Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jeta e varrit

Me ndarjen pëfundimtare nga kjo botë, për shpirtin fillon një jetë e re, ajo që njihet me emrin "jeta e berzakhut" ose e pritjes. Gjatë kësaj faze, vepër miri do të shijojë një pjesë të kënaqësive, ashtu siç vepër ligu do të shijojë një pjesë të ndëshkimit.
Shpirti ka një emër tjetër me të cilin njihet dhe ky emër është "nefsi". Shumë dijetarë bëjnë dallime mes shpirtit (ruh) dhe nefsit, por dijetarët e mëdhenj si Ibnu Tejmije dhe të tjerë, mendojnë se ato janë e njëjta gjë.
Në Kuran, Zoti na lajmëron se nefsi ka tre cilësi:
1 – Shpirti që është i prirur për vepra të liga. Thotë Zoti në Kuran:""shpirti (nefsi i njeriut) është fort i prirur për të keqe përveç atij që e mëshiron Zoti im." (Jusuf, 53)
2 – Shpirti (nefsi) qortues. Thotë Zoti në Kuran:"Betohem në shpirtin qortues!" (Kijame, 2)
3 – Shpirti i qetë. Thotë Zoti në Kuran:"O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!" (Fexhr, 27-28)
Autori i librit "Sherh akide tahavije" thotë:"Pas studimit të imtësishëm, na rezulton se nefsi është një i vetëm, por që ka tre cilësi. Kështu, nefsi ose është i prirur për të këqija dhe vepra të liga, ose qortuese kur mbushet me besim (sa herë që vepron gjynahe pendohet dhe bën autokritikë). Nëse besimi forcohet dhe distancohet nga gjynahet, ajo është nefs i qetë."
Pra, sido që të themi, shpirti apo nefsi, ka tre cilësi që i përmendëm më lart. Kur shpirti del dhe çlirohet nga trupi i njeriut, jeton jetën e berzakhut në varr, bashkë me trupin, por në një formë të ndryshme nga ajo e dynjasë. Kategoria e parë e njerëzve që gëzojnë këtë privilegj do të jenë profetët dhe të dërguarit e Zotit. Kjo përmendet në një hadith të transmetuar nga Buhariu, ku thuhet se Aisheja e dëgjoi të dërguarin e Zotit a.s të thotë në çastet e fundit të jetës:"Zgjedh shoqërinë e Zotit të lartë, zgjedh shoqërinë e Zotit të lartë."
Pra, shpirtrat e profetëve dhe të dërguarve të Zotit, do të jenë në shoqërinë e Zotit të lartë, në xhenetit më të lartë. Diçka e tillë përmendet qartë dhe në hadithin e Miraxhit, ku profeti Muhamed a.s u takua në çdo qiell me profetë të ndryshëm.
Një status të ndryshëm gëzojnë dhe shpirtrat e dëshmorëve. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:"Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre." (Al Imran, 169)
Ata që japin jetën për fenë e Zotit, nuk janë njëlloj si gjithë të vdekurit e tjerë. Trupat e tyre nuk i tret toka, njëlloj si në rastin e profetëve.
Dijetari i shquar Mahmud Savaf, na rrëfen se ishte ftuar bashkë me një grup dijetarësh të tjerë, të marrin pjesë në rivarrosjen e dëshmorëve të Uhudit. Kjo, për shkak se rrëketë e shirave që kishin rënë asokohe, kishin zbuluar shumë nga të varrosurit nga shokët e Profetit a.s. Tregon shehu Mahmud Savaf:"Ndër ata që i varrosa me duart e mia ishte dhe Hamzai, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai kishte trup të bëshëm, me veshë dhe hundë të prerë. Barkun e kishte të çarë dhe një dorë e kishte mbi bark. Kur e lëvizëm dhe ia ngritëm dorën, i shpërtheu gjaku dhe kundërmoi aroma e miskut. Mandej e varrosëm bashkë me shokët e tjerë të Profetit a.s."
Kjo ishte diçka e transmetuar nga Profeti a.s dhe njëkohësisht e konstatuar nga vetë këta persona dhe hoxhallarë të nderuar. E lusim Zotin që të na e bëjë risk të vdesim si dëshmorë.
"Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre." (Al Imran, 169)
Lidhur me këtë ajet, thuhet se Mesruk e pyeti Abdullah ibnu Mesudin, i cili i tha:"Edhe ne e kemi pyetur të dërguarin e Zotit mbi këtë çështje dhe na u përgjigj:"Shpirtrat e tyre gjenden brenda zogjve të gjelbër. Ato kanë drita të varura tek Arshi i Allahut dhe shëtisin në xhenet kudo që dëshirojnë. Në fund kthehen tek dritat e tyre."  Transmeton imam Muslimi dhe të tjerë.
Duke qenë të ndërgjegjshëm mbi vlerat e dëshmorit, shokët e Profetit a.s dhe njerëzit e ndershëm në çdo kohë dhe vend, e lusnin Zotin të vdesin shehidë. Thotë Profeti a.s:"Kush ia kërkon Zotit të vdesë shehid me sinqeritet, Zoti do ia japë këtë nder, edhe nëse vdes në shtrat."
