dhe njihet si instinkt i lindur, kur shtrohet në nivelin e të menduarit, për fillestarët dhe jobesimtarët natyrisht krijon dyshime dhe vështirësi, duke shkaktuar pyetje dhe vërejtje e në këtë nivel ka zgjidhje të kënaqshme për ta.4 Prandaj, nuk do shpërfillim dyshimet, që shfaqen tek disa njerëz, ose të pohojmë se ato rrjedhin nga qëllimet e tyre të liga apo karakteri i keq. Jo, nuk është aspak ashtu.5
Shfaqja e dyshimit në këtë sferë, kur njeriu kërkon të zgjidhë të gjitha pyetjet e lidhura me këtë çështje, është diçka e natyrshme dhe e zakonshme dhe këto mëdyshje janë shtytje për kërkime të mëtejshme. Prandaj, të tilla dyshime, që çojnë drejt hulumtimit të mëtejshëm, ne i konsiderojmë të shenjta, sepse shpien drejt së sigurtës, saktësisë dhe mirëbesimit. Dyshimi është i keq, atëherë kur bëhet obsesion dhe preokupim, si tek disa njerëz të cilët i shohim të kënaqen me faktin, se janë në gjendje të dyshojnë dhe që e mbajnë dyshimin dhe pasigurinë si kulmin e arritjes së tyre intelektuale.6
Një gjendje e tillë, në kundërshtim me të parën që përbën hyrje në përsosje, është tepër e rrezikshme. Prandaj, siç kemi përsëritur shumë herë, dyshimi është rrugë e mirë dhe e domosdoshme, por destinacion i keq dhe ndalesë e papërshtatshme.
Diskutimi ynë pra, ka të bëjë me njerëzit, apo grupet, tek të cilët dyshimi është drejtim dhe stacion i fundit.
Sipas mendimit tonë, materializmi, megjithëse e paraqet veten si një doktrinë dogmatike, është pjesë e skepticizmit.7  Logjika e Kuranit është e njëjtë me këtë. Aty shkruhet, se s’ka më keq se kur njerëzit janë të infektuar me dyshime dhe mosbesim, por në praktikë i valëvisin me kapardisje duke bërë dogma nga to, shkencë dhe padiskutueshmëri.8

Sfondi Historik
Një mënyrë e tillë të menduari nuk përbën diçka të re. S’duhet konsideruar, që ai është rezultat i ndryshimeve bashkëkohore shkencore dhe industriale dhe është shfaqur për herë të parë këta dy shekujt e fundit, si shumë mendime shkencore që nuk kanë ekzistuar në kohët e mëparshme e të cilat njeriu i arriti më pas. Jo, me siguri animi i njeriut nga materializmi nuk është dukuri karakterizuese e shekujve të fundit, por është një ndër mënyrat më të vjetra të të menduarit. Lexojmë në historinë e filozofisë se shumë filozofë të Greqisë së Lashtë, që i paraprinë Socrates-it dhe lëvizjes së tij filozofike, kanë qenë materialistë dhe kanë mohuar ekzistencën e mbimateries.
Gjatë periudhës së injorancës (xhahilije) tek arabët, disa njerëz gjithashtu mendonin kësisoj. Kurani fisnik iu kundërvu atyre, duke përmendur dhe kritikuar të folurit e tyre:
“E ata thonë: Ekziston vetëm jeta e kësaj bote; (në të) vdesim dhe jetojmë e vetëm (rrjedha e) koha na shkatërron”9

Këto fjali, që Kurani i Lartësuar përmend nga njerëzit, përfshijnë mohimin e Zotit dhe Ringjalljes.

Materializmi në Periudhën e Islamit
Fjala ‘dahr’ në arabisht do të thotë kohë. Sipas ajetit të mësipërm dhe kësaj fjale aty, njerëzit që mohonin Zotin në periudhën e Islamit quheshin dahriyyah.10 Ne ndeshemi me njerëz të tillë në historinë e Islamit, që ishin dahri dhe maddi [materialistë], sidomos gjatë sundimit të Abbasidëve, kur kultura dhe metoda të ndryshme filozofike depërtuan në botën islame.
Për shkak të lirisë së mendimit, që lindi në atë kohë rreth ideve shkencore, filozofike dhe fetare (natyrisht, në kufijtë që s’binin në kundërshtim me politikën e Abbasidëve), ekzistonte zyrtarisht grupi, që njihej si grupi i materialistëve dhe ateistëve. Ky grup debatonte me muslimanët dhe pjesëtarët e feve të tjera e besimtarët në Zot, predikonte argumentet e tij e kundërshtonte ato të besimtarëve. Së fundi, ky grup dëgjonte, fliste dhe shprehte lirshëm mendimin e vet. Biografia e këtyre njerëzve ndodhet e shkruar në librat islamë.
Në kohën e Imam Sadiqut (‘a) individë të veçantë mblidheshin në Xhaminë e Profetit (a.s), duke shprehur pikëpamje të tilla. Libri al-Tawhid al-Mufaddal është fryt i njërit prej këtyre tubimeve.
Një nga përkrahësit e Imam Sadiqut (‘a) i quajtur al-Mufaddal ibn ‘Umar, tregon: “U fala në Xhaminë e Profetit (a.s) dhe po thellohesha në mendime për Profetin (s) dhe madhështinë e tij. Në këtë kohë, ‘Abd al-Karim ibn Abi al ‘Awja, i cili ishte ateist (zindiq) erdhi e u ul pranë meje e pas tij edhe një ateist tjetër. Këta të dy filluan të blasfemojnë. Ata mohonin Zotin, ndërsa për Profetin (s) flisnin si një mendimtar dhe gjeni e jo si të Dërguarin e Zotit, të emëruar nga ana e Tij dhe si njeri që merr frymëzim nga një burim i Padukshëm. Ata thoshin, se ai ishte gjeni që mendimet e tij i paraqiste si shpallje të Fjalës së Zotit për të ndikuar tek njerëzit. Por në fakt, nuk ka as Zot, as zbulesë hyjnore, as ditë Gjykimi”,
Mufaddali u shqetësua shumë nga fjalët e tyre dhe i kërcënoi, pastaj erdhi tek Imam Sadiqu (‘a) dhe i tregoi ç`kishte ndodhur. Imami e qetësoi, duke i thënë se do ta mësonte si të flasë me ta dhe se do ta pajiste me argumente, me të cilat do i kundërvihej dhe rrëzonte pikëpamjet e tyre. Që andej e tutje Imam Sadiqu (‘a) e udhëzoi Mufaddalin përgjatë disa orëve të gjata mësimi dhe Mufaddali i hodhi në shkrim mësimet e Imamit. Ja se si lindi libri al-Tawhid al-Mufaddal.

