Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Babëzia e dhisë

Një herë e një kohë, jetonte një dhi lakmitari dhe e babëzitur. Ajo ishte në gjende të bëjë kompromis me çfarëdo kafshe kundër një tjetre kundrejt një sasie bari. Një ditë, ajo bëri kompromis me ujkun kundër dhelprës, e cila doli gjithë plagë nga thonjtë dhe kafshimet e pamëshirshme të ujkut. Sigurisht, ky i fundit e shpërbleu dhinë me ca fije bari.
Dhelpra u mërzit shumë nga qënd
rimi i dhisë dhe vendosi të hakmerrej. Dhisë së babëzitur i duhej dhënë një mësim, pasi nuk i interesonte asgjë përveçse vetja.
Kështu, dhelpra pasi e kishte marrë veten, vajti tek luani të cilin e pyeti:”Kur është ditëlindja juaj, lartmadhëri?”
Luani iu përgjigj:”Fiks pas një muaji.”
Dhelpra i tha:”Do të sjell një dhuratë të majmë për ditëlindje, por duhet ta dëgjosh dhe zbatosh këshillën time fjalë për fjalë, pa më pyetur përse.”
Luani e pranoi ofertën e kunadhes, në fund të fundit, bëhej fjalë për një dhuratë surprizë. Nga ana tjetër, dhelpra vajti tek dhia dhe i tha:”Motër e dashur! Të jesh e sigurt se e kam harruar gjithçka ka ndodhur në të shkuarën. Madje, do të thosha se të jap të drejtë për qëndrimin tënd! Në fund të fundit, ty të merr uria dhe duhet të mendosh për kafshatën e bukës.”
Dhia u step pak dhe e përshkroi një ndjenjë frike nga fjalët e kunadhes, por e mori veten dhe ia ktheu:”Nëse ke ardhur për sherr, tani i çoj fjalë ujkut e vjen e të bën copa-copa.”
Dhelpra i tha:”Jo, jo. Kam nxjerrë mësime nga e shkuara dhe as që më shkon ndërmend tu kthehem atyre ditëve.”
Dhia i tha:”Atëherë përse ke ardhur?”
Dhelpra:”Dua që ti çosh luanit, mbretit të pyllit, dy dengje me bar çdo ditë, pasi i ha për darkë.”
Dhia e pyeti i habitur:”Ti çoj luanit bar?!”
Dhelpra iu përgjigj:”Po, po. Jam e sigurt se do i pëlqejë. Veç kësaj, synon të fitoj simpatinë e tij.”
Dhia u tall me injorancën dhe budallallëkun e dhelprës, por në fund e pranoi ofertën. Ajo e dinte mirë se luani do refuzonte ta hajë barin dhe do ia jepte asaj të kullufisë.
Dhelpra shtoi:”Por... nëse luani e refuzon ta hajë barin, ma kthe mua sërish! Dakord?”
“Dakord” u përgjigj dhia.
Ditën e parë, dhia mori barin e bërë gati nga dhelpra dhe ia çoi luanit, i cili i tha:”Unë nuk ha bar moj dhi. Por meqë do të mbetet pa ngrënë, më mirë haje ti!”
Kështu dhia përveshi mëngët dhe e hëngri të gjithë barin. Kjo, edhe pse me dhelprën kishte rënë dakord që nëse nuk e ha luani, t’ia kthente përsëri asaj. Kur u kthye tek dhelpra, dhia i tha:”E kullufiti të gjithin, sikur të mos kishte futur gjë në bark që prej një viti.”
Dhelpra ia ktheu:”Hë, a nuk të thashë se e pëlqen barin që i jep fuqi?!”
Vazhdoi dhia t’i çojë barin luanit ditën e dytë, të tretë, të katërt dhe i njëjti skenar përsëritej çdo ditë. Luani s’po i binte në të përse i dukej vetja dhisë si e mençur dhe mendjehollë.
Pas një muaji, teksa dhia mori rrugën ti çojë barin luanit, “mikesha” e saj i tha:”Prit motër prit!”
“Çfarë ke moj?” e pyeti dhia.
Dhelpra i tha:”Sot është ditëlindja e luanit dhe dua ti çoj trefishin e barit që i kam çuar çdo ditë. Do i thur dhe një urim të bukur në një letër, të cilën do e lidh me barin.”
Dhia buzëqeshi dhe i tha:”Ti je mikeshë për kokë moj dhelpër.”
“E di, e di” iu përgjigj kunadhja.
Dhia mori barin dhe letrën e dhelprës dhe pasi arriti tek mbreti i pyllit, e përshëndeti si gjithmonë dhe i tha:”Përveç trefishimit të racionit, ke dhe një letër. Dhelpra më tha që të marr dhe përgjigjen tënde para se largohem.”
Luani e mori letrën, i hodhi një shikim të shpejtë dhe më së fundi e kuptoi se çfarë duhej të bënte. Pastaj iu drejtua dhisë:”Sot është ditëlindja ime, prandaj dua që ta hash të tërë barin që më solle.”
Pasi dhia e përfundoi dhe fijen e fundit të barit, luani i tha:”Ti je dhurata ime për ditëlindje nga mikesha dhelpër. Ajo të ka trashur gjatë gjithë kësaj kohe për mua. Bari, vërtet ishte për mua, pasi do ta ha nëpërmjet teje. Ti je ushqimi im më i mirë për këtë ditëlindje.” Pastaj iu vërsul dhisë dhe e mbërtheu me thonjtë dhe krahët e tij të fuqishëm. E shkreta dhi, u orvat t’ia mbathë, por kilet e tepërta që kishte shtuar gjatë atij muaji dhe sasia e barit që kishte ngrënë atë ditë, ia kishin humbur shkathtësinë. Kështu, mbreti e kullufiti gjithë qejf.
Morali:
Sado të duket se duke gënjyer ia hodhe, se duke lakmuar ke fituar më shumë, në fund, do e paguash shtrenjtë.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free