Kam pasur nderin të takohem me Umu Azzam, e cila është e shoqja e dijetarit dhe shehidit të nderuar Abdullah Azzam, Zoti e mëshiroftë, me të cilin më ka lidhur një miqësi e ngushtë. Pasi kishte rënë dëshmor, unë u takova me të shoqen e tij e cila më tha:"Më beso o vëlla Tarik! Ka qenë një periudhë kohe kur unë uroja që burri, Abdullah Azzam, të vritej." Unë e pyeta:"Përse kjo ndjenjë?!" Ajo mu përgjigj:"Për shkak se në çfarëdo gjendje të ndodhej, ai e luste Zotin të vdesë shehid. Kjo, edhe kur ishte duke ngrënë, edhe kur ishte shtrirë."
Padyshim që të flasësh mbi vdekjen dhe atë që ndodh pas saj, është diçka e frikshme dhe e padëshiruar. Dikush, i tha një ditë Hasan El-basrij:"Ka hoxhallarë që na frikësojnë, saqë na duket sikur po na del zemra vendit nga frika." Ai iu përgjigj:"Kush të frikëson derisa të arrish në vendin e sigurtë, është më i mirë se ai që të siguron derisa të arrish në vendin e tmerrshëm."
Prandaj, nëse vëreni diçka që u frikëson dhe u tmerron, kjo ndodh pasi shpresojmë që si ju dhe ne, të arrijmë në vendin e sigurtë. Ne shpresojmë që nëpërmjet një ligjërimi të tillë, ta nxisim lexuesin për më shumë vepra të mira.
Thotë imam Gazzali:"Nga tmerri i Ditës së Kiametit, nuk shpëton askush përveç atij që ka menduar gjatë rreth asaj dite në dynja. Zoti nuk i bashkon dy frika tek një njeri i vetëm." Nëse dikush është frikësuar në dynja, do të ndihet i sigurtë në ahiret dhe e kundërta.
Më pas, imam Gazzali shton:"Frika që kemi qëllim, nuk është ajo ndjenjë kur ndodhemi para një rreziku dhe me t'u kaluar rreziku, i kthehemi sërish jetës së qejfit dhe argëtimit. Frika që synojmë është ajo që e shtyn njeriun besimtar të veprojë punë të mira dhe t'i kthehet Zotit të tij. Thotë Zoti në Kuran:“Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë!" (Dharijat, 50)
Më keq akoma, është ai person i cili me të dëgjuar tmerrin e Ditës së Kiametit, dhimbjet e vdekjes dhe dënimin e varrit, thotë:"Zoti më ruajt!" dhe vazhdon me jetën e qejfeve dhe ahengut. Një njeri i tillë, i përngjan një personi në shkretëtorë të cilit i është vënë pas një bishë. Duke vrapuar, ai arrin tek porta e një kështjelle, aty ndalet, ulet dhe fillon të thotë:"Kërkoj mbrojtje nga kjo kështjellë, nga muret e saj të forta dhe të lartë, nga kjo bishë që më është vënë pas!"
Ky është njëlloj si ai që dëgjon mbi frikën dhe tmerrin e botës tjetër, thotë "Zoti më ruajtë" dhe vazhdon jetën e qejfit dhe gjynaheve. Frika nga bota tjetër nuk duhet të ndalet tek pohimi me kokë, lotët që rrjedhin dhe prekja në zemër. Këto duhet të shoqërohen nga vepra dhe punë të mira.
Vëllezër dhe motra! Ne duhet të ndërgjegjësohemi që kjo jetë është shumë e shkurtër dhe kalon shpejt. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
"Ai do t’u thotë (jobesimtarëve): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?” Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite. Pyesni ata që i kanë numëruar!” Ai do të thotë: “Keni qëndruar shumë pak. Eh, sikur ta kishit ditur! Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!" (Nur, 112-116)
Duke dashur të na stimulojë për vepra dhe punë të mira, Zoti thotë:
"A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur." (Hadid, 16)
Tregon Abdullah ibnu Umer:"Më kapi i dërguari i Zotit a.s për supi dhe më tha:"Jeto në këtë botë si i huaj, ose si kalimtar."
Sa herë që Abdullah ibnu Umer e kujtonte këtë hadith, u thoshte të pranishmëve:"Nëse ngrysesh, mos e prit mëngjesin dhe nëse gdhihesh mos e prit mbrëmbjen. Shfrytëzoje shëndetin para se të vijë sëmundja dhe jetën para vdekjes!" Transmeton imam Buhariu
Shpjeguesi i librit "Akide tahavije" flet mbi jetën e varrit "berzakh", rreth të cilës shumë njerëz kanë dyshime dhe lëkundje. Ai thotë:"Lajmet nga i dërguari i Zotit a.s, rreth vërtetësisë së dënimit ose shpërblimit të jetës së varrit. E njëjta gjë vlen dhe për pyetjet që dy melekëti drejtojnë të vdekurit. Është obligim i besimtarit që të bindet dhe ta besojë diçka të tillë, pa pyetur lidhur me mënyrën. Mendja dhe arsyeja njerëzore e ka të pamundur ta imagjinojë. Vetë ligjet e sheriatit, nuk flasin mbi gjëra që mendja e ka të pamundur ta përceptojë. Sheriati mund të flasë mbi gjëra që e vënë mendjen në mëdyshje, por jo gjëra të pamundura. "Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë." (Talak, 12)
Kur themi se shpirti do i kthehet sërish trupit në varr, nuk është kthim ekuivalent me atë që ishte në dynja. Ai do të jetë kthim i një lloji tjetër, gjë e cila nuk vërehet prej të gjallëve. Diçka të tillë, mund ta krahasojmë me atë që është në gjumë. Edhe pse ai mund të shohë ëndrra të këqija, mund të ndihet në siklet, nuk është i qetë, është i tmerruar etj... ose e kundërta, megjithatë ne që jemi zgjuar nuk mund ta konstatojmë. E tillë do të jetë dhe jeta e varrit, berzakh, e cila është krejt ndryshe nga ajo e kësaj bote.