Materializmi i Kohëve Tona
Siç e dimë, në shekujt XVIII dhe XIX materializmi u formua si doktrinë, megjithëse në të kaluarën nuk kish qenë i tillë. Ajo që thuhet në lidhje me disa shkolla të mendimit të Greqisë së Lashtë, është e pabazuar. Zakonisht, historianët e filozofisë nuk e njohin vetë filozofinë dhe sapo shohin fjalët e ndonjë filozofi mbi përjetshmërinë e materies, apo diçka të ngjashme, mendojnë që domosdoshmëria e një mendimi të tillë është mohimi i Zotit dhe metafizikës.
Sipas mendimit tonë, nuk është saktësuar se para kohëve të reja ekzistonte doktrina materialiste, por vetëm në Greqi, si dhe jashtë saj, ekzistonin prirje të shkëputura drejt materializmit.11 Megjithatë, kjo shkaktoi te shumë njerëz hamendjen, që ndoshta shfaqja e materializmit, si një doktrinë e veçantë, ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkencën dhe arritjet e saj. Sigurisht, vetë materialistët përpiqen shumë, që çështjen ta shfaqin në mënyrë të tillë dhe t’u imponojnë të tjerëve qëndrimin, se arsyeja e përparimit dhe mbizotërimit të materializmit në shek. e XVIII dhe XIX ishte zhvillimi dhe përhapja e vrullshme e shkencës, të cilat e shtynë njeriun në atë drejtim. Ky qëndrim është më pranë shakasë se realitetit.
Prirja materialiste daton nga kohët e lashta dhe ishte e pranishme si në shtresat shkencore ashtu edhe në masat e paarsimuara. Gjithashtu në epokën moderne, në të gjitha shtresat gjenden materialistë, ashtu sikurse ka në tërë shtresat - sidomos ato shkencore - prirje nga metafizikja, e përshpirtshmja dhe Hyjnorja.
Nëse do ishte e saktë ajo që thonë materialistët, atëherë aq sa ç`ka përparuar shkenca dhe ç`është shfaqur një numër i madh shkencëtarësh në botë, po aq më shumë prirje materialiste do kish në shtresën e shkencëtarëve dhe njerëzit më të ditur, të cilët do të ishin materialistët më të mëdhenj. Mirëpo realiteti tregon pikërisht të kundërtën.
Sot ne ndeshim nga njëra anë personalitete të mirënjohura siç është Russell.12, të cilët në një shkallë të lartë e kanë paraqitur veten si materialistë. Ai thotë:  “Njeriu është produkt shkaqesh, të cilat nuk kishin asnjëfarë paramendimi në rezultatin që po arrinin. Prejardhja e njeriut, zhvillimi, madje edhe ndjenjat e tij si shpresa, frika, dashuria dhe bindja s’janë asgjë tjetër, veçse pasojë e një kombinimi të rastësishëm atomesh të ndryshëm”.13

Në këtë mënyrë Russell mohon ekzistencën e një fuqie të vetëdijshme dhe të urtë, që sundon gjithësinë, megjithëse ai në disa pohime e konsideron veten skeptik dhe agnostik.14
Nga ana tjetër, vëmë re që Ajnshtajni, shkencëtari gjenial i shek. të XX, ka mendim pikërisht të kundërt me Russellin dhe thotë: “Individi e ndjen vogëlsinë e ndjenjave dhe synimeve njerëzore, dhe madhështinë e rendin mahnitës, që e shpalosin veten si në natyrë ashtu edhe në botën e mendimit. Ekzistenca individuale i bën përshtypje atij si një lloj burgu dhe ai kërkon ta përjetojë gjithësinë si një e tërë kuptimplotë e vetme”.15

A mund të thuhet që Russell i njihte konceptet e shkencës bashkëkohore e Ajnshtajn jo? Apo që ai filozofi i shek. të XVIII dhe XIX i njihte konceptet e shkencës së kohës së vet e Pasteur16, si teist, s’i njihte e ishte i paditur? Ose, a mund të themi që William James17, si njeri i ditur e monoteist, apo Bergson18 e Alexis Carrel19 dhe të tjerë si ata, nuk i njihnin konceptet shkencore të kohës së tyre dhe mendonin njëlloj si para njëmijë vjetësh, ndërsa një i ri, që nuk ka as një të dhjetën e dijes së tyre e është ateist - i njeh konceptet shkencore bashkëkohore?
Nganjëherë vihet re, se ndër dy matematikanë njëri beson në Zot dhe fé e tjetri është materialist, apo dy fizikanë, dy biologë, dy astronomë - prej të cilëve njëri mendon në mënyrë materialiste e tjetri në atë fetare. Atëherë çështja s’është dhe aq e thjeshtë, që të themi se të shfaqurit e shkencës e errësoi metafizikën. Një vëzhgim i tillë është i papjekur.20
Duhet vënë theksi në diskutimin se çfarë bëri, që materializmi të shfaqej në Evropë si doktrinë më vete e të gjejë shumë përkrahës, ndonëse në shek. e XX - përkundrejt atij të XVIII dhe XIX - zhvillimi i materializmit u ngadalësua dhe gjatë tij materializmi pësoi njëfarë disfate.
Ky anim i shkallës së gjerë ka një sërë arsyesh historike dhe sociale, që duhen shqyrtuar. Në kërkimet tona ne u ndeshëm me shkaqet, që po paraqesim këtu. Ndoshta ata që kanë kryer studime më të thella të çështjeve shoqërore, sidomos në fushën e historisë së Evropës, njohin arsye dhe faktorë të tjerë. Këtu po parashtrojmë rezultatet e hulumtimeve tona.

Shënime
1. Siç e kanë theksuar dendur Shahid Beheshti dhe Allamah Tabataba’i, Islami e shqyrton botën, me tërë madhështinë, pamatësinë e mrekullitë e saj, bashkë me të gjitha lidhjet e ndërsjella midis dukurive të larmishme në të, si një realitet homogjen, i cili varet nga një realitet tjetër absolut - i pavarur, sovran dhe suprem - që është Zoti. Si realitet i paperceptueshëm, Zoti njihet përmes shenjave të Tij të perceptueshme (ayat), nëpërmjet të cilave ne marrim njohuri të vlefshme dhe të frytshme rreth Tij.
Kurani Fisnik jo vetëm që nuk i konsideron shkencat praktike, antropologjinë, njohjen shkencore dhe hulumtive të natyrës dhe të menduarit e pakufizuar të jetës si pengesë dhe kundërshtim i fesë, por ai i vlerëson ato, që përbëjnë rrugën më të përshtatshme për të përcaktuar cilësinë e vyer të besimit. Ai i përmend shenjat (‘argumentet’, ‘provat’, ‘faktet’ dhe ‘dëshmitë’) e Zotit në mënyrë të përsëritur dhe u kërkon njerëzve të thellohen në të menduarit për to dhe të njohin Zotin - burimin e ekzistencës së gjithçkaje, nëpërmjet tyre. Krahas metodës racionale, Kurani fisnik sugjeron tre lëme për të menduarit e dobishëm dhe përfitues mbi shenjat e Zotit: Natyrën, Ndërgjegjen njerëzore dhe Historinë.

