Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mjekra si pretekst. A u ngjajmë të tjerëve

 Gati se çdo ditë i dëgjojmë akuzat ndaj atyre të cilët nuk kanë lëshuar mjekër, se janë duke bërë përngjasim me jomuslimanët dhe u ngjajnë të tjerëve?! Por, vallë, një akuzë e tillë a është me vend, të thuash se ai hoxhë i cili nuk ka mjekër nuk meriton të del imam?!

Kjo është një thënie e kotë të cilën e kanë lansuar disa injorantë duke u thirr në mbrojtjen e Islamit, por në realitet ata nuk e kanë kuptuar thirrjen e tyre dhe nuk i kanë shqyrtuar argumentet të cilat i përdorin!  Ne me këtë temë nuk jemi kundër atyre të cilët kanë lëshuar mjekra dhe kanë vendosur të praktikojnë një sunet të Pejgamberit a.s. por kundër atyre të cilët duan t’ua imponojnë një gjë të tillë gjithëve, duke u mbështetur në faktin se lëshimi i mjekrës është vaxhib dhe ruajta e mjekrës është ndryshim i krijimit të Allahut, se ai i cili nuk ka mjekër nuk mund të hyjë në xhenet?!

Ata kur duan të argumentojnë se është vaxhib mjekra, sjellin hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë: “”Dallohuni nga idhujtarët; lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet!” [transmeton Buhariu 5553 dhe Muslimi 259], ndërsa në transmetime tjera qëndron “dallohuni nga ehlul-kitab” (Muslimi); “dallohuni nga zjarrputistët” (Muslimi, Bejhakiu, Ahmedi), pra, nga ky hadith nxjerrin përfundim se mjekra është vaxhib, por nëse shohim hadithet e Pejgamberit a.s. të kësaj natyre, si p.sh. “dallohuni nga këta duke bërë këtë”, kemi shumë hadithe, të cilat një herrit nuk janë të obligueshme edhe pse është i njëjti tekst, pra, të sjellim disa hadithe të cilat janë në këtë konotacion: Thotë Ebu Hurejra r.a.: Kur Pejgamberi s.a.v.s. e përcillte ndonjë kufomë thoshte: “Shpërndahuni nga ajo e mos u zvarritni ashtu siç zvarriten Jehuditë me kufomat e tyre.” [transmeton Ahmedi 8542]; hadithi tjetër ku Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Jehudët nuk ngjyrosen prandaj kundërshtoni ata!” [transmeton Buhariu 3257 dhe Muslimi 2103]; a është vallë ngjyrosja vaxhib, cili e ka praktikuar dhe cili është ai dijetar që thotë se ngjyrosja është vaxhib?!; Gjithashtu Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ngjyrosni flokët e thinjura dhe mos iu përngjani Jehudëve!” [transmeton Tirmidhiu 1752, Nesaiu 5073 dhe Ahmedi 7492]; a është vaxhib plaku t’i ngjyros flokët e thinjura?!; Ka thënë Mervedhiu: E kam pyetur Ebu Abdullahun (Imam Ahmedin) për rruajtjen prapa qafës ai tha: kjo është vepër e Mexhusëve e kush i përngjan një populli ai është prej tyre. Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Kundërshtoni Jehudët sepse ata nuk falen me këpucët dhe çorapët e tyre!” [transmeton Ebu Davudi 652, Hakimi 1260 imam Dhehebiu këtë hadith e bënë të vërtetë]; duke u bazuar në këtë hadith, çka duhet të bëjmë, ti nxjerrim tepihët nga xhamitë dhe të falemi me këpucë, kush falet sot me këpucë duke thënë se një gjë e tillë është vaxhib?

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të librit (Krishterët dhe Jehudët) është ngrënia e syfyrit.” [transmeton Muslimi 1096, Ebu Davudi 2343, dhe Hakimi 1431] “Gjithnjë do të jetë feja e qëndrueshme përderisa njerëzit e shpejtojnë iftarin ngase Jehudët dhe Krishterët e vonojnë atë”. Kush ka dëgjuar ndonjë dijetar i cili thotë se të hash syfyr është obligim; agjërimi është obligim ndërsa syfyri është sunet. Transmetohet nga Ibën Abbasi r.a. se kur e agjëroi Pejgamberi s.a.v.s. ditën e Ashurës si dhe urdhëroi për agjërimin e saj, dikush tha: “O i Dërguari i Allahut, ajo është një ditë të cilën e madhërojnë Jehudët dhe Krishterët”, atëherë tha: “Nëse e arrijmë vitin e ardhshëm, inshallah, do të agjërojmë ditën e nëntë.” Tha Ibën Abbasi r.a.: Vitin që erdh, Pejgamberi s.a.v.s. vdiq.” [transmeton Muslimi 1134].