Autori i librit të lartpërmendurit, u përgjigjet dhe disa pyetjeve dhe paqartësive të njerëzve. Ai thotë:"Dije se dënimi i varrit është dënim i berzakh-ut. Kushdo që ka vdekur dhe që meriton të dënohet, do të marrë pjesën e dënimit që i takon, është varrosur apo jo, e kanë shqyer dhe ngrënë egërsirat, apo është djegur derisa është bërë hi dhe e ka marrë era, apo është mbytur në det. Ai do të vuajë dënimin me shpirt dhe trup, njëlloj si i varrosuri në varr. Gjithçka që thuhet mbi dënimin e të vdekurit, të cilin e shtrëngon varri dhe ia kryqëzon brinjët, duhet të kuptuar sipas qëllimit të tij." Ne nuk e dimë si ndodh, por jemi të bindur se do të ndodhë, pasi: "Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë." (Talak, 12)
Dënimi i varrit përmendet edhe në Kuranin fisnik, ku thotë Zoti:"
"Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues." (En'am, 93)
"Ne do t’i dënojmë dy herë e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh (në Xhehenem)." (Teube, 101)
Qëllim me dy herët e dënimit, është një herë në dynja dhe herën e dytë gjatë jetës së varrit. Kurse dënimi i madh është në xhehenem.
Në një ajet tjetër, të cilin dijetarët e konsiderojnë si më të qartin ku flitet mbi dënimin e varrit, Zoti i lartësuar thotë:
"..ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë. Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet:“Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 45-46)
"Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë." (Ibrahim, 27)
Transmeton imam Buhariu se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:"Ky ajet ka zbritur si përshkrim për dënimin e zjarrit."
Kurse imam Muslimi transmeton një hadith nga Aisheja, e cila thotë:"Një ditë, erdhën tek unë dy plaka çifute të Medines. Ato më thanë:"Të vdekurit dënohen në varret e tyre." Unë i përgënjeshtrova dhe nuk desha që t'i besoj. Pasi kishin dalë, erdhi i dërguari i Zotit a.s të cilit i thashë:"O i dërguar i Allahut! Dy plaka nga pleqtë e Medines, ishin këtu dhe pretendonin se të vdekurit dënohen në varret e tyre." Profeti a.s ia ktheu:"Të vërtetën kanë thënë! Të vdekurit dënohen në varre dhe dënimin e tyre e dëgjojnë kafshët."
Tregon Aisheja:"Në çdo namaz që e kam parë të dërguarin e Zotit, e dëgjoja të kërkojë mbrojtje nga dënimi i varrit."
Transmeton imam Buhariu se Esma bintu Ebi Bekr ka thënë:"Një ditë, u ngrit i dërguari i Zotit a.s të na flasë. Ai përmendi jetën e varrit, me të cilën sprovohet njeriu, gjë e cila shkaktoi frikë dhe panik tek njerëzit. Zërat u ngritën saqë unë nuk i dëgjoja më fjalët e të dërguarit të Zotit a.s. Unë iu drejtova një burrë që ishte pranë meje dhe i thashë:"Zoti të bekoftë! çfarë tha i dërguari i Zotit në fjalët e tij të fundit?"
Burri iu përgjigj:"Tha:"Më është shpallur se ju do të sprovoheni në jetën e varrit, sprovë e cila i përngjan asaj të Dexhalit."
Në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi, thuhet se ndërkohë që Profeti a.s kishte hypur në mushkë, pranë një parcele të Benu Nexhar. Në një çast, mushka u hodh përpjetë dhe gati sa nuk e hodhi përtokë të dërguarin e Zotit. Ne dalluam disa varre dhe Profeti a.s pyeti:"Kush i ka njohur këta të varrosurit në këto varre?"
Një burrë u përgjigj:"Unë i kam njohur." Profeti a.s e pyeti:"E kur kanë vdekur këta të dy?" Burri u përgjigj:"Kanë vdekur në shirk (pa u dërguar ti profet)." Profeti a.s tha:"Ky umet do të sprovohet në jetën e varrit. Nëse nuk do të kisha frikë se do të mbeteshit pa u varrosur, do e lusja Zotin që t'jua mundësojë të  dëgjoni atë që dëgjoj nga ndëshkimi i këtyre të varrosurve."
