Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Bisede me fitnen

Në kopshtin e shtëpisë së tij, ftuesi u ul duke mbështetur shpinën tek trungu i një peme. Ai kishte mbushur të gjashtëdhjetat dhe kishte dhënë goxha kontribut në fushën e ftesës. Ai filloi të sjellë ndërmend ditët e kaluara, kujtoi shokët dhe vëllezërit me të cilët bashkëpunonte në çështjet e ftesës. Disa prej tyre ishin sprovuar, e të tjerë e kishin kaluar sprovën me sukses, padyshim me ndihmën e Zotit. Atij iu kujtuan shumë emra të ftesës. Me vete pyeste:
Si vallë u sprovua filani?
Si e la ftesën filani?
Ata dukeshin të vendosur dhe me vullnet të çeliktë, patën kontribuar shumë për ftesën. Vallë cili ishte shkaku?
Njëri prej tyre kishte qenë shkak për udhëzimin tim. Përse ishte larguar nga kontributi për ftesën? Mos është dhënë pas dynjasë dhe pasurisë në kurriz të ftesës? Nuk e besoj. Ai nuk i përket kësaj kategorie njerëzish. Mos është sprovuar me ndonjë lidhje jashtëmartesore? Jo, as kjo nuk më duket e besueshme, aq më tepër që ai më mësonte mua si të sillem me femrat.
Mandej, ftuesi ngriti kokën drejt qiellit dhe tha:”O Ti që ke zemrat tona në dorë, më ndihmo të jem i qëndrueshëm në fenë Tënde!”
Ndërkohë, zëri i ziles e shkëputi nga bota e kujtimeve. Ai u ngrit, hapi derën dhe para iu shfaq fitneja, e cila i tha:”A mund të hyj?”
Ftuese, duke e parë në sy e pyeti:”A po vjen si vizitore, apo si tunduese?”
Fitneja:”Jo, thjesht për vizitë.”
Ftuesi:”Atëherë urdhëro!” dhe të dy u drejtuan tek kopshti, ku u ulën përballë njëri-tjetrit.
Ftuesi:”Si të quajnë o fitne?”
Fitneja:”Kuptimi i emrit tim, është sprova, testimi dhe provimi. Fjala “fitne” në origjinë përdoret për testimin e arit dhe argjendit, për të parë cilësinë e tyre. Kështu, unë i testoj njerëzit, nëse i përkasin floririt apo argjendit.”
Ftuesi:”Por meqë je eksperte në këtë fushë, si testohemi ne kategoria e ftuesve?”
Fitneja:”Fillimisht u testoj në gjëra të lehta, nëse rezistoni e shtoj dozën e sprovës. Sa më shumë tu rezistoni joshjeve dhe tundimeve të mia, aq më i fortë është besimi juaj, pra tregon se jeni mineral floriri. Sakaq, ata që ranë pre e kurtheve të mia, i përkisnin mineralit të lirë.”
Ftuesi:”Po unë, tek cili mineral bëj pjesë?”
Fitneja:”Gjatë viteve të studimit, jam orvatur të largoj nga angazhimet e ftesës, por ishe shumë rigoroz në vlerësimin e kohës dhe kontributit tënd.
Mandej, kur mbushe moshën e martesës, u rreka të josh me femra të tjera, por dështova. Pasi u martove, jot shoqe ishte mbështetësja jote në këtë rrugë.
Pasi fillove punë, fillova të tundoj me karrierë e poste, por ti vazhdoje tu rezistoje joshjeve.
Këtë proces kam ndjekur dhe me ftuesit e tjerë. Kushdo që e kalonte testin, hynte në odën e burrave,siç thotë dhe Ebu Seid El-basrij:”Për nga shëndeti njerëzit janë të barabartë. Vetëm në rast sprovash, dallohen burrat e vërtetë.”
Ftuesi:”Kjo nuk është logjike... Unë njoh ftues të cilët i konsideroj burra të vërtetë, e megjithatë janë sprovuar dhe e kanë braktisur ftesën.”
