Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Në udhë të drejtë

Pa një vullnet të fortë, njeriu nuk mund të ndihet i lumtur, edhe pse mund të ketë zemër të pastër nga urrejtja dhe mllefi, të jetë i dashur me të tjerët dhe zemërgjerë.
Që të kesh sukses në këtë botë, duhet të kesh vullnet të çeliktë. Që të kesh sukses në raportet me Zotin, duhet të kesh vullnet të hekurt.
Në dy temat e mësipërme, folëm mbi vullnetin që kërkohet për të qenë i suksesshëm dhe për t’u përballur me vështirësitë e jetës. Ndërkohë që në këtë temë, do të fokusohemi te vullneti që kërkohet në lidhjet mes robit dhe Zotit.
Lumturia përbëhet nga katër pjesë, atë fetare, racionale, materiale dhe psikike. Që t’i garantosh vetes lumturinë maksimale në këtë botë, duhet të kesh lidhje të forta me Zotin, duhet të ndjekësh udhën e tij të drejtë.
Gjatë jetës së tij, njeriu shpeshherë gjendet në kryqëzime të shumta. Rrugët që i dalin përpara, janë të gjata dhe plot pusi e gremina. Vetëm njëra prej tyre është e drejtë dhe e çon në destinacionin e kërkuar. Prandaj, Zoti i lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të ndjekë pikërisht rrugën e drejtë dhe të duhur. Zoti thotë në Kuran: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.” (Hud,111)
Një ditë, Umer ibnul Hattabi i thotë Profetit (a.s.): “Je thinjur, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) ia kthen: “Më ka thinjur surja Hud dhe simotrat e saj.” Umeri e pyeti: “Përse, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Në këtë sure, gjendet një ajet që më ka thinjur dhe ky ajet është: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.”
Për një jetë, e cila kalon në udhën e drejtë, ne myslimanët i lutemi Zotit shtatëmbëdhjetë herë në ditë. Kjo lutje gjendet në suren Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6)
Surja Fatiha konsiderohet si përmbledhëse e gjithë Kuranit fisnik. Ajo fillon me falënderime dhe lëvdata për Zotin e botëve. Të gjithë këto lëvdata dhe falënderime ia bëjmë Zotit me qëllim që të na udhëzojë në rrugën e drejtë.
Zoti u ka premtuar njerëzve se kushdo që ndjek rrugën e Tij të drejtë, do t’i japë lumturi në këtë botë dhe në xhenetin e amshuar në Botën tjetër.
“... kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Merjem, 123)
Kjo nuk do të thotë që të mos gabojmë asnjëherë, gjë e cila është e pamundur për ne qeniet humane, por do të thotë që shumica e veprave tona, të jetë konform vullnetit dhe dispozitave të Zotit.
Udha e drejtë e Zotit, i përngjan një udhe, e cila në të dyja anët e saj rrethohet nga gremina dhe humnera vdekjeprurëse. Çdo devijim 90 gradë prej saj, të çon në vdekje të sigurt. Nëse në një rrugë të tillë tregohemi të pakujdesshëm, konsumojmë alkool apo drogë, kemi vulosur vdekjen tonë. Gjatë rrugëtimit tonë do të bëjmë gabime dhe gjynahe, por nuk do ta ndryshojmë kursin, nuk do të dalim jashtë koordinatave. Muaji i Ramazanit është shans i vyer për të ecur në udhën e Zotit.
Zoti na ka premtuar se kushdo që do të ndjekë udhën e Tij, nuk do vuajë dhe nuk do të rropatet pa mbërritur në destinacionin e synuar nga të gjithë.
“... kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Merjem, 123)
 
Zoti thotë në Kuran duke përshkruar gjendjen e atyre që ndoqën rrugë të tjera, përveç rrugës së Zotit: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Merjem, 124-126)
Një burrë vajti tek i dërguari i Zotit (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut! Më trego diçka nga feja, që mos kem nevojë të pyes tjetër kënd!” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Thuaj: “Kam besuar te Zoti” mandej ndiq rrugën e Tij të drejtë.” Këtë, Profeti (a.s.) e pasoi me ajetin: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En’am, 153)
Të ndjekësh rrugën e drejtë të Zotit, nuk është e lehtë. Ajo kërkon vullnet të fortë dhe vëmendje të përqendruar. Bëje këtë gjatë muajit të Ramazanit, merr vendim që të ndjekësh rrugën e drejtë të Zotit dhe mos u lëkund. Merr vendim që do të ndjekësh rrugë të drejtë në çdo aspekt të jetës. Merr vendim që do të ndjekësh rrugën e drejtë në marrëdhëniet me gjininë tjetër! Merr vendim që do të ndjekësh rrugën e drejtë në përzgjedhjen e shoqërisë! Merr vendim se do të ndjekësh rrugën e drejtë në namaz, në fitimin e pasurisë, në lidhjet bashkëshortore, larg tradhtisë e mashtrimit etj...
 
Sirati i kësaj bote dhe i botës tjetër
Fjala “rrugë” (në arabisht sirat) në Kuran vjen me dy kuptime: I pari ka të bëjë me rrugën e drejtë që njeriu ndjek në këtë botë. “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6)
Kurse kuptimi i dytë ka të bëjë me urën e Siratit në botën tjetër. Sirati i botës tjetër, është një urë e vendosur mbi zjarrin e xhehenemit. Ajo është e madhe sa vetë xhehenemi dhe në fund të saj gjendet porta e xhenetit të amshuar. Të gjithë njerëzit do të kalojnë sipër kësaj ure. Zoti thotë në Kuran:
“Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.” (Ibrahim, 48)
Kur shokët e Profetit (a.s.) e dëgjuan këtë ajet, e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Kur do të ndërrohet toka me tokë tjetër dhe kështu dhe qiejt, ku do të qëndrojnë njerëzit?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Do të jenë mbi Sirat.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë dhe umeti im do të jemi të parët që do ta kalojmë Siratin.”
Nëse do të imagjinonim një urë tepër të lartë, e cila lidh dy maja malesh dhe nën të një greminë të madhe dhe të gjerë, do të ishte shumë e frikshme të kalosh sipër saj. Po sikur poshtë saj të shohim vetëm zjarr dhe llavë të nxehtë?
Profeti (a.s.) ka thënë: “Ajo (ura e Siratit) është më e hollë se qimja e flokut dhe më e mprehtë se shpata. Ajo është e errët dhe anash saj janë instaluar çengelë që tërheqin ata që nuk kanë ndjekur rrugën e drejtë në dynja."
Përqendrohu dhe ndiq rrugën e drejtë të Zotit në këtë botë, me qëllim që ta kalosh me sukses Siratin e botës tjetër.
Në njërën anë të Siratit do të jenë vendosur lidhjet e gjakut, kurse në anën tjetër amaneti. Të dy, do t’i thonë secilit prej nesh: “Nuk do të kaloni derisa të shlyeni detyrimet ndaj nesh.”
Profeti Muhamed (a.s.) do të qëndrojë tek ura dhe do të lutet për myslimanët duke thënë: “O Zot, shpëtoji! O Zot, shpëtoji!"
Jo vetëm që do të kalojmë, por secili do të mbajë mbi supe gjynahet që ka vepruar në këtë botë. Zoti thotë në Kuran: “Dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!" (En'am, 31)
Nëse do të kishin ndjekur rrugën e drejtë në këtë botë, do ta kalonin me shpejtësi marramendëse.
Vallë si do të ndihesh kur të vësh këmbën mbi Sirat? A e ndjen si dridhesh nga frika? A e sheh dikë që sapo ra në zjarr? A e sheh atë tjetrin të cilin e ke injoruar dhe shpërfillur, por qe e kaloi Siratin dhe tashmë gjendet para portës së xhenetit?
Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo njeriu, do t’i ndriçohet rruga përballë tij, sipas ndjekjes së rrugës së drejtë në këtë botë. Ka njerëz që do t’u ndriçohet përpara sa një mal, të tjerë sa një palmë, të tjerëve u ndriçon vetëm maja e gishtit tregues, të tjerëve u ndriçon vetëm shputa e këmbës dhe të tjerëve u pulson një llambushkë e vogël. Atyre do t’u thuhet: “Kalojeni sipas dritës që keni!”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Ka njerëz që do ta kalojnë urën e Siratit sa hap e mbyll sytë. Të tjerë do ta kalojnë si era dhe të tjerë si shkreptima. Të tjerë do ta kalojnë si shpejtësia e një kalorësi. Të tjerë do ta kalojnë këmbadoras. Të tjerë ta kalojnë duke u zvarritur. Ndërkohë që të tjerë do të rroken nga çengelët dhe do të përplasen në xhehenem."
Pyetja që vazhdon të shtrohet është: Përse rruga e kësaj bote është quajtur Sirat, ashtu siç është quajtur ura e Siratit në botën tjetër? Përse të njëjtin emër?
Kjo bëhet me qëllim që të thuhet se është e njëjta rrugë. Në këtë botë qofsh apo në botën tjetër, ti po ecën dhe po përshkon një rrugë të vetme. Ura e Siratit në botën tjetër, nuk është gjë tjetër veçse një vazhdim i rrugës që ndjek njeriu në këtë botë. Nga mënyra si e përshkon Siratin e kësaj bote, varet si do ta përshkosh Siratin e botës tjetër. Shpejtësia e kalimit të Siratit në botën tjetër, varet nga shpejtësia e kryerjes së adhurimeve dhe të detyrimeve karshi Zotit në këtë botë. Aq herë sa do të rrëshqasësh në këtë botë, aq herë do të rrëshqasësh dhe rrezikohesh mbi urën e Siratit.
Vallë si do ta kalosh Siratin nëse nuk falesh? Si do ta kalosh atë nëse je narkoman dhe alkoolist? Si do ta kalosh nëse ke marrëdhënie jashtëmartesore me femra? Si do ta kalosh nëse vjedh, mashtron dhe merr ryshfete?
Zoti i ka emërtuar të dyja rrugët me të njëjtin emër “Sirat”, pasi në startin e të dyjave, ndodhet profeti Muhamed (a.s.). Ai të fton ta përshkosh Siratin e kësaj bote sipas udhëzimeve të Zotit. Ashtu siç lutet që Siratin e botës tjetër ta kalosh pa avari.
Fundi i Siratit të kësaj bote, është varri, i cili shndërrohet në një lulishte parajse nëse ndjek udhën e Zotit. Ndërkohë, fundi i Siratit të botës tjetër, është vetë porta e xhenetit të amshuar.
Nëse dështojmë në këtë botë dhe nuk ecim në rrugën e drejtë, pasoja është jetë plot vuajtje, dëshpërim dhe stres. Ndërkohë që dështimi në kalimin e Siratit të botës tjetër, është rënia përfundimtare në zjarrin e xhehenemit.
Çdo shkarje në këtë botë, pasqyrohet në frikë, gërvishtje dhe pasiguri gjatë kalimit në Siratin e botës tjetër. Nëse të gërvisht çengeli, e bën për shkak të shikimit haram në këtë botë. Nëse rrëzohesh dhe vazhdon rrugën me zvarritje, dije se kjo ndodh për shkak të namazit që e ke injoruar kushedi sa kohë. Nëse të rrëshqasin këmbët, por fatmirësisht kapesh fort me duar për Sirati, dije se kjo ndodh për shkak të gjynaheve të rënda që ke vepruar në dynja.
 
Rruga e drejtë, është rruga e lumturisë
Zoti i lartësuar e ka përshkruar rrugën e Tij si të drejtë. Kjo, pasi vetëm rruga e drejtë garanton lumturinë. Ajo është e lehtë për t’u përshkuar, është e qartë, nuk ka labirinte.
“Udhëzona në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6)
Lumturinë e vërtetë në këtë botë mund ta gjejmë vetëm në rrugën e projektuar nga Zoti ynë. Ne nuk bëjmë thirrje për idealizma, pasi është e pamundur. Patjetër që do të gabojmë, por sa herë që e kuptojmë, kërkojmë ndihmë nga Zoti që të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Rrugë e drejtë, do të thotë rrugë e lehtë, e kollajtë, pa pengesa dhe që të çon në destinacion.
Për të na ndihmuar të shohim Siratin e botës tjetër nga Sirati i kësaj bote Profeti (a.s.) thotë në një hadith: “Zoti ka sjellë si shembull një rrugë (sirat) të drejtë. Në të dyja anët e rrugës, ndodhen dy mure. Në çdo mur, ndodhen dyer të hapura, të mbuluara me perde joshëse. Në krye të rrugës së drejtë, ndodhet një ftues që i fton njerëzit t'i përmbahen vetëm rrugës së drejtë. Ai u thotë njerëzve: “O njerëz! Ndiqni këtë rrugë dhe mos devijoni!" Nëse dikush turret të hapë një perde, një ftues në mes të rrugës i thërret: “Të mjerët ju! Mos i hapni perdet! Nëse do t’i hapni, do të hyni brenda dhe do të rrëshqisni!"
Unë dalloj një perde të zezë, e cila e josh dhe e tundon të riun që të konsumojë alkool. E keqja është se ajo nuk e fton të pijë raki drejtpërdrejt, por e josh me fjalët: “Bëhu burrë dhe provoje njëherë!”
Unë dalloj dhe një perde tjetër transparente, mbi të cilën shkruhet: “Pasuri haram”, por që me shkronja të mëdha shkruhet dhe të josh me fjalët: “Bëhu i shkathët dhe jo i mefshtë!” Mos e hap atë perde o njeri, se do të rrëshqasësh në një greminë nga e cila nuk do të dish të dalësh.
Më pas, Profeti (a.s.) thotë duke komentuar hadithin: “Sirati i lartpërmendur, është Islami. Dy muret anësorë janë ndalesat e Zotit. Dyert janë dyert e haramit. Perdet e bukura mbi dyer, janë zbukurimet e shejtanit. Nëse do të hyni në ato dyer, do të bini në xhehenem. Ftuesi që ndodhet në krye të rrugës është Kurani famëlartë. Ftuesi që ndodhet në mes të rrugës, është ndërgjegjja e pastër që Zoti e ka vendosur te çdo njeri."
Sa herë të lexosh ajetin“Udhëzona në rrugën e drejtë!” qëndro për pak çaste dhe imagjino Siratin.
Të ecësh në rrugën e drejtë, ka nevojë për vullnet të çeliktë dhe vendosmëri. Për këtë, ne e kemi trajtuar në elementin e vullnetit.
 
Çfarë të bëj që të vazhdoj në rrugën e drejtë?
1 – Përkujtoje sa më shumë Zotin e lartësuar. Para se të ceket ajeti ku ne i kërkojmë Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë, surja Fatiha përmban lëvdata për Zotin. Para se të lexojmë: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Fatiha, 2-5)
Agjërimi i Ramazanit, namazi i teravive gjatë Ramazanit etj... të ndihmojnë të ecësh dhe të ndjekësh rrugën e drejtë.
 
2 – Shoqëria e mirë. Për këtë, pasi i kërkojmë Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë e pasojmë me ajetin: “Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Fatiha, 7)
E gjithë tema që kemi trajtuar, sikur përmblidhet në suren Fatiha dhe ne nuk kemi bërë gjë tjetër, veçse kemi komentuar këtë sure.
 
3 – Lute Zotin që të të udhëzojë në rrugën e drejtë. Për këtë, surja Fatiha mbyllet me ”Amin!” e cila do të thotë: “O Zot pranoje këtë lutje!”
 
Çfarë më ndihmon ta kaloj kollaj Siratin e botës tjetër?
1 – Shko mirë me farefisin dhe mbaje amanetin. Të dyja këto, do të qëndrojnë në krahët e Siratit dhe do të të kërkojnë llogari.
 
2 – Shtoji salavatet dhe përshëndetjet për profetin Muhamed (a.s.), pasi ai lutet që ta kalosh sa më shpjet urën e Siratit.
 
3 – Fale namazin e sabahut dhe të jacisë në xhami me xhemat. Profeti (a.s.) ka thënë: “Përgëzoji ata që ecin në errësirë (për namazin e sabahut dhe të jacisë) me dritë të plotë Ditën e Kiametit.”
Në fund, e lusim Zotin të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Amin!
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free