Ndërsa në Musnedin e Ahmedit qëndron se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Agjëroni ditën e Ashurës (e dhjeta) dhe kundërshtoni në të Jehudët duke agjëruar një ditë para apo pas saj!” [transmeton Ahmedi 2155]; Gjithashtu nga ky hadith nuk nënkuptohet se agjërimi i ditës së 9-të është vaxhib. Pra, të gjitha këto hadithe dhe të tjera të cilët kanë këtë shprehje në tekst,“të dallohemi”, nuk d.m.th. se është e obligueshme por e preferuar. Pra, nuk themi se mjekra është vaxhib, por një sunet i Pejgamberit a.s. i cili është i preferuar ta praktikojë muslimani. Nëse shohim jetën e të Dërguarit s.a.s. do të shohim se në luftën e Hendekut, kur Selman Farisiju i dha propozim që të hap hendek, siç e kishin në strategji luftarake Persianët, Pejgamberi a.s. nuk tha se këtë e bëjnë jo besimtarët dhe ne nuk u ngjajmë atyre, por e miratoi.

Argument tjetër të cilin e përdorin ata, është se me rruajtjen e mjekrës, ne bëjmë ndryshimin nga krijimi i Allahut, duke u bazuar në ajetin: “Do t’i urdhëroj që të ndryshojnë atë që Allahu ka krijuar.” (Nisa 119); por një gjë e tillë, nuk pranohet për argument, pasi ne me heqjen e mjekrës nuk ndryshojmë nga krijimi i Allahut asgjë, sepse ne jemi të urdhëruar që të largojmë disa qime nga trupi i jonë si p.sh. mustaqet, nënsqetullat, flokët, synetllëku…; të gjitha këto veprime janë në natyrën e njeriut, por duhet të mënjanohen, dhe nuk mund të themi se synetllëku është i ndaluar pasi ndryshon krijimin e Allahut, jo, por sipas shumicës së dijetarëve një vepër e tillë është vaxhib, e nuk mund të themi se ndryshon nga krijimi i Allahut!

Gjithashtu thonë se kjo është kundërshtim i urdhrit të Pejgamberit a.s. duke thënë se fjala “lëshoni mjekrat, zgjasni mjekrat”, është nga forma urdhërore, dhe qenka e obligueshme, por ne hasim në Kuran terme që janë në formë urdhërore, por nuk nënkuptohet urdhër, si p.sh. “O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni  atë…” (Bekare, 282). Në këtë ajet, edhe pse është në formë urdhërore shkruajeni atë, nuk nënkuptohet obligimi, pastaj në ajetin tjetër: “kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut…” (Xumua, 10); edhe këtu shpërndahuni nëpër tokë është në formë urdhërore, por nuk nënkupton obligim.

Gjithashtu në suren Maide ajeti 95-96, ku thotë se “pasi të nxirrni ihramin, bëni gjueti”, nuk d.m.th. se është patjetër të bëjmë gjueti, pastaj në një hadith Pejgamberi a.s. thotë: “Martohuni që të shtoheni”, nga ky hadith ku termi “Tenakehu” nuk na e bën të obligueshme martesën dhe “Tekatheru” lindjen e fëmijëve, por vetëm tregon se është e preferuar. Nuk mund të themi, po ashtu, se kush e rruan mjekrën u ngjan jo besimtarëve, pasi në kohën e sodit ruajtja e mjekrës nuk është diçka e pa njohur në mesin e muslimanëve, e as që dikush e bën që t’i ngjaj dikujt, ndërsa në kohën e Pejgamberit a.s. ka qenë ndër traditat e forta të arabëve që të mbajnë mjekra, pasi kur Pejgamberi a.s. erdhi si i Dërguar, arabët e kishin një traditë të tillë, e Pejgamberi a.s. nuk e kundërshtoi e as e obligoi, por e miratoi, edhe njihet si një traditë, pasi Pejgamberi a.s. shumë gjëra i gjet në mesin e popullit, ata që ishin kundër Sheriatit, i ndaloi, ato që nuk ishin kundër, i miratoi. Pastaj, ndër argumentet që i sjellin, është se qenka përngjasim me gratë!, duke u bazuar në hadithin ku mallkohen ata që u ngjajnë grave, e gratë që u ngjajnë burrave! Por, nëse shikojmë hadithe të tjera, në një hadith thuhet:”Mjekra është zbukurim i burrave, ndërsa flokët e gjata, zbukurim për femrën”; e nëse sipas këtij hadithi gjykojmë, atëherë qenka i mallkuar ai burrë i cili i zgjatë flokët, ku dihet se disa nga sahabët kanë pasur flokët e gjata?!, Pra, mjekra është zbukurim e jo obligim! Një ndër argumentet e tyre është edhe ajeti kuranor ku thuhet: “Mos më kap për mjekre e as për koke” (Ta-Ha, 94), ky ajet është vetëm një fjalë e Harunit a.s. drejtuar Musait a.s., e dikush këtë ajet e merr për të vërtetuar se mjekra është obligim?! Pse Haruni a.s. ka pasur mjekër ne nuk obligohemi me të, pasi edhe në ligjin e Musait a.s. për t’u pranuar pendimi duhej të bënin vetëvrasje, e te ne nuk është ky ligj! Gjithashtu, transmetohet s Ibn Umeri r.a. e ka shkurtuar mjekrën, saqë kur ka desh ta ruaj, e ka kapur me grushtin e vet dhe tepricën e ka shkurtuar, pra, e ka mbajtur 4 gishta, këtë e ka praktikuar pasi e ka parë Pejgamberin a.s. (Buhari, 10/296); e sipas kësaj veprojnë edhe dijetarët hanefi.