Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Problemet e shkaktuara nga metoda thjeshtëzuese për të kuptuar Sunetin

Suneti (praktikat e profetit) është një burim kryesor i Islamit dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të besimtarit. Duke qenë i tillë, është e rëndësishme të kuptohen si duhet studimet e shumta që janë kryer. Kur shqyrtohen studimet për të kuptuar Sunetin, del në pah shpjegimi i gjuhës dhe përmbajtja. Një numër i rëndësishëm studimesh përfshijnë gharib al-hadith, nasikh dhe mansukh al-hadith, mukhtalif al-hadith, mushkil al-hadith, muhkam al hadith, asbab al-urud hadith, fikh al-hadith. Kur punojmë për të kuptuar hadithin dhe sunetin është e qartë se këto dy shkenca plotësojnë njëra-tjetrën dhe krijojnë një të tërë. Problemet e qenësishme tek të dyja, si dhe mjaftueshmëria e secilës, kanë një intensitet dhe cilësi që duhet të studiohen të ndara. Studimet që na ndihmojnë për të kuptuar hadithet në mënyrë të saktë dhe për t’i interpretuar sipas kuptimit që kishte për qëllim profeti Muhamed (a.s), bashkohen në studimin e dirajat el-hadith, që diskuton përmbajtjen dhe kuptimin e fjalëve të hadithit në bazë të gramatikës dhe sintaksës arabe, si dhe kriteret e sheriatit që shqyrtojnë bashkëlidhjen e tyre sipas rrethanave ku jetoi profeti Muhamed (a.s).
Përveç shkencave të hadithit, shkencat kryesore islame, si metodologjia e fikut, sufizmi, kelami (filozofia islame), burimet e të cilave janë Kurani dhe Suneti, janë të lidhura direkt apo indirekt me të kuptuarit e haditheve. Prandaj asnjëra prej këtyre shkencave nuk mund të përdoret e pavarur për të arritur një konkluzion fetar të fushës së tyre, nëse hadithi dhe suneti nuk janë marrë parasysh. Megjithatë përderisa suneti shihet brenda kuadrit të metodologjive dhe zonave të interesit, karakteristikë e secilës prej këtyre shkencave, është e nevojshme të analizojmë në çfarë shkalle e pasqyrojnë këto pikëpamje përmbajtjen aktuale të Sunetit dhe të hadithit. Për shembull, kur analizohet një tekst apo thënie me anë të metodologjisë së fikut për të arritur në një gjykim ose me anë të kelamit për të vendosur nëse është problematike për sa i përket besimit, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të shpjeguar kuptimin e nënkuptuar në hadith. Si rrjedhim metoda të tilla mund të rezultojnë në ngushtimin e fushës së veprimit të rregullit ose edhe të përjashtimit të tij nga suneti, nëse nuk zgjidhet. Është më mirë ta rishikosh kuptimin e Sunetit duke marrë parasysh urtësinë hyjnore të fesë, sesa të preferosh një metodë të tillë të pamjaftueshme.
Në trajtimin thjeshtëzues të hadithit, hadithet interpretohen sipas kuptimeve të tyre të para, pa analizuar aspektet e personit të cilit i drejtohej. Një shembull i kësaj gjendet tek hadithi i mëposhtëm: “Besimi (imani) është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka zot tjetër përveç Allahut), ndërsa më e ulëta është mënjanimi i ndonjë sendi nga rruga, që i pengon kalimtarët”. Ndonjëherë ky hadith refuzohet sepse fjala “ose” në fjalinë e parë të hadithit nënkupton dyshim dhe si rrjedhim disa thonë se “një vlerë si besimi nuk mund të ngrihet mbi dyshim”. Megjithatë hadithi duhet të kuptohet se thekson se në çdo veprim të qëllimshëm faktori kryesor dhe që ka ndikim duhet të jetë besimi dhe numrat e treguar këtu janë thjesht një formë shprehjeje. Për më tepër ky hadith mund të interpretohet gjithashtu, se deklaron që gjëja më e rëndësishme në jetën e besimtarit është besimi i tij tek Zoti dhe edhe nëse një njeri bën edhe gjënë më të vogël për mirëqenien e komunitetit të tij, duhet ta bëjë si besimtar.
 
Për më tepër, Islami urdhëron që njeriu të marrë parasysh natyrën njerëzore. Ndryshe nga krijesat e tjera, njerëzit janë krijuar në një sistem të caktuar, brenda një familjeje, fisi, ose kombi, kështu që ata njihen me njëri-tjetrin dhe mund të vazhdojnë t’i mbajnë lidhjet e tyre shoqërore. Allahu përcakton gjithashtu rregullat, të cilat ata duhet t’i zbatojnë duke u bazuar në aspektet shoqërore. Në fakt Zoti ka paralajmëruar, që ta parandalojmë racizmin e po ashtu ka vepruar dhe Muhamedi (a.s).
