Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Detyrimet ndaj prinderve

Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “dhe Zoti ka vendosur që të mos adhuroni askënd tjetër veç Tij dhe të silleni mirë me prindërit tuaj. Në qoftë se njërin prej tyre apo që të dy i zë pleqëria, mos u thuaj atyre as Of. Ule krahun tënd ndaj tyre me mirësi dhe mëshirë dhe thuaj: “O Zot mëshiroji ata ashtu siç më mëshiruan mua kur isha i vogël”.
Secili prej nesh rri para pasqyrës dhe i pëlqen vetja e tij, por të paktë janë ata që falenderojnë Zotin, i Cili krijoi njeriun në formën më të bukur. Pak janë ata që kujtojnë dy krijesa të tjera, që u bënë shkak që ai të vijë në këtë botë me këtë pamje kaq të bukur. Ato krijesa janë nëna dhe babai yt. Askush tjetër përveç tyre nuk do ta meritojë këtë emër. Ata janë njerëzit, që kanë sakrifikuar për ty më shumë se kushdo tjetër.
Njëri prej tyre është nëna jote. Ajo vuajti kur të nxori në dritë. A mos vallë mbaruan vuajtjet e saj me lindje tënde?! JO vallahi. Kur fëmija qan, qan edhe nëna bashkë me të e kur fëmija gëzohet edhe nëna gëzohet bashkë me të. Sa e sa net kanë kaluar e ajo nuk ka vënë gjumë në sy, vetëm e vetëm që fëmija i saj të flejë i qetë. Kjo është nëna. Kjo është krijesa për të cilën profeti (a.s) tha: “Xheneti është nën këmbët e nënës”. Xheneti në tokë është nën këmbët e kësaj krijese kaq të mrekullueshme, të cilën e respektoi Zoti dhe profeti i Tij, por fatkeqësisht nuk e respektojnë shumë njerëz.
Prindi tjetër është ai ushtari i panjohur, është babai yt. Del në mëngjes dhe kthehet në mbrëmje. Për hatër të fëmijës së tij ai bëhet koprac e frikacak dhe mundohet të kursejë diçka nga xhepi i tij, sepse tashmë ai ka një emër tjetër, tashmë ka emrin “baba”. Ai pakëson diçka nga qejfet dhe shoqëria e tij, bën çdo lloj pune vetëm për fëmijën e tij. Pak njerëz e dinë se ç`vuan babai.
Këta janë ata dy krijesa, për të cilët kemi përgjegjësi para Allahut (xh.sh) në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Është folur aq shumë për respektin ndaj prindërve, saqë na është bërë diçka normale të dëgjojmë sesi duhet t`i respektojmë prindërit tanë. Por këtu dua të flas për gjëra të thjeshta, për shansin që kemi për ta fituar xhenetin që këtu në tokë, por vetëm pak prej nesh i shfrytëzojnë këto raste. Kjo është një mirësi që ne të gjithë e kemi në shtëpitë tona, por që nuk ia dimë vlerën e vërtetë të saj. Ajo mirësi është RESPEKTI NDAJ PRINDËRVE.  Secili e njeh veten e tij dhe kur mendojmë për këtë gjë, dalim në përfundim se jemi neglizhentë ndaj këtyre krijesave.
Sa e sa herë e themi një fjalë, pa pasur aspak kujdes se si e themi e kujt ia themi e nuk e dimë se ajo fjalë është si gur, është si hekur në zemrën e prindit dhe vetëm ata e dinë se sa e rëndë ishte ajo që fjalë që themi.
Sa e sa herë nuk e kontrollojmë shikimin tonë. I shikojmë prindërit tanë ashpër, vëngër, sikur ata të kishin ndonjë borxh ndaj nesh dhe jo ne ndaj tyre. Sa e sa herë biem në grackën e mosinteresimit ndaj tyre. Dikush mund jetë pasanik, me pushtet e me makinë, ndërsa prindërit e tij janë pa shkollë, prandaj nuk u jep as muhabet atyre.
