Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Callma e tregtarit

Ibnu Hazmi, në librin e tij “Gjerdani i pëllumbeshës” rrëfen një ngjarje të cilën e ka parë me sytë e tij. Ai thotë:”Në Andaluzi, jetonte një tregtar shumë i njohur. Ai ishte në rivalitet me katër tregtarë të tjerë, të cilët e kishin marrë inat dhe kishin vendosur t’ia nxijnë jetën. Një mëngjes të bukur, ai doli nga shtëpia drejt dyqanit të tij, i veshur me një xhybe dhe një çallmë të bardhë që i shkëlqente.
Kolegu tregtar i parë që i doli para e përshëndeti, i hodhi një sy çallmës së tij dhe i tha:”Sa e bukur qenka kjo çallma e verdhë që ke vënë mbi kokë.”
Tregtari ia ktheu:”Ç’thua more? Mos je verbuar? Çallma ime është e bardhë!” Kolegu i tha:”Jo, jo, është e verdhë.”
Tregtari e la dhe u largua. Disa hapa më tej, e takoi i dyti dhe pasi e përshëndeti, i hodhi një sy çallmës dhe i tha:”Sa bukur qenke veshur sot! Hajde veshje hajde! Sidomos kjo çallma jeshile ta hiqka trurin!”
Tregtari i tha:”Ik ore tutje, çallma ime është e bardhë, more vesh?”
Mandej, ai u largua por vesveset filluan ta shqetësojnë, saqë herë pas here, hiqte çallmën dhe sigurohej nëse është vërtet e bardhë apo jo. Pasi mbërriti në dyqanin e tij dhe e çeli, ia behu i treti i cili i tha:”O filan! Sa hijshëm qenke veshur sot! Këto rroba të shkokan shumë. Sidomos çallma ngjyrë blu që paske vënë mbi kokë.”
Tregtari e hoqi çallmën që të sigurohej për ngjyrën e saj dhe pasi fërkoi sytë, i tha:”Jo more burrë, çallma ime është e bardhë!”
Kolegu ia ktheu:”Jo jo, çallma është ngjyrë blu, ama është shumë e bukur. Por ti s’ke përse të mërzitesh.” Pastaj u largua në punën e vet.
Sakaq tregtari i tha nga pas:”Çallmën e kam të bardhë, more vesh? Të bardhë.” Dhe herë pas here e hiqte dhe sigurohej për ngjyrën. Ai u ul në vendin e tij, por vesveset nuk e linin rehat. Në një moment vjen i katërti, i cili pasi e përshëndet i thotë:”Mashalla, mashalla! Ku e paske blerë këtë çallmë të kuqe more?”
Tregtari, duke u përtypur ia ktheu:”Çfarë thua more byrazer?! Çallmën e kam ngjyrë blu.” Tjetri i tha:”Jo, jo, çallmën e ke ngjyrë të kuqe.”
Tregtari ia priti përsëri:”Jo, e kam ngjyrë blu. Jo, e kam të bardhë fare. Jo, jo, është blu, e zezë...” Pastaj qeshi, më vonë bërtiti, zuri të qajë dhe të hidhet përpjetë.
Tregon Ibnu Hazmi:”Që nga ajo ditë, e shihnim të rrjedhur nga trutë rrugëve të Andaluzisë, ku e qëllonin fëmijët me gurë.”
Nëse këta persona me metoda primitive arritën ta nxjerrin burrin e botës nga natyra e tij, madje e bënë ti rrjedhin trutë, ç’mund të themi për energjitë e tua të cilat burojnë nga drita e shpalljes hyjnore? Ç’mund të themi për vullnetin dhe besimin e besimtarit që e përdor për të fituar kënaqësinë e Zotit?!
Prandaj, ato aftësi që ke fituar vëri në praktikë që të jetosh i lumtur. Nëse më thua:”Nuk mundem” të them:”Provoje!” Nëse më thua:”Nuk di” të them:”Mëso!”
Thotë profeti Muhamed a.s:”Dija vjen me të mësuar, kurse urtësia dhe mençuria me të ushtruar.”
Hero i vërtetë është ai që nga aftësia për të zhvilluar veten, kapërcen në aftësi për të zhvilluar të tjerët, madje, për ti ndryshuar ata.