Nga ana tjetër edhe në temat e rëndësishme si përhapja e fjalës së Allahut, lidhjes fisnore i është dhënë shumë rëndësi. Për të vënë në rregull jetën sociale, u rekomandua zgjerimi qarkullues nga ato anëtarë që kishin marrëdhëniet më të afërta, tek ata që kishin marrëdhëniet më të largëta. Myslimanëve u përkujtohet gjithmonë, se nuk duhet të lejohet që tensioni të shkatërrojë paqen dhe qetësinë e shoqërisë dhe të botës në përgjithësi. Nëse një njeri nga një fis bën një veprim që shkel të drejtat e njeriut, edhe banorët e tjerë të fisit janë përgjegjës për veprimin e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet paqja dhe qetësia në shoqëri. Kjo pikëpamje e Islamit mund të pasqyrohet dhe në perceptimin e administrimit. Si rrjedhim, nxjerrja e gjykimeve për strukturën e shoqërisë vetëm nga thëniet e profetit (a.s) mund të shkaktojë keqinterpretime të qëllimit të profetit (a.s).
Një shembull tjetër i kësaj metode është hadithi: “Imamët janë nga kurejshitët”. Ky hadith që përkthehet dhe “Kalifati është mes kurejshitëve” ose “Kjo detyrë u përket kurejshitëve”, u interpretua nga dijetarët e fikhut dhe dijetarët suni të kelamit si një rregull i nxjerrë nga profeti Muhamed (a.s) dhe si rrjedhim u perceptua si një rregull, që duhet të zbatohet. Megjithatë kjo ka bërë që ky hadith të kritikohet. Arsyeja e kritikave është se ky hadith nuk është në harmoni me realitetin; ai përtërin mentalitetin nacionalist që Islami e hedh poshtë dhe kjo kundërshton parimet e caktimit dhe ngritjes në përgjegjësi nëpërmjet meritës dhe aftësisë, të cilat ishin përparësitë e profetit (a.s). Megjithatë është e mundur që këtë hadith ta interpretojmë si një strukturë sociale të shoqërisë në atë periudhë.
Kur hadithi i mësipërm shqyrtohet bashkë me hadithet e mëposhtme: “Njerëzit janë si mineralet: ata që kanë qenë më të mirët para Islamit, janë më të mirët në Islam” dhe “njerëzit u nënshtrohen kurejshitëve për këtë temë, myslimanët u nënshtrohen myslimanëve të kurejshitëve, të pafetë të pafeve të kurejshitëve”, mund të shihet se ky nuk është urdhër, por një shpjegim i një realiteti social. Kuptohet qartë, se Islami nuk ka si qëllim vendosjen e një rendi të bazuar mbi racën ose se profeti (a.s) i caktoi njerëzit në poste sipas kualifikimeve dhe aftësisë. Por përmbushja e suksesshme e një detyre të caktuar dhe sigurimi i unitetit politik në një shoqëri nuk mund të vlerësohen në të njëjtën kategori. Në fakt, disa dijetarë si Ibn Halduni tregojnë rëndësinë e këtij hadithi në kontekstin e ruajtjes së unitetit politik.
Po ashtu si ata që kritikojnë vërtetësinë e haditheve për shkak të fakteve që janë keqkuptuar nga disa urdhra, ka burime për rregullat në lidhje me ligjin e familjes që janë falsifikuar duke marrë në konsideratë disa hadithe vetëm nga një aspekt. Për shembull, disa njerëz mendonin se vajzat e kurejshitëve nuk lejoheshin të martoheshin me burra nga fise të tjera. Kur shqyrtohet gjithë teksti i hadithit “Kalifati është tek kurejshitët, gjykimi i ensarëve, thirrja tek njerëzit e Khabeshit”, mund të kuptohet së këtu po theksohet një fakt social, që i përket një epoke të caktuar dhe nuk është një urdhër.
Si përfundim, vlerësimi i haditheve në kuadrin e metodologjive nga shkenca të ndryshme pa marrë parasysh psikologjinë e njeriut ose strukturën e shoqërisë në të cilën ndodh ky hadith, krijon shumë probleme. Vlerësimet që kryhen duke injoruar profecinë e të dërguarit të Allahut dhe përgjegjësitë e tij sociale mund të na shpien në përfundime të pasakta.