Tregon Ebu Ejub El-ensarij:"Një pasdite, pasi kishte perënduar dielli, i dërguari i Zotit doli duke ecur sikur shkon pas një zëri. Kur u kthye, ne e pyetëm:"çfarë dëgjoje o i dërguar i Allahut?" Profeti a.s u përgjigj:"Dëgjoja zërat e çifutëve që dënoheshin në varr." (Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Enesi, se i dërguari i Zotit a.s lutej:"O Zot! Kërkoj mbrojtjen tënde nga paaftësia dhe dembelizmi, nga frika, koprracia dhe nga pleqëria. Kërkoj mbrojtjen tënde nga dënimi i varrit dhe nga sprova e jetës dhe vdekjes."
Në një hadith të transmetuar nga Muslimi, Profeti a.s u thoshte shokëve të tij:"I kërkoni Zotit t'ju ruajë nga dënimi i varrit!" Ata thonin:"I kërkojmë Zotit të na mbrojë nga dënimi i zjarrit!"
Transmeton imam Muslimi, se Abdullah ibnu Abasi ka thënë:"Profeti a.s na e mësonte lutjen e mësipërme, ashtu siç na mësonte sure të Kuranit."
Vetë Profeti a.s lutej me lutjen e mëposhtme, pas shehadetit në ulje të çdo namazi, para se të japë selam. Ai lutej:"O Zot! Ne të lutemi të na mbrosh nga dënimi i xhehenemit! Të lutemi të na mbrosh nga dënimi i varrit, sprova e mesihut Dexhal dhe jetës e vdekjes!"
Argumentet mbi dënimin e varrit janë të shumta. Besimi në dënimin e varrit ose shpërblimin e tij, është pjesë e besimit islam.
Tani, le të flasim më në detaje, mbi atë që i ndodh njeriut në varr. Transmeton Hani, ish skllav i Uthman ibnu Affanit:"Kur Uthmani qëndronte para një varri, i shpërthenin lotët, saqë i lagej dhe mjekra. Dikush i tha:"Sa herë që kujton xhenetin dhe zjarrin, nuk qan, por kur kujton jetën e varrit qan!" Ai u përgjigj:"Unë e kam dëgjaur të dërguarin e Zotit të thotë:"Varri është stacioni i parë i botës tjetër. Kushdo e kalon kollaj, stacionet e tjera do i ketë më të lehta. Kush e kalon me vështirësi, stacionet e tjera do i ketë akoma më të vështira." E kam dëgjuar të dërguarin e Zotit gjithashtu të thotë:"Nuk kam parë gjë më të shëmtuar sesa varri."
Në koleksionin e sheh Albanit, transmetohet një hadith, sipas të cilit, gruaja që e kishte zakon të fshijë xhaminë në kohën e Profetit a.s kishte vdekur. Duke mos e parë, Profeti a.s i kishte pyetur shokët dhe ata i kishin treguar se kishte vdekur natën dhe e kishin varrosur. Kur Profeti a.s i pyeti përse nuk e kishin njoftuar që të falej bashkë me ta, ata i thanë se nuk donin ta zgjonin nga gjumi. Për nder të kësaj gruaje që i shërbente xhamisë, Profeti a.s u kërkoi shokëve t'ia tregojnë varrin, vajti atje dhe i fali xhenazen. Mandej, ai tha:"Këto varre janë të mbushur me errësirë për banorët e tyre. Zoti i lartësuar ua ndriçon varret, duke rënë në salavat për mua." (Buhariu dhe Muslimi)
Tek koleksioni i haditheve të Nisaiut, përmendet diçka e çuditshme që i ndodh të vdekurit, me t'u vendosur në varr. Ky hadith, u tha nga Profeti a.s me rastin e vdekjes së Sad ibnu Muadh – Zoti qoftë i kënaqur me të - një nga fisnikët e medinasve dhe një nga shokët më të mirë të Profetit a.s. Thotë Profeti a.s në një hadith:"Një shami nga shamitë e Sad ibnu Muadh-it në xhenet, është më i mirë se kjo botë me gjithë të mirat e saj."
Kur e vendosën në varr Sad ibnu Muadh-in, Profeti a.s tha:"Ky është ai për vdekjen e të cilit është dridhur Arshi i të Gjithëmëshirshmit. Për të janë hapur portat e qiellit dhe në ceremoninë e faljes së xhenazes së tij, kanë marrë pjesë shtatëdhjetë mijë melekë. Në varr, ai u shtrëngua fort një herë dhe më pas u la i qetë."  Me gjithë pozitën dhe vlerat e tij, edhe Sad ibnu Muadh ka vuajtur nga dënimi i varrit. Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Profeti a.s thotë:"Varri ka një shtrëngim të madh. Nëse do të shpëtonte dikush nga ky shtrëngim, do të kishte shpëtuar Sad ibnu Muadh."
Transmeton Enesi, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:"Kur robi mbulohet me dhe në varr dhe të afërmit fillojnë ta braktisin, ai e dëgjon zhurmën e këpucëve të tyre. Mandej i vijnë dy melekë të cilët e pyesin:"çfarë thoje gjatë jetës për një burrë që quhej Muhamed?" Një besimtar, do të përgjigjet:"Dëshmoj se ai ka qenë robi i Zotit dhe i dërguari i Tij."
