Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Me nxirrni nga kemisha e babait

Plot energji dhe bindje, më foli për transformimin e tij nga shkolla ku kishte kaluar vitin e parë, në një shkollë tjetër larg shtëpisë. Kur e pyeti mbi shkakun, ai u përgjigj si i fyer, se mësuesit, madje dhe drejtori, e trajtonin si “biri i filanit” duke mos e ndihmuar aspak të ketë personalitetin e tij të vërtetë. Ai dëshironte të shkojë në një shkollë ku nuk e njihte askush, ku emrin e të atit të mos e kishte si damkë që nuk i shqitej.

Sa herë që merrja rezultate të larta, pikasja sy të cilat sikur thonin: Është biri i filanit ai, prandaj i vihen nota të mira. Sa herë që merrja nota të ulëta, dëgjoja zëra që thonin:

Eh, nga zjarri mbeti hiri.

Kështu, në të dy rastet unë isha i fyer dhe kokulur.

Sa herë që i buzëqeshja kolegut përbri në klasë, mësuesi më kritikonte me fjalët: A kështu sillet biri i filanit?!

Të gjithë ata që më rrethojnë, më kanë veshur një këmishë e cila nuk më shkon për shtat.

Unë jam një qenie e pavarur, jam një shpirt i ndryshëm, një mendje e re, një trup i njomë, një eksperiencë modeste e cila synon lartësitë, unë dua ta zbuloj vetë të mirën dhe të keqen.

Kam një dëshirë të zjarrtë që të gjithë atyre që më rrethojnë tu ulërij:

Më nxirrni nga këmisha e babait!

Ndihem maksimalisht mirë kur sillem siç dua, pa zgurdulluar sytë majtas e djathtas, pa i bërë llogaritë, pa i studiuar reagimet për gjithçka që veproj.

Kur gaboj, më pëlqen të ndëshkohem sepse thjesht kam gabuar dhe jo ndëshkim në formë kritikash e qortimesh, bazuar në lidhjet biologjike me babanë tim.

Kur e bëj diçka mirë, më pëlqen të shpërblehem sepse kam bërë diçka. Por jo sepse këtë të mirë e ka bërë biri i filanit.

Jo. Nuk dua të tregohem mosmirënjohës me tokën ku u rrita. Nuk dua t’ua mohoj të mirën atyre zemrave që u përkujdesën për mua që në vegjëli. Tashmë jam tetëmbëdhjetë vjeç, gjë e cila më ngarkon me përgjegjësi para vetes dhe të tjerëve.

Dikush mund të hamendësojë se është i vetmi që më flet me këtë gjuhë. Ndërkohë, unë e di se djali i xhaxhait, mësuesi në shkollë, djali i tezes, babai i shokut, imami i xhamisë, polici që më ndaloi për kundravajtje dhe shumë të tjerë të cilët nuk më vijnë në mendje, të gjithë më flasin me këtë gjuhë. Sikur nuk e meritoj të më flasin si një qenie më vete, e pavarur, me emër të tijin në gjendjen civile, i ngarkuar me përgjegjësi nga Zoti, me aftësi menaxhuese, me personalitet të tijin të ndryshëm nga ai i të tjerëve, madje i ndryshëm edhe nga ai i prindërve.

Nëse më ndodh të rrëshqas apo të bëj ndonjë gomarllëk, në fund të fundit ky është vendimi im dhe zgjidhja ime. Dua që të tjerët të mos ma kujtojnë se nuk duhet ta përsëris këtë, jo për gjë tjetër, por thjesht sepse jam biri i filanit dhe degë e tij.

Mësues i dashur!

Padyshim që ke lexuar në libra dhe ke dëgjuar mbi mendimet që i vijnë në kokë një adoleshenti si puna ime. Duhet të kesh lexuar edhe mbi ndjenjat, emocionet dhe përshtypjet e kësaj moshe. Por, mos vallë ke lexuar se edhe depersonalizimi dhe zëvendësimi i fotos time me atë të babait, ndihmon në pjekjen time dhe kapërcimin e problemeve?!

Mos kërkon të më bësh një kopje identike të babait tim?

Mund të pranohet prej teje, që këtë fjalë të ma kujtosh një herë, por të ma përsëritësh herë pas here, të them të drejtën e kam të vështirë ta kapërdij. Mund të jetë e pranueshme edhe nëse ky fenomen është i kufizuar vetëm tek ti, por është krejt e papranueshme që këtë fenomen ta has tek të gjithë njerëzit. Të gjithë më drejtohen me gisht, gjë e cila më rëndon dhe më vë në pozita të vështira.

A e beson se një nga të njohurit, kur u poqëm në një ceremoni, më ledhatoi në faqe me dorën e tij të madhe dhe duke ndjerë mungesën e qimeve më pëshpëriti në vesh:

Ngjaji babait, bëhu dhe ti leshator!

A e di se kur polici i qarkullimit më nxorri jashtë pasi më kishte mbajtur tre orë në qeli më tha: Çfarë mendon babai yt për...?

E kuptoj, mund ta kesh të vështirë ta kuptosh sikletin tim. Veç po të ishe në vendim tim dhe të vuaje atë që vuaj do më jepje të drejtë.

Dashamirësit e babait më kanë sfilitur me dashurinë e tepërt që manifestojnë me mua dhe me urimet që të bëhem një imazh origjinal i babait, personit që kanë dashur dhe e duan aq shumë.

Sakaq, kundërshtarët e tij më ngarkojnë me fajet dhe gabimet e babait. Nuk është aspak e çuditshme që bisedat të marrin kahje tjetër, thjesht sepse kaloj unë pranë. Madje, dikush edhe më pyet: Mos je biri i filanit?

E mandej, më ngarkojnë mirë e mirë me fajet, shkarjet, gabimet, gafat dhe qëndrimet e gabuara të babait, gjithmonë sipas tyre.

Më beso, kurrë nuk jam ndjerë entuziast të vihem në pozita mbrojtjeje, edhe pse nga brenda ziej. Thjesht dua t’ju them se ata kanë dëgjuar vetëm emrin, sepse nuk jam unë personi për të cilin flasin.

Unë jam një qenie tjetër, që ka marrë disa tipare nga babai dhe tipare të tjera nga njerëz të ndryshëm. Unë nuk jam një fotokopje e një libri. Jo. Unë jam një libër i ri, me një titull të ri.

Edhe ti i dashur baba... Tashmë nuk më trajton si birin i cili ka nevojë për dashuri, dhembshuri dhe miqësi. Ti nuk më trajton as si adoleshentin me të cilin lipset durim, maturi dhe zemërgjerësi. Ti nuk po më trajton as si njeri i pavarur, që ka nevojat e stadit moshor.

Gjithmonë më thua: Çfarë do mendojnë njerëzit për këtë?!

Unë pranoj të jetoj në një rreth dhe shoqëri solide dhe që ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta. Në fakt, kjo shoqëri më ka ndihmuar të ndihem person me identitet. Ajo më ka ndihmuar ta fiksoj orientimin dhe busullën time në jetë.

Por këto lidhje kaq të ngushta ma shpifin dhe ma bien në majë të hundës, kur shndërrohen në përgjime, hetime, kureshtje dhe parazitizëm.

Baba i dashur! Prej teje dua të më kujtosh vlerat e mia por edhe përgjegjësitë. Prej teje pres ti respektosh zgjedhjet e mia. Ashtu siç pres të më këshillosh. Zgjeroje pak zemrën për mua dhe duroji disa gomarllëqe të miat, derisa ta kapërcej vetë këtë periudhë. Por kjo, me mbështetjen tënde dhe jo me minimin e personalitetit tim apo ironizimin shkatërrues.

Nuk dua të jem një njeri, të cilit njerëzit i pëshpërisin herë pas here se vlera e tij e vetme është sepse është biri yt dhe asgjë më tepër. Para se të jem biri yt, unë jam pasardhës i Ibrahimit a.s, mikut më të ngushtë të Zotit. Unë jam bir i njeriut të parë mbi tokë, profetit Adem a.s, ashtu siç i përkas asaj plejade profetësh të shumtë.

“midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.” (Saffat, 113)

Mos vallë e teprova? Nëse po, kërkoj ndjesë derisa të bëhet qejfi. Megjithatë, dije se ishte thjesht një përshkrim i asaj që ndjen zemra dhe mban kraharori im i njomë.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free