(1) Natyra
Në një mori vargjesh të shpërndara gjithandej në Kuran objektet natyrore - si toka me pasuritë e saj nën dhé e mbi dhé, qiejt me pamatësinë e tyre, yjet ndriçuese dhe lëvizjet e tyre mahnitëse, dielli dhe hëna me përpikmërinë e tyre, që sjellin ditën a natën, stinët që ndërrohen, retë dhe shiu që e mbush me jetë dheun, lëvizja e rregullt e erës, lundrimi i anijeve nëpër dete, krijimi i jashtëzakonshëm i bimëve dhe rendi e simetria që sundon rritjen e tyre, kafshët e shumëllojshme dhe çdo gjë që mund të shohë e prekë njeriu rreth vetes - janë përmendur si subjekte të përshtatshme për t’u thelluar dhe prej të cilave duhen nxjerrë përfundime domethënëse:
“Thuaju: ‘Shikoni me vëmendje çfarë ka në qiej dhe në tokë” (Junus: 101); “Thuaju: ‘Udhëtoni nëpër stere e dete dhe vështroni se si Ai e ka bërë Krijimin’” (El-Ankabut: 20). “Allahu krijoi qiejt dhe tokën me një seriozitet të plotë. Në to me të vërtetë ka shenja për besimtarët” (El-‘Ankabut: 44).
“Për besimtarët ka shenja në qiej e në tokë. Për një popull që sinqerisht është i bindur ka prova edhe në krijimin tuaj dhe në krijimin e kafshëve të përhapura. Edhe në ndërrimin e natës e të ditës, në atë furnizim që Allahu e lëshon prej qiellit dhe gjallëron me të dheun e vdekur dhe e mbush me jetë; edhe në qarkullimin e erërave ka argumente për një popull që logjikon” (El-Xhathije: 3-5).
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës dhe të ditës, ka shenja të qarta për njerëzit e arsyes; (për ata) që thellohen për krijimin e qiejve e të tokës (duke thënë): “Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot” (Ali Imran: 190-1). “Sigurisht, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, në anijet që tendosin velat nëpër dete për të mirën e njerëzve, në ujin që Zoti dërgon poshtë që nga qielli për të gjallëruar dheun e vdekur e për ta populluar me të gjitha llojet e kafshëve, në lëvizjet e erërave dhe në retë e varura midis qiellit e tokës - në të gjitha këto ka shenja (të Sovranitetit të Zotit) për njerëzit me gjykim të shëndoshë” (El-Bekare: 163-4).
“Edhe në tokë ka shenja domethënëse për zotëruesit e të sigurtës (...) - a nuk [doni të] shihni?” (Edh-Dhariat: 20-1).
“Ndër shenjat e Tij janë nata e dita dhe dielli e hëna. Po ju mos adhuroni as diell, as hënë, adhuroni Zotin që i krijoi” (Fussilet: 37).
“Zoti lëshon prej qiellit ujë me të cilin gjallëron dheun e vdekur. Këtu ka një shenjë për të vëmendshmit” (En-Nahl: 65). “Le të shikojë njeriu ushqimin e tij: Ne i lëshuam ujë të bollshëm nga retë, pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra, edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura dhe pemë e kullosa” (‘Abese: 24-31).
“Nuk e pyetkan veten ata, se si është krijuar deveja, si janë tendosur qiejt, si janë ngritur e fiksuar malet dhe si është shtrirë dheu” (El-Gashije: 17-20).
Gjithashtu shih: Kaf: 6-11, al-A’raf: 57, 185; Jasin: 33-40, 71-73; El-Furkan: 2, 45-50, 53-54, 61-62; El-Fatir: 27-28, al-Vakia: 68-76, Esh-Shu‘ara’: 7-8; En-Naml: 60-61, 86, 88; El-Kasas: 71-73; El-Isra’: 12, 66, 70, 85; Junus: 5-6, 31-32, 67, 105; El-Hixhr: 19-23, 85; En’am: 1, 38, 95-99, 141-142; Llukman: 10-11, 27, 29-31; Ez-Zumer: 6, 21, 62-64; El-Mu’minun: 13, 62-64, 79-80; Esh-Shura: 29, 32-33; Ez-Zuhruf: 9-12, El-Xhathije: 12-13, El-Ahkaf: 3-4, Edh-Dharijat: 47-49; En-Nahl: 3-8, 10-20, 40, 65-69, 79-81; Ibrahim: 24-26, 32-33; El-Enbija’: 30-33, Es-Sexhde: 27, El-Mulk: 1-4, 15, 19; El-Hakk: 38-39, El-Me’arixh: 40, En-Nebe’: 6-16; En-Nazi’at: 27-32; Err-Rum: 22, 24-27, 46, 48-50; El-Ankebut: 41, 43-44, 63; El-Hadid: 6, Err-Ra’d: 2-4, 12; En-Nur: 43-45, El-Haxhxh: 61-66, 73-74, pa harruar se:
“Sikur të gjithë drutë në tokë të ishin pendë dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë ngjyrë), nuk do të sosnin fjalët e Zotit. Zoti është Ngadhënjyesi i Urtë” (Llukman: 27) e “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, ai do të shterrej përpara se ato të përfundonin, madje sikur të sillnim shtesë edhe një tjetër si ai” (El-Kehf: 109).
(2) Ndërgjegjia njerëzore
Ndërgjegjia njerëzore përmendet si një burim i veçantë dijeje në Kuran. Duke qenë se i tërë Krijimi, rrjedhimisht edhe njeriu, përbëhet nga shenjat hyjnore, ajo është çelës për zbulimin e të vërtetës. Kurani e përshkruan botën jashtë njeriut si ‘horizonte’, ndërsa atë brenda tij si ‘vetja’ dhe thekson rëndësinë e veçantë të vetëdijes, duke i bërë njeriut thirrje të përqendrohet në ndërtimin dhe sekretet e krijimit të fshehura brenda tij, në zemrën, në thellësinë e ndijimit të vet dhe marrëdhënien e tij me botën e shpirtit:
“Ne do t’ua dëftojmë atyre shenjat Tona në horizonte dhe ndër vetë ata, derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është e vërteta” (Fussilet, 53); “Në vetë ju ka prova domethënëse - a nuk (doni të) shikoni?” (Edh-Dharijat, 21); “A nuk mendojnë ata për veten?” (Err-Rum, .
“Një nga provat e Tij është që Ai ju krijoi prej dheu…e krijoi bashkëshorte të llojit tuaj, në mënyrë që të gjeni prehje me to dhe mbolli dashuri e dhembshuri të ndërsjellë në zemrat tuaja. Në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë”. (Err-Rum, 20). (Shih Shari’ati: IX, Bucaille, Tabataba’i: VII për El-Hixhr: 20, 28; Es-Saffat: 11, El-Haxhxh: 5, Hud: 61, ‘Abese: 17-20, El-Kijameh: 36-39, El-Murselat: 20-24, Es-Sexhde: 7, El-Enbija’: 30). “Ai i mësoi njeriut atë që nuk e dinte” (El-Alak: 5); “Ai i mësoi Ademit të gjithë emrat” (El-Bekare: 31), “Ne i dhamë aftësinë për të dëgjuar dhe për të shikuar” (El-Insan: 2); “Me të vërtetë Ne e krijuam njeriun në harmoninë më të përkryer” (Et-Tin, 4); “A nuk i dhamë dy sy, gjuhën, dy buzë dhe e udhëzuam në dy rrugë” (El-Beled, 8-10).
Gjithashtu, shih: El-A’raf: 189, Jasin: 77-79, El-Fatir: 3, Merjam: 67, El-Vakia: 57-59,El-Kasas: 73, El-Isra’: 70, 85; Es-Saffat: 11, Ez-Zumer: 6, El-Mu’minun: 12 e më pas, 61-62, 67-68, 78-80; Esh-Shu‘ara’: 11, El-Kehf: 37; En-Nahl: 19-20, 78 e më pas; Nuh: 14 e më pas; Es-Sexhde: 7-9, Et-Tur: 35-36, El-Mulk 23, Err-Rum: 18-19, 23, 28, 40; El-‘Ankebut: 63; El-Bekare: 21-22, 28-29, 171; Ali Imran: 6, Err-Ra’d: 16, 8; Err-Rrahman: 1 e më pas; El-Haxhxh: 11, 73-74; El-Kijameh: 3-4, etj. (Për aspektin historik shih shën. e kreut VIII)

2. Në pamje të parë autori është i interesuar në aspektin filozofik të termit, duke dhënë qëndrimin islam mbi të (shih shën. 64, kreu III). Në kaptinat vijuese (kreun VI dhe VII) ai do shqyrtojë domethënien e zgjeruar të konceptit, duke përfshirë anën etike e “praktike” të tij dhe marrëdhënien ndërmjet tyre, për t’i vënë përballë këndvështrimit islam. Për një diskutim të llojeve të ndryshme të “materializmit”, shih Guénon, kreu VII dhe as-Sadr Our Philosophy.