Në një hadith tjetër, Profeti a.s na ofron më shumë detaje mbi këtë moment të rëndësishëm dhe të frikshëm në varr.
Në hadithin e Berra ibnu Hazim, Profeti a.s pohon se melekët e pyesin besimtarin në varr dhe ai u përgjigjet, gjersa në fund, dëgjohet një zë nga Zoti që thotë:" “Robi Im tha të vërtetën, prandaj ia shtroni varrin me shtresat e xhenetit, visheni me rroba nga xheneti dhe i hapni një dritare ku të shikojë vendin e tij në xhennet”. Ai arrin të nuhasë parfumet e xhenetit, sheh bukuritë e tij dhe i zgjerohet varri aq sa i arrin shikimi."
Pra, nuk ka përse të tmerrohemi dhe të kemi frikë nga jeta e varrit. Po, frikë duhet të kenë jobesimtarët, munafikët dhe njerëzit e ligë. Kurse besimtarët vepër mirë duhet të ndihen të qetë dhe të sigurtë. Ata nuk ka përse të kenë frikë dhe të brengosen.
Profeti a.s jep detaje edhe mbi pyetjet e dy melekëve Munker dhe Nekir. Ai thotë:"Më pas i shfaqet një burrë me rroba të bardha, fytyrë të bukur dhe parfum të mirë, i cili i thotë:“Gëzohu për atë që do të shohin sytë. Gëzohu për kënaqësinë e Zotit, xhenetin që ka të mira të pashtershme. Kjo është dita jote e cila të është premtuar." I vdekuri e pyet:"Po ti, kush je, pasi nga fytyra ngjan sikur je njeri i mirë?” “Unë jam puna jote e mirë” -do t’i përgjigjet. Për Zotin, nuk të kam njohur veçse si pasionant në bindje të Zotit, i avashtë për të vepruar gjynahe. Zoti të shpërbleu me të mira për këtë." Mandej, të vdekurit i hapet një penxhere prej ku dallonte xhenetin dhe një tjetër ku dallonte zjarrin. Duke i treguar penxheren e zjarrit, i thuhet:"Ky do të ishte vendi yt nëse do shkelje urdhrat e Zotit." Por Zoti ta ndërroi me këtë vend" – duke i treguar penxheren e xhenetit." Duke parë në xhenet, i vdekuri fillon të thërrasë:"O Zot! Shpejtoje kiametin, që të takohem me familjen dhe fëmijët.”
Profeti a.s përshkruan dhe gjendjen e jobesimtarit dhe njeriut të lig pasi fillon jetën e varrit. Ai thotë:" Kur atij i vijnë melekët dhe e pyesin:"çfarë thoje gjatë jetës për një burrë që quhej Muhamed?" Jjobesimtari dhe hipokriti do të përgjigjet:"Nuk e di. Thoja atë që thonin dhe njerëzit e tjerë." Dy melekët e pyesin:"Mos e ditsh kurrë!" Atëherë, do të thërrasë një zë nga lart:“Nuk u përgjigj robi Im, prandaj ia shtroni varrin me shtresa zjarri dhe i hapni një derë, ku të shikojë vendin e tij në zjarr, nga ku  ndjen të nxehtit e tij. Ai do të konstatojë temperaturën e lartë, do ndjenjë të nxehtin në varr dhe do i ngushtohet varri, derisa t'i përzihet brinjët me njëra-tjetrën. Më pas i shfaqet një njeri me rroba të zeza, me erë të keqe dhe me fytyrë të shëmtuar, i cili i thotë:“Të përgëzoj me diçka rrënqethëse! Kjo është dita jote që të është premtuar." I vdekuri e pyet:"Po ti që paralajmëron të keqen, kush je? Fytyra jote qenka simbol i të keqes." Ai i përgjigjet:"Unë jam puna jote e poshtër. Ajo që di rreth teje, është se ke qenë i avashtë në kryerjen e detyrave ndaj Zotit dhe të shpejtë për të vepruar gjynahe që zemëronin Zotin. Prandaj Zoti ta shpërbleu me sherr.” Mandej të vdekurit i vjen një i verbër, shurdh dhe memec me një çekiç në dorë. Nëse me atë çekiç do godiste një mal, do e shndërronte në dhe menjëherë. Ai do e godasë të vdekurin me çekiç derisa ta tjetërsojë në dhe. Pas pak, i vdekuri kthehet sërish në formën ë kishte. Burri e godet sërish dhe e tjetërson në dhe. Nga kjo goditje, i vdekuri ulëret aq shumë saqë e dëgjojnë të gjithë krijesat, përveç njeriut. Mandej, atij i hapet një penxhere drejt zjarrit dhe varri i shtrohet me zjarr. Atëherë ai fillon dhe lutet:“O Zot, mos e bëj kiametin!”
 
Vepra që shkaktojnë dënimin e varrit
Profeti a.s ka përmendur disa vepra, të cilat bëjnë që dënimi i varrit të jetë i ashpër. Ato janë çështje të cilat neglizhohen dhe shihen me indiferentizëm nga shumë njerëz. Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi, se i dërguari i Zotit a.s, një herë kaloi pranë dy varreve. Ai ndaloi dhe u tha të pranishmëve:"Këta të dy dënohen, por nuk dënohen për diçka të rëndë. Njëri prej tyre shkaktonte konflikte mes njerëzve, kurse tjetri nuk fshihej teksa urinonte."