Fitneja:”Mos thuaj gjëra të përgjithshme i dashur mik... diskuto për raste konkrete.”
Ftuesi:”Po ja për shembull, ç’mund të më thuash për ftuesin “X”?”
Fitneja:”Po, është e vërtetë që ai ka kontribut të madh në fushën e ftesës, por ai u lidh pas një vajze të hijshme, e cila vinte shpesh në vendin e tij të punës. Që këtu ai rrëshqiti dhe nuk e mori më veten.”
Ftuesi:”Po ftuesi “Y”?
Fitneja:”Këtij i erdhi e keqja nga biznesi, pasuria që veç i shtohej dhe dyqanet. Kështu e harroi edhe namazin.”
Ftuesi:”Për Zotin më le pa fjalë.”
Fitneja:”Mos u çudit! Kur besimi fillon e dobësohet në zemër dhe ajo – zemra – jepet pas dynjasë, ky është terreni i preferuar i imi.”
Ftuesi:”Por kjo që the, nuk zë vend tek ftuesi filan. Edhe pse ai ka hequr dorë nga ftesa, besimi i tij vazhdon të jetë i fortë.”
Fitneja:”Ashtu është... por ai është sprovuar në idetë e tij. Ai filloi të bëjë ixhtihad dhe kishte interpretimet e veta, kështu rrëshqiti në fitne.”
Ftuesi:”Mos mendon se atij as që i shkon mendja se kjo është një fitne?”
Fitneja:”Ndonjëherë, njeriu e kupton se ka rënë në fitne, por njëkohësisht ai i pranon mangësitë. Herë të tjera, njeriu as që e kupton se ka rënë në fitne, sidomos kur fitneja është sistematike. Prandaj, Zubejr ibnu Avami, duke folur për ndjesinë e konfliktit mes Aliut dhe Muavijes pati thënë:”Ajo është fitneja për të cilën kemi folur.”
Dikush e pyeti:”A po e konsideron fitne, edhe pse merr pjesë në këtë luftë?!”
Ai u përgjigj:”I mjeri ti! Ne edhe shohim edhe nuk shohim. Në çdo çështje tjetër, kam qenë i ndërgjegjshëm për çdo hap që hidhja. Por këtë herë, unë nuk e kuptoj nëse i duhet vajtur gjer në fund, apo i duhet kthyer shpina.”
Ftuesi:”Por... shoh që sot fitnet janë shtuar, saqë njeriu mund të sprovohet duke qenë mes familjarëve dhe në shtëpinë e tij.”
Fitneja:”Ke të drejtë, aq më tepër që mjetet e telekomunikacionit janë shtuar në maksimum. Unë njoh një ftues i cili e la ftesën për shkakun e një fragmenti që pa në televizion teksa hynte në shtëpi.”
Ftuesi:”E lus Zotin të na mbrojë dhe të përkujdeset për ne. Zoti e ruajt brezin e ri!”
Fitneja:”Hudhejfe ibnu Jeman, një nga shokët e Profetit a.s, pati thënë:”Do të vijë një zaman, kur nuk do të shpëtojë veçse ai që është lutur siç lutet i mbyturi.”
Kjo për shkak të fitneve të shumta.”
Ftuesi:”Zoti na ruajtë nga fitnet!”
Fitneja:”Mos thuaj ashtu! Por vëri veshin këshillës së Ibnu Mesudit i cili thotë:”Askush të mos thotë:”Zoti më ruajt nga fitnet! Por të thotë:”Zoti më ruajt nga devijimet e fitneve!” Mandej, ai recitoi:”Me të vërtetë, pasuritë dhe fëmijët tuaj janë fitne.”
Ftuesi:”Zoti më ruajt nga devijimet e fitneve.”
Por, më thuaj:”A ka ndonjë rrugë që ta ndjek për ti shpëtuar fitneve?”
