Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Respekto veten

Respekto veten!

Stuhitë e ftohta zakonisht janë të fuqishme, i sheh njerëzit të nxitojnë me fytyra të mbuluara. Zëri i erës dominon mbi çdo zë tjetër, aq sa të dëgjosh dikë që të flet ndonjëherë është e pamundur.

I dola përballë një kalimtari me qëllim që mos të më anashkalojë dhe e pyeta mbi Sea Point. Ai nuk ma vuri veshin fare, por vazhdoi rrugën i patrazuar. E njëjta gjë ndodhi dhe me të dytin, edhe i treti, as që mi hodhi sytë.

Ndjeva mllef e neveri, por arrita ta kapërdij. E dija se kështu do të fitoj kënaqësinë e Zotit, i cili kërkon prej nesh të triumfojmë mbi ndjenjat tona negative ndaj të tjerëve. Në moment më erdhi ndërmend diçka shumë e rëndësishme në komunikimin me njerëzit. Ajo që i nevrikos dhe i zemëron më shumë njerëzit është injorimi dhe shpërfillja e tyre, ose thënë ndryshe mos respektimi i tyre. Ndjenja se edhe unë jam dikush, është një ndër stimujt më të rëndësishëm njerëzorë.

Burg nuk janë vetëm muret, vargonjtë, dritaret e hekurta dhe xhelatët e pamëshirshëm. Burg i vërtetë është kur tjetrin e bën të ndjehet i injoruar, i shpërfillur dhe i lënë pas dore. Burgu dhe dënimi i vërtetë është atëherë kur e bën të ndihet i tepërt, se është i parëndësishëm. Burgu më i rëndë është kur njeriu ndjehet njëlloj për tjetrin si të kënaqet apo zemërohet, afrohet apo largohet, jeton apo vdes.

Të respektosh veten, është fillim i artë për të fituar respektin e të tjerëve. Të respektosh veten, do të thotë ta ruash dinjitetin dhe personalitetin tënd, të mbrosh arritjet e tua dhe të ecësh në rrugën drejt suksesit qoftë dhe në lojën e kubit shumëngjyrësh.

Respekti ndaj një fëmije të vogël, nuk është një kompliment vetëm për prindërit e tij, por edhe për të ardhmen dhe familjen e tij. Këto tipare dhe kjo mimikë kaq e pafajshme, një ditë do të rritet. Ky fëmijë nesër do të bëhet shkencëtar, gjeni, ministër,  biznesmen etj... Kjo çupë e lezetshme një ditë do të bëhet një amvisë, zonjë shtëpie, nënë dhe gjyshe nipërish e mbesash të suksesshëm.

Të rinjtë dhe adoleshentët tanë vuajnë për të pasur më shumë liri dhe pavarësi. Ata duhen respektuar dhe vlerësuar nga prindërit, mësuesit, hoxhallarët dhe edukuesit para se të marrin vendime vetjake për tu shkëputur në kërkim të respektit.

Edhe ai që fshin rrugët apo lan makinat është njeri, fisnik dhe i nderuar nga vetë Krijuesi i tij. Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit” (Isra/70). Nderi është pjesa më humane dhe karakteristika më e veçantë e njeriut. Madje, ai mund të qëndrojë më lart se ti me ndershmërinë, durimin dhe besimin. Edhe pse mund të jetë shofer taksie apo një punonjës krahu, ai mund të ngrihet natën të falë dy rekate ndërsa shefi i tij është në gjumë të thellë dhe nuk do t’ia dijë për namazin me xhemat. Profeti Muhamed a.s thotë: “Luteni Zotin nëpërmjet njerëzve të vobektë mes jush. Risku dhe fitorja u vjen nëpërmjet tyre.” (Daudi, Tirmidhiu, Ahmedi)

Të etiketosh tjetrin me epitete të ndryshme, mbi racën, shtetin apo krahinën nga vjen, hyn tek gjuha e mendjemadhësisë dhe arrogancës. Një funksionar i administratës shtetërore, një klient, një udhëtar, një person që pret radhën etj... të gjithë kanë nevojë për pak respekt në çdo rast, e arrijnë apo jo atë që kërkojnë. Respekti dhe etika në komunikim me ta, u fal kënaqësi dhe u vulos përfundimisht buzëqeshjen në buzë, për tu larguar të gëzuar.

Respekto veten!

Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah ibn Amr ibn Asi se i dërguari i Zotit ka thënë: “Tek gjynahet e rënda hyn dhe ofendimi i prindërve.” Të pranishmit e pyetën: “O i dërguar i Allahut! E si mund ti ofendojë njeriu prindërit e tij?!” Profeti (a.s) u përgjigj: “Po. Ofendon babanë e tjetrit dhe ai të ofendon babanë, apo ofendon nënën e tjetrit dhe ai ofendon nënën tënde.”