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Mbrëmë pashë në ëndërr dy burra të cilët erdhën, më morrën për dorë dhe më çuan në tokën e shenjtë. Atje gjeta një burrë të shtrirë dhe një tjetër në këmbë, por që në dorë mbante një çengel hekuri. Burri që mbante në dorë çengeli, shkonte tek ai që ishte shtrirë, ia ngulte çengelin thellë në gojë dhe e tërhiqte fort nga ana e kokës. Mandej, të njëjtën gjë e bënte nga ana tjetër e kokës, ndërkohë që plaga e parë mbyllej menjëherë. Kjo vazhdon vazhdon derisa të bëhet kiameti. I habitur pyeta:"çfarë është kjo?!" Por më thanë:"Vazhdo! Vazhdo!" Kështu, vazhduam udhën derisa gjetëm një burrë të mbështetur dhe një tjetë që i qëndronte në këmbë tek koka, me një gur të madh në duar. Ai e godiste me gurin fort në kokë, gjë e cila ia plaste kokën. Ndërkohë që burri që qëndronte në këmbë, ulej të marrë gurin, koka e tjetrit ishte kthyer siç kishte qenë më parë. Ai e godiste sërish me gurë, gjë e cila ia plaste kokën. Guri rrotullohej dhe burri shkonte ta marrë, por kur kthehej koka ishte kthyer sërish siç kishte qenë para goditjes. Kjo vazhdonte kështu gjer kur të bëhej kiameti. Unë pyeta:"Kush janë këta?" Por më thanë:"Vazhdo! Vazhdo!" Vazhduam rrugën, gjersa arritëm tek një gropë e madhe si furrë. Pjesa e sipërme ishte e ngushtë, kurse fundi ishte i gjerë dhe ndizej zjarr. Ky zjarr, ngjitej lart pak e nga pak. Në gropë dalloheshin shumë burra e gra. Sa u afrohej zjarri, ulërinin dhe iknin prej tij duke dashur të dalin nga gryka. Sa i afroheshin grykës, zjarri kthehej sërish në fund dhe bashkë me të, ktheheshin dhe burrat e gratë. Zjarri fillonte sërish të ngjitej lart dhe bashkë me të burrat e gratë, duke ulëritur e lënguar drejt grykës së gropës. Kështu vazhdonin gjer në Ditën e kiametit. Unë pyeta:"Kush janë këta?!" Dy burrat më thanë:"Vazhdo! Vazhdo!" Ne vazhduam rrugën, derisa arritëm tek një lum gjaku. Aty gjetëm një burrë që qëndronte në breg të lumit, kurse një tjetër notonte brenda në gjak. Sa herë që afrohej në breg, duke dashur të dalë nga gjaku, burri që qëndronte në breg, merrte një gur dhe me të e godite mu tek goja, duke i thyer dhëmbët. Kështu, burri që notonte në gjak, kthehej sërish në lumin e gjakut. Kjo vazhdonte gjer në Ditën e Kiametit. Unë pyeta:"Kush janë këta?!" Dy burrat më thanë:"Vazhdo! Vazhdo!"Vazhduam rrugën derisa arritëm tek një lulishte e gjelbër, ku ndodhej një pemë gjigande. Tek trungu i pemës, ndodhej një i moshuar dhe disa fëmijë. Pranë pemës ndodhej një burrë tjetër, i cili kishte ndezur një zjarr. Dy burrat shoqërues, më ngjitën sipër pemës dhe më futën në një shtëpi, që nuk kisha parrë asnjëherë si ajo. Aty dallova burra e gra, të moshuar, të rinj dhe fëmijë. Mandej, më nxorrën nga ajo shtëpi, më ngjitën më lart pemës dhe më futën në një shtëpi tjetër akoma më të mirë dhe të bukur se e para. Edhe aty dallova të moshuar e të rinj. I mrekulluar, u thashë dy burrave që më shoqëronin:"Sonte ku nuk më keni shëtitur. Tani dua të më rrëfeni çfarë ishin ato që kam parë!" Ata më thanë:"Po. Ai që i shqyej goja me çengel, është ai që gënjen njerëzit. Gënjeshtrat dhe rrenat e tij përhapen duke mbërritur qosh e më qosh. Ai që i shtypej koka me gur, është një burrë të cilit Zoti ia mundësoi të mësojë Kuranin. Ai flinte natën dhe nuk vepronte sipas Kuranit ditën. Ata që pe në gropë, janë njerëzit e shthurur moralisht. Ai që pe duke notuar në lum gjaku, është ai që ushqehet me kamatë. I moshuari që ndodhej tek trungu i pemës gjigande është profeti Ibrahim a.s. Fëmijët që luanin rreth tij, janë fëmijët që vdesin pa mbushur pubertetin. Ai që ndizte zjarrin, është Maliku, kudestari i zjarrit të xhehenemit. Shtëpia e parë ku hyre, është shtëpia e besimtarëve të thjeshtë. Kurse kjo shtëpi ku ndodhemi tani, është ajo e dëshmorëve. Unë jam Xhibrili, kurse ky Mikaili. Tani ngrije kokën!" Unë e ngrita kokën dhe dallova një vend të largët në qiell, si të ishte re. Ata më thanë:"Atje është vendi yt." Unë u thashë:"Më lini të shkoj tek vendi im!" Ata u përgjigjën:"Të ka mbetur akoma jetë pa jetuar. Pasi ta jetosh dhe atë pjesë jete, do të vish tek vendi yt."