Sa e sa herë e prishim me sjelljen tonë ndaj tyre, ua thyejmë zemrën këtyre njerëzve, duke harruar se aty ku thyhet zemra e tyre, aty vjen zemërimi i Allahut (xh,sh), ndërsa aty ku mbushet me gëzim zemra e prindit, aty vjen begatia e Allahut (xh.xh).
Për fat të keq prindërit sot kanë dalë jashtë liste. Në listën tonë kemi fëmijët tanë, shoqërinë tonë, problemet tona, por vetëm pak kujdesemi për prindërit tanë. Është pikërisht ky shkaku që nuk ka bereqet në shtëpitë tona, në tregtinë tonë, në pasurinë tonë, nuk ka harmoni në familjet tona. Vallahi respekti ndaj prindërve ndikon edhe tek puna jonë, kur i ftojmë të tjerët tek Zoti.
Nuk është gjë e vogël t`i prishësh zemrën prindit. Shikoni dy prindër të rinj, që kanë një fëmijë. Para një viti kishin halle të tjera, ndërsa tani kanë shqetësime të tjera. Në qendër të vëmendjes së tyre është pikërisht fëmija i tyre, arsimi i tij, rrobat e tij, shëndeti i tij. A mendojnë këta prindër se një ditë prej ditësh ky fëmijë, për të cilin po sakrifikojnë gjithë jetën e tyre, mund të bëhet torturë e jetës së tyre, se lotët e gëzimit do të kthehen në lot hidhërimi. A mund të ndodhë që këta prindër, të cilët iu lutën Zotit natë e ditë që t`u japë një fëmijë, do të thonë një ditë: “O Zot më mirë të mos ma kishe dhënë këtë fëmijë”. Njeriu nuk e mendon diçka të tillë, por ja që arrin puna deri në këtë pikë. Shumë muslimanë sot janë prindër, por dijeni se të gjithë jemi fëmijët e dikujt, prandaj le të kemi kujdes me prindërit tanë e të mos sillemi me ta ashtu siç nuk duam që fëmijët tanë të sillen me ne.
Përditë shohim e dëgjojmë raste të frikshme, por na është bërë zemra gur, na janë bllokuar veshët, na janë zënë sytë dhe asgjë nuk na bën përshtypje. Raste të tilla ndodhin përreth nesh, por mund të ndodhin edhe brenda shtëpive të atyre që besojnë në Allahun (xh.sh).
Tregohet për një çift të ri, i cili kishte një fëmijë. Fëmijën e mbante nëna e burrit. Njëherë burri deshi t`i bënte një dhuratë gruas së tij dhe i blen një unazë shumë të shtrenjtë. Nëna ishte në krahun tjetër me fëmijën e tyre. Nënës i pëlqeu një unazë e thjeshtë. Kishte kohë që nuk kishte vënë unazë në gishtin e saj, prandaj e mori atë unazë dhe e vuri në gisht. Kur burri nxjerr paratë për të paguar, shitësi i thotë që duhet të paguajë edhe një shumë tjetër për unazën që kishte marrë nëna e burrit. Atëherë ky burrë kthehet dhe i thotë nënës, se plakat nuk mbajnë flori. Nëna hidhërohet, e heq unazën dhe del nga dyqani duke qarë, por gruaja i tha burrit të saj: “Nuk bëre mirë që i fole kështu. Kush do e mbajë fëmijën tonë tani e mbrapa”? Katastrofë si burri, si gruaja. Kur ky njeri shkon t`i kërkojë falje nënës së tij, ajo i thotë vetëm një fjalë: “Nuk dua asgjë prej teje. Ta bëftë fëmija, ta bëftë fëmija”. Kjo ishte duaja e kësaj nëne dhe nuk e nxori për kollaj, por  e tha atë fjalë momentin kur iu thye zemra. Vallahi kjo është lutje e rëndë dhe mjerë për ata njerëz, mbi kokat e të cilëve bie kjo lloj duaje. E lusim Zotin të na mëshirojë e të na falë. Ka histori edhe më të habitshme se kaq. Ka nga ata fëmijë që kanë pasuri e shtëpi të madhe, por ama prindin e tij kërkon ta çojë në azil, pasi në vilën e tij të madhe nuk paska një vend për prindin e tij. Këta prindër përfundojnë nëpër azile, duke qarë hallet e njëri – tjetrit. Kalojnë netët me histori njëra më e dhimbshme se tjetra. Vallë a mendonin këta prindër, se do përfundonin në këtë vend, larg fëmijëve të tyre e të vdesin pa e marrë vesh kush?!
