Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Rryshfeti në Islam

“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin). Vërtetë, Allahu është i mëshirshëm me ju.” (En - Nisaë, 29). Mjerisht mito tek ne në një masë të konsiderueshme shihet si diçka e zakonshme madje nganjëherë dhe e domosdoshme, kurse personat që kryejnë punët e tyre përmes dhënies së mitos cilësohen si persona të shkathët e të zotë që dinë të shfrytëzojnë situatën dhe të çajnë. Shumë njerëz kanë filluar të familjarizohen me ryshfetin. Mito ka filluar të depërtoj në shumë segmente të jetës sonë - në shëndetësi, në udhëheqjen lokale, në shërbimet administrative dhe në shumë veprimtari të tjera. Punë të ndryshme kryhen duke dhënë mito. Korrupsioni ka prekur instancat më të larta të vendit. Është e çuditshme se po ata njerëz që japin mito, po atyre i pengon korrupsioni dhe mitoizimi i politikanëve dhe personave zyrtarë. Ka njerëz që i kritikojnë të tjerët, por vetë ata nuk do të lëshonin asnjë rast për t’ia hedhur tjetrit, për ta mashtruar, apo për të marrë hakun e tjetrit në mënyrë të padrejtë. Ka të tjerë që janë të gatshëm të japin apo të marrin mito për kryerjen e ndonjë pune, ndërkaq shprehin pakënaqësi për korrupsion në shoqërinë tonë. Ryshfet paguhet për mjekim, për marrjen e diplomave, patentën e shoferit, për punësim, për ngritje dhe avancim në një vend pune, marrjen e tenderëve, etj. Ryshfeti asnjëherë nuk është përzier me një punë e që nuk e ka prishur, ose nuk ka hyrë në ndonjë sistem e që nuk e ka kalbur. Prandaj jemi ne ata që duhet ta ndryshojmë situatën, sepse në Kur’anin fisnik Allahu na bën me dije se nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ai nuk e ndryshon vetveten: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Er R’ad: 11). Islami e garanton të drejtën e secilit individ. Meqenëse mito dhe korrupsioni nënkupton uzurpimin e të drejtës së tjetrit, Islami mu për këtë e ka ndaluar rreptësisht një veprim të tillë. Allahu e ndalon marrjen e të drejtës dhe pasurisë së tjetrit: “O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin). Vërtetë, Allahu është i mëshirshëm me ju.” (En - Nisa, 29). Mitomarrësi nuk e merr pasurinë në rrugë të lejuar dhe ai e ha pasurinë e njerëzve padrejtësisht, ryshfeti që ai merr bëhet shkak që ai ti privojë të tjerët nga e drejta që i takon. Ajo që bie në sy dhe që është shumë e rrezikshme dhe me pasoja të rënda është marrja e ryshfetit nga individë që punojnë në institucione shtetërore e veçanërisht në organet e drejtësisë. Krimi është edhe më i rëndë atëherë kur përmes institucioneve të drejtësisë nëpërkëmbet dhe deligjitimohet e drejta e dikujt, dhe njëkohësisht legjitimohet padrejtësia. Allahu e ka ndaluar përfitimin e pasurisë së tjetrit përmes metodave korruptuese: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit.” (El - Bekare, 188). Muhammedi a.s. thotë: “Nuk lejohet pasuria e muslimanit veçse kur ai e jep me dëshirën e tij.” (Buhari); ”Kush bënë padrejtësi në një pjesë të tokës, do ti varen në qafë shtatë toka (në Ditën e Gjykimit).” (Buhari). Vendimi i gjykatësit në favor të mitëdhënësit, nuk e ndryshon esencën e së drejtës pronësore, nuk e legjitimon atë dhe as nuk i liron ata nga përgjegjësia para Allahut xh.sh. “Kush ia merr një muslimani një pjesë të pasurisë, Allahu atij do t’ia obligoj zjarrin e Xhehenemit dhe do t’ia ndaloj Xhenetin.” Një i pranishëm tha: A edhe nëse ajo pasuri është e vogël? Pejgamberi a.s. tha: “Qoftë edhe nëse është sa një fije kashte.” Ryshfeti është një krim i cili i sjell fatkeqësi jo vetëm individit por edhe mbarë shoqërisë. Në shoqërinë ku përhapet ryshfeti, aty nuk funksionon ligji dhe drejtësia, dhe në këtë mënyrë nëpërkëmben të drejtat elementare të individit. Kjo pastaj shpie deri te humbja e besimit tek organet shtetërore dhe ndikon të përhapet edhe më shumë korrupsioni në të gjitha shtresat e shoqërisë sepse krijohet bindja se njeriu nuk mund ti realizoj të drejtat e tij pa dhënë mito. -Mallkimi Njerëzit që me çdo kusht duan të arrijnë deri te pasuria nuk zgjedhin mjete dhe metoda për të ardhur deri te realizimi i synimeve të tyre, andaj edhe janë të mallkuar nga i Dërguari i Allahut. Ebu Hurejre thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. ka mallkuar dhënësin dhe marrësin e ryshfetit”. Ibn Omeri tregon sePejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu e ka mallkuar atë që jep dhe merë ryshfet.