Në një hadith tjetër, Profeti a.s na rrëfen mbi ato vepra të cilat na mbrojnë nga dënimi i varrit. Transmeton Ebu Hurejre, se Profeti a.s ka thënë:"I vdekuri, i dëgjon ecjet e njerëzve teksa largohen pasi e kanë varrosur. Nëse ka qenë besimtar, tek koka do i qëndrojë namazi. Në krahun e djathtë do i qëndrojë agjërimi, në të majtin zekati, kurse fjalët e drejta, lidhjet me farefisin dhe bamirësia i qëndrojnë tek këmbët. Dënimi i varrit i vjen nga koka, por namazi i thotë:"Është e pamundur të depërtosh nga ana ime. Dënimi i vjen nga e djathta, por agjërimi i thotë:"Është e pamundur të depërtosh nga ana ime." Dënimi i vjen nga e majta, por zekati i thotë:"Është e pamundur të depërtosh nga ana ime." Dënimi i vjen nga këmbët, por fjalët e drejta, lidhjet me farefisin dhe bamirësia i thotë:"Është e pamundur të depërtosh nga ana jonë."
 
Këshilla dhe porosi nga njerëzit e mirë
Thotë Ali ibnu Ebi Talib:"Dynjaja ka marrë rrugën e arratisë prej nesh, ndërkohë që ahireti ka marrë rrugën drejt nesh dhe secila ka rrugëtarët e saj. Bëhuni nga rrugëtarët e ahiretit dhe mos u bëni rrugëtarë të dynjasë. Sot ka punë por nuk ka llogari, por nesër do të ketë llogari dhe nuk do të ketë punë." Transmeton Buhariu.
Thotë Kurtubiu në librin e tij Tedhkire:"O ti që e ke neglizhuar vdekjen, dhimbjet e saj, daljen e shpirtit dhe hidhësirën që lë pas. Eh, askush se mban besën siç e mban vdekja. Askush nuk është gjykatës më i drejtë se ajo. Vdekja është paniku dhe tmerri më i madh që shohin zemrat dhe që zbulon të metat. Ajo shpërbën grupacionet, prish qejfet dhe shkëput shpresat. Vallë e e çon mendjen o bir i Ademit tek ajo ditë që do të vdesësh? A mendon për atë ditë kur do të shkëputesh nga ky vend? A e kujton atë ditë kur të transferohesh nga gjerësia në ngushtësi? A e kujton atë ditë kur të tradhëton miku, dashamirësi dhe shoku? A e kujton atë ditë kur të braktis vëllai dhe i dashuri? A e kujton atë ditë kur braktis shtratin e ngrohtë për t'u vendosur në një gropë të ftohtë? A e kujton atë ditë kur braktis mbulesat e buta për t'u mbuluar me dhe e zhavorr? O ti që je dhënë pas pasurisë! O ti që je hallakatur pas ndërtimit të pallateve e serajeve! Për Zotin! Nga pasuria jote nuk do kesh më shumë se qefinët, të cilët edhe ato do të tretet, ashtu siç do të tretet dhe trupi yt. Ku është pasuria që grumbullove gjithë jetën? Kush të shpëton sot nga ky tmerr? Sot e kanë marrë ata që nuk ta dinë për nder dhe me të metat e tua, ke ardhur para atij që nuk të justifikon."
Thotë një nga shokët e nderuar të Profetit a.s, Ebu Derda:"Tre gjëra më kanë bërë të qesh dhe po tre më kanë bërë të qaj. Ato që më bën të qesh, janë:"Ai që shpreson pa fund në dynja, ndërkohë që vdekja është vënë në kërkim të tij. Më bëri të qesh një i dytë i shkujdesur, por që Zoti nuk është aspak i shkujdesur ndaj tij. Më bëri të qesh një që qesh pa u përmbajtur, që nuk e di nëse e ka zemëruar Zotin me këtë apo e ka kënaqur. Ata që më bënë të qaj, janë:"Ndarja me të dashurit, Muhamedin dhe shokët e tij. E dyta që më bëri të qaj, është thënia e Matleij në çastet e vdekjes:"Dita kur të dal para të Gjithëmëshirshmit, atë ditë kur të zbulohet gjithçka, atë ditë kur nuk do di fundin, nëse do përfundoj në xhenet apo në zjarr."