3. Sipas botëkuptimit islam, të besuarit dhe të qenit teist është prirje e natyrshme dhe në përputhje të plotë me thelbin e njeriut (al-fitrah): “Ndiqni vendosmërisht diktatet e natyrës parësore (të vërtetë) në të cilën Zoti e krijoi njerëzinë: nuk ka ndryshim (të natyrshmërisë) së Krijimit nga Zoti. Kjo sigurisht është feja e drejtë” (Err-Rrum: 30).
Megjithatë, teoria e fitras në të kuptuarit islam, ndryshe nga pikëpamjet e Platonit, Descartesit, Kantit dhe filozofëve të tjerë (referoju debatit midis Locke-ut dhe Leibnitz-it), nuk nënkupton idenë, se njeriu me të lindur zotëron koncepte, prirje dhe dëshira të caktuara de facto, apo - siç thonë ata - njeriu lind me vullnet dhe intelekt de facto. Ai gjithashtu hedh poshtë teoritë e parashtruara nga mohuesit e “natyrës njerëzore” si marksistët dhe ekzistencialistët (Shih: Shari’ati VII, IX dhe Beheshti & Bahonar), të cilët pohojnë se njeriu në të lindur është thjesht tabula rasa.
Muslimanët, për të cilët Kurani vlen për të gjitha kohërat dhe vendet (El-Isra’: 77, El-Fatir: 43, El-Ahzab: 62, etj) përkundrazi besojnë, se njeriu lind si krijesë potenciale, që lëviz sipas aftësive të veta drejt një sërë nevojash dhe prirjesh të veçanta nën udhëheqjen e forcave të tij të brendshme dhe në dritën e dukurive të jashtme. Atij i janë dhuruar shumë aftësi, potenciale (En-Nahl: 78, El-Mu’minun: 78) dhe motive të shoqëruara me njëfarë drejtimi të brendshëm dhe udhërrëfimi të lindur, të cilët po t’i zhvillojë dhe të mos i korruptojë, do ta shpien në nivelin që meriton - njerëzishmërinë. Për më tepër, njeriu është mbajtësi i “Amanetit Hyjnor” (El-Ahzab: 72) çka përfaqëson vetëdijen, vullnetin dhe aftësinë e zgjedhjes, të cilat janë simbol i humanizmit të tij. Në të kundërt ai do të kthehej në një krijesë të “tjetërsuar”, nëse pranon ekzistencën që i imponojnë forcat e jashtme. Kështu metamorfoza e njeriut, për të cilën flasin ekzistencialistët, shpjegohet nga shkolla islame e filozofisë. Për më gjerë: Fetrat dhe Insan dar Qur’an nga autori.

4. Siç e pamë, Kurani gjithmonë flet për “shenja” nga Zoti, duke kërkuar nga ne të mendojmë lirshëm dhe hetojmë me vëmendje mbi to. Kjo mënyrë e të menduarit është elementare, e drejtpërdrejtë dhe e natyrshme, pa pasur nevojën e të formuluarit (‘ilm al-huduri). Pikërisht ky mendim i natyrshëm ka sjellë tek disa njerëz një besim eksplicit dhe të vendosur në Zotin (Al ru’yah bi’l-qalb), me një mprehtësi që njihet si ‘dëshmimi’ (Ali-Imran: 18 dhe El-A’raf: 172). Një grup tjetër, të cilët janë mësuar t’i analizojnë gjërat me imtësi, është përpjekur ta “formulojë” atë “mendim”, çka del e dobishme për shumë njerëz, ngaqë i ndihmon ata t’i organizojnë mendimet dhe të marrin përfundime të gjalla. Megjithatë, për disa të tjerë, ai shpie në ndërlikim të gjërave duke e ndërprerë vazhdën e tij të lëmuar natyrore.
‘Allamah Tabataba’i e Shahid Beheshti kanë theksuar, se përveç argumentit të Realitetit të Pandryshueshëm ekzistojnë edhe mënyra të tjera bindëse, konfirmuar nga Kurani në një varg jashtëzakonisht interesant: “Ne kemi shpalosur për njerëzit në këtë Kuran të gjitha llojet e argumenteve” (El-Isra’: 89, 41). Kjo bëhet edhe sepse shumica e njerëzve, për shkak të preokupimit të vazhdueshëm me gjërat materiale dhe të zhyturit e tyre në kënaqësitë e ndijimeve, e kanë mjaft të vështirë që t’u kthehen natyrës së tyre të paprishur, siç është dhënë nga Zoti.
Kështu Islami e ka bërë të mundur për njerëz të tillë, që të gjejnë edhe rrugë të tjera për të vërtetuar ekzistencën e Zotit. Ai synon t’u flasë dhe t’ua bëjë Zotin të njohur atyre me anë të po asaj rruge, përmes së cilës ata janë larguar nga natyra e tyre e vërtetë. Shih kreu III: shën. 49, Tabataba’i V, Beheshti II, III, V.

5. Njerëzit duhet të ushtrojnë të menduarit e lirë e të pavarur dhe muslimanët janë të urdhëruar të përdorin mënyrën më të mirë në përpjekjet e të shpjeguarit të besimit dhe bindjes sipas nivelit dhe të kuptuarit të këtyre: “Thirr në rrugën e Zotit tënd më urtësi dhe këshillë të mirë e debato me ta në mënyrën më të sjellshme” (En-Nahl: 125). Në doktrinën islame nuk ekziston qëndrimi dogmatik, d.m.th besimi nuk i paraprin dijes dhe arsyes: “..Përgëzoji pra robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë më të mirën prej tyre.. Të tillët janë të mençurit” (Ez-Zumer: 17-18) Shih par. (4) të shën. 8 më poshtë dhe shën. 18, kreu III.

6. Këto fjalë përbëjnë një referencë të hollë të Mutahhariut ndaj ekzistencialistëve pesimistë të absurdit si Albert Camus dhe J. P. Sartre. Kjo metodë mendimi, e huaj për Islamin, filloi me sofizmin, çka solli skepticizmin, subjektivizmin, relativizmin, empiricizmin, nihilizmin, pozitivizmin dhe “izmat” e tjerë në filozofinë perëndimore të mbështetura/nisura në dyshim.
Zakoni i dyshimit zuri fill me sofistët, të cilët ishin një grup mësuesish, që u shfaqën në kohën kur në Greqinë e Lashtë sundonte vala e dyshimit dhe mosbesimit në perënditë e mitologjisë gjatë periudhës së forcimit të demokracisë. Ata ishin të aftë t`u mësonin të tjerëve retorikën, të shprehurit e dykuptimtë dhe dialektikës, ndërsa krenoheshin me atë se mund të vërtetonin një pohim, por njëkohësisht edhe të kundërtën e tij, çka gati çoi në rrënimin e themeleve të arsyes, njohjes dhe moralit. Socrates-i ishte ai, që rivendosi rregullat e njohjes mbi parimet e arsyes dhe që forcoi vlerat kryesore tek njerëzit në bazë të së vërtetës së pandryshueshme.
Në shekullin e V p.e.s. vala e sofistrisë përshkroi mendimin grek kur metoda e debatit në fushat e retorikës dhe ligjit, bashkë me pikëpamjet filozofike dhe supozimet joempirike u përplasën furishëm. Mendimi filozofik nuk ishte kristalizuar ende e as nuk kishte arritur një shkallë të lartë të pjekurisë intelektuale. Kështu, një konflikt dhe përplasje e tillë midis qëndrimeve kundërshtuese filozofike ishin shkaku i turbullimit filozofik dhe një frike të thellë. Vesi i të kundërshtuarit e ushqeu atë gjendje me anë të dykuptueshmërive dhe silogjizmave të pavlera që ai u siguronte heronjve të tij debatues. Duke u mbështetur në këto dykuptueshmëri dhe silogjizma të pasakta, këto protagonistë e mohuan botën, duke hedhur poshtë të gjitha parimet intelektuale të njeriut si dhe formulimet shqisore e intuitive.
Gorgias, një nga udhëheqësit e shquar të kësaj shkolle, shkroi një libër mbi joekzistencën. Në këtë punim ai u përpoq të vërtetonte një numër pretendimesh: (1) asgjë nuk ekziston; (2) nëse ndonjë gjë ekziston, s’mund të njihet; (3) nëse supozojmë se mund të njihet, ajo s’mund t’u komunikohet të tjerëve. Gjithashtu Protàgoras shpalli, se njeriu është matës dhe kriter i çdo gjëje.
Për njëfarë kohe, sofistria e kishte shprehur në mënyra të ndryshme shpërfilljen e saj ndaj filozofisë dhe shkencës, deri kur Socratesi, Platoni dhe Aristoteli, u shfaqën dhe mbajtën qëndrime të vendosura kundër saj. Aristoteli parashtroi logjikën e tij të mirënjohur, për të demaskuar të gënjeshtërtat sofiste dhe për të organizuar e sistemuar mendimin njerëzor. Falë epistemologjisë së tij (dija shqisore dhe dija racionale parësore ose dytësore, të cilat arrihen duke marrë parasysh parimet logjike, janë të vërteta të një vlere të padiskutueshme), Aristoteli lejoi në demostrim (dëshmia absolute në kuptimin e saj logjik) përdorimin si të dijes shqisore, ashtu edhe të asaj racionale.
Më vonë, u bë një përpjekje për të pajtuar dy prirjet e kundërta - d.m.th prirjen që anonte drejt mohimit absolut (sofistria) dhe prirjen që pohonte afirmimin (logjika aristoteliane). Kjo përpjekje u përfaqësua nga doktrina skeptike, themeluar nga Pyrrhoja, i cili njihet për dhjetë vërtetimet e tij të domosdoshmërisë së dyshimit absolut. Sipas tij, çdo pohim mund të formulohet në njërën prej dy mënyrave: ai mundet edhe të pohohet, edhe të mohohet me të njëjtën forcë.
Por doktrina e sigurisë mbizotëroi përfundimisht në lëmin e filozofisë dhe arsyeja ngjiti fronin që i kish dhënë Aristoteli, duke gjykuar dhe marrë vendime mbështetur në kriteret logjike. Zjarri i dyshimit u shua për shekuj të tërë, deri aty nga shek. XVI-të,  kur shkencat e natyrës u gjallëruan dhe bënë zbulime të të vërtetave të papritura, veçanërisht në astronomi dhe në rendin e përgjithshëm të universit. Këto zhvillime shkencore ishin të ngjashme për nga fuqia me debatimin e periudhës greke. Kështu, ata i përtërinë doktrinat materialiste të dyshimit dhe mohimit, që rimorën aktivitetin e tyre me metoda të ndryshme. Një konflikt lindi në mes vetë përkrahësve të sigurisë, lidhur me kufijtë e sigurisë në të cilët duhet të mbështeten qeniet njerëzore.
Descartes-i doli në këtë atmosferë, e cila ishte mbingopur me shpirtin e dyshimit dhe rebelimit kundër autoritetit të mendjes. Ai i paraqiti botës një filozofi të sigurisë, e cila pati një ndikim të madh për t`i kthyer deri diku sigurinë prirjes filozofike. Shih Falsafatuna.

