Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jezusi profeti Islam

Marrë nga libri, i Raffaelo Russo-s: Islam storie e dottrine, f. 115-22

Lexuesi perëndimor shpesh habitet, kur njihet me faktin, se myslimanët e njohin Jezusin si një profet të tyre, por kjo nuk duhet të na bëjë habi, nëse marrim parasysh faktin se Muhamedi nuk e konsideronte veten themeluesi i një “religjoni të ri”, por përkundrazi një përsosës dhe përmbushës i asaj që profetët kishin përgatitur para tij.
Është e natyrshme, që rrëfimi për Jezusin ashtu siç shfaqet në Kuran dhe në traditën profetike, të jetë pjesërisht i ndryshëm nga ajo që gjejmë të shkruar në ungjij.
Para së gjithash Jezusi nuk është biri i Zotit, ide gati e pakonceptueshme kjo për monoteizmin e rreptë Islam dhe nga ky këndvështrim qartësisht e pavërtetë, duke qenë se cënon rëndë trashendencën e Zotit.
Nuk ekziston as teologjia e kryqit, asnjë akt shpëtimtar i kryer përmes vdekjes në kryq, që për myslimanët nuk ka ndodhur kurrë: Jezusi u shpëtua nga vdekja përmes një ndërhyrje të mrekullueshme nga ana e Zotit dhe kjo mrekulli është një nga shenjat më të mëdha që garanton vërtetësinë e misionit profetik të tij, siç ndodhi për Moisiun (gjatë kalimit të detit) dhe për vetë Muhamedin (i shpëtuar nga Zoti shumë herë nga sulmet e mekasve).
Ne fakt, janë të shumta detajet e jetës Islame të Jezusit, të cilat të sjellin ndërmend edhe histori të profetëve të tjerë.
Së pari, konteksti: tekstet islame e paraqesin Perandorinë Romake si perandorinë pagane të radhës, e cila dominohej nga një ideologji religjioze, që i shpinte njerëzit të adhuronin statuja prej guri, sikur ata me të vërtetë të ishin në gjendje që t`i bënin keq ose mirë njerëzve.
Perandori shihet si një lloj Faraoni dhe vartësit e tij (Guvernatori i Judesë në kohën e Jezusit, ose Herodi mbret i Sirisë dhe i Izraelit në momentin e lindjes së Jezusit), si njerëz që përsërisin të njëjtat veprime si të lashtët, që gjatë atyre kohëve, në kohën e Nuhut, Hudit, Musait, kanë shkaktuar zemërimin ndëshkues të Zotit. Jo pa qëllim që nga lindja e tij, në tekstet islame, Jezusi paraqitet si një luftues i madh i idhujtarisë: “Kur Jezusi, paqja qoftë me të, erdhi në këtë botë, të gjithë idhujt në tokë u rrëzuan kokëposhtë” Sipas traditave Islame, ky ishte një moment kthimi në historinë e njerëzimit, në fakt nuk kishte asgjë më efikase për humbjen e njerëzimit sesa këto idhuj, xhindët futeshin brenda tyre e u flisnin njerëzve, duke ndikuar në jetën e tyre e këto të fundit besonin, se ishin idhujt që flisnin. Po kur ndodhi ky fakt, idhujt humbën respektin në sytë e njerëzve. (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 60-61).
Elementë të tjerë të historisë së mrekullueshme të lindjes së Jezusit të sjellin ndërmend episode të ngjashme të jetës së profetëve të tjerë, përfshi këtu edhe Muhamedin. Për shembull ngjarja e takimit të parë midis Merjemes (Maries) dhe Kryeengjëllit Gabriel (Xhibril) (Deklarimi i të krishterëve: momenti kur virgjëresha Mari, mëson se do të lindë një djalë) është shumë e ngjashme me takimin e parë ndërmjet Muhamedit dhe Xhibrilit. Sharjet dhe fyerjet që ka kaluar Maria (Merjemja), për faktin se mendohej se kishte lindur një djalë “pa baba”, janë të ngjashme me sharjet dhe fyerjet e pësuara nga shumë profetë të tjerë. Si shumë profetë të tjerë edhe Maria (Merjemja) u largua për një farë kohe nga vendi i saj (Ajo e barti atë (Isain), pastaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët (Sure Merjem 22), e shoqëruar nga Jozefi, zdrukthtari, i cili sipas disa haditheve thuhet se ka qenë kushëriri dhe jo burri i saj. Ata u larguan, për arsye se jeta e fëmijës ishte në rrezik dhe jo vetëm nderi i saj. Më tej në biografitë tradicionale për Jezusin është tezja e Maries ajo, që i tërheq vëmendjen me këto fjalë: “Nëse ti do të lindësh fëmijën tënd duke qëndruar në mes të njerëzve, ata do të të ofendojnë, do të shpifin dhe së fundmi do të të vrasin ty së bashku me fëmijën tënd” (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 57)
Gjatë arratisë, Maria (Merjemja), u pushtua për një çast nga lodhja dhe humbja e shpresës: Dhimbja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup hurme. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua, të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji). E ti shkunde trupin e hurmës se do të bien ty hurma të freskëta”. (Sure Merjem 23-25). Në atë vend Maria lindi Jezusin dhe uji dhe hurma ishin ushqimi i parë i saj. Traditat islame saktësojnë “se nuk ka asgjë më të mirë për nënat që po lindin se uji dhe hurma” dhe se ajo përrockë uji e mrekullueshme ishte e ftohtë, nëse e pije dhe e vakët nëse e përdorje për larje” dhe thuhet se Muhamedi (a.s) e kishte zakon të përtypte hurma dhe t’ia vente në gojë fëmijëve të shokëve të tij, kur ato vinin në këtë botë. (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 59-60)
Udhëtimi i Maries nuk kishte për të përfunduar në Betlehem. Edhe në librat e myslimanëve rimerret historia biblike e masakrës së fëmijëve të pafajshëm dhe ikjes në Egjipt, ngjarje kjo që përbën precedentin e fundit të hixhretit të profetit Muhamed.
Maria dhe biri i tij ndenjën në Egjipt për 12 vjet deri në vdekjen e Herodit…
Mrekullitë do ta shoqërojnë Jezusin gjatë gjithë kohës e do të shumfishohen sidomos gjatë viteve të fundit të “jetës publike të tij”, që për Islamin korrespondon me shpalljen nga ana e Jezusit të fesë së Allahut, d.m.th. besimit në ekzistencën e një Zoti të vetëm, Krijues të qiellit dhe të tokës, si dhe të bindjes që duhet treguar ndaj urdhrave të tij për të fituar shpëtimin. Edhe Jezusit, ngjashëm si profetëve të tjerë, iu desh të përballej me sulmin dhe përqeshjet e popullit të tij, i cili nuk e pranonte mesazhin e tij.
Shumëfishimi i mrekullive i detyrohet pikërisht nevojës për të dhënë shenja të profetësisë, që janë të afta të shkundin skeptikët e t`i tregojnë atyre provat, se Jezusi ishte i dërguari i Zotit.
I këtij lloji është edhe një nga mrekullitë që i atribuohen Jezusit në Kuran, por jo në ungjijtë kanonikë.
Ai, ndërsa po predikonte një ditë përballë një grupi të madh njerëzish, tha: “Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend…” (Ali Imran 49). Sipas disa biografive mbi jetën e Jezusit të bëra nga dijetarë myslimanë pohohet se “zogu i bërë nga jezusi fluturonte për sa kohë njerëzit e shihnin, e kur ato e hiqnin shikimin prej tij, ai binte në tokë i vdekur. Kjo ndodhte, për të bërë një dallim ndërmjet asaj që bëhej nga Jezusi dhe asaj që bëhej nga Zoti i lartmadhëruar, si vërtetim i faktit se vetëm ajo që është e krijuar nga Zoti i Gjithfuqishëm është e përsosur” (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 88)
Mrekulli të tjera që i atribuohen Jezusit si në Kuran ashtu edhe në hadithet profetike, gjenden edhe në Bibël me dallime shumë të vogla në rrëfimin e ngjarjes. Midis tyre më të njohurat janë shërimi i të verbrit dhe ngjallja e Lazarit.
Dallime të mëdha ekzistojnë, përsa i përket kryqëzimit dhe vdekjes së Jezusit, një element thelbësor ky në religjionin e krishterë. Sipas shumë biografive të hershme, Jezusi dënohet nga autoritetet hebraike me ndihmën e romakëve, por në moment të fundit shpëtohet në mënyrë të mrekullueshme nga Zoti. Në Kuran pohohet, se hebrenjtë dhe romakët kishin bindjen e gabuar, se e kishin kryqëzuar dhe vrarë Jezusin, birin e Marisë të dërguarin e Zotit, por Zoti e kishte zëvendësuar atë me një tjetër “Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau” (Nisa 157). Ngjashëm si në rrëfimin biblik, por këtë herë pa elementin e ringjalljes, Jezusi u ngrit në qiell sipas vullnetit të Zotit, duke i shpëtuar përfundimisht armiqve të tij, jo pa përfunduar më parë edhe misionin e tij.
Së fundmi, dallimet themelore ndërmjet Krishterimit dhe Islamit lidhur me Jezusin mund të përmblidhen si më poshtë:

1. “Doktrina e trinitetit: sipas myslimanëve është një triteizëm i panevojshëm brenda religjionit të krishterë.
2. Ideja që Jezusi mund të jetë “Biri i Zotit” në kuptimin strikt dhe literal të termit.
3. Ideja e shëlbimit, fakti që Jezusi i mori mbi vete të gjitha mëkatet e njerëzimit, përmes vdekjes së tij në kryq.
4. Ideja që Zoti është mishëruar në një njeri, është e papërputhshme me idenë e trashendencës hyjnore në Islam.

Doktrina e Jezusit është e ngjashme në të dy versionet e historisë, të ngjashme janë mrekullitë që i atribuohen atij, domethënia e tyre dhe e mesazhit të fjalëve të tij, ndonëse ka një dallueshmëri të madhe në rolin që i mvishet këtyre të fundit në planin shpëtues të Zotit. Sepse Jezusi, sipas myslimanëve është i ngjashëm në rolin e tij me Gjon Pagëzorin siç njihet në teologjinë e të krishterë. Misioni i tij konsistonte në shpalljen e ardhjes së profetit të fundit të Zotit, Muhamedit.
Në shumë biografi të Jezusit të shkruar nga myslimanët lexojmë: Në fillim të misionit të tij para se dishepujt ta ndiqnin atë i thanë: “A do të ketë një profet tjetër përveç teje”? Dhe përgjigja ishte: “Sigurisht, do të jetë profeti Arab”.

(Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 83)
Përktheu: Rezart Beka