Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e Profetit Uzejr a.s

Me kalimin e kohëve, Benu Israilët devijojnë sërish nga udha e Zotit. Asokohe, ata e kishin humbur Teuratin dhe kishin harruar shumë prej këshillave dhe udhëzimeve të tij. Duke dashur që t'ua kthejë sërish fenë dhe ta përtërijë ligjin e shenjtë, Zoti u dërgoi një profet tjetër, Uzejrin a.s. Zoti e urdhëroi Uzejrin a.s që të shkojë tek një fshat, ku do i ftonte banorët e tij në besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm. Me të mbërritur në destinacion, Uzejri a.s u befasua nga ajo që i panë sytë, pasi fshati ishte krejtësisht i shkatërruar dhe nuk pipëtinte frymë njeriu. Si ishte e mundur që Zoti ta dërgonte në një vend të rrënuar dhe pa frymë njeriu?! Megjithatë ai ishte i bindur që Zoti nuk e kishte dërguar kot në atë vend. Kështu, ai priste ndonjë mrekulli, si ringjallja e atij populli. Ndërkohë që priste, ai pyeste veten se si do e ringjallte Zoti këtë popull në këtë botë, gjë e cila zakonisht nuk ndodh?! Këtë dilemë të tij e ka regjistruar Zoti në Kuran ku thotë:“Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” (Bekare, 259)
Kjo nuk ishte pyetje refuzuese dhe kundërshtuese lidhur me fuqinë e Zotit për ta ringjallë atë popull, por pyetje që shprehte habi.
Duke pritur të ndodhë diçka, Uzejri shtrihet përtokë, i mbështet këmbët tek një mur dhe e zë gjumi. Sakaq vjen meleku i vdekjes dhe ia merr shpirtin, për t'ia kthyer sërish vetëm pas njëqind vitesh. Thotë Zoti në Kuran:"Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?”
Uzejri a.s kishte rënë në gjumë para dite dhe kur u zgjua – d.m.th u ringjall – ishte pasdite. Ndërkohë i vjen një melek me pamje njeriu dhe e pyet sa kohë kishte aty. Uzejri a.s, duke menduar se kishte fjetur gjumë, i përgjigjet se kishte fjetur një ditë, ose një gjysmë dite. Meleku i përgjigjet duke i treguar të vërtetën:"Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. - “Jo” - i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! – ushqimi që kishte marrë Uzejri me vete nuk ishte prishur fare, ndërkohë që gomari kishte ngordhur dhe prej tij kishin mbetur vetëm eshtrat - Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” – para syve të Uzejrit, eshtrat e gomarit qëndruan në këmbë, filluan të formohen venat, damarët, u veshën me mish dhe në fund me lëkurë - Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Bekare, 259)
Pas kësaj ndodhie, Uzejri iu drejtua fshatit ku ishte dërguar si profet, fshat i cili tashmë ishte lulëzuar dhe gumëzhinte nga jeta. Ai i pyeti njerëzit nëse e njihnin Uzejrin dhe ata iu përgjigjën:"Po e njohim, por ka humbur para njëqind vitesh."
Duke qeshur, Uzejri a.s u thotë:"Unë jam Uzejri." Por ata nuk e besuan. Menjëherë vajtën tek një plakë e cila ishte mbi njëqind vjeçe dhe i kërkuan t'ua përshkrojë Uzejrin. Thuhet se ajo ishte nëna e Uzejrit. Ajo ua përshkroi Uzejrin a.s, përshkrim i cili i përshtatej Uzejrit. Atëherë njerëzit e besuan se ishte Uzejri a.s. Ai filloi t'u mësojë Teuratin duke e përtërirë sërish ligjin e Musait a.s. Kështu njerëzit iu kthyen sërish fesë dhe besimit monoteist. Ata e respektuan shumë Uzejrin a.s, madje më vonë edhe e shenjtëruan, saqë besuan se ai ishte bir i Zotit. "Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut” (Teube, 30)
Hebrenjtë vazhduan ta shohin si shenjt Uzejrin a.s dhe e konsiderojnë si fara e shenjtë dhe biri i Zotit. Deri në ditët e sotme, hebrenjtë e shohin Uzejrin a.s (Dibanin) si bir të Zotit.