7. Skepticizëm (nga greq. skepis - vizion): gjendje e atij që dyshon; doktrinë që nuk pranon të pohojë e as të mohojë, sidomos në lëmin e metafizikës. Dallojmë (I) skepticizmin antik (Pyrrho-ja, Aenesidema) që konsiston në dyshim ndaj realitetit të botës së jashtme; (II) skepticizmin modern (empiricizmi, pozitivizmi, shkencizmi) që i beson vetëm shqisave dhe pohon si të vetmin realitet botën materiale dhe që dyshon te Zoti dhe (III) neoskepticizmin, që mohon sigurinë e të mbështeturit madje edhe mbi shqisat, duke hedhur poshtë shkakësinë dhe mundësinë e njohjes (neopozitivizmi, probabiliteti, etj)
Autori i referohet skepticizmit modern, që përbën një jehonë të doktrinës së vjetër të mbajtur nga shkolla greke e skepticizmit, e cila pohonte se qeniet njerëzore nuk janë të afta të japin kurrfarë gjykimi mbi gjërat. Skepticizmi modern u zhvillua nën rrethana të ngjashme me ato, që ndoqën këtë shkollë të vjetër mendimi dhe të cilat ndihmuan zhvillimin e saj.
Skepticizmi antik lindi si një kompromis për konfliktin që kishte arritur çastet më të ndera - pikërisht atij ndërmjet sofistrisë dhe filozofisë. Sofistria, e lindur disa shekuj para filozofisë, u rebelua ndaj të gjitha të vërtetave dhe mohoi rolin e arsyes për formulimet shkencore dhe empirike në tërësi. Filozofët me në krye Socrates-in, iu kundërvunë sofistrisë, duke nxjerrë në pah kundërthëniet në të dhe duke treguar rrënimin e saj nga kritika të bazuara, deri sa vala e mohimit u zbeh. Në këtë kohë, nocioni i dyshimit që parashtronte agnosticizmin absolut, doli në skenë. Ai u përpoq të përligjte këtë agnosticizëm, duke treguar kundërshtitë e shqisave ndijuese dhe idetë në koncept, që e zhveshin atë nga cilësia e besueshmërisë (sigurisë) shkencore.
Kështu, ajo ishte një formë e lehtë e sofistrisë. Edhe skepticizmi modern u përpoq t’i dilte në mbrojtje agnosticizmit si një zgjidhje për kontradiktën ndërmjet idealizmit dhe realizmit - nëse mund të quhet e përshtatshme të mbahet të dorëzuarit ndaj dyshimit si një zgjidhje për këtë kontradiktë. Falë kësaj, ai ishte një formë e lehtë idealizmi.
Skepticizmi modern nuk u mbështet vetëm me të treguarit e kundërshtisë së ndijimit shqisor dhe dijes, por gjithashtu në analizën e dijes që shpie në dyshim, sipas pretendimeve të kundërshtarëve të tij. David Hume, i cili doli në mbrojtje të filozofisë së skepticizmit si pasojë e filozofisë së Berkeley-it, besonte se padiskutueshmëria (siguria) mbi vlerën objektive të dijes njerëzore është një çështje e paarritshme: “Mjeti i dijes njerëzore është mendja ose të peshuarit mirë. Është e pamundur të ketë gjë tjetër në mendje, përveç dijes. Është gjithashtu e pamundur, të konceptohet ose të formohet ideja e një gjëje, nëse ajo ide është e ndryshme nga konceptet dhe reagimet. Le të drejtojmë vëmendjen tonë nga jashtë sa të duam dhe le të vrojtojë përfytyrimi ynë qiejt apo skajet më të largëta të gjithësisë, prapëseprapë ne nuk do ndërmerrnim kurrë një hap përtej vetes sonë. Për shkak të kësaj ne s’mund t’i përgjigjemi çështjes themelore në filozofi, në lidhje me të cilën grinden idealistët dhe realistët”. Idealizmi pohon, se realiteti është në ndërgjegjen dhe dijen; ndërkohë që realizmi vlerëson se realiteti ekziston në një mënyrë objektive dhe të pavarur. Skepticizmi, nga ana tjetër, refuzon t’i përgjigjet ndopak çështjes, sepse sipas tij, është e pamundur t’i jepet përgjigje një problemi të tillë. (Falsafatuna)

8. Kurani fisnik u bën thirrje njerëzve, të thellohen dhe të nxjerrin përfundime. Ai e konsideron të menduarit si pjesë të adhurimit dhe nuk e pranon të besuarit në shtyllat e tij doktrinore, nëse ky s’është rezultat i të menduarit të drejtë. Në këtë lidhje Islami i ka kushtuar vëmendje të veçantë një çështjeje thelbësore. Ai ka theksuar shkaqet, që çojnë në të menduarit e gabuar dhe ka shpjeguar se ç`duhet bërë, për të shmangur gabimin dhe devijimin.
Kurani ka përmendur një sërë faktorësh që shkaktojnë gabime. Po cilësojmë disa prej tyre:

(1) Mbështetja te Hamendja në Vend të Dijes së Sigurtë
Kurani i këshillon njerëzit, të mos mbështeten në hamendje e dyshime dhe i paralajmëron ata për rrezikun e një qasjeje të tillë. Ai thotë: “Shumica e njerëzve janë të tillë që nëse i ndjek, ata do të të largojnë nga rruga e drejtë, sepse mbështeten vetëm në supozime”. (En’am: 116). Nga ky varg kuptohet gjithashtu, se të ndjekurit e diçkaje nga shumica nuk përbën arsye për ta përqafuar atë: “Dhe shumica e tyre ndjekin vetëm hamendje, e (ta dini se) hamendja s’vlen asgjë ndaj së vërtetës”. (Junus: 36); “por shumica e njerëzve nuk dinë” (Jusuf: 68, Junus: 55, Err-Rum: 30), “por shumica e tyre nuk mendojnë” (El-Ankebut: 63). “Padyshim ai u shpalli atyre të vërtetën, por shumica e tyre e urren të vërtetën” (El-Mu’minun: 70).
Ai kritikon rreptë: (I) dyshimin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe dyshojmë shumë në atë (besim) që na thërrisni” (Ibrahim: 9); “Ai është që ju krijoi nga balta…e prapëseprapë ju dyshoni” (En’am: 2); “O besimtarë, shmanguni dyshimeve të tepërta, sepse në disa raste ato janë mëkat” (El-Huxhurat: 12); “Ta dini se ata që bëjnë polemikë, duke dyshuar…, janë në një humbje të thellë” (Esh-Shura: 18); dhe (II) hamendjet: “Thuaj: ‘A mos keni ndonjë fakt e të na e paraqisni?’ Ju mbështeteni vetëm në hamendje” (En’am: 148) dhe “flisni pa kurrfarë dijeje” (En-Nur: 15); “..ata nuk ndjekin tjetër pos supozimeve”. (Junus: 66); “...ata ndjekin vetëm hamendje dhe hamendja s’ka kurrfarë vlere përballë së vërtetës” (En-Nexhm: 28) “Me siguri, ata për këtë nuk dinë asgjë. Ata vetëm marrin me mend”. (El-Xhathije: 24). “Ka njerëz analfabetë midis tyre, që nuk dinë asgjë për shkrimet, përveç ca fantazive të vagullta” (El-Bekare: 78); “E ka ndonjë prej njerëzve që polemizon mbi Zotin duke mos pasur kurrfarë dije, asnjëfarë udhëzimi dhe kurrfarë libri të besueshëm” (El-Haxhxh: . “Thuaju: Sillni provën (e asaj që thoni) nëse jeni të vërtetë”. (El-Bekare: 111, El-Enbiya’: 24, En-Neml: 64). “..atyre nuk u ka ardhur kurrfarë dëshmie dhe s’kanë kurrfarë dije”. (El-Haxhxh: 71); “..e megjithatë ka njerëz që polemizojnë mbi Allahun, pa pasur dituri, udhëzim apo libër ndriçues”. (Llukman: 20), sepse “..shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, andaj edhe nuk vështrojnë” (El-Enbija: 24). Shih Kulayni: Kitab al-‘aql wa’l-jahl.

(2) Anshmëria dhe Dëshirat e Ulëta
Nëse njeriu kërkon të gjykojë drejt, ai duhet ta ruajë të paprekur paanshmërinë e tij. Me fjalë të tjera, ai duhet të synojë vetëm të vërtetën dhe të pranojë pa ngurrim atë çka vërtetojnë faktet. Ai duhet të sillet si një gjykatës në një gjykatë drejtësie, i cili gjatë të hetuarit të një çështjeje duhet të jetë asnjanës ndaj pretendimeve të të dyja palëve. Ja përse Imam Aliu (r.a) ka thënë: “Opinioni më i mirë është ai, që ndodhet më larg animeve personale”. Nëse ai anon nga njëra palë, argumentet në dobi të saj do të tërheqin pavetëdijshëm vëmendjen e tij dhe argumentet kundër saj do të anashkalohen automatikisht nga ai. Në mjaft vargje të shenjta Kurani urdhëron objektivitet, dëshmim të drejtë dhe qëndrim asnjanës për hir të Zotit dhe të vërtetës - kundër kujtdo qoftë ajo, paçka se nuk do t’i pëlqejë të tjerëve - kushdo qofshin këta: “Kurdoherë që të flisni, jini të drejtë, edhe nëse është çështja për të afërmit”. (En’am: 152); “O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë (për hir) të Zotit, edhe nëse është kundër jush, kundër prindërve ose të afërmve tuaj, qoftë (kundër) pasanikut apo të varfrit … të mos udhëhiqeni nga pasionet e t’i shmangeni drejtësisë” (En-Nisa: 135); “O ju që besuat, jini plotësisht të vendosur për hir të Zotit, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; jini të drejtë, sepse ajo është më pranë devotshmërisë” (El-Maide: . “O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Zotit dhe thoni fjalët drejt” (El-Ahzab: 70).
Ata gjithashtu nuk duhet ta fshehin të vërtetën: “dhe mos e mbuloni të vërtetën me të gënjeshtrën e as mos e fshihni realitetin kur e dini” (El-Bekare: 42, 159), “mos e mbuloni dëshminë, sepse kushdo që e fsheh atë, zemra e tij është e njollosur me mëkat” (El-Bekare: 283).
Nëse një njeri nuk është i paanshëm dhe mendimi i tij është i varur, shigjeta e të menduarit të tij do të anojë pavetëdijshëm drejt pëlqimit të tij personal dhe pasioneve vetjake. Ja përse Kurani i konsideron dëshirat e ulëta burim të gabimit aq sa edhe mbështetja në hamendje dhe supozime: “Kush është më i humbur se ai që ndjek dëshirat e tij, pa udhëzim nga Zoti” (El-Kasas: 50), “A e keni parë atë që i merr dëshirat e tij për Zotin e vet” (Fatir: 43); “Ata s’ndjekin asgjë veçse paragjykime dhe çka duan vetë”. (En-Najm: 23) “Të tilla janë dëshirat e tyre fantazuese” (El-Bekare: 111), “Ata s’kanë ndonjë fakt, ata vetëm trillojnë” (Ez-Zuhruf: 20, En’am: 148), “Ata i mohuan shenjat Tona të padyshimta me prapësinë dhe mendjemadhësinë e tyre” (En-Neml: 14, shih dhe El-A’raf: 179). “Një shumicë, duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm (të mbështetur në) pasionet e tyre, duan t’ju largojnë nga e vërteta” (En’am: 119, En-Nisa: 27) e ti “mos shko pas dëshirave të injorantëve” (El-Xhathije: 18, Sad: 26, Esh-Shura: 15). Sepse, “sikur e vërteta të kish ndjekur dëshirat e tyre, qiejt e toka dhe gjithë çka gjendet në to me siguri do të shkatërroheshin” (El-Mu’minun: 71).

(3) Ngutja.
Michel de Montaigne ka thënë: “Në asgjë nuk besojmë më shumë, sesa në atë për të cilën dimë më pak!” Për të qenë i aftë të shprehësh një opinion mbi një çështje duhet të kesh fakte të mjaftueshme përpara. Derisa të mos ketë prova të bollshme, çdo shprehje e ngutur e një gjykimi mund të shpjerë në gabim të rëndë. Me të vërtetë njeriu është i prirur të jetë i ngutshëm e i padurimtë (El-Enbiya’: 37, El-Mearixh: 19) dhe Kurani fisnik i referohet pareshtur pamjaftueshmërisë së dijes njerëzore, për të shqiptuar një gjykim lidhur me shumë çështje të rëndësishme. P.sh.: “Juve s’ju është dhënë, veçse pak dije” (El-Isra: 85). Ai gjithashtu i këshillon besimtarët, t’i verifikojnë kujdesshëm fjalët që u vijnë, para se të gjykojnë gabueshëm, që do të përbënte mëkat të madh: “O ju që besuat, nëse një keqbërës ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë më parë, në mënyrë që të mos i lëndoni të tjerët pa e ditur të vërtetën e më pas të pendoheni për çka vepruat” (El-Huxhurat: 6).
Imam Ja’far as-Sadiq ka treguar: “Në dy vargje të Kuranit Zoti i ka paralajmëruar njerëzit kundër dy gjërave: (I) Ai ka thënë se nuk bën, që ata të besojnë një gjë, përveçse nëse kanë dije të sigurt mbi të (paralajmërim kundër bindjes së ngutur): “A nuk iu kërkua atyre në Libër të zotohen se nuk do të flasin asgjë për Zotin, përveç së vërtetës?” (El-A’raf: 169); (II) Ai ka thënë se nuk bën, që ata të mohojnë një gjë, përveçse nëse kanë dije të sigurt mbi të (paralajmërim kundër mohimit të ngutur): “Në të vërtetë, ata mohuan atë (Kuranin) për të cilin nuk kishin dije të mjaftueshme dhe pa iu ardhur shpjegimi i tij” - Junus: 39 (shih Kulayni, Kitab fadlu’l ‘ilm).
Kurani pra, e ndalon rreptësisht të folurit “në tym” dhe pretendimet e pabaza, sepse shumë individë i japin të drejtën vetes, të shprehin opinion për atë që nuk kanë kurrfarë njohurie: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke dije. Me të vërtetë, të parit, të dëgjuarit dhe zemra për të gjitha këto ka përgjegjësi!” (El-Isra’: 36). Shih kreun V.