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Hakimi dhe Ibn Hibbani). Nga Theubani transmetohet se: “I Dërguari i Allahut, e ka mallkuar atë që jep, atë që merë dhe atë që ndërmjetëson në marrjen e ryshfetit.” (Imam Ahmedi). Hadithi tjetër: “Edhe ai që merë edhe ai që jep ryshfet janë në zjarr.” -Aspekti psikologjik Ryshfeti ndikon në aspektin psikologjik të mitëmarrësit dhe mitëdhënësit. I pari ndihet i shqetësuar dhe i nënçmuar sepse e di në vetvete se ai për interesa të vogla ka shitur unin dhe autoritetin e tij. Kurse të dytin krahas kësaj e bren ndërgjegjja, ngase e ndien se nuk ka qenë i sigurt prandaj ka përdorur metoda të ulta për të fituar diçka që nuk e meriton, duke uzurpuar të drejtën e tjetrit. -Çka konsiderohet mito? Mito është ofrimi i çfarëdo pasurie që i jepet një gjykatësi, një zyrtari apo nëpunësi me qëllim që të merret një vendim në favor të mitëdhënësit, apo në dëm të rivalit/kundërshtarit të tij. Ryshfeti zakonisht jepet për të përvetësuar atë që nuk na takon. Mu për këtë ai është një formë e krimit si pasojë e lakmisë dhe pangopësisë dhe jo e meritokracisë dhe përgjegjësisë. Marrja e pasurisë së njerëzve me metoda të ndaluara dhe pa kurrfarë baze, shkakton padrejtësi dhe armiqësi. Në këtë mënyrë shpërfillet e vërteta kurse ngritët e lartësohet e pavërteta dhe e kota. Për këtë Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk lejohet pasuria e muslimanit përveç kur ai e jep vullnetarisht.” Gjithashtu thotë: “Jeta e juaj, pasuria dhe nderi juaj janë të ndaluara mu sikur që është e shenjtë kjo ditë e juaja, në këtë muaj dhe në këtë qytet tuaj.” Kur mito merret që të bëhet padrejtësi ndaj tjetrit kjo është një mëkat edhe më i madh. Nëse shoqëria islame me parimet e saj fetare është e përkushtuar të luftojë korrupsionin dhe padrejtësinë, atëherë kjo dukuri nuk do të lëshoj rrënjë në gjirin e saj. Ndërkaq, nëse secili individ sheh vetëm interesin e vet të ngushtë, atëherë kjo epidemi fillon ta infektoj shoqërinë Kur padrejtësisht uzurpohet prona apo e drejta e tjetrit atëherë ajo duhet të rikthehet. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos t’ia marrë dikush nga ju sendin shokut të tij, as me seriozitet e as me lojë, e nëse ndonjëri nga ju e gjen shkopin e shokut të tij, le ta kthejë atë tek ai.”(Imam Ahmedi). Është obligim i atij që i është besuar udhëheqja e muslimanëve të kryejë detyrën në mënyrë të ndershme dhe me përgjegjësi. Shteti është i obliguar që të luftoj korrupsionin me organet e tij më të larta të ekzekutivit dhe të legjislativit dhe përmes të gjitha mekanizmave të tij. Kjo është amanet dhe për këtë çdo përgjegjës do të pyetet Ditën e Gjykimit. Prandaj, çdo para që marrim nga njerëzit për t'ia kryer ndonjë punë paraqet ryshfet, korrupsion dhe padrejtësi. Pejgamberi a.s. thotë: “Kur ne e caktojmë dikë në një funksion, atij ia sigurojmë edhe shpërblimin. Nëse ai merr diçka përveç tij, ajo që merr për të do jetë zinxhirë rreth qafës së tij.” (Ebu Davudi). Pejgamberi me një rast e dërgoi një guvernator të mbledh zekatin në fisin Ezd. Kur u kthye, ai mbajti diçka për veten e tij dhe tha: “Ky është për ju (zekat), kurse kjo është për mua - dhuratë". Pejgamberi a.s. u zemërua dhe i tha: “Ji i sinqertë dhe thuaj – sikur të kishe qëndruar në shtëpinë e prindërve tu, a do ta merrje atë.? Si mundet dikush që i kam besuar funksionin të thotë: Kjo është për ju, kurse këtë e marrë si dhuratë? A do të merrte një dhuratë sikur të qëndronte në shtëpinë e familjes së tij?”