Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kodi i Mijëvjeçarit (lexojeni se eshte shkrim i bukur)

Thënë më gjuhën moderne – ata zhvilluan një luftë psikologjike kundër Muhammedit (a. s.) dhe muslimanëve dhe atë me qëllim demotivimin, dobësimin e besimit të tyre...

Shkruan: Edin Tule

Çdo kapitull në Kur’an ka personazhet e tij kryesor, temën kryesore, ndjenjat dominuese, tingullin specifik dhe porosinë relevante. Duke udhëtuar nëpër 114 kapitujt e këtij libri, njeriu kalon nëpër 114 dhomat e pallatit të mahnitshëm në të cilat gjendet një thesar i paçmueshëm në formë të ushqimit intelektual, ngushëllimit emocional, korrigjuesit moral, këshillave praktike, idesë udhëheqëse, burimit të motivimit, etj.

Të gjitha këto shkurtimisht gjenden te surja el-Kevther dhe përveç kësaj është edhe një melhem i vërtetë për të gjithë shpirtrat e tronditur nga goditjet dhe humbjet, pavarësisht nga vendi dhe koha e ndodhjes së tyre.

Është e vështirë të imagjinohet një musliman apo muslimane të cilët nuk e dinë përmendësh këtë më të shkurtën sure të Kur’anit dhe ky fakt do ta lehtësojë përcjelljen e analizimit të saj.

 

Ne, me të vërtetë, ta kemi dhënë Kevtherin,

Prandaj, fale namazin dhe prej (kurban) për Zotin tënd,

E s’ka dyshim se urrejtësi yt – ai është ebter!1

 

Pyetjet ndihmëse që duhet t’i parashtrojmë në këtë fillim janë: Kush kujt i drejtohet në tekst, cili është objekti i bisedës dhe cili është shkaku i shpalljes?

Ne, me të vërtetë, ta kemi dhënë Kevtherin,

Krijuesi (svt) i drejtohet Muammedit (a. s.) duke ia përkujtuar dhuratën e cila quhet Kevther. Komentatorët klasik theksojnë që me fjalën Kevther nënkuptohet lumi në xhennet i cili është më i bardhë se qumështi e më i ëmbël se mjalti, e prej të cilit do të pinë, përveç Muhammedit (a. s.) edhe pasuesit e besueshëm të islamit.

Mendimet tjera për sa i përket domethënies se shprehjes Kevther thonë se fjala është për vet-Kur’anin dhe/ose për të mirën e përgjithshme.

Pyetja vijuese që imponohet është për ç’arsye Krijuesi (svt) ia kumton këtë informacion Muhammedit (a.s.) dhe në ç’mënyrë ai është i rëndësishëm për ne?

Shkaku i shpalljes së këtij kapitulli është vdekja e djalit të Muhammedit (a. s.), i cila, me siguri, nuk e la indiferent.

Këtë ndodhi e shfrytëzuan armiqtë e Muhammedit (a. s.) duke qëndruar mbi plagën e freskët me deklaratat me të cilat parashihnin (profetizonin) zhdukjen pa gjurmë të fesë së tij, pikërisht sikur ai që mbeti pa trashëgimtar mashkullor. Duke i shtuar kësaj edhe përpjekjet e tyre që të infiltronin te besimtarët mendimin e keq mbi All-llahun (xh. sh.) duke thënë çfarë Zoti është ai që ia merr fëmijët Pejgamberit.

Thënë më gjuhën moderne – ata zhvilluan një luftë psikologjike kundër Muhammedit (a. s.) dhe muslimanëve dhe atë me qëllim demotivimin, dobësimin e besimit të tyre, fuqisë morale dhe mbjelljen e dyshimit në mëshirën e vetë Krijuesit.

Duke marr parasysh kontekstin e përshkruar më lartë të zbritjes së ajeteve, pastaj vet shkakun e shpalljes, është e qartë që All-llahu (xh. sh.) e inkurajon Muhammedin (s) duke iu drejtuar me një tonë ngushëllues dhe duke ia kthyer vëmendjen nga tragjedia personale, e kufizuar në kohë në të mirat e vazhdueshme, të përjetshme.

Ne, me të vërtetë, ta kemi dhënë Kevtherin,

Prandaj, fale namazin dhe prej (kurban) për Zotin tënd,

Sipa hadithit, Kevther është lumi nga i cili do të pinë edhe muslimanët tjerë, kështu që me këto ajete All-llahu (xh. sh.) përveç Muhammedit (s) i drejtohet (i adresohet) edhe secilit pasues të vërtetë të islamit i cili kalon nëpër ndonjë vuajte të caktuar për shkak të ndonjë humbjeje të caktuar jetësore (vdekja e fëmijës apo ndonjë miku të afërt, sëmundja, humbja e shikimit, ndonjë pjese të trupit etj.), duke ia kompensuar humbjen e tij/ saj me shpërblim të përjetshëm.