Tregohet për një prind të tillë, i cili gjithë jetën e dha për fëmijën e tij, por përfundoi në azilin e pleqve. I lutej Zotit natë e ditë që të takonte fëmijën e tij. Një ditë tha: “O Zot ma merr jetën pasi të takohem me fëmijën tim, pasi ta puth edhe një herë”. Por ai nuk arriti ta takonte fëmijën e tij dhe vdiq i vetmuar. Habia më e madhe ishte, se kur drejtori i azilit merr në telefon këtë fëmijë, që të vinte të varroste prindin e tij, ai pati guximin t`i thotë: “A akoma paska qenë gjallë babai im?! Ju të azilit i dini ku janë varrezat, prandaj bëni procedurat dhe vazhdoni vetë deri në fund”.
Lusim Allahun (xh.sh) që të mos bëhen shkak këta njerëz zemërgur, që Zoti t`i shkatërrojë të gjithë njerëzit. Dënimi më i vogël që të jep Zoti, është që fëmija yt sillet me ty, ashtu siç sillesh ti me prindin tënd. Profeti (a.s) thotë: “Çdo gjynah Zoti mund ta kalojë për jetën tjetër, ndërsa keqtrajtimin e prindit Zoti e dënon në këtë jetë para jetës tjetër”.
T`i bësh qejfin prindit nuk është pak, se i kë bërë qejfin atij që ka bërë gjithçka për ty. Mbushja zemrën me gëzim dhe dije, se në atë moment i ke hapur dyert e qiellit. Profeti (a.s) tregon për një njeri, i cili kishte jetuar në kohën e profetit (a.s), por nuk arriti ta shikonte atë (a.s), pasi nuk mund ta linte vetëm nënën e tij. Ai quhet Uejs el Karni. Profeti (a.s) i tha Omerit (r.a): “Do të vijë një njeri nga Jemeni. Quhet Uejs el Karni (ia tregoi edhe trupin sesi e kishte). Nëse ai njeri lutet për ty, Zoti ia pranon duanë. Prandaj po e gjete atë njeri, thuaji të bëjë dua (lutje) për ty”. Uejsi e donte shumë nënën e tij dhe për cilindo që të lutej, Zoti ia hapte derën e qiellit, sepse ai kishte hapur derën e gëzimit të nënës së tij.
Musai (a.s) e pyeti njëherë Zotin: “Kush është njeriu më i mirë o Zot”? Zoti i tregoi një njeri, të cilin unë dhe ti nuk e imagjinojmë dot. I tregoi për një kasap, në një zonë të humbur. Musai (a.s) u habit sesi kasapi mund të jetë më i dashur tek Zoti se profeti i Tij. Duke e parë me kujdes, Musai (a.s) konstatoi se kasapi herë pas herë merrte pak mish dhe shkonte dhe ushqente nënën e tij që nuk lëvizte dot, ashtu siç ushqen zogu të voglin e tij. Kishte mëse 20 vjet që ai e bënte këtë punë dhe kishte merituar duanë e kësaj nëne. Kjo nënë nuk peshonte më shumë se 40 kg, por duaja e saj kishte shumë peshë tek Allahu (xh.sh).
Zoti i faltë gabimet tona, mangësitë tona, neglizhencën tonë. Zoti i faltë të gjitha ato fjalë të ashpra, ato vështrime të vëngërta, apo keqtrajtimet që mund tu kemi bërë prindërve tanë. Zoti mos na bëftë nga ata njerëz, kundër të cilëve luten prindërit. Zoti i bëftë bashkëshortet tona, që t`i respektojnë prindërit e burrit, të mos bëhen shkak që të ndahet fëmija nga prindi, por le të bëhen shkak që të afrohen edhe më shumë prindërit më fëmijën e tyre. Kështu ato do të fitojnë respektin e Allahut, respektin e profetit (a.s) dhe respektin e burrave të tyre.