. Nga ky hadith kuptojmë se nuk i lejohet asnjë zyrtari që të marrë diçka me pretekstin se ai i ka bërë një shërbim dikujt. Ryshfeti është i ndaluar sipas konsensusit të gjithë muslimanëve, pa marrë parasysh a ka të bëjë me gjykata ose me shërbimet në institucionet shtetërore dhe joshtetërore. Përhapja e ryshfetit në shoqëri është shenjë e prapambetjes dhe kaosit. Ai është krim dhe shkakton armiqësi mes njerëzve. Dëmi i ryshfetit është gjithëpërfshirës. Prandaj, Islami e ndalon ryshfetin në çdo formë, qoftë edhe nëse jepet në emër të shpërblimit, dhuratës ose 'bakshishit'. Emërimi i mitos me fjalën dhuratë nuk e bën atë të lejuar e hallall. Le t'i frikësohemi Allahut dhe të largohemi nga kjo sëmundje e rrezikshme duke luftuar me tërë qenien tonë ryshfetin dhe korrupsionin për të pasur individ dhe shoqëri të shëndoshë dhe begati e furnizim të hallall. Bashkësia ndërkombëtare kërkon që të luftohet korrupsioni duke aplikuar metoda të veçanta. Problemi nuk është me ligjet sepse ne lehtë mund ti sjellim ato, por tek zbatimi i tyre në praktikë. Kjo sepse për zbatimin e tyre duhet të ndryshojë vetëdija e njerëzve. Një gjë e tillë nuk mund të vij nga jashtë apo dikush tjetër, për shkak se ndryshimet në vetëdije vijnë nga brendia e çdo individi dhe jo me urdhra e rregullore. Prandaj kjo arrihet vetëm përmes besimit të fort te Zoti. Pse të huajt duhet të na mësojnë përgjegjësinë dhe të kërkojnë që ta luftojmë korrupsionin?! Vallë pse ne vetë nuk e bëjmë një gjë të tillë?! Të tjerët i respektojnë ligjet e tyre. Pse ne nuk e luftojmë këtë epidemi duke iu referuar mësimeve të fesë sonë? Kur’ani fisnik na përmend rastin e Mbretëreshës së Sebes – Belkises. Sulejmani a.s. përmes pupëzës i dërgoi Belkises një letër, pas së cilës ajo i mblodhi këshilltarët e saj dhe parinë: “Mbretëresha (e Sebës) tha: ‘O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe është: ‘Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!’Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë’! Ajo tha: ‘O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!“ (En Neml: 29- 32). Paria me mençuri iu shmangën përgjegjësisë por gjithashtu e paralajmëruan: “Ata thanë: ‘Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!’ Ajo tha: ‘Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.” (En Neml: 33- 35). Belkisa u përpoq që përmes dhuratës ta bindte Sulejmanin ta tërhiqte vendimin e tij. Sipas disa komentarorëve të Kur’anit Belkisa veproi kështu sepse ajo kishte thënë: do t’i dërgoj një dhuratë nëse e pranon është mbret dhe do të luftojmë kundër tij, e nëse nuk e pranon do të thotë se është pejgamber, atëherë ne do ta ndjekin dhe t'i bindemi atij. Sulejmani a.s. duke e njohur qëllimin e Belkises, tha: “Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: ‘A mos doni të më ndihmoni me pasuri? Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por, ju gëzoheni me dhuratën tuaj.” (En Neml: 36). Allahu përmes shumë ajateve kur’anore na tregon se si të veprojmë dhe si të merremi me këtë murtajë sociale. Pejgamberi a.s. na ka tërhequr vërejtjen nga rreziku i mitos dhe korrupsionit. Ai na inkurajon të kërkojmë furnizim të lejuar dhe na paralajmëron nga pasuria e ndaluar. Pejgamberi a.s. thotë: “Secili trup i rritur me ushqim nga pasuria e palejuar është më afër zjarrit.”; “Në Xhennet nuk do të hyjë trupi i rritur me furnizim nga pasuria e palejuar.” (transmeton Ibn Hibbani) Porosia ime për të gjithë muslimanët dhe muslimanet është se duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje dhe ti korrigjojnë gabimet dhe padrejtësitë e tyre ndaj të tjerëve, aq sa është e mundur, para se të vij çasti kur nuk pranohet pendimi. Në qoftë se ka mundësi pronari duhet ta kthejë atë që e ka marrë padrejtësisht përmes mitos dhe së bashku me të ta kthej edhe fitimin nëse është e mundur. Nëse nuk ka mundësi ta bëj një gjë të tillë atëherë do të paguajë për të te Bejtul Mal (arka e përgjithshme e muslimanëve). Nëse Bejtul Mal nuk ekziston, prona do të shpenzohen për qëllime bamirëse. Ryshfeti dhe korrupsioni janë devijim dhe shtrembërim i raportit me vetveten, me njerëzit e tjerë dhe me paranë. Prandaj nuk duhet të japim mito dhe as të biem pre e saj. O Allah na bëj që të na mjaftoj hallalli Yt e të mos i afrohemi haramit. Na bëj të pasur me mirësitë Tua, që të mos kërkojmë mirësi nga tjetërkush përveç Teje.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free