 

Prandaj, fale namazin dhe prej (kurban) për Zotin tënd,

Me ajetin paraprak Krijuesi (svt) i porosit robërit e Vet që, pavarësisht nga sprovimet që u ndodhin, të mos e harrojnë atë për çka janë krijuar – namazin dhe sakrificën – duke u ndihmuar ta ruajnë fokusin e tyre në këtë jetë të trazuar. Kjo njëherazi është edhe porosi për të gjithë ne që të veprojmë në të njëjtën mënyrë kur hasim në njerëz të cilët dorëzohen para vështirësive të jetës. Në momentet kritike të jetës pothuajse çdo njeri ka një nevojë të pa papërballueshme për një mik të arsyeshëm, i cili me shkathtësi do t’ia vë në dukje disa pika të ndritshme, të cilat presin që ta gëzojnë në të ardhmen.

Kapitulli Kevther, ndër të tjera, sigurisht ofron edhe udhëzime (orientime) për një program praktikë të aplikimit të elementëve të motivimit, si në nivelin individual, po ashtu edhe në atë kolektiv. 2

 

E s’ka dyshim se urrejtësi yt – ai është ebter!3

Në fund, All-llahu (svt) e porosit Muhammein (s), por edhe muslimanët tjerë, të cilët u ekspozohen urrejtjes, intrigave, mashtrimeve dhe formave tjera të luftës psikologjike, që ai i cili e urrën dhe ia parashikon mossuksesin, vetë do të jetë i harruar dhe i humbur fare (farë sosur). 4

Me fjalë tjera: besimtarë, pavarësisht se çfarë mund t’ju ndodh nga tundimet, sprovat dhe humbjet e rënda, Zoti juaj këto të gjitha do t’ua kompensojë në ahiret, por ju mos e harroni namazin, sepse namazi është shtylla e stabilitetit tuaj, burimi i forcës suaj dhe ekuilibrit mendor. Mos e harroni edhe qëllimin e krijimit tuaj e ai është sakrifica dhe përpjekja e madhe në rrugën e së Vërtetës. Megjithatë, Ta dini se në këtë rrugë do të kini shumë armiqtë dhe pengesa. Megjithatë, qëndroni imun ndaj shigjetave helmuese të atyre,të cilët ju përbuzin (urrejnë) nga arsyet që vetëm ata i dinë, dhe atë qëndroni të fuqishëm duke e ditur dhe duke qenë të bindur, që në fund ata do të jenë të privuar nga çdo e mirë, do të jenë të harruar dhe do t’i gjejë çdo gjë çfarë kanë dëshiruar për ju. 5

 

Mësimet dhe porositë:

- Luftërat psikologjike janë realitet në çdo vend dhe kohë;

- Për ngushëllim kanë nevojë edhe më të fuqishmit;

- Domosdoshmëria e aplikimit të faktorit të motivimit në të gjitha nivelet;

- Rëndësia e fokusimit të drejtë në momentet e krizave;

- Nevoja e frymëzimit të përditshëm nga burimet;

- Çdo përhapje e fitnës (rrëmujës) i kthehet vetë shkaktuesit;

- Armiqësia e hapët shpesh është faktor i forcimit të objektivit;

- Fuqia shpirtërore e njeriut qëndron në ekuilibrin e tij mendor;

 

Fusnotat:

1. Sureja EL-Kevther, Kur’an

2. Të gjitha kombet e suksesshme posedojnë sisteme hollësisht të përpunuara të motivimit në nivelin nacional dhe atë nga arsyeja e thjeshtë se nga motivimi i drejtë varet produktiviteti i punës dhe prosperiteti i një populli. Shiko më tepër për këtë temë literaturën mbi kërcimin ekonomik të Japonisë, projektet nacionale të vendeve të përparuara dhe shumëllojshmërinë e tyre të gjerë të metodave për të stimuluar progresin, etj.

3. “Ebter” është një shprehje arabe shumkuptimshe që është vështirë të përkthehet me përpikëri në gjuhën tonë. Kështu që më e saktë është të lemë në kuptimin origjinal dhe të shpjegojmë anash – ebter tregon për një person që është i privuar prej çdo të mire, një person që nuk ka pasardhës dhe që nuk përmendet pozitivisht (për të mirë).

4. ...gjë që në të vërtetë i ndodhi personit i cili ishte përshkruar me shprehjen ebter, sepse i kishte humbur fëmijët e tij në njërën prej betejave të ardhshme.

5. Duke e vështruar këtë kapitull nga ky kënd, duke e marr parasysh shkakun e shpalljes, anashkalimi i shkathtë i emrave të personazheve përmes së cilit mundësohet identifikimi me situatat e ngjashme jetësore, e të cilat kanë gjasa reale që të përsëriten në çdo vend dhe kohë, njeriu e ka vështirë të mos mendoje që i njëjti kapitull (sure) është shpallur sot në mëngjes, ndonëse është i vjetër një milienum e gjysmë.

 

Përktheu: Mr. Muhidin Ahmeti
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free