(4) Të Menduarit sipas Traditës dhe të Shikuarit nga e Kaluara
Njeriu ka një prirje të pranojë si të gatshme një ide ose bindje, që ka qenë përvetësuar nga brezat e mëparshëm, pa i kushtuar kurrfarë thellimi të mëtejshëm. Sa i përket shtyllave të besimit, Islami pohon se nuk mjafton vetëm të pranohen ato në mënyrë të padiskutueshme, apo si një traditë familjare. Është detyrë e çdo individi, të besojë në to në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të lirë, vetëm pasi të jetë bindur në vërtetësinë e tyre. Kurani u kujton njerëzve se ata duhet të kenë një të menduar të pavarur dhe nuk duhet të pranojnë asgjë pa e shkoqitur atë me kujdes, thjesht sepse ka qenë pranuar nga të tjerët - kushdo qofshin këta - në të kaluarën: “... dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që është shmangur tërësisht prej rrugës së drejtë”. (El-Maide: 77) apo: “'Ne ndjekim traditën e paraardhësve tanë'. Si kështu! Edhe pse paraardhësit e tyre nuk kuptojnë asgjë dhe nuk kishin udhëzim”. (El-Bekare: 170, El-Ma’ide: 104); “Jo, por ata thanë: ‘Ne i gjetëm të parët tanë në këtë besim dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre’. Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë profet në ndonjë qytet, që paria e tij e cila jetonte në rehati të mos i ketë thënë: ‘Ne me të vërtetë i gjetëm baballarët tanë në një bashkësi dhe po ndjekim gjurmët e tyre”. (Ez-Zuhruf: 22-3).
Sipas Kuranit, njeriu,  pavarësisht nga idetë që i paraqiten nga prindërit apo mjedisi dhe pa ia vënë veshin asaj që mëson në fëmijëri apo ç’e rrethon - është i obliguar të zbatojë aftësinë e tij të mirëpajisur të dijes dhe të njohjes [“Ne i dhamë atij aftësinë për të dëgjuar, shikuar dhe kuptuar” (El-Insan: 2; En-Nahl: 78, El-Mu’minun: 78), “i dhamë dy sy, gjuhën e dy buzë” (El-Beled: 8-9), “nderuam pasardhësit e Ademit” (El-Isra’: 70), “i mësuam atij emrat” (El-Bekare: 31) dhe “atë që nuk dinte”, (El-Alak: 5)], të vëzhgojë nga afër veten dhe botën përreth, të thellohet me durim e këmbëngulje dhe të vazhdojë me këtë përkujdesje hulumtuese, derisa të arrijë në një përfundim. Vetëm pastaj ai duhet t’i përmbahet këtij vendimi, ta ruajë besimin në të, dhe ta përfshijë në infrastrukturën e sistemit mendues e ideologjik, si dhe të sistemit shkencor në jetën e tij. Shih Shari’ati: X, Beheshti: V, III dhe shën. 18, kreu II.  