Këshilla të tilla janë të shumta dhe prekëse padyshim, por ajo që më ka prekur dhe më ka bërë përshtypje më shumë, është këshilla e kalifit të pestë, Umer ibnu Abdul Aziz. Ai bashkë me njerëzit e tjerë u ndodhën një ditë në një ceremoni varrimi. Pasi e varrosën xhenazen, kalifi Umer u veçua bashkë me njerëzit dhe filloi t'i këshillojë me fjalët:"Varri më thirri nga pas:"O Umer ibnu Abdul Aziz! A nuk më pyet se çfarë kam bërë me të dashurit e tu?!" Unë iu përgjigja:"Sigurisht!" Ai më tha:"Ua treta qefinët, ua shpërbëra trupat, ua thitha gjakun dhe ua hëngra mishin." Më pas varri më pyeti:"A nuk më pyet mbi kyçet?" Unë iu përgjigja:"Sigurisht." Varri më tha:"I shkula supet nga krahët. Vetë krahët i shkula nga dy parakrahët. Vetë parakrahët nga duart. I shkula këllqet nga legeni, shkula kofshët nga gjunjët, shkula gjunjët pjesa e poshtme dhe nyjet nga këmbët." Mandej, Umer ibnu Abdul Aziz shpërtheu në të qara dhe ngashërime. Pasi u qetësua tha:"Jeta në dynja i ka ditët e shkurtëra. Ai që ndihet krenar me dynjanë, në fakt është i poshtëruar. I pasuri në dynja është i varfër, i riu është plak dhe i gjalli i vdekur. Prandaj mos t'ju mashtrojë kur t'ju vijnë të mirat e saj, ndërkohë që e dini sa shpejt që ua kthejnë shpinën. I mashtuar është ai që mashtrohet me dynjanë. Vallë ku janë ata që ndërtuan qytetet e shtetat e dynjasë?! Ku janë ata që vaditën toka me lumenjtë e saj?! Ku janë ata që pinë nga uji i saj?! Ku janë ata që mbollën bimët e saj? Në këtë dynja, ata qëndruan disa ditë të shkurtra, ku ata u mashtruan me shëndetin dhe vepruan gjynahe. Ata jetuan të zhytur në luks dhe kamje, pa dhënë asnjë kacidhe për bamirësi. Në dynja, jetuan kolltuqe të butë, sexhade të shtrenjta, me shërbëtorë që u shërbenin, familjarë që i nderonin dhe komshinj që i përshëndsnin. Nëse kalon pranë varreve të tyre, thirri nëse mundesh dhe hidhi një sy strehës së tyre përfundimtare. Pyete të pasurin prej tyre, çfarë i ka mbetur nga milionat pafund? Pyete dhe fukaranë prej tyre, çfarë i ka mbetur nga fukarallëku i tij? Pyeti për gjuhën me të cilën flisnin, për sytë me të cilët shihnin, me lëkurët e buta, fytyrat e buta dhe trupat e mirëmbajtur, si u sollën me ta krimbat?"
Më kujtohet që gjatë qëndrimit tim në Amerikë, një ditë ndodhesha në një fermë. Teksa ecja, nuhata një erë të rëndë, që më bllokoi. Ishte era më e rëndë që kam nuhatur ndonjëherë në jetën time. Edhe pse mundohesha të largohem nga ai vend, era e keqe nuk më ndahej. Atëherë vendosa të zbuloj burimin e asaj ere. Duke u drejtuar nga burimi i saj, dallova një qen të ngordhur. Pasi u afrova, pashë diçka të çuditshme që nuk e kisha parë më parë. Trupi i qenit ishte mbushur me krimba të panumurt, saqë qëndronin njëri mbi tjetrin. Vetëm nga koka e njoha se ishte qen, pasi trupi ishte tërësisht i mbuluar nga krimbat. E njëjta gjë i ndodh të vdekurit në varr. Prandaj, varri etiketohet ndryshe si shtëpia e krimbave.
Thotë Umer ibnu Abdul Aziz:"Nuk ka gjë që i tret eshtrat, zbulon zorrët dhe ndan gjymtyrët, si vdekja. Ku janë shërbëtorët e të vdekurve? Ku janë vartësit e tyre? Ku janë rojet dhe eskortat? Ku janë ato që grumbulluan dhe fshehën? Sikur nuk janë mbështetur kurrë në kolltuqet e tyre. Sikur nuk janë shtrirë kurrë mbi sexhadet e tyre. Sikur nuk kanë mbjellë asnjë pemë. Tashmë janë në kuvende krejtësisht të ndryshme dhe krejtësisht të vetmuar. Për ta, si nata dhe dita janë njëlloj. Atyre u është mohuar e drejta për vepra dhe janë ndarë nga njerëzit më të dashur. Fytyrat u janë tretur nga koka tek këmbët. Sytë u kishin dalë tek mollëzat, goja u ishte mbushur me gjak e qelb, krimbat u kishin bmuluar trupin dhe pak kohë më vonë, dheu i kishte tretur dhe kockat e tyre. Nga të mirat e dynjasë, kaluan në varrin e ngushtë dhe të errët. Ka prej tye, që varrin e kanë të gjerë dhe lulishte xheneti..." Pasi i tha këto fjalë, Umerit i rrodhën lotë dhe pas një jave e dorëzoi shpirtin e tij duke u larguar nga kjo botë përfundimisht.
Kush ka garanci se jeton gjer nesër, le të luaj dhe të dëfrehet. Kurse ai që nuk e di nëse do të shihemi sërish nesër, le të përgatitet, pasi së shpejti do të dalë para Zotit.