Zoti mos na bëftë  nga ata njerëz që sillen me prindërit e tyre ashtu siç bëjnë me bananen, e hanë e pastaj e hedhin lëkurën, se Allahu mund të bëjë që një ditë të shkelësh mbi atë lëkurë bananeje, që ti vetë e hodhe dhe mund të thyesh kokën tënde. Zoti na bëftë fëmijë të mirë që i respektojnë prindërit e tyre.
Çdo prind dëshiron të respektohet nga fëmija i tij. Asnjë prind në botë nuk dëshiron që fëmija i tij të sillet keq me të. Por përveç atyre njerëzve që kanë qenë njerëz të ligj, që nuk dinë ta respektojnë prindin e tyre, ka disa shkaqe që i ka vetë prindi. Prandaj sa je në këtë jetë, mundohu të mos bëhesh shkak, që fëmija yt të të keqtrajtojë para se të vdesësh.
Një prej këtyre shkaqeve është, se ky prind ka qenë fëmijë i lig për vete. Ky prind ka qenë fëmijë i tillë, i mbrapshtë ndaj prindërve të tij dhe Allahu (xh.xh) të jep të njëjtin shpërblim.
E ka treguar jeta, e tregojnë edhe historitë, se Zoti e dënon fëmijën e lig, duke i dhënë atij njeriu një fëmijë të lig.
Historitë nuk kanë fund, prandaj të mundohemi që të mos jemi fëmijë të ligj e fëmijët tanë të mos bëjnë me ne, ashtu siç bëjmë ne me prindërit tanë. Ky është shkaku i parë.
Shkaku i dytë është se ka shumë prindër, por ka pak edukatorë. Prindërit plotësojnë qejfet me fëmijët e tyre. I puthin, i përkëdhelin, por pak prej tyre mendojnë t`i edukojnë. Pastaj kur prindi mendon se fëmija përveç të tjerash ka nevojë edhe për edukim, shikon se është shumë vonë, sepse hekuri rrihet sa është i nxehtë. Prandaj le të kemi parasysh përgjegjësinë që kemi tek Zoti për fëmijët tanë.
Lidhi këta njerëz me Zotin, lidhi fëmijët me xhaminë, lidhi me shoqëri të mirë se ke për t’ia parë mirësinë si në këtë jetë ashtu edhe në jetën tjetër. Mos e lër fëmijën tënd pas dore! Mos e lër larg Zotit, mos e lër larg Xhamive. Afroje fëmijën me Kuranin, se përndryshe do përgjigjesh përpara Allahut për mangësitë e tua kundrejt këtij fëmije dhe do vuash pasojat e saj në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Mësoja fëmijës Islamin, se kështu i ke bërë nderin më të madh atij dhe ke fituar edhe vetë prej kësaj. Kjo është nga mëshira dhe mirësia e Allahut (xh,sh) mbi ty. Fëmija i mbarë bën dua (lutje) për prindin e tij të vdekur. Prindi thotë: “O Zot, ç`bëhet me mua? Pse po më ngrihen gradat në xhenet?” Allahu (xh,sh) ia kthen: “Është fëmija yt, që po lutet për ty”.
E lusim Allahun (xh.xh) të dimë të jemi fëmijë të mirë dhe prindër të mirë! E lusim Allahun (xh.xh) të na dhurojë fëmijë të mirë e të na bëjë fëmijë të mirë ndaj prindërve tanë! E lusim Allahun (xh.xh) t’i falë prindërit tanë, të gjallë apo të vdekur qofshin! E lusim Allahun (xh.xh) që secili prej nesh që e ka prindin e tij të gjallë, ta dijë se ka akoma të hapur një derë për në xhenet dhe e  lusim Allahun (xh.xh) që të gjithë ata që nuk i kanë të gjallë prindërit e tyre, ta dinë se ka vend për duanë e tyre tek Allahu (xh.xh).
E lusim Zotin e gjithësisë që t’i falë gabimet tona! Të mos e bëjë sjelljen tonë të pahijshme ndaj prindërve, pakënaqësi, dëm që u bie gjithë muslimanëve si në këtë vend ashtu edhe në vende të tjera.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free