(5) Kulti i Individit
Një tjetër shkak i të menduarit të gabuar është kulti i personalitetit. Për shkak të respektit të madh që gëzojnë figurat e shquara historike dhe bashkëkohore, ata ndikojnë ndjeshëm në mendimin dhe vullnetin e të tjerëve. Në të vërtetë, personalitetet e famshme kontrollojnë të menduarit e njerëzve, të cilët mendojnë si ata dhe kanë të njëjtin opinion me ta. Njerëzit nuk guxojnë të ndryshojnë apo dallojnë nga “të mëdhenjtë” dhe kështu humbin pavarësinë e të menduarit dhe të vepruarit të vullnetshëm të tyre. Kurani u bën thirrje njerëzve të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të mos ndjekin verbërisht më të vjetrit apo personalitetet e tjera ndikuese si mësuesin, shkencëtarin, dijetarin, prijësin fetar, presidentin apo këdo tjetër, që është veshur me autoritet, sepse kjo mund t’u sjellë fatkeqësi. Ai na tregon se njerëzit që janë devijuar në rrugë të shtrembër do të thonë Ditën e Gjykimit: “Zoti ynë! Ne iu bindëm prijësve dhe të mëdhenjve që na shmangën nga rruga e drejtë” (El-Ahzab: 67) “dhe atyre që ishin parë, u thonë: ‘Sikur të mos ju kishim ndjekur juve, ne do kishim qenë besimtarë”. (Sebe’: 31).
Imam Ja’far as-Sadiq ka thënë: “Ruhuni nga të rendurit pas posteve dhe mos ndiqni verbërisht njerëzit e mëdhenj.” (c.n. Reyshahri)
9. El-Xhathije: 24. (Shih edhe ar-Rum, 7: “Ata dinë vetëm anën e jashtme të jetës në këtë botë, por ndaj jetës tjetër janë indiferentë”).
10. “Fjalë e tmerrshme është ajo, që del nga gojët e tyre“ (El-Kehf: 5) - Kurani i ka kushtuar një vend të konsiderueshëm kritikave ndaj fjalëve të ateistëve të kohës së shpalljes (referoju cilitdo prej komentimeve të njohura). Dahrinjtë janë përfaqësuesit e mirëfilltë të materializmit në historinë islame. Duke konsideruar të prekshmen dhe të dukshmen si të vetmin realitet, ata përbënin një jehonë të natyralistëve grekë.
11. As protagonistëve të shkollave të para skeptike të mendimit, që lindën nga fundi i shek. VII p.e.s. si Thales (622-560), Heraclitus (530-470), Democritus dhe Epicurus s’mund t’u mvishen pikëpamje tërësisht materialiste. Thalesi pohonte, se ndryshimet materiale janë rezultat i impulsit shpirtëror ndërsa Democritusi nuk ishte materialist i mirëfilltë, por ishte i bindur në ekzistencën e shpirtit. Shih al-Jisr dhe Lari: VI.
12. Bertrand Russell: matematikan, logjicien, sociolog dhe moralist britanik (1872-1970). Ka kontribuar ndjeshëm logjikën matematike (Principia Mathematica: 1910-13, me A. N. Whitehead). Si filozof ka shpalosur një teori empiriste të njohjes dhe një etikë të mbështetur mbi interesin personal. Ka shkruar: Udhët drejt Lirisë: socializmi, anarkia dhe sindikalizmi (1918); Pushtimi i Lumturisë (1930), Martesa dhe Morali, Historia e Filozofisë Perëndimore (1946), Problemet e Filozofisë (1929). Fitues i çmimit Nobel për letërsinë më 1950.
13. Irving William Knobloch, The Evidence of God in an Expanding Universe, cit. nga Russell, Mysticism and Logic (Penguin Books, 1953).
14. Bertrand Russell, Mysticism and Logic (Penguin Books 1953), “A Free Man’s Ëorship”, fq. 50-59.
15. Albert Enstein, The Ëorld as I see It, fq 26. Gjithashtu Ideas and Opinions (London 1973, fq 38 dhe Calcutta: Rup & Co, 1984 fq 40), bot. I nga Bonanza Books, New York; bazuar në Mein Ëeltbild, red. nga Carl Seeling, përk. dhe rev. nga Sonja Bargmann.
16. Louis Pasteur, kimist dhe mikrobiologjist i shquar francez (1822-95). Shkencëtar i madh me bindje të thella fetare. Pasi kreu studime të rëndësishme mbi stereokiminë, tregoi se fermentimi dhe sëmundje të caktuara shkaktohen nga veprimi i mikroorganizmave. Nga 1870-86 tregoi natyrën mikrogjene të antraksit, zbuloi vibrionin septik, stafilokokun, realizoi vaksinën kundër antraksit dhe pas vështirësish të panumërta, vaksinën kundër tërbimit, që e bëri të famshëm. Pas një studimi mbi verërat, realizoi një metodë të ruajtjes së pijeve: pasterizimin, gjë që shpëtoi industritë e verës, birrës dhe mëndafshit të një sërë vendeve evropiane. Më 1864 i dha goditje evolucionizmit duke vërtetuar se “gjenerimi spontan” i mikrobeve (shfaqja vetvetiu nga materia jo e gjallë) nuk ekzistonte dhe se qeniet mikroskopike nuk mund të vijnë në jetë pa prindër të ngjashëm me ta.
17. William Xhejms, filozof dhe psikolog amerikan (1842-1910). Qe ndër shkencëtarët besimtarë dhe theksoi nevojën jetike të adhurimit. Mbrojti magjistraturën në Harvard, ku më vonë ligjëroi anatomi, psikologji dhe filozofi. Hodhi themelet e metodave eksperimentale në psikologji, çka e radhit ndër themeluesit e psikologjisë moderne. Bashkë me C.T. Ladd, C.S. Hall, J. Dewey dhe J.R. Angell ishte eksponent i funksionalizmit (prirje në psikologji e cila vlerëson se proceset mendore, idetë, ndijimet shqisore dhe emocionet janë përshtatje të organizmave biologjikë). Nga Charles Pierce huazoi dhe popullarizoi termin ‘pragmatizëm’, doktrinë sipas të cilës kuptimi dhe vërtetësia e cilitdo pohim mund të reduktohet në rrjedhën specifike të jetës praktike që i vijon. Veprat më të njohura: Vullneti për të besuar (1880), Shtyllat e Psikologjisë (1891), Shumëllojshmëritë e Përvojave Relative (1902), Pragmatizmi, Ese mbi Empiricizmin radikal (1907) dhe Filozofia e Përvojës (1910).
18. Henri Bergson, filozof i madh francez (1859-1941). Nobelist i letërsisë më 1927, njohës i mirë i psikologjisë dhe shkencave fizike (referoju bisedave me Einsteinin te Durée et Simultanéité - 1922, ku dha interpretimin më të drejtë filosofik të relativitetit). Të besuarit e tij në Zot mbështetet në mendimin, se njohja e thelbit të botës lind vetëm nëpërmjet vëzhgimit të gjithësisë dhe lëvizjeve në të si një tërësi pjesësh të ndërlidhura si dhe atë se provat mbi ekzistencën e qëllimit, synimit dhe planifikimit tek qeniet e gjalla e bëjnë të paperceptueshme idenë e krijimit të rastësishëm. Arsyetimi i tij përbën një rrymë të kundërt ndaj një mjedisi intelektual të sunduar gjerësisht nga pozitivizmi për shpjegimin e thelbit të njeriut e shoqërisë, të cilit ai ia zvogëloi ndjeshëm ndikimin duke ia rihapur portat metafizikës: Ne jemi të pajisur me intuitë dhe arsye. E para percepton aspektin dinamik të gjërave - aspekti më themelor dhe real i vetëdijes, që sjell llojin e drejtpërdrejtë, të brendshëm dhe cilësor të njohjes; ndërkohë që e dyta priret drejt aspektit të tyre statik - të jashtëm, gjeometrik, mekanik i cili sjell llojin e jashtëm, sasior të njohjes (shkencën). Shkroi: Të Dhëna të Drejtpërdrejta të Ndërgjegjes (1889), Materia dhe Kujtesa (1896), Evolucioni Krijues (1907), Dy Burimet e Moralitetit. Mendimet e tij të thella mbi lidhjen e shkencës me metafizikën përmblidhen tek Hyrje në Metafizikë e Mendimi dhe Lëvizja. Shih al-Jisr.
19. Alexis Carrel, kirurg dhe fiziolog i famshëm francez (1873-1944). Themelues i Fondacionit Francez për Studimin e Problemeve Humanitare. I pari që mori dy çmime Nobel në shkencë (më 1912 në biologji për zbulime të rëndësishme në ruajtjen e indeve të gjalla jashtë oganizmit, dhe në mjekësi për renditjen e enëve të gjakut). Veprat më të njohura: Njeriu - ky Mister dhe Fati i njerëzimit.
20. Emrat e Leonardo da Vincit, Nicola Copernicusit, Johannes Keplerit, Galileo Galileit, Blaise Pascalit, Isac Newtonit, Max Planckut, Niels Bohrit, Ëerner Heisenbergut e shumë besimtarëve të tjerë në mesin e korifejve të shkencës, duhet të mjaftojnë për të ilustruar pohimin e autorit.
Max Planck, themelues i fizikës moderne, shkruan: “Parimi i Minimumit të Veprimit [në fizikë], krijon te çdo mendje e paanshme përshtypjen se natyra sundohet nga një vullnet racional qëllimplotë” (Scientific Autobiography and Other Papers; New York: Philosophical Library 1949). Ai gjithashtu tregon se: “Kepleri ishte një dijetar që besonte në një sistem të urtë, krejtësisht të vetëdijshëm për tërë Krijimin. Tycho Brahe nuk e kishte një besim të tillë në një sistem total të gjithësisë si një intelekt suprem universal që ekziston dhe për këtë arsye ai mbeti në nivelin e një studiuesi të vogël eksperimental. Përkundrazi, Kepleri besonte në të dhe ja pse ai u bë themelues i fizikës së re”. (po aty; c.n. Shari’ati: V, fq 9)
Ndërsa Einsteini, kritik i ashpër i pozitivizmit, pohon se ndjenja religjioze dhe besimi në një sekret të madh në Krijim, është një koncept thelbësor në kërkimin e madh shkencor: “Në mesin e llojit më të thellë të mendjeve shkencore zor se do të gjeni ndokënd pa një ndjenjë fetare të vetën... Ndjenja e tij religjioze merr trajtën e mrekullimit mahnitës me harmoninë e ligjit natyror, e cila shpalos një urtësi të një superioriteti të atillë që, në krahasim me të, i gjithë të menduarit dhe të vepruarit sistematik i qenieve njerëzore përbën një reflektim krejtësisht të parëndësishëm. Kjo ndjenjë është parimi udhëheqës i jetës dhe punës së tij, për sa kohë t’ia dali që ta ruajë veten nga cytjet e egoizmit. Ajo është pa diskutim shumë e afërt me atë që ka pushtuar gjenitë fetarë të të gjitha kohërave.” (Einstein, fq 29 dhe Ideas and Opinions, fq 40). Një faqe më lart ai citon një bashkëkohës të tij që pohon se “në epokën tonë materialiste, punonjësit seriozë shkencorë janë të vetmit njerëz thellësisht fetarë”, për të vazhduar: “Shkenca pa fenë është si të prekurit e një të verbri, ndërsa feja pa shkencën është si të ecurit e një topalli”.
Werner Heisenberg, themelues i mekanikës kuantike e nobelist i fizikës më 1932, me të drejtë ka thënë: “Në banketin e madh të hulumtimit shkencor, gotën e parë e pimë si ateistë, ndërsa në fund dalim si besimtarë, të bindur plotësisht në ekzistencën e Krijuesit të përsosur”.
Marrë nga libri i Murteza Mutaharit, “Shkaqet e animit nga materializmi” kreu i parë.
Përktheu Edin Lohja


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free