Fitneja:”Po dhe ketë e ka trajtuar bukur Sejjid Kutb, Zoti e mëshiroftë. Ai vetë u sprovua kur ishte në burg, ku u torturua. Ai ka shkruar:”Ata që i kanë zemrat të lidhur me fuqinë e madhe, nuk mund të sprovohen me një fuqi të vogël dhe kalimtare, pasi ata i frikësohen më të Fuqishmit. Kështu, harxhojnë energjitë dhe forcën duke iu bindur më të fortit dhe duke ngritur lart emrin e tij. Ata nuk mund të sprovohen me pasuri dhe fëmijë, pasi janë të lidhur fort me Dhuruesin suprem të këtyre pasurive dhe fëmijëve.”
Prandaj, sa më të forta të jenë lidhjet me Zotin, mundësia e qëndrueshmërisë së ftuesit përballë fitneve, është më e madhe. Në këtë rast, ai nuk mashtrohet nga bukuritë dhe kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote.”
Ftuesi:”Mos mendon se kjo është e mjaftueshme?”
Fitneja:”Kjo është thelbësore. E megjithatë, ftuesi duhet ta ruajë veten nga çdo shkarje në fitne. Hapi i parë drejt fitnes është shkatërrues. Abdullah ibnu Mubarak:”Ruhu nga fillesat e fitneve! Kush i hap portën fillesës së fitnes, nuk e ka të kollajtë të dalë nga fundi i saj, edhe nëse orvatet.”
Ftuesi:”Besoj se këto fjalë vlejnë për fitnet që kanë të bëjnë me kënaqësitë e kësaj bote. Kjo, sepse unë e njoh ftuesin “filan” i cili nuk është mashtruar nga ky aspekt, por nga fatkeqësitë që i ranë mbi kokë. Ai nuk e përballoi dot sëmundjen e të birit dhe faktin që nuk i përfundoi dot studimet. Sipas tij, këto ishin shkaqet që e la ftesën.”
Fitneja:”Po, fitneja mund të vijë dhe në formën e një fatkeqësie, e cila ia lëkund besimin. Por ai që ka karakterin e Umerit, nuk ka përse të lëkundet.”
Ftuesi:”E si qenka ky karakter?”
Fitneja:”Kur i binin fatkeqësitë, Umeri thoshte:”Sa herë që më bien fatkeqësi, shoh që është shoqëruar me tre mirësi: E para, nuk ishte më e madhe. E dyta, nuk ishte në fenë dhe besimin tim. E treta, Zoti do të më shpërblejë për durimin.”
Pastaj, fitneja u ngrit dhe tha:”Tani, a mund të largohem, pasi e përfundova misionin.”
Ftuesi:”Po unë kam akoma pyetje të tjera!?”
Fitneja, duke ecur drejt derës ia ktheu:”Do të kaloj këtej ndonjë ditë tjetër, në dashtë Zoti.”
Ftuesi, teksa qëndronte tek pragu i derës shtoi:”Por kam një pyetje që më shqetëson, pyetja e fundit.”
Fitneja:”Thuaje!”
Ftuesi:”Shoh disa ftues që e kalojnë kohën në gjëra të padobishme. Nëse kanë për të kryer ndonjë detyrim, e shtyjnë për një kohë tjetër. Ndonjëherë, dembelosen në nxënien e dijeve, faljen e namazit të natës, vizita e një të sëmuri etj... A ka të bëjë kjo me fitnen?”
Fitneja:”Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, lipset kohë e gjatë. Por meqë ka të bëjë me fitnet po të përgjigjem shkurtimisht, duke të kujtuar thënien e Ebu Muhamed Teseturi. Ai ka thënë:”Fitneja e njerëzve të ditur, është kur vonojnë një detyrim dhe nuk e kryejnë në kohën e duhur.” Kjo është fitneja e njerëzve të ditur dhe atyre që e vlerësojnë kohën. Tani, paqja e Zotit qoftë me ty!”
Ftuesi e mbylli derën dhe tha:”Edhe mbi ty qoftë paqja e Zotit! Herë tjetër, mos më vizito pasi e shoh që u ndjeva mirë teksa tu hapa krejtësisht.” Por pas pak shtoi duke buzëqeshur:”Jo, më vizito për të më bërë dobi, jo për të më sprovuar!”