Pra, të ofendosh prindin e dikujt është njëlloj sikur ke ofenduar prindin tënd, gjë e cila shkakton dhe motivon tjetrin që t’i ofendojë prindërit e tu. (En’am/108)

Nuk ka shenjtëri më të madhe se ajo e besimit fetar, profetëve të Zotit dhe ligjeve të shpallura prej Tij, të cilat nuk duhen cenuar me çfarëdo lloj justifikimi dhe arsyetimi qoftë.

Respekto veten! Është një shprehje që e shqipton tjetri kushedi sa herë, në formë presioni ndaj nesh. Nga një shprehje e bukur dhe tingëlluese ajo është transformuar në një kërcënim dhe paralajmërim të shkeljes së kufijve.

Të respektosh veten, do të thotë të respektosh qenien njerëzore.

Në koleksionin e saktë të imam Muslimit, transmetohet nga Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, se profeti Muhamed (a.s) ka thënë:“Nëse dikush prej jush përleshet me vëllain e tij, mos ta qëllojë në fytyrë, pasi Zoti e krijoi Ademin sipas shëmbëlltyrës së tij.”  Sipas kësaj thënie profetike, fytyra konsiderohet zonë e dinjitetit dhe nderit të njeriut, aty gjenden shumica e shqisave; si ajo e nuhatjes, shikimit, dëgjimit dhe shijes. Fytyra shpreh cilësitë e mira të njeriut: si bujaria, zemërgjerësia, dhembshuria po  ashtu shpreh të kundërtat e tyre si nervozizmin, koprracinë etj.

Ky është dinjiteti njerëzor, pjesë e të cilit jemi ne, është vëllai yt dhe çdo njeri. Cenimi dhe sulmi mbi dinjitetin e dikujt, në radhë të parë konsiderohet si cenim dhe sulm ndaj dinjitetit tënd. Një vendas dhe një emigrant janë njerëz të barabartë si dhëmbët e krehrit.

“Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit.” (Maide/30)

Zoti e ka quajtur vëlla edhe pse ai shtriu dorën vrastare për herë të parë në historinë e njerëzimit. Profeti Muhamed (a.s) e quan “Biri i parë i Ademit” që ka mbartur gjynahun e vrasjes në mënyrë të padrejtë, pasi ai është i pari që e bëri këtë krim të rëndë.

Ata që vrasin njerëz dhe vrasin popujt e tyre, kanë humbur humanizmin, kanë humbur respektin për veten, kanë humbur nderin dhe dinjitetin njerëzor. Pas idhujtarëve që besojnë se Zoti ka rivalë ata janë njerëzit më kriminalë mbi faqen e dheut.

Për çfarë dinjiteti e nderi mund të flitet tek një njeri që vret vëllain e tij?! Ai mbart edhe gjynahet e të vrarit siç thotë Zoti: (Maide/29)

Jeta është kontribut në vepra të mira, kurse vrasja e ndërpret këtë kontribut. Prandaj Zoti i lartësuar ka sanksionuar dënimin me vrasje, i cili i shërben jetës dhe e mbron atë.

Kur një grua vdes gjatë lindjes ajo konsiderohet martire, pasi vdiq ndërkohë që po sillte një jetë të re dhe martirët tek Zoti nuk vdesin kurrë. Këtë koncept e kuptojnë dhe e kanë kuptuar mirë njerëzit e lavdishëm gjatë gjithë historisë.

Njeriu nuk korr lavdi vetëm duke vrarë armiqtë e tij, por edhe me sakrificat që ka bërë dhe sfidat e vështirësitë që ka kaluar.

Le të shohim ushtarin e mposhtur nga armiku i tij i pamëshirshëm, i cili në çdo çast është i gatshëm ti japë fund jetës së tij. Një ushtar dinjitoz, thellë në zemër thotë: ”Bëj ç’të duash, përderisa nuk e ke në dorë lirinë, nderin dhe dinjitetin tim.” Në momentin kur ushtari sjell ndërmend konceptin e dinjitetit, nderit dhe respektit konsiderohet “njeri” në çdo aspekt dhe jo një makineri vrasjesh dhe  shkatërrimi. Të formosh ushtarë të vetëdijshëm se detyra e tyre nuk është shkatërrimi dhe vrasja por ndërtimi dhe jeta, është nga parimet e miratuara nga ligji Islam dhe vlera e tij.

Zakonisht, kur përmendet ushtria, ndërmend na vjen frika, terrori dhe gjakderdhja. Një ushtri e tillë nuk është ajo që i plotëson kriteret për të garantuar jetën. Ushtria e pamposhtur e shpirtit dhe me moral të lartë, është ajo që garanton dashurinë, respektin dhe mirësinë.