Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Unë agjëroj, unë agjëroj

Nerva, zemërim, irritim, mërzi, shfryrje, inat...

Ai që nervozohet dhe zemërohet gjatë muajit të Ramazanit, për vogëlsira dhe gjëra që nuk e zemërojnë vetë Zotin, i humbet shumë shpërblim dhe sevap nga agjërimi. Diçka e tillë çon dëm energjitë, ngarkon zemrën dhe trurin, si dhe humbet shpërblimin dhe sevapin e këtij rituali.

Zoti ka dashur që muaji i mirësisë dhe i mëshirës, të jetë një ushtrim praktik, i cili i mundëson besimtarit mysliman që të ndryshojë, dhe pas Ramazanit të jetë më i mirë sesa para tij. Përndryshe, urtësia për të cilën është obliguar muaji i Ramazanit nuk është përmbushur.

Ne do të përfitojmë nga agjërimi i këtij muaji, vetëm nëse ky ritual i shenjtë depërton në zemrat tona dhe i çliron ato, i zbut më shumë për ta pranuar adhurimin dhe bindjen ndaj Zotit, si dhe i shton zemrës përkushtimin dhe devotshmërinë për Zotin. Në këtë muaj, Zoti i lartësuar i nxit besimtarët që të shtojnë veprat e mira në mënyrë të përshkallëzuar. Urtësia e kësaj, është që besimtari të shtyhet në mënyrë të përshkallëzuar drejt shijimit të besimit të vërtetë dhe kënaqësinë e të qenit pranë Krijuesit; që pas Ramazanit ai të jetë më i mirë sesa para Ramazanit.

Agjërimi i këtij muaji e ndihmon besimtarin që të shkëputet nga zakonet dhe veset e këqija, edhe pse mund ti jenë bërë stil jetese. Prej këtyre veseve është dhe zemërimi, për të cilin Profeti a.s thotë:”Nëse dikush prej jush agjëron, të mos flasë fjalë banale e të mos bëjë potere. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë dy herë:”Unë jam agjërues.”

Fakti që profeti Muhamed a.s përqendrohet tek agjërimi dhe i bën thirrje besimtarit që të distancohet nga zemërimi gjatë këtij rituali, nxjerr në pah një nga mrekullitë shkencore të ndikimit të agjërimit.

Gjatë momenteve të zemërimit, trupi i njeriut prodhon hormonin e adrenalinës dhjetë herë më shumë sesa në gjendje normale. Prodhimi i këtij hormoni shkakton djegien dhe konsumin e shpejtë të glikogjenit në mëlçi. Sasia e glikogjenit që gjendet në mëlçi është shumë e rëndësishme, pasi ajo shndërrohet në glukozë në gjak, duke e furnizuar trupin me energjitë e duhura gjatë agjërimit. Në çaste zemërimi, glikogjeni konsumohet shumë më shpejt sesa në raste normale, pasi trupi kërkon më shumë glukozë gjatë këtij konflikti, apo dhe kacafytjeje. Kështu, që nga mesi i ditës së agjërimit, agjëruesi fillon e ndjehet i dërrmuar dhe i lodhur për shkak se energjitë e tij janë harxhuar në mënyrë të gabuar.

Hormoni i adrenalinës shkakton edhe diurezën, nevojën për të urinuar më shpesh. Kështu, agjëruesi që humbet kontrollin ndaj vetes dhe përfshihet në valë zemërimi dhe nevrikosje, humbet sasi më të mëdha lëngjesh të trupit. Kjo shkakton edhe punë të sforcuar të veshkave dhe të zemrës, si dhe lodhje të trupit. Kjo bën që agjëruesi të ndjejë etje të madhe gjatë ditës.

Në një studim të bërë në universitetin e Harvardit, u caktua një pyetësor për të zbuluar personat që nevrikosen dhe zemërohen shpejt. Studimi u krye mbi 1305 persona të cilët u ndoqën për shtatë vite rresht. Si rezultat, studimi tregoi se përqindja e personave që prekeshin nga ataku i zemrës, ishte tre herë më madh tek ata që nevrikoseshin shpejt, krahasuar me të tjerët që ishin më të qetë.

Studimet perëndimore tregojnë se kontrolli i zemërimit, është ilaç për shpirtin dhe për trupin e njeriut. Ky është një konkluzion krejt i kundërt me atë të mëparshmin, sipas të cilit njeriu duhet ti shkarkojë emocionet negative, duke mos i represuar dhe shtypur. Madje, nervozizmi dhe zemërimi shihej si një fenomen dhe reagim i natyrshëm.

Në shumë studime të tjera është hulumtuar rreth mundësisë së njeriut për ti kontrolluar valët e zemërimit. Dr Fridman, anëtar i revistës amerikane të zemrës, zbuloi se ligjëratat e njëpasnjëshme dhe ushtrimet praktike për ti mësuar të sëmurët si ta kontrollojnë zemërimin, çoi në reduktim të thellë të rasteve të atakut të zemrës, me një përqindje prej 50%.

Në kulturën tonë islame, kemi një lum tekstesh të cilat na paralajmërojnë për pasojat e zemërimit dhe nevrikosjes, duke na stimuluar për më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje.

Kurani fisnik i vlerëson dhe lavdëron besimtarët të cilët arrijnë ta kontrollojnë veten dhe ta frenojnë zemërimin. Madje, diçka të tillë Zoti e klasifikon tek shkalla e “Ihsanit – bamirësisë” e cila qëndron mbi shkallën e besimit, imanit. Thotë Zoti në Kuran:”mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al Imran, 134)

Nëpërmjet ritualit të agjërimit, i cili është një ritual shpirtëror dhe fiziologjik, Zoti i mundëson njeriut që të vetëpërmbahet dhe ta mposhtë zemërimin dhe kjo, në mënyrë të pavetëdijshme.

Nëse ai gabon dhe nuk e përmban dot veten, është vetë ai që e paguan faturën e kësaj sjelljeje me lodhje, rraskapitje, uri dhe etje gjatë agjërimit. Ndërkohë, duke u vetëpërmbajtur dhe duke e frenuar zemërimin gjatë agjërimit, ai shmang të gjitha pasojat e tjera negative të lartpërmendura. Në fund të muajit, ai është shumë herë më i aftë për ta përmbajtur veten në momente zemërimi.

Prandaj, kushdo që është i sprovuar me këtë tipar negativ, pra zemërimin dhe nevrikosjen e shpejtë, e fillon dhe e mbaron Ramazanin pa e ndryshuar këtë tipar, le ta pyesë veten:”Përse nuk më ndryshoi Ramazani? Mos vallë e humba shpërblimin e agjërimit?”

Agjërimi i muajit të Ramazanit, asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është për hir të Ramazanit, por për hir dhe në shërbim të muajve pas Ramazanit.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free