Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Karburanti i suksesit

Që të jetë i suksesshëm, një njeri duhet të ketë tre persona në jetën e tij: Një mik motivues, një konkurrent të fortë dhe një kundërshtar i cili gjurmon mangësitë e tij. Miku motivues, është ai që të shton vullnetin, të mbush me energji , vlerëson veprat e tua të suksesshme, të ndihmon të kapërcesh vështirësitë, të lehtëson barrën, të orienton në momente pështjellimi, të këshillon kur ke nevojë, ndez entuziazmin tënd, të nxit për të brofur dhe për t’iu ngjitur majave të suksesit. Poeti arab Beshar bin Berd thoshte:

Të duhet një i fisëm për ti qarë hallin

Të të ngushëllojë, lehtësojë dhe lëngojë si ti.

Ky mik i sinqertë dhe besnik, është më i rrallë se rubini i kuq. Mund të kalosh gjithë jetën pa e gjetur një mik të tillë. Emiri andaluzian i qytetit Toledo, Emir ibnu Sumadeh El-endelusij, ankohej dhe qante për faktin se kishte falimentuar nga miqtë dhe shokët e sinqertë e besnikë në kohë vështirësish. Ai thuri disa vargje të mrekullueshme lidhur me këtë fakt, ku thotë:

Larg njerëzisë që njoh

Larg shokëve që çdo ditë i ndërroj

Koha s’më njohu me ndonjë mik për kokë

T’ia qaj hallet e shumta, që njeh kjo tokë

Sa herë i ftoja për ndihmë e përkrahje

Jo ndihmë, por një kob tjetër bëhej

I dyti, është konkurrenti që të rivalizon, ai që synon të arrijë majën ashtu si ti, ai që është shndërruar në matës të fuqive dhe energjive të tua, ai që ta shton pasionin për sukses, iniciativë dhe kreativitet. Një personi të suksesshëm, nëse i ndodh që të mos ketë rivalë, mendon se është gjeniu i vaktit, i vetmi i zamanit, mrekullia vetë. Kështu, i dorëzohet gjumit dhe plogështisë, duke  besuar se është fenomenal, edhe pse është në moçal. Kur dikush mbeti pa rivalë, tha: Tani bëj vezë dhe kakaris si ta ka ënda!

Kur Ibnul Xheuzij mori rrugën për të kryer obligimin e Haxhit, një vaiz nga Bagdadi, i zuri vendin dhe filloi të mbajë predikime, duke pretenduar oratori dhe gjuhëtari. Kur Ibnul Xheuzit i ra në vesh kjo, tha: Ai është si i vogli i devesë, i cili sa është pa litar në qafë, pëllet e hidhet përpjetë, por me ti vënë litarin dhe lidhur, ai bëhet pulë e urtë.

I treti, është kundërshtari armik. Një të suksesshmi i lipset dhe kundërshtari i cili gjurmon dhe zhbiron të metat e tij, ia publikon dhe demaskon. Kështu, ai shndërrohet në një mbështetës dhe përkrahës të fuqishëm, pasi i tregon çfarë nuk duhet të bëjë. Nëse nuk ekziston një kundërshtar i tillë, i suksesshmi ligështohet shumë shpejt, i verbërohet gjykimi, i hyn vetja në qejf dhe i shtohen shkarjet. Thotë Ebu Tibi:

Armiqësia ka të mirat e saj

Siç ka miqësia dhimbjet e saj

E mira e armiqësisë është se armiku i zbulon pikat e tua të dobëta dhe të panjohura prej teje, ai të nxjerr në pah atë që nuk e sheh dhe nuk e nuhat. Kjo të bën që të bësh kujdes dhe ti shmangësh gabimet e pa vëna re. Prandaj, ziliqari shihet si një mirësi për të suksesshmit, pasi pa e kuptuar shndërrohet në një tellall reklamues gratis për sukseset dhe arritjet e tij. Ai e ngre zërin lart dhe ia shton vlerat në çdo mexhlis që ulet. Ebu Temami, poeti arab thoshte:

Zoti, kur do ta publikojë një të mirë të harruar

I nënshtron një ziliqar me gojë të praruar

Sa më të shumtë të jenë armiqtë dhe ziliqarët, aq më shumë i ndriçon ylli i suksesit dhe lartësia e emrit të mirë. Ditën që njeriu mbetet pa ziliqarë dhe armiq, le ti thotë lamtumirë kësaj bote, pasi radhitet tek të vdekurit, edhe pse merr frymë dhe ecën mbi tokë. Numri i armiqve dhe ziliqarëve, është tregues i madhështisë dhe suksesit. A u ka rastisur ndonjëherë të konstatoni ziliqarë dhe armiq për një të plogësht, dembel, duarbosh, dështak dhe mendjelehtë? E për çfarë duhet ta kenë zili? Për çfarë duhet ta urrejnë? Një kolos i vërtetë, është ai kudo që shkel shkakton tërmet, ai që shoqërohet nga vetëtimat e bubullimat.

Një kokë dembeli i tha një ditë të atit:”Të përgëzoj baba, unë jam nga ata burra që nuk kanë armiq e ziliqarë.” I ati ia ktheu:”Po more bir po, sepse je një dem në thertore dhe jo dem në llogore.”

Prandaj, një i suksesshëm duhet ti kërkojë tre kategoritë e njerëzve; Mikun e besueshëm, konkurrentin dhe ziliqarin, pasi vetëm kështu ruan ekuilibrin, ritmin dhe harmoninë. Secili nga këta të tre, miku motivues, rivali nxitës dhe ziliqari zhbirues, luan rolin e tij dhe kryen detyrën, duke të ndihmuar në projektin e suksesit. Në çdo sferë të jetës, do të gjesh që këta të tre janë të pranishëm, në shkencë, politikë, mendim, ekonomi etj... Është e pamundur për një të suksesshëm që të arrijë majën vetëm me miqtë besnikë. Atij i duhen dhe konkurrentët dhe ziliqarët. Një mendjehollë, do të bënte çmos që ti sigurojë të tre këto kategori dhe secilit prej tyre ti besojë misionin përkatës. Nëse ai vetë heq dorë nga puna, mundi dhe përpjekjet, edhe këta të tre heqin dorë nga misioni i tyre. Sa më e madhe të jetë forca e tij, aq më e madhe është dhe forca e tyre. Nëse dëgjon lart e poshtë lëvdata dhe kritika, e kupton vetë që janë zërat e rrugës së madhështisë. Në të kundërt, nëse përjeton qetësi vrasëse dhe heshtje totale, as zëra, as lajme dhe as shikime, dije se je në varr.

E di, do të lodhesh mjaft në kërkim të mikut besnik, ndërkohë që konkurrentin do e gjesh para sipas nivelit të suksesit tënd. Kurse armikun dhe ziliqarin, falëndero Zotin, se do e gjesh krejt kollaj dhe lehtësisht. Sa më shumë ziliqarë të kesh, aq më të shumta janë